Shumë prej nesh zgjohen të lodhur edhe pas një nate të plotë gjumi. Arsyeja nuk është mungesa e orëve të pushimit – shpesh, fajin e kanë zakone të përditshme ose çrregullime të lehta shëndetësore që nuk i lidhim menjëherë me lodhjen.
Për ta zgjidhur problemin, është e rëndësishme të kuptojmë shkakun, ja pesë arsye pse ndiheni të plogësht, pa energji dhe të ngadaltë.
1. Tiroidja nuk po funksionon siç duhet
Ka ndikim të madh në mënyrën si trupi përdor energjinë. Kur nuk prodhon mjaftueshëm hormone, proceset trupore ngadalësohen e ju mund të ndiheni të lodhur, të rënduar dhe pa motivim. Simptomat shfaqen gradualisht e shpesh ngatërrohen me mungesë gjumi ose stres.
Çka mund të bëni?
Nëse ndiheni vazhdimisht të lodhur pa ndonjë arsye, konsultohuni me mjekun e kërkoni analiza të gjakut. Testet e thjeshta mund të zbulojnë nëse problemi lidhet me tiroiden ose me sistemin imunitar.
2. Po konsumoni shumë kafeinë
Kafeja është “karburanti” i mëngjesit për shumë prej nesh, por teprimi mund të ketë efekt të kundërt. Me kalimin e moshës, trupi e përpunon kafeinën më ngadalë e mund të ndikojë negativisht në cilësinë e gjumit – edhe nëse flini menjëherë pas shtratit.
Çka mund të bëni?
Kufizoni kafen në 1–2 filxhanë në ditë, të konsumuar para orës 10:00 të mëngjesit. Nëse pasdite ndjeni mungesë energjie, zëvendësojeni kafen me një frut të freskët ose një shëtitje të shkurtër.
3. Lëvizni shumë pak
Mund të duket paradoksale, por sa më pak lëvizni, aq më pak energji keni. Një mënyrë jetese sedentare ngadalëson qarkullimin e gjakut, ul kapacitetin e mushkërive dhe çon në ndjenjë të përgjithshme plogështie.
Çka mund të bëni?
Nuk keni nevojë për palestër apo vrapime të gjata – edhe 30 minuta ecje e lehtë çdo ditë mund të bëjnë diferencë. Aktiviteti i rregullt ndihmon gjumin, përmirëson humorin dhe rrit nivelin e energjisë.
4. Jeni shpesh nën stres
Shumë prej nesh janë të vetëdijshëm për pasojat, por rrallë e trajtojmë si një problem serioz. Tensioni i vazhdueshëm, mbingarkesa me detyra e streset e vogla e lodhin trupin më shumë sesa mendojmë. Stresi ndikon në cilësinë e gjumit, duke krijuar rreth vicioz lodhjeje.
Çka mund të bëni?
Përfshini në rutinën tuaj momente relaksimi, frymëmarrje të thella, shëtitje të qeta, pak minuta pa ekrane apo disa ushtrime shtrirjeje. Këto ndihmojnë trupin të qetësohet dhe përmirësojnë cilësinë e gjumit.
5. Hani shumë, por jo shëndetshëm
Edhe pse mund të konsumoni sasi të mjaftueshme ushqimi, nëse vaktet nuk janë të pasura me lëndë ushqyese, trupi nuk ka nga të marrë energji. Karbohidratet komplekse, proteinat, yndyrnat e shëndetshme dhe uji janë thelbësore për funksionimin optimal të organizmit. Dehidratimi, nga ana tjetër, është një nga shkaktarët kryesorë të lodhjes.
Çka mund të bëni?
Pini ujë, shmangni ushqimet e përpunuara, sigurohuni që vaktet të përmbajnë fibra e vitamina. Nëse ushqeheni mirë e flini mjaftueshëm, por ende ndiheni të lodhur, bëni analiza të gjakut, do zbuloni mungesë hekuri, vitaminash ose ndonjë problem tjetër shëndetësor.
Lodhja e vazhdueshme nuk është gjithmonë pasojë e një nate pa gjumë. Trupi dërgon sinjale që diçka nuk shkon, dhe për ta dëgjuar, mjafton pak vëmendje ndaj zakoneve të përditshme dhe shëndetit të përgjithshëm. /A.Z/UBT News/