UBT, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, Universitetin “Ukshin Hoti”, Universitetin Linneaus University, Norwegian University of Science and Technology, South-East European Research Centre, si dhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka bërë përurimin e Shkollës Kombëtare të Kërkimit në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë.
Me këtë rast, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi në fjalën e tij përshëndetëse ka uruar të gjithë partnerët për zhvillimin dhe finalizimin e gjithë këtij projekti, duke falënderuar në veçanti partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin e ngushtë që Kosova të ketë një shkollë kombëtare për hulumtime në fushën e teknologjisë informative.
“Kjo shkollë do të jetë një nga nismat më të mira për Kosovën, për shkak që do t’i japë mundësi të rinjve për t’u ngritur profesionalisht në një nivel më të lartë për fusha të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë. E veçanta e kësaj shkolle është se bënë bashkë disa institucione vendore dhe ndërkombëtare. Një falënderim i veçantë i takon Ambasadës së Suedisë dhe asaj të Norvegjisë në Kosovë për mbështetjen e parezervë në këtë nismë”, tha rektori Hajrizi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehu përkushtimin e Qeverisë në përdorimin e teknologjisë për të rritur transparencën dhe llogaridhënien në qeverisje, për të përmirësuar shërbimet për qytetarët dhe bizneset tona dhe për të rritur produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomisë sonë.
“Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit në vendin tonë ka një potencial të madh. Këtë muaj do të arrijmë mbulimin e plotë të zonave të banuara me infrastrukturë të internetit broadband. Me një industri dhe komunitet të gjallë, TIK-u është një nga sektorët e paktë ku kemi një bilanc pozitiv tregtar. Pra, nuk është befasi që procesi i vazhdueshëm i vlerësimit të Strategjisë së Specializimit të Zgjuar e ka identifikuar tashmë TIK-un si një nga pesë sektorët prioritarë në ekonominë tonë që kanë potencialin më të lartë për rritje dhe inovacion’’, u shpreh kryeministri.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Qerim Qerimi ka thënë se kjo shkollë është demonstrim i bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve.
“Kjo shkollë e re Kombëtare Kërkimore në TIK demonstron fuqinë e bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve, organizatave dhe individëve që ndajnë një vizion dhe qëllim të përbashkët”, tha rektori Qerimi.
Kjo shkollë për dy vitet e ardhshme do të jetë e pozicionuar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërkaq pas dy viteve do të pozicionohet te partnerët e tjerë, një prej të cilëve është edhe UBT.
Kampusi Shkencor Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së është bërë nikoqir i një ekspozite të veçantë kushtuar njërit prej mendjeve më të jashtëzakonshme në historinë njerëzore, Leonardo da Vincit.
Përmes kësaj ekspozite, studentët, stafi akademik dhe vizitorët kanë mundësi të njihen më nga afër me botën krijuese të Da Vincit, idetë e tij revolucionare dhe projektet që dëshmojnë gjenialitetin e tij në fusha të ndryshme, nga arti e anatomia, deri te inxhinieria dhe teknologjia.
E organizuar në kuadër të edicionit të XXVI të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, me temën “Gjuhë e mirësjelljes, gjuhë gjeniale: të ideosh, të projektosh, të krijosh me italisht”, ekspozita sjell në vëmendje rëndësinë e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë italiane në zhvillimin e mendimit krijues dhe shkencor.
Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë dhe përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të nxitur kureshtjen intelektuale, kreativitetin dhe frymën inovative te gjeneratat e reja.
Përmes kësaj ekspozite, UBT sjell në kampusin e tij trashëgiminë e një figure që vazhdon të frymëzojë botën, duke dëshmuar se idetë e mëdha nuk njohin kohë dhe se arti, shkenca dhe teknologjia janë pjesë e së njëjtës gjuhë: gjuhës së inovacionit.
Profesoresha e gjuhës angleze në UBT, Lisjeta Thaqi Jashari, po qëndron për një vizitë akademike në Universitetin e Salentos në Lecce të Italisë, ku po zhvillon ligjërata dhe takime profesionale me kolegë të universitetit pritës.
Në qendër të ligjëratave të saj janë metodat bashkëkohore të mësimdhënies së diferencuar me mbështetjen e inteligjencës artificiale. Profesoresha e UBT-së po trajton mënyrat se si mësimdhënësit mund t’i shfrytëzojnë këto teknologji inovative për t’ua përshtatur materialet dhe aktivitetet mësimore studentëve me nivele të ndryshme të njohurive.
Gjatë kësaj vizite akademike po zhvillohen edhe takime që synojnë shkëmbimin e përvojave mbi përdorimin e teknologjisë në arsim, si dhe hapjen e rrugëve për bashkëpunime të reja akademike.
Fakulteti i Psikologjisë në UBT ka organizuar një bashkëbisedim me studentët e vitit të parë lidhur me trajtimin e dhunës, parandalimin e saj dhe rolin e shërbimeve psikologjike në shoqëri.
Aktiviteti i udhëhequr nga ligjëruesja Violeta Zefi bëri bashkë Zana Hamiti Asllanin nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Kadri Gashin nga Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime, si dhe Dekanen e Fakultetit të Psikologjisë Denis Celcima dhe ligjëruesen Elona Krasniqi.
Të nxitur nga ngjarjet e fundit në vend, pjesëmarrësit u përqendruan te rreziku i përsëritjes së rasteve të dhunës dhe nevoja për një qasje të koordinuar institucionale.
Vëmendje e veçantë gjatë diskutimit i u kushtua edukimit, risocializimit dhe mbështetjes psikologjike për burrat dhe djemtë kryerës të dhunës, si element kyç për parandalimin e këtij fenomeni.
UBT do të marr pjesë në Konferencën e 31-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), përmes pjesëmarrjes së Rektorit, Prof. Dr. Edmond Hajrizi në një panel ndërkombëtar të nivelit të lartë.
Më 18 nëntor 2026, në orën 13:00, në zonën Blue Zone të COP31 në Antalya, Rektori Hajrizi do të jetë folës në panelin me temë “From Universities to a Global Climate Alliance: Shared Vision and Action for Green Transition”, nën moderimin e Rektorit të Universitetit Çanakkale Onsekiz Mart, Prof. Dr. R. Cüneyt Erenoğlu.
Në kuadër të këtij paneli, Rektori Hajrizi do të prezantojë temën: “From Smart Campuses to Climate-Resilient Cities: The 5S Approach to University Living Labs”.
Prezantimi do të fokusohet në modelin UBT Smart City, duke trajtuar integrimin e arsimit, kërkimit shkencor, teknologjive të avancuara dhe veprimit klimatik në zhvillimin e kampuseve inteligjente dhe të qëndrueshme. Kjo pjesëmarrje përfaqëson gjithashtu vazhdimësinë e bashkëpunimit akademik ndërmjet UBT-së dhe Universitetit Çanakkale Onsekiz Mart, i cili filloi me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në vitin 2024.
Në kuadër të këtij partneriteti, me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), në UBT është realizuar Projekti i Transformimit të Gjelbër, me pjesëmarrjen e rreth 30 studentëve. Përmes pjesëmarrjes në COP31, UBT synon të ndajë përvojën e tij akademike dhe institucionale, të promovojë inovacionin dhe të forcojë partneritetet ndërkombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përballimin e sfidave klimatike.