Lajmet

Policia raporton për raste të armëmbajtjes pa leje, drogë, dhunë dhe aksidente trafiku

Published

on

Policia e Kosovës ka bërë të ditur rastet e raportuara gjatë ditës së 4 shtatorit në disa rajone të vendit. Në raportin ditor pasqyrohen ngjarje të lidhura me armëmbajtje pa leje, dhunë në familje, narkotikë, falsifikim të parasë, lëndime trupore dhe aksidente trafiku.

Në Fushë Kosovë, njësitë policore në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë kontrolluar një poligon armësh, ku dyshohej për keqpërdorim të lejes për shitje. Gjatë kontrollit në objektet e kompanisë dhe në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur 14 leje armësh, një pushkë gjuetie pa leje, 33 fishekë, një karikator i AK-47 dhe dy fishekë të armës me gaz. Rasti është në procedurë hetimore.

“Njësitë policore në koordinim me Doganën e Kosovës, nën dyshimin e bazuar se një operator ekonomik (poligon i armëve), është duke keqpërdorur lejen për shitjen e armëve duke i shitur ato në mënyrë ilegale, ka realizuar inspektim ku gjatë kontrollit të kryer në objektet e kompanisë si dhe shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar: 14 leje armësh në emër të të dyshuarit, një pushkë gjuetie (pa leje), 33 fishekë të pushkës së gjuetisë, një karikator i automatikut AK-47,  dy fishekë të armës me gas. Rasti në procedurë hetimore.” thuhet në njoftim.

Një burrë kosovar është arrestuar në Prishtinë pasi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë psiqike ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.” thuhet në raport.

Në lagjen Lakrishtë janë deponuar në banka 532 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara. Për rastin është njoftuar prokurori.

“Është raportuar se persona të ndryshëm dhe në kohë të ndryshme kanë deponuar 532 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori.” thuhet në njoftim.

Në fshatin Topanicë të Kamenicës është intervistuar një burrë kosovar, të cilit iu konfiskua një armë me 14 fishekë. Ai është liruar në procedurë të rregullt.

“Në bazë të informatave të pranuara intervistuar i dyshuari mashkull kosovar dhe nga ai është konfiskuar një armë me 14 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. thuhet në njoftim.

Në Klinë një shofer humbi kontrollin mbi automjetin për shkak të shpejtësisë së lartë. Si pasojë u lënduan ai dhe pesë pasagjerë të tjerë, të cilët morën trajtim në Spitalin e Pejës.

“Raportohet se drejtuesi mashkull kosovar si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është aksidentuar, me ç’rast drejtuesi dhe pesë persona tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Pejës.” thuhet në raport.

Në rrugën “Ali Hasi” në Gjakovë, policia arrestoi një burrë kosovar të cilit iu gjet një cigare me rreth 0.77 gram substancë narkotike. Pas intervistimit, u lirua në procedurë të rregullt.

“Gjatë një plani operativ është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollimit i është gjetur dhe konfiskuar një cigare e mbushur me substancë narkotike rreth 0.77 gram. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. “ thuhet në njoftim.

Në fshatin Bishtazhin ka ndodhur një aksident mes dy veturave, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Po ashtu, në Gjakovë është raportuar zhdukja e një gruaje, për të cilën ende nuk dihet vendndodhja.

Fsh. Bishtazhin, Gjakovë / 04.09.2025 – 10:30. Raportohet se ka ndodhur aksident trafiku në mes dy veturave. Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për të lënduar.

Gjakovë / 04.09.2025 – 10:30. Është raportuar se viktima femër është larguar dhe nuk dihet vendndodhja e saj. Rasti është duke u hetuar.

Në fshatin Kqiq i Madh, dy persona u arrestuan pasi sulmuan me shufra hekuri një burrë kosovar, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Ata u dërguan në mbajtje me vendim të prokurorit.

“Janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë për shkak se  pas një mosmarrëveshje kanë sulmuar fizikisht me shufra hekuri viktimën mashkull kosovar duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. “ thuhet në njoftim.

Në Shipol, persona të panjohur hodhën një mjet shpërthyes pranë një lokali, duke shkaktuar dëme materiale. Rasti është nën hetime.

“Është raportuar se persona të panjohur kanë hedhur mjet shpërthyes pranë lokalit të ankuesit mashkull kosovar. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime. “ thuhet në raport.

Në fshatin Polac të Skenderajt, gjatë një kontrolli në një veturë, policia gjeti 0.8 gram marihuanë, një mulli dhe rizlla. Dy persona u shoqëruan në polici, ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt.

“Janë shoqëruar në stacion policor dy meshkuj kosovarë, pasi që gjatë kontrollit në veturën me të cilën udhëtonin ata janë gjetur dhe konfiskuar 0.8 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, një mulli dhe rizlla. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt. “ thuhet në njoftim.

Në rrugën “Fan Noli” në Mitrovicë, policia arrestoi një burrë kosovar për armëmbajtje pa leje. Ai është dërguar në mbajtje.

“Më 04.09.2025 lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.” thuhet në njoftim nga Policia e Kosovës.

Në rrugën “Mbreti Pjetër” në Zveçan ndodhi një aksident trafiku ku ishte e përfshirë një qerre me kuaj. Katër persona, dy meshkuj e dy femra, pësuan lëndime trupore. Tre prej tyre u liruan pas tretmanit mjekësor, ndërsa njëri mbetet në spital.

“Ka ndodhur një aksident trafiku ku e përfshirë ishte një qerre me kuaj. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar katër persona dy meshkuj dhe dy femra serbe. Pas marrjes së tretmanit mjekësor tre nga viktimat janë liruar në shtëpi ndërsa njëri prej tyre është hospitalizuar. “ thuhet në njoftim.

Rastet e armëmbajtjes pa leje, dhunës në familje, narkotikëve dhe aksidenteve të ndryshme mbeten ndër sfidat më të shpeshta të organeve të rendit në vend./D.B/UBTNews

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

31 tetor 1993

Mikel Koliqi – kardinal i parë shqiptaë

Dje në Kishën katedrale të Shkodrës u mbajt një meshë e veçantë me rastin e shugurimit të kardinalit të parë shqiptar, shkëlqesisë së tij, monsinjor Mikel Koliqit, si dhe me rastin e kthimit të arqipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Frano Ilia nga SHBA. Në këtë meshë morën pjesë Ivan Dias, ipeshkv i Pultit, monjisor Robert Ashta, si dhe ndihmësi i ipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Zef Simoni, etj.

Në momentin kulmor të kësaj ceremonie foli Nunsi Apostolik, monsinjor Ivan Dias, i cili i njoftoi besimtarët me lajmin e shpalljes nga kryetari i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II të kardinalit të parë shqiptar, monsinjor Mikel Koliqit.

Mikel Koliqi është kardinali i parë në historinë shumëshekullore të katolicizmit shqiptar.

Lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Studimet e para i mori në Shkodër, ato të mesmet dhe të lartat për inxhinier në Itali. Në moshën 25-vjeçare bëhet prift. Kreu studimet e larta në teologji. Shugurohet meshtar në vitin 1931. Menjëherë emrohet zëvendës i famullitarit i Shkodrës. Pastaj bëhet famullitar i Shkodrës.

Mikel Koliqi ka qenë drejtor i parë i revistës “Kumbana e së dielës”, e cila ndalohet më 1945 me arrestimin e tij. Ai i kaloi 38 vjet në burg e internim. Më 1986 lirohet me amnisti të përgjithshme.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1992 Mikel Koliqit i jep titullin “Pishtar i demokracisë”.

 

31 tetor 1995

Gjatë vitit 1990 u vranë në kufi 32 shtetas të Shqipërisë

Gjatë vitit 1990 në kufijt e Shqipërisë u vranë 32 shtetas të Shqipërisë nga forcat kufitare shqiptare, njoftuan dje duke cituar një padi në Tiranë disa radiostacione të huaja.

Në njoftim thuhej se numri i të vrarëve në atë vit është më i madh se numri i të vrarëve për periudhën 1959 – 89. Për 30 vjet ishin vrarë 23 persona.

Njoftohet se organet zyrtare shqiptare kanë përgatitur listën e ta vrarëve dhe të dhënat për vendin e kohën e vrasjes së tyre, kështu që familjet e viktimave të mund të paraqesin padi.

 

31 tetor 1997

Gjendje e rëndë në fshatrat e komunës së Gjakovës

Bandat e armatosura plaçkitëse nga Shqipëria po vazhdojnë edhe më tutje kalimin në fshatrat kufitare të komunës së Gjakovës dhe po vrasin e plaçkisin banorët e kësaj ane.

Sipas njoftimeve nga Dega e LDK-së në Gjakovë, ditëve të fundit, gjendja është shumë e rëndë sidomos në fshatrat Molliq, Koshare, Brovinë, Nivokaz e Botushë.

Kalimet e bandave të ditëve të fundit kanë patur për pasojë edhe një të vrarë në Koshare, Afrim H. Zenunin, që u vra nga banda treanëtarëshe më 28 tetor. Ai kishte shkuar për të marrë sanë për bagëtinë në mesditë, ndërsa kjo bandë e detyroi t’i shpinte në shtëpinë e Xhanajve. Nën kërcënimin e armëve, Afrimi i drejtoi në këtë shtëpi, që është e varfër dhe që mbahet nga ndihmat e fshatit e në të cilin pjesëtarët e bandës plaçkitën çfarë gjetën dhe keqtrajtuan Mehmet Xhanin (52). Pas kësaj ata e detyruan Afrimin t’i dërgonte në shtëpinë e tij. Kur iu afruan shtëpisë, Afrimi thirri babain e tij për t’i bërë me dije se “në shtëpinë e tyre po vinin hajnat”. Në këtë moment, Afrimi u kacafyt me njërin nga pjesëtarët e bandës, i cili shkrepi automatikun dhe plagosi rëndë Afrimin. Meqë Kosharja është fshat malor, dërgimi i tij në Gjakovë u vonua dukshëm dhe kështu Afrimi vdiq nga pasojat e plagosjes.

Sipas njoftimeve, në fshatin Molliq se gjendja është e rëndë sidomos pas 17 tetorit. Këtë ditë, rreth orës 22, tre persona të maskuar e të armatosur me pushkë automatike, revole, thika e bomba, morën peng Kadri Hasanin (16) dhe e urdhëruan që t’i dërgojë në shtëpinë e Hysen Sadriut. Në këtë shtëpi plaçkitësit morën para, stoli ari dhe gjithë tjetër që kishte vlerë. Më pas plaçkitësit shkuan edhe në shtëpinë e djaloshit të marrë peng ku plaçkitën mall me vlerë prej rreth 1000 DM. Më pas djaloshi 16 vjeçar dhe të tjerët u detyruan me forcë që mallin e plaçkitur ta dërgojnë deri matanë kufirit. Atje, rreth orës 3 pas mesnate, plaçkitësit ua morën edhe këpucët dhe i detyruan të kthehen prapa.

Më 22 tetor, plaçkitësit trokitën në disa dyer të fshatit Molliq, ndërsa rreth orës 20:00 tentuan të hyjnë në një shtëpi të fshatit. Por, pasi u mblodhën rreth 50 banorë, plaçkitësit u larguan. Në një shtëpi më të largët ata vodhën dy batanije dhe demoluan orenditë. Po këtë ditë ata vodhën tri lopë në fshatin Nivokaz.

Më 23 tetor, në mesditë, tre plaçkitës të armatosur ia morën me dhunë lopën një fshatari, por meqë për pak kohë u tubuan shumë fshatarë, pas rreth 300 metrash, plaçkitësit e lëshuan lopën.

Më 24 tetor, iu plaçkitën tri lopë Osman Hysenit nga Shishmani.

Më 25 tetor, pas orës 1 pas mesnate, plaçkitës të armatosur vodhën tri lopë në Batushë, dy prej të cilave i lanë të lidhura në malin në afërsi, pasi vërejtën se plaçkitja ishte hetuar.

Më 27 tetor, rreth orës 18:30, plaçkitësit hynë në shtëpinë e Kasëm Ramës për t’ia marrë atij lopën. Ata, në shpejtësi morën peng djalin e tij 13 vjeçar. Pas kësaj u mblodhën disa fshatarë, plaçkitësit lanë djalin, dhe u larguan ngadalë nga vendi i ngjarjes.

Dje, kur u varros i ndjeri Afrim Zenuni, i vrarë nga plaçkitësit, u përhapën fjalë se tre persona të armatosur ishin vërejtur në vendin e quajtur “Shkozë” në afërsi të fshatit Batushë. Ndërsa, pas orës 24:00 në Batushë ata plaçkitën 6 lopë dhe një kali, pronë e Hasan Mehmetit.

Që nga data 15 qershor në fshatrat e përmendura më lart, janë plaçkitur mbi 40 krerë lopë. Ndërsa më parë vetëm në këto fshatra janë plaçkitur mbi 100 krerë lopë, dele e kuaj. Në fshatrat e bashkësisë lokale të Ponoshecit, ku më parë janë plaçkitur mbi 100 krerë bagëti, vetëm këtë vit janë plaçkitur mbi 150 krerë.

Njoftimet nga këto fshatra bëjnë të ditur për një gjendje tepër të tensionuar dhe për shqetësim të përgjithshëm të banorëve të pambrojtur, të cilët përditë e më shumë po bëhen pre e plaçkitësve të armatosur, të cilët për realizimin e qëllimeve të tyre janë në gjendje madje edhe të vrasin njerëzit, faji i vetëm i të cilëve është se provojnë të mbrojnë atë që është pronë e tyre.

 

31 tetor 1998

Në Llaushë u gjetën tri gra të vrara

Sot në Llaushë të Skënderajt u gjetën trupat e tri grave shqiptare, të vrara gjatë sulmit serb në këtë fshat para tre muajsh.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njoftoi se u gjetën trupat e Fatime Gecit (73) e Mevlude Gecit (45) nga Llausha, dhe trupi i Hamide Terakut (51) nga Vitaku, nënë e 8 fëmijëve. Dy të parat ishin invalide dhe nuk kishin arritur të ikin nga fshati.

Trupat e tyre u gjetën të gropuar së bashku me mbeturina të shtazëve të vrara dhe të mbuluar me pak dhe.

 

Në Lubeniq të Pejës u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukshinajt

Më 27 tetor të këtij viti, rreth 70 metra larg shtëpisë së tij u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukë Ukshinajt (70) nga Lybeniqi i Pejës.

Qerim Ukshinaj, vëlla i Mehmetit i tha KI të Degës së LDK-së në Pejë se forcat serbe kanë ekzekutuar dhe djegur vëllain e tij Mehmetin katër muaj më parë, por që nuk është identifikuar ajo për shkak se në këtë fshat nuk ka jetuar asnjë banorë shqiptarë.

 

Continue Reading

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara