Lajmet

Petkoviq dënon aksionin policor në veri të Kosovës

Petkoviq i bëri thirrje KFOR-it që të reagojë urgjentisht dhe të largojë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Published

on

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, deklaroi se Millun Millenkoviq- Llune nuk është kriminel dhe se Policia e Kosovës nuk ka prova për akuzat ndaj tij.

“Ai është një luftëtar i shquar për interesat kombëtare serbe dhe për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës”, tha ai gjatë një konference për media në Beograd.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka arrestuar Millun Millenkoviq- Llune, që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”.

Sipas Sveçlës, ai dyshohet se ka organizuar sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri.

Petkoviq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vend se të ulë tensionet, po dërgon forca të reja policore në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Petkoviq i bëri thirrje KFOR-it që të reagojë urgjentisht dhe të largojë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Ai po ashtu tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës ka biseduar disa herë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.

Petkoviq po ashtu tha se komandantit i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, do të qëndrojë në Beograd të mërkurën, më 14 qershor, dhe do të zhvillojë bisedime me Vuçin dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq.

Pas këtij aksioni policor në veri të Kosovës më 13 qershor, ku janë lënduar tre zyrtarë policorë, serbët lokalë janë mbledhur në Lagjen e Boshnjakëve. Atje, përveç Policisë së Kosovës janë parë edhe ushtarët amerikanë të KFOR-it.

Një pjesë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë tërhequr, por një zyrtar policor tha se ky institucion po e “riorganizon” praninë në veri.

Operacioni në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, vjen në të njëjtën ditë kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i ka paraqitur bashkësisë ndërkombëtare një plan prej pesë pikash, që sipas tij do të ndihmojë në uljen e tensioneve.

Dy javët e fundit raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar sërish pasi në katër komunat veriore janë duke u zhvilluar protesta nga grupe të serbëve lokalë të cilët po kundërshtojnë futjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan grupe të maskuara të serbëve lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri./REL

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon shefin e EULEX-it, diskutojnë sundimin e ligjit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e institucioneve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Ajo ka riafirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit, pavarësinë dhe profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara