Ndërsa lufta e Presidentit Donald Trump kundër Iranit ka hyrë në muajin e saj të gjashtë, paralajmërimet dhe përpjekjet diplomatike të kësaj jave kanë nxjerrë në pah pozicionin e ndërlikuar në të cilin ai ndodhet, teksa përpiqet të tërheqë SHBA-në nga një konflikt jopopullor që fillimisht pretendonte se do të zgjaste vetëm disa javë.
Trump ndodhet përballë dy rrugëve: të pranojë një marrëveshje të përkohshme që po mekohet mes Iranit dhe Omanit – e cila do t’i jepte Teheranit kontroll mbi ngushticën e Hormuzit, diçka që nuk e posedonte para luftës – ose të zbatojë paralajmërimet e tij për përshkallëzim të mprehtë, duke rrezikuar një krizë më të zgjatur.
Opsioni i parë, sipas analistëve, do t’i gjeneronte Iranit lëshimin më të madh që nga sulmi i SHBA-së dhe Izraelit më 28 shkurt dhe do të zyrtarizonte mbikëqyrjen e Republikës Islamike mbi këtë rrugë të rëndësishme të transportit të naftës, diçka që administrata Trump kishte premtuar ta parandalonte.
Rruga e dytë, që ka të ngjarë të përfshijë një valë të re sulmesh ajrore, mund të bartë rreziqe politike për Trumpin përpara zgjedhjeve të rëndësishme afatmesme të nëntorit në SHBA, ndërsa nuk duket se ofron ndonjë garanci më të madhe suksesi se bombardimet e mëparshme.
Trump mund të zgjedhë gjithashtu të ruajë status quo-në aktuale: të mbajë bllokadën e porteve iraniane dhe të kundërpërgjigjet periodikisht ndaj çdo sulmi mbi transportin detar. Megjithatë, as kjo qasje nuk i ofron një dalje të dinjitshme nga një konflikt që ai kishte parashikuar të përfundonte në mes të prillit.
“Është një menu opsionesh të këqija, por Trump mund të ketë kuptuar se nuk mund ta lërë këtë luftë të vazhdojë pafundësisht,” u shpreh Aaron David Miller, ish-negociator për Lindjen e Mesme.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetares së Reuters, një zyrtar amerikan deklaroi në kushte anonimiteti se çdo rrugë e përkohshme e transportit detar do të jetë “pa asnjë pengesë” dhe pa mbikëqyrje nga asnjë palë. /Reuters/