Lajmet

Policët 12 orë në punë, por pa shtesa për rrezikshmëri, kreu i PK-së: Situata të rënda në veri

Hoxha ka kërkuar që për situatën në veri, komisioni të vijojë me dyer të mbyllura.

Published

on

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha deklaroi se në tre muajt e fundit nuk është paguar rrezikshmëria në punë për policët, ndërkohë që këta të fundit janë të angazhuar me nga 12 orë punë që prej 26 majit kur në veri të vendit serbët nisën protestat kundër kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit. Ai shtoi se presin që gjatë këtij muaji të ndodhë një gjë e tillë. Para anëtarëve të Komisionit për çështje të sigurisë, ai foli edhe për mungesën e uniformave, ku u shpreh se ka të bëjë me procedura të tenderimit. Po ashtu, Hoxha foli edhe për rastet e trajtuara gjatë vitit 2022, ku theksoi se kanë shënuar rritje ato të dhunës në familje.

Me fillim të raportimit para anëtarëve të komisionit, Hoxha ka kërkuar që për situatën në veri, komisioni të vijojë me dyer të mbyllura. Raportimi i këtij të fundit ka vazhduar pa prezencën e mediave. Ai tha se gjatë vitit 2022, aktivitetet e realizuara kanë pasur për fokus rendin dhe ligjin në komunat veriore të Kosovës.

“Fatkeqësisht edhe këtë vit, jemi përballur me situata të rënda në fushën e mbrojtjes së rendit dhe sigurisë publike, sidomos në veri të vendit. Me aktivitete të cilat kanë pasur për qëllim pengimin e zbatimit të ligjit në mënyrë të drejtë, të barabartë për të gjithë qytetarët. Policia e Kosovës me përkrahjen edhe të institucioneve të tjera shtetërore, por edhe të qytetarëve ka arritur të menaxhojë situatën me maturi dhe profesionalizëm… Gjatë vitit 2022, aktivitetet policore kanë pasur fokus rendin dhe ligjin në komunat veriore të Kosovës. Ku kemi pasur bllokim të rrugëve përmes barrikadave, aktivitete penguese ndaj zyrtarëve policorë, por edhe aktivitete tjera kriminale. Falë angazhimit tonë është shtuar aktiviteti policor në parandalimin dhe luftimin e krimit, kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të jashtëligjshme. Janë mbyllur rrugët ilegale, të cilat janë shfrytëzuar nga strukturat kriminale për aktivitete të kontrabandës ndërkufitare. Në atë zonë ne kemi rritur kapacitetet tona si në infrastrukturë por edhe në kapacitete të burimeve njerëzore”, deklaroi ai.

I pyetur nga kryetari i komisionit, Bekë Berisha, për pagesën e rrezikshmërisë në punë, Hoxha ka thënë se nuk janë paguar në tre muajt e fundit.

“Rrezikshmëria nuk është paguar gjatë këtyre tre muajve të fundit, mirëpo jemi në komunikim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave. Këtë muaj presim që të paguhet dhe të caktohet, është një komision që është duke punuar brenda Qeverisë së Kosovës dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme për të adresuar çështjen e rrezikshmërisë së Policisë së Kosovës”, është përgjigjur drejtori i Policisë së Kosovës.

Po ashtu, ai tha se njësia speciale është pajisur me uniforma të reja, për pjesëtarët tjerë të PK-së, ai shtoi se është çështje e mungesës së fondeve por procedurave të Ligjit të prokurimit.

“Policët e Kosovës, gjithë këta që janë të angazhuar në operacione kanë uniforma të reja. Vitin që shkoi janë furnizuar të gjithë me uniformë, me çizme me gjithë atë që është e nevojshme. Sa i përket rendit publik është një tender që është në proces e sipër edhe tani kanë me sa e di unë ka shkuar në OShP”, ka shtuar ai.

Hoxha theksoi se edhe në vitin 2022 zyrtarët policorë kanë qenë të sulmuar nga grupe kriminale dhe individë, ku të njëjtit janë lënduar dhe plagosur. Për të përmbushur të gjitha këto obligime me sukses, ai shtoi se Policia e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka pasur në dispozicion 120 milionë euro, ku 93 për qind e buxhetit është shpenzuar.

“Policia e Kosovës ka evidentuar 49 mijë e 183 raste, prej të cilave 29 mijë kanë qenë të klasifikuara si vepra penale, ndërsa 19 mijë të tjera kanë qenë raste si kundërvajtje. Krahasuar me vitin 2021, numri i rasteve ka shënuar rënie prej 1,92 për qind. Numri i veprave penale ka shënuar rënie prej 0,83 për qind dhe numri i kundërvajtjeve i rasteve të natyrave të tjera po ashtu ka shënuar rënie prej 3,56 për qind. Numri i vrasjeve ka shënuar rënie, prej 27 vrasjeve i kemi 21, ose rënie prej 22,22 për qind. Numri i lëndimeve të rënda ka shënuar rënie, nga 296 në 259, ose rënie prej 12,5 për qind. Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie nga 4333 në 4094 ose rënie prej 5,51 për qind. Numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie nga 3223 në 2802 ose rënie për 13,06 për qind. Numri i grabitjeve po ashtu ka shënuar rënie nga 158 grabitje në 93 grabitje, ose rënie për 41, 13 për qind. Numri i rasteve të dhunës në familje ka shënuar ngritje nga 2456 raste në 2757, ose 12, 25 për qind”, u shpreh Hoxha.

Para anëtarëve të Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, Hoxha bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë ndaluar mbi 5 mijë e 600 persona për shkak të dyshimeve për përfshirje në vepra kriminale.

“Në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, është shënuar një ngritje prej 1,62 për qind. Po ashtu, Policia ka arrestuar 12 mijë e 257 persona të cilët në bashkëpunim me autoritetet përkatëse janë dërguar në procedura të mëtejme. Krahasuar me të njëjtin periudhë të vitit paraprak, vërehet një ngritje e personave të arrestuar për 4,51 për qind. Në operacione të ndryshme të ndërmarra, Policia e Kosovës ka konfiskuar 1473 armë të zjarrit të llojeve të ndryshme dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është shënuar një ngritje prej 15,07 për qind, si dhe janë konfiskuar 29 mijë numra të municioneve të kalibrave të ndryshëm dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është një ngritje prej 28,85 për qind”, shtoi ai.

Tutje, ai tha se gjatë vitit 2022 janë shqiptuar mbi dy 600 gjoba në trafik për kundërvajtje, për çka theksoi se është shënuar rritje 33, 59 për qind. Po ashtu, Hoxha njoftoi anëtarët e komisionit se janë regjistruar 21 mijë aksidente.

“Gjatë vitit 2022 janë konfiskuar 246 kilogramë heroinë, katër kilogramë kokainë, 662 kilogramë marihuanë, 24, 511 bimë kanabis. Në fushën e luftimit të krimeve ekonomike dhe korrupsionit janë regjistruar gjithsej 318 raste, janë arrestuar 81 persona të dyshuar dhe janë paraqitur 313 kallëzime penale ndaj 586 personave të dyshuar”, tha ai.

Drejtori i Policisë së Kosovës tha se objektivi kryesor është realizimi i aktiviteteve që ndikojnë në zbatimin e ligjit në mënyrë efikase. Po ashtu, theksoi synimet që të ketë barazi gjinore në këtë institucion, megjithatë shtoi se mungon interesimi i gjinisë femërore.

Para anëtarëve të Komisionit për Siguri, Hoxha tha se janë realizuar mbi 340 operacione policore në parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda. Sipas tij, janë goditur 34 grupe kriminale dhe janë ngritur 1094 kallëzime penale. Ai ka përmendur edhe dorëheqjen e policëve serbë, ku shtoi se kanë bërë përpjekje për të plotësuar vakumin e shkaktuar. Ndryshe, protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në tri komuna në veri të vendit, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të mbrëmshëm me emisarët evropianë dhe amerikanë Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar, ka thënë se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistët dhe grupet kriminale serbe ndaj organeve të sigurisë dhe gazetarëve. Ndërsa emisarët parashtruan tri kërkesa për të cilat deklaruan se presin të dëgjohen nga Qeveria e Kosovës.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

31 tetor 1993

Mikel Koliqi – kardinal i parë shqiptaë

Dje në Kishën katedrale të Shkodrës u mbajt një meshë e veçantë me rastin e shugurimit të kardinalit të parë shqiptar, shkëlqesisë së tij, monsinjor Mikel Koliqit, si dhe me rastin e kthimit të arqipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Frano Ilia nga SHBA. Në këtë meshë morën pjesë Ivan Dias, ipeshkv i Pultit, monjisor Robert Ashta, si dhe ndihmësi i ipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Zef Simoni, etj.

Në momentin kulmor të kësaj ceremonie foli Nunsi Apostolik, monsinjor Ivan Dias, i cili i njoftoi besimtarët me lajmin e shpalljes nga kryetari i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II të kardinalit të parë shqiptar, monsinjor Mikel Koliqit.

Mikel Koliqi është kardinali i parë në historinë shumëshekullore të katolicizmit shqiptar.

Lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Studimet e para i mori në Shkodër, ato të mesmet dhe të lartat për inxhinier në Itali. Në moshën 25-vjeçare bëhet prift. Kreu studimet e larta në teologji. Shugurohet meshtar në vitin 1931. Menjëherë emrohet zëvendës i famullitarit i Shkodrës. Pastaj bëhet famullitar i Shkodrës.

Mikel Koliqi ka qenë drejtor i parë i revistës “Kumbana e së dielës”, e cila ndalohet më 1945 me arrestimin e tij. Ai i kaloi 38 vjet në burg e internim. Më 1986 lirohet me amnisti të përgjithshme.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1992 Mikel Koliqit i jep titullin “Pishtar i demokracisë”.

 

31 tetor 1995

Gjatë vitit 1990 u vranë në kufi 32 shtetas të Shqipërisë

Gjatë vitit 1990 në kufijt e Shqipërisë u vranë 32 shtetas të Shqipërisë nga forcat kufitare shqiptare, njoftuan dje duke cituar një padi në Tiranë disa radiostacione të huaja.

Në njoftim thuhej se numri i të vrarëve në atë vit është më i madh se numri i të vrarëve për periudhën 1959 – 89. Për 30 vjet ishin vrarë 23 persona.

Njoftohet se organet zyrtare shqiptare kanë përgatitur listën e ta vrarëve dhe të dhënat për vendin e kohën e vrasjes së tyre, kështu që familjet e viktimave të mund të paraqesin padi.

 

31 tetor 1997

Gjendje e rëndë në fshatrat e komunës së Gjakovës

Bandat e armatosura plaçkitëse nga Shqipëria po vazhdojnë edhe më tutje kalimin në fshatrat kufitare të komunës së Gjakovës dhe po vrasin e plaçkisin banorët e kësaj ane.

Sipas njoftimeve nga Dega e LDK-së në Gjakovë, ditëve të fundit, gjendja është shumë e rëndë sidomos në fshatrat Molliq, Koshare, Brovinë, Nivokaz e Botushë.

Kalimet e bandave të ditëve të fundit kanë patur për pasojë edhe një të vrarë në Koshare, Afrim H. Zenunin, që u vra nga banda treanëtarëshe më 28 tetor. Ai kishte shkuar për të marrë sanë për bagëtinë në mesditë, ndërsa kjo bandë e detyroi t’i shpinte në shtëpinë e Xhanajve. Nën kërcënimin e armëve, Afrimi i drejtoi në këtë shtëpi, që është e varfër dhe që mbahet nga ndihmat e fshatit e në të cilin pjesëtarët e bandës plaçkitën çfarë gjetën dhe keqtrajtuan Mehmet Xhanin (52). Pas kësaj ata e detyruan Afrimin t’i dërgonte në shtëpinë e tij. Kur iu afruan shtëpisë, Afrimi thirri babain e tij për t’i bërë me dije se “në shtëpinë e tyre po vinin hajnat”. Në këtë moment, Afrimi u kacafyt me njërin nga pjesëtarët e bandës, i cili shkrepi automatikun dhe plagosi rëndë Afrimin. Meqë Kosharja është fshat malor, dërgimi i tij në Gjakovë u vonua dukshëm dhe kështu Afrimi vdiq nga pasojat e plagosjes.

Sipas njoftimeve, në fshatin Molliq se gjendja është e rëndë sidomos pas 17 tetorit. Këtë ditë, rreth orës 22, tre persona të maskuar e të armatosur me pushkë automatike, revole, thika e bomba, morën peng Kadri Hasanin (16) dhe e urdhëruan që t’i dërgojë në shtëpinë e Hysen Sadriut. Në këtë shtëpi plaçkitësit morën para, stoli ari dhe gjithë tjetër që kishte vlerë. Më pas plaçkitësit shkuan edhe në shtëpinë e djaloshit të marrë peng ku plaçkitën mall me vlerë prej rreth 1000 DM. Më pas djaloshi 16 vjeçar dhe të tjerët u detyruan me forcë që mallin e plaçkitur ta dërgojnë deri matanë kufirit. Atje, rreth orës 3 pas mesnate, plaçkitësit ua morën edhe këpucët dhe i detyruan të kthehen prapa.

Më 22 tetor, plaçkitësit trokitën në disa dyer të fshatit Molliq, ndërsa rreth orës 20:00 tentuan të hyjnë në një shtëpi të fshatit. Por, pasi u mblodhën rreth 50 banorë, plaçkitësit u larguan. Në një shtëpi më të largët ata vodhën dy batanije dhe demoluan orenditë. Po këtë ditë ata vodhën tri lopë në fshatin Nivokaz.

Më 23 tetor, në mesditë, tre plaçkitës të armatosur ia morën me dhunë lopën një fshatari, por meqë për pak kohë u tubuan shumë fshatarë, pas rreth 300 metrash, plaçkitësit e lëshuan lopën.

Më 24 tetor, iu plaçkitën tri lopë Osman Hysenit nga Shishmani.

Më 25 tetor, pas orës 1 pas mesnate, plaçkitës të armatosur vodhën tri lopë në Batushë, dy prej të cilave i lanë të lidhura në malin në afërsi, pasi vërejtën se plaçkitja ishte hetuar.

Më 27 tetor, rreth orës 18:30, plaçkitësit hynë në shtëpinë e Kasëm Ramës për t’ia marrë atij lopën. Ata, në shpejtësi morën peng djalin e tij 13 vjeçar. Pas kësaj u mblodhën disa fshatarë, plaçkitësit lanë djalin, dhe u larguan ngadalë nga vendi i ngjarjes.

Dje, kur u varros i ndjeri Afrim Zenuni, i vrarë nga plaçkitësit, u përhapën fjalë se tre persona të armatosur ishin vërejtur në vendin e quajtur “Shkozë” në afërsi të fshatit Batushë. Ndërsa, pas orës 24:00 në Batushë ata plaçkitën 6 lopë dhe një kali, pronë e Hasan Mehmetit.

Që nga data 15 qershor në fshatrat e përmendura më lart, janë plaçkitur mbi 40 krerë lopë. Ndërsa më parë vetëm në këto fshatra janë plaçkitur mbi 100 krerë lopë, dele e kuaj. Në fshatrat e bashkësisë lokale të Ponoshecit, ku më parë janë plaçkitur mbi 100 krerë bagëti, vetëm këtë vit janë plaçkitur mbi 150 krerë.

Njoftimet nga këto fshatra bëjnë të ditur për një gjendje tepër të tensionuar dhe për shqetësim të përgjithshëm të banorëve të pambrojtur, të cilët përditë e më shumë po bëhen pre e plaçkitësve të armatosur, të cilët për realizimin e qëllimeve të tyre janë në gjendje madje edhe të vrasin njerëzit, faji i vetëm i të cilëve është se provojnë të mbrojnë atë që është pronë e tyre.

 

31 tetor 1998

Në Llaushë u gjetën tri gra të vrara

Sot në Llaushë të Skënderajt u gjetën trupat e tri grave shqiptare, të vrara gjatë sulmit serb në këtë fshat para tre muajsh.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njoftoi se u gjetën trupat e Fatime Gecit (73) e Mevlude Gecit (45) nga Llausha, dhe trupi i Hamide Terakut (51) nga Vitaku, nënë e 8 fëmijëve. Dy të parat ishin invalide dhe nuk kishin arritur të ikin nga fshati.

Trupat e tyre u gjetën të gropuar së bashku me mbeturina të shtazëve të vrara dhe të mbuluar me pak dhe.

 

Në Lubeniq të Pejës u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukshinajt

Më 27 tetor të këtij viti, rreth 70 metra larg shtëpisë së tij u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukë Ukshinajt (70) nga Lybeniqi i Pejës.

Qerim Ukshinaj, vëlla i Mehmetit i tha KI të Degës së LDK-së në Pejë se forcat serbe kanë ekzekutuar dhe djegur vëllain e tij Mehmetin katër muaj më parë, por që nuk është identifikuar ajo për shkak se në këtë fshat nuk ka jetuar asnjë banorë shqiptarë.

 

Continue Reading

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara