Lajmet

Pesë teoritë e reja konspirative, të cilat shkenca provoi se ishin të gabuara

Pas shfaqjes së pandemisë Covid-19 janë shfaqur shumë teori të reja.

Published

on

Nga: Ed Brown i “Newsweek”

Teoritë e konspiracionit ekzistojnë prej dekadash. Disa kanë tendencën të rezistojnë (dhe zhvillohen) më shumë se të tjerat. Vitet e fundit, sidomos pas shfaqjes së pandemisë së Covid-19, janë shfaqur edhe teoritë të reja.“Newsweek“ ka përpiluar një listë të teorive të reja konspirative, të cilat janë përgënjeshtruar nga argumentet shkencore.

A e bëjnë magnetik trupin e njeriut vaksinat anti-Covid?

Një nga teoritë konspirative më të përhapura që nga fillimi i pandemisë, është se njëri nga efektet anësore të vaksinave kundër Covid-19 është magnetizimi i trupave të njerëzve. Ky dezinformim është përhapur pjesërisht nga videot në mediat sociale, ku disa njerëz që thoshin se ishin të vaksinuar, ngjisnin në krahë sende metalike si monedhat, duke pretenduar se këtë efekt e kishte shkaktuar vaksina.

Një version i teorisë pretendon se magnetizmi iu shtua vaksinave në mënyrë që përbërësit e saj të lëvizin nëpër trup. Por kjo teori konspirative u kundërshtua gjerësisht. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ekspertët në SHBA, deklaroi se vaksinat ndaj Covid-19 nuk përmbajnë metale apo ndonjë përbërës që do të prodhonte një fushë magnetike.

Dr. Karl Fihtenbaum, specialist i sëmundjeve infektive në Kolegjin e Mjekësisë të Universitetit të Sinsinatit, tha se nëse vaksinat do të kishin një efekt magnetizues, kjo do të ishte vënë re që në testet e hershme klinike.

A e shkakton Covid-in rrjeti 5G?

Thelbi i kësaj teorie është se sinjalet e telefonisë celulare 5G të dërguara nga antenat përkatëse janë në fakt shkaku i pandemisë aktuale. Sipas kësaj teorie antenat me valët 5 G, mund të shkaktojnë Covid-19 duke shtypur sistemin imunitar ose duke e përhapur SARS-CoV-2 nëpërmjet valëve të radios.

Por sipas asaj që ka raportuar portali i njohur i kontrollit të fakteve “Full Fact”, asnjë pretendim i tillë nuk mbështetet mbi prova, dhe se pandemia e koronavirusit po prek edhe vendet që nuk kanë asnjë infrastrukturë të rrjetit 5G. Dr.Simon Klark, profesor i asociuar i mikrobiologjisë qelizore në Universitetin e Ridingut në Britani deklaroi në prill se kjo teori është një gënjeshtër e madhe.

Sipas tij sistemi imunitar i njerëzve mund të dëmtohet nga të gjitha llojet e gjërave, përfshirë të qenit i lodhur apo pa pasur një dietë të mirë ushqimore. Përveç kësaj, valët 5G renditen në fundin e spektrit elektromagnetik, dhe janë më pak të fuqishme sesa drita ose rrezet e diellit. Ato nuk janë aq të fortë sa të dëmtojnë qelizat.

A shkaktojnë kancer parqet e gjeneratorëve që punojnë përmes erës?

Kjo teori është propaganduar pjesërisht edhe nga ish-presidenti amerikan Donald Trump. Duke folur në një tubim për mbledhjen e fondeve të fushatës në vitin 2019, ai u tha të pranishmëve, “Nëse keni një turbinë të erës diku afër shtëpisë tuaj, vlera e shtëpisë tuaj do bjerë automatikisht me 75 për qind. Dhe ata thonë se zhurma e tyre shkakton kancer”.

Por po atë vit Shoqata Amerikane e Kancerit tha për “NewYork Times” se nuk ishte në dijeni të ndonjë prove të besueshme që lidh zhurmën e turbinave me kancerin. Efektet shëndetësore negative nga pajisje të tilla janë debatuar edhe me herët. Termi jozyrtar “Sindromi i Turbinës së Erës” i referohet simptomave si mungesa e gjumit dhe lodhja mendore për ata që jetojnë më pak se 2 kilometra larg turbinave të erës. Po kjo sindromë nuk njihet si një gjendje aktuale nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në SHBA.

A po zhvillon Pentagoni një mikroçip që gjurmon Covid-in?

Në fillim të këtij viti u pretendua se Departamenti Amerikan i Mbrojtjes po prodhonte një çip që ndjen praninë e Covid-it dhe që mund të injektohej në trup. Këto pretendime lidheshin me komentet e bëra nga Met Hepburn, një mjek ushtarak që ka punuar më herët për DARPA-n, Agjencinë Amerikane të Projekteve të Avancuara në Fushën e Mbrojtjes.

Por Hepburn tha më pas për “Newsweek” se intervista e tij ishte keqkuptuar dhe sipas tij nuk ka asnjë mikroçip apo gjëra të ngjashme. Sipas tij, teknologjia është në fakt  një hidroxhel që rrit ndjeshmërinë ndaj laktatit të indeve nën lëkurë, gjë që mund të tregojë nëse dikush do të sëmuret.

A jetuan njerëzit dikur në Mars dhe e shkatërruan atë?

Kjo teori u parashtrua nëpërmes një video të postuar të TikTok, e cila u pa nga qindra mijëra njerëz. Kjo teori pretendon se Marsi është i kuq për shkak të pluhurit nga shpërthimet bërthamore, dhe se ka prova që dikur në këtë planet ka pasur ujë, i cili është tharë nga  njerëzit që kanë banuar dikur atje.

Por edhe kjo teori rrëzohet për shkak të afateve kohore. Fosilet e njerëzve të hershëm në Afrikë datojnë nga 6 milionë deri në 2 milionë vjet më parë, ndërsa nga studimet rezulton se Marsi ka pasur ujë miliarda vjet më parë. Për më tepër, Marsi është i kuq pasi sipërfaqja është e mbuluar me oksid hekuri, i njohur zakonisht si ndryshk, dhe jo me pluhur bërthamor./bota.al

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara