Presidenti Joe Biden ka dhënë më shumë detaje se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë t’i ndajnë 80 milionë doza të vaksinës antiCOVID me vendet e tjera, teksa njoftoi se 25 milionë doza do të shpërndahen në Amerikën Latine, Karaibe, Azi dhe Afrikë.
Pas muajsh presioni në rritje nga bashkësia ndërkombëtare, administrata e Bidenit tha muajin e kaluar se po planifikonte të dërgonte 80 milionë doza vaksinash kundër COVID-19 të miratuara nga ShBA jashtë shtetit deri në fund të qershorit, por nuk përshkroi se cilat kontinente ose vende do të përfitonin deri më tani.
“Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë përpjekjet për të vaksinuar çdo amerikan dhe për ta mposhtur pandeminë në vendin tonë, ne konsiderojmë se luftimi i kësaj pandemie nënkupton luftimin e saj çdokund”, deklaroi Biden.
Sipas Bidenit, nga 25 milionë dozat e para që do të dërgohen jashtë vendit, 19 milionë prej tyre do të shpërndahen përmes COVAX-it, iniciativa globale për ndarjen e vaksinave, ku rreth 7 milionë doza do të shkojnë në Amerikën Latine dhe Karaibe, rreth 7 milionë në Azinë Jugore dhe Juglindore dhe afërsisht 5 milionë në Afrikë.
Dozat do ta ndihmonin edhe COVAX-in, që deri më tani ka ndarë vetëm 76 milionë doza me vendet në nevojë.
6 milionët e mbetur do të administrohen nga Shtëpia e Bardhë për aleatët dhe partnerët e ShBA, duke përfshirë Meksikën, Kanadanë, Korenë e Jugut, Bregun Perëndimor dhe Gaza, Indinë, Ukrainën, Kosovën, Haitin, Gjeorgjinë, Egjiptin, Jordaninë, Irakun dhe Jemenin, si dhe për punëtorët e vijës së frontit të Kombeve të Bashkuara.
“Ne po ndajmë këto doza për të mos siguruar favore ose për të nxjerrë koncesione”, deklaroi presidenti. “Ne po ndajmë këto vaksina për të shpëtuar jetë dhe për ta ndihmuar botën për t’i dhënë fund pandemisë, me fuqinë e shembullit tonë dhe me vlerat tona”, shtoi ai.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, deklaroi se “ky është vetëm fillimi”.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se vaksinat që do të shpërndahen janë Pfizer, Moderna dhe Johnson&Johnson. Gjatë muajve në vijim priten edhe shumë doza të tjera./UBTNews
Një ekspozitë në Salzburg, kushtuar 270-vjetorit të lindjes së Wolfgang Amadeus Mozartit, ka përfunduar në qendër të vëmendjes pas një serie vjedhjesh të pazakonta.
Nga gjithsej 320 statuja të arta që paraqesin Mozartin së bashku me qenin e tij, Pimperl, janë zhdukur plot 210. Veprat janë krijuar nga artisti gjerman Ottmar Horl dhe ishin vendosur në kopshtin përpara shtëpisë së dikurshme të Mozartit, në hapësirat e banimit dhe në disa pavijone të ekspozitës.
Vjedhjet kanë nisur që në ditët e para të ekspozitës. Më shumë se 80 statuja janë zhdukur vetëm gjatë dy javëve të para, duke bërë që artisti të dyshojë se nuk bëhet fjalë thjesht për vizitorë që i kanë marrë si suvenire, por për një vjedhje të organizuar.
Edhe pse statujat janë të arta në pamje, vlera e tyre nuk është veçanërisht e lartë. Secila ishte planifikuar të shitej pas përfundimit të ekspozitës për rreth 100 euro. Organizatorët kishin përgatitur edhe disa statuja rezervë, por jo aq sa për të zëvendësuar numrin e madh të veprave të vjedhura.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 gusht, pavarësisht humbjeve të konsiderueshme.
Kjo nuk është hera e parë që veprat e Ottmar Horl bëhen objekt vjedhjeje. Artisti ka treguar se më herët, në Bayreuth të Gjermanisë, iu vodh e gjithë një ekspozitë me figura të kompozitorit Richard Wagner.
Mozarti, një nga kompozitorët më të njohur në historinë e muzikës, lindi më 27 janar 1756 në Salzburg. Përmes këtyre statujave, Horl synoi të paraqiste një anë më njerëzore dhe më të afërt të tij, duke e shfaqur kompozitorin në shoqërinë e qenit të tij Pimperl./A.K/
Ariana Grande ka nxitur spekulimet për një rikthim të mundshëm në lidhje me ish të dashurin e saj, balerinin Ricky Alvarez.
Këngëtarja ka publikuar në Instagram fotografi të përbashkëta me Alvarez, pak kohë pas ndarjes nga aktori Ethan Slater në fillim të vitit 2026. Alvarez, i cili ka qenë pjesë e trupës së balerinëve të Grande gjatë turneut “Honeymoon” në vitin 2015, kishte qenë në lidhje me këngëtaren nga viti 2015 deri në vitin 2016.
Pas ndarjes, të dy kishin ruajtur një marrëdhënie miqësore, por paraqitjet e fundit së bashku kanë bërë që fansat të dyshojnë se raporti mes tyre mund të ketë marrë sërish një kthesë romantike.
Në dy fotografitë e fundit të publikuara nga Grande, Alvarez shfaqet pranë saj dhe këngëtarja e ka etiketuar në të dyja. Për më tepër, ai është parë shpesh në shoqërinë e saj gjatë javëve të fundit, përfshirë në Florida dhe në një nga koncertet e saj në Austin.
Edhe ndryshimet që Grande ka bërë gjatë performancave të fundit në tekstin e këngës së saj “Thank U, Next” kanë tërhequr vëmendjen e fansave. Në një prej interpretimeve, ajo këndoi një version që lë të kuptohet se ajo dhe Ricky “gjithmonë gjejnë rrugën për t’u rikthyer te njëri-tjetri”, duke shtuar edhe më shumë spekulimet.
Grande më herët ishte në lidhje me aktorin e Broadwayt, Ethan Slater, të cilin e njohu gjatë xhirimeve të filmit “Wicked”. Pas përfundimit të asaj lidhjeje, vëmendja është rikthyer te raporti i saj me Alvarez.
Megjithatë, as Ariana Grande dhe as Ricky Alvarez nuk kanë konfirmuar zyrtarisht se janë rikthyer në një lidhje romantike./A.K/
Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU) ka ndryshuar rregullat për organizimin e Eurovisionit, duke përcaktuar se vendi fitues nuk do ta ketë më automatikisht të drejtën për të pritur edicionin e ardhshëm të konkursit.
Sipas rregullave të reja, organizimi mund t’i hiqet transmetuesit të vendit fitues nëse situata në shtet ose në rajon vlerësohet si e papërshtatshme për zhvillimin e sigurt dhe normal të Eurovisionit. Në vlerësim do të merren parasysh faktorë si konfliktet e armatosura, situatat e ndjeshme gjeopolitike apo rreziqe të tjera që mund të ndikojnë në sigurinë e artistëve, delegacioneve dhe stafit.
Në raste të tilla, EBU mund t’ia besojë organizimin një transmetuesi tjetër pjesëmarrës, i cili do të marrë përsipër përgjegjësinë për zhvillimin e konkursit dhe pritjen e delegacioneve ndërkombëtare.
Një precedent i tillë tashmë ekziston. Ukraina fitoi Eurovisionin në vitin 2022, por për shkak të luftës me Rusinë dhe shqetësimeve të sigurisë, konkursi i vitit 2023 nuk mund të organizohej në Ukrainë. Edicioni u mbajt në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar, nga BBC në bashkëpunim me transmetuesin ukrainas.
Rregullat e reja synojnë të krijojnë një kuadër më të qartë për raste të tilla. Edhe kur nuk ka një konflikt të drejtpërdrejtë, por ekzistojnë rrethana që mund të cenojnë sigurinë ose stabilitetin e eventit, EBU mund të kryejë vlerësime të pavarura para se të marrë vendimin.
Kështu, nga tani e tutje, fitorja në Eurovision nuk nënkupton automatikisht edhe organizimin e edicionit pasardhës. Siguria, stabiliteti dhe mundësia për zhvillimin normal të konkursit do të jenë ndër faktorët kryesorë në përcaktimin e vendit pritës./A.K/
Si mund të shndërrohet kinemaja në një hapësirë ku krijohen miqësi të vërteta? Dhe a mund të ndikojë filmi në mënyrën se si njerëzit lidhen me njëri-tjetrin dhe me realitetin shoqëror? Këto janë disa nga pyetjet që trajton numri i gjashtë i DOKUDAILY, në kuadër të edicionit të 25-të të DokuFest.
Në këtë numër rrëfehet edhe historia e Michèle Firk, një figurë që e lidhi jetën e saj ngushtë me kinemanë dhe revolucionin. Ajo iu bashkua përpjekjeve të Frontit Nacional Çlirimtar të Algjerisë, jetoi për një kohë në ilegalitet, organizoi shfaqje të filmave të censuruar dhe udhëtoi drejt Kubës revolucionare.
Historia e saj është në qendër të filmit “A Life, A Manifesto”, të regjisorit Jean-Gabriel Périot, i cili ndjek rrugëtimin e Firk dhe mënyrën se si kinemaja u bë pjesë e angazhimit të saj politik.
Firk kishte ëndërruar edhe të realizonte një film në Guatemalë, me protagonist popullin, por jeta e saj përfundoi tragjikisht në moshën 31-vjeçare, kur u përball me arrestimin nga policia guatemalase.
Përmes kësaj historie, DOKUDAILY hap diskutimin mbi rolin e kinemasë përtej ekranit: si një hapësirë ku njerëzit takohen, krijojnë lidhje, shprehin ide dhe përballen me realitetin.
Numri i gjashtë publikohet gjatë DokuFest 2026, që po mbahet nga 7 deri më 15 gusht në Prizren, duke sjellë histori dhe reflektime mbi fuqinë e filmit për të ndikuar në shoqëri./A.K/