Kulturë

Petro Nino Luarasi – martiri i gjuhës shqipe

Published

on

Petro Nino Luarasi u lind më 22 prill 1865 në Luaras të Kolonjës dhe vdiq më 17 gusht 1911. Ai ishte prift, shkrimtar, mësues. Petro punoi si drejtor dhe mësues i shkollës së parë shqipe të motrave Gjerazi në Korçë më 1887. Në vitin 1904, emigroi në Shtetet e Bashkuara ku qëndroi disa vite si anëtar aktiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Petro Nini Luarasi ishte delegat në Kongresin e Manastirit që sanksionoi krijimin e alfabetit shqip më 1908. Për atdhetarizëm, mësimin e gjuhës shqipe dhe veprimtari shoqërore, Petro Nini u përndoq si nga turqit e rinj, ashtu edhe nga Patriarku Ekumenik ortodoks i Konstandinopojës.

Përparimi i shkollës shqipe të Negovanit, veprimtaria e tij për themelimin e një komiteti për bashkimin e gjithë çetave në Shqipërinë jugore dhe sidomos libri “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”, që goditi rëndë politikën shoviniste te klerit grek në Shqipëri, bënë që më 17 gusht 1911 agjentë e dhespotit të Korçës Joakim ta helmonin, të shpallnin se vdiq nga kolera dhe të tentonin për t’ia djegur edhe kufomën me gëlqere. Ai vdiq si martir i gjuhës shqipe duke mos e gëzuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi më 13 janar 2012 i akordoi Petro Nini Luarasit urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes Kombëtare, luftëtar i paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperimin e kombit shqiptar, për çlirimin nga zgjedha osmane dhe formimin e shtetit komb të shqiptarëve, luftëtarit të madh të krijimit të arsimit kombëtar si një nga shtyllat e çështjes kombëtare, vepër për të cilën dha edhe jetën”.

Kulturë

Ulpiana drejt një plani të qëndrueshëm konservimi

Published

on

Dje ka nisur punëtoria dyditore për hartimin e Planit të Konservimit për lokalitetin arkeologjik Ulpiana Iustiniana Secunda, duke mbledhur përfaqësues institucionesh dhe profesionistë nga fusha e trashëgimisë kulturore, planifikimit hapësinor, turizmit dhe zhvillimit lokal.

Në hapje, zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi Krasniqi, theksoi rëndësinë institucionale dhe kulturore të Ulpianës dhe përkushtimin për mbrojtjen dhe zhvillimin e saj.

Në vijim, drejtori i CHwB Kosova, Sali Shoshi, vuri në pah rëndësinë e këtij plani për ndërtimin e një qasjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë në menaxhimin e lokalitetit. Ndërsa drejtoresha e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Zana Rama, theksoi dimensionin shkencor dhe potencialin kërkimor të Ulpianës, ndërsa nënkryetari i Graçanicës, Leutrim Ajeti, nënvizoi lidhjen e komunitetit me parkun arkeologjik dhe rëndësinë e tij për zonën.

Punëtoria vijoi me sesione diskutimi dhe prezantimesh profesionale, ku u ndanë përvoja konkrete dhe modele të suksesshme ndërkombëtare në menaxhimin e lokaliteteve arkeologjike.

Ky proces zhvillohet në partneritet ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe CHwB Kosova, me synim krijimin e një kornize gjithëpërfshirëse për ruajtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Ulpianës.

Continue Reading

Kulturë

Ministria e Kulturës hap ish-shkollën “Ramiz Sadiku” në Marec

Published

on

Ministria e Kulturës ka njoftuar se ish-shkolla “Ramiz Sadiku” në Marec është transformuar në një hapësirë të re krijuese, e cila do të shërbejë si platformë për art, bashkëpunim dhe angazhim komunitar.

Në hapjen e kësaj qendre të re të krijimtarisë ishin pjesë partnerë institucionalë, përfaqësues të komunitetit dhe bashkëpunëtorë që kontribuan në këtë ndërhyrje.

Fjalën e morën ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Luksemburgut, Eric Dietz, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP në Kosovë, Nuno Queirós dhe artisti me famë botërore, Sislej Xhafa.

Ky transformim dëshmon se hapësirat ekzistuese mund të rimendohen dhe të rilindin, duke sjellë energji dhe funksion të ri përmes kulturës dhe kreativitetit.

Në kuadër të hapjes u prezantua performanca artistike “Asgjë për të parë. Gjithçka për të zbuluar”, e realizuar nga Sislej Xhafa në bashkëpunim me studentët e programit Art & Media Digjitale (AMD/UBT), nën udhëheqjen e prof. Burim Berishës, duke ofruar një përvojë kuptimore që lind përmes përjetimit dhe eksplorimit.

Kjo iniciativë është pjesë e projektit “Industritë Kreative”, i financuar nga Dukati i Madh i Luxembourg dhe i zbatuar nga UNDP Kosovë, në partneritet me Minstrinë e Kulturës.

 

Continue Reading

Kulturë

129 vite nga botimi i numrit të parë të revistës “Albania”

Published

on

Më 25 mars 1897, në Bruksel nisi rrugëtimin numri i parë i revistës “Albania”, një nga botimet më të profilizuara të periudhës së Rilindjes Kombëtare.
Nën drejtimin e Faik Konica, ky organ periodik u shndërrua në një platformë që ndërthuri politikën, letërsinë dhe shkencën.
Më pas, botimi i tij u vazhdua në Londër deri në vitin 1909.
Përmes një qasjeje shumëgjuhëshe, revista u bë një pikë e rëndësishme takimi diplomatik dhe kulturor, me një ndikim të dukshëm në historiografinë shqiptare.
Ajo funksionoi si një enciklopedi e gjallë, ku u trajtuan standardizimi i alfabetit, lëvrimi i gjuhës dhe bazat e kritikës letrare, duke botuar shkrime e recensione për vepra e autorë shqiptarë dhe arbëreshë.
Me kontributet e personaliteteve si Gjergj Fishta, Fan Noli e Andon Zako Çajupi, revista “Albania” ka mbetur një arkivë e çmuar e identitetit tonë kombëtar.

Continue Reading

Kulturë

Ministrja Bogujevci priti arkivat rajonale për 75-vjetorin e Arkivit të Kosovës

Published

on

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, priti sot në takim udhëheqës dhe përfaqësues të arkivave nga vende të ndryshme të rajonit, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës.

U diskutua bashkëpunimi i deritanishëm në fushën e arkivistikës, duke u vlerësuar angazhimi i përbashkët për ruajtjen, promovimin dhe digjitalizimin e trashëgimisë dokumentare. Të pranishmit ndanë përvojat e tyre dhe theksuan rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira ndërmjet institucioneve.

U shpreh gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen përmes projekteve të përbashkëta, rritjes së kapaciteteve profesionale dhe avancimit të standardeve në këtë sektor.

Me këtë rast, pjesëmarrësit uruan përvjetorin e rëndësishëm, duke e cilësuar atë si një moment të veçantë për reflektim mbi arritjet dhe për nxitjen e zhvillimeve të mëtejshme në fushën e arkivistikës

Continue Reading

Të kërkuara