Lajmet

Përfundon gërmimi në Kalludër dhe Jabukë, mbetjet mortore dërgohen për ADN në Hagë

Published

on

Institucionet e Kosovës bënë të ditur se ka përfunduar gërmimi në tri lokacione në zonën e Kalludrës dhe Jabukës në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se mund të lidhen me fatin e 23 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të njohur si “Grupi i intelektualëve”.

Deri tani, të paktën 10 mbetje kockore janë dërguar në laboratorin e ADN-së në Hagë, ndërsa identifikimi përfundimtar pritet të bëhet pas përfundimit të të gjitha ekzaminimeve mjekoligjore dhe analizave të ADN-së.

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se familjarët tashmë janë më afër së vërtetës dhe drejtësisë, por kërkoi durim deri në përfundimin e të gjitha procedurave.

“Janë familjarët e 23 personave të zhdukur apo grupit të çka quhet grupi i intelektualëve apo grupi Ademi Ademit”. Dhe sot pak e ndjej, sepse jam vetë familjar, që është një ditë shumë e rëndë për ta. Por unë nuk di t’ju drejtohem juve, por atyre që duhet të gjejnë forcën, sepse së paku janë shumë më afër të vërtetës sot sesa që kanë qenë më herët. Por edhe më afër të drejtës, të drejtësisë. Ju e dini që deri më tash janë arrestuar katër potencialisht kriminelë serbë që kanë marrë pjesë në ato krime këtu. Uroj që të gjejnë forcën që të përballojnë këtë dhimbje. E dimë që ka edhe mbi 1500 familje që vazhdojnë me pritë fatin e më të dashurve të tyre, këtu përfshirë edhe mua personalisht.

Siç e tha prokurorja, unë e kam thënë disa herë në media, familjarët nuk duhet të jenë të shqetësuar sepse është një proces që merr kohë deri në identifikimin e saktë të këtyre personave. Kjo nënkupton që mostrat të cilat tash janë dërguar çe dy-tre ditë të trupave që janë gjetur në këtë lokacion do të dërgohen në Hagë, në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, kështu që dhe bëhet krahasimi i këtyre me gjakun që e keni dhënë ju tash e 20 e sa vite, dhe pastaj tek pastaj del identifikimi i saktë dhe vetëm tek pastaj mund të konkludojmë saktë që bëhet fjalë për ata persona, pavarësisht që informacionet të gjitha kanë qenë për ata që janë këtu. Duhet të jeni të fortë.”, tha Hoti.

Hoti tha se procesi i identifikimit përmes ADN-së është i domosdoshëm për të konfirmuar nëse mbetjet mortore u përkasin 23 personave të zhdukur, ndërsa kritikoi Serbinë për, siç tha, mosbashkëpunim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Ende kemi punë shumë, sepse fatkeqësisht kemi punë me një shtet që ka mendësi kriminale. Nuk është që e ka pasur në vitet ’90 vetëm, por e ka edhe sot. Shteti serb, ju siç e dini edhe sot, mos me shkua më larg se sot, po tentojnë të varrosin me nderime të larta shtetërore kryekriminelin serb që ka bërë krime në Bosnje Hercegovina, Mlladiq. Kjo nënkupton që ata ende sot e kanë një mendësi të tillë kriminale. Ata nuk e pranojnë as fajin, as krimet që i kanë bërë, as gjenocidin që e kanë bërë ndaj neve dhe Bosnjës e Kroacisë. Ende sot kanë të njëjtën mendësi. Prandaj ne e kemi goxha të vështirë përballjen me ta edhe në raport me fatin e personave të zhdukur. E dini që disa vite kemi marrë pjesë në bisedime në Bruksel edhe siç shihni në vende të tjera, por informacionet që ata duhet t’i japin, të cilat i kanë, të cilat ne po vazhdojmë me iu kërku përmes arkivave të tyre të klasifikuara, vazhdojnë me i mbajtë të hekurta në sirtarët e tyre dhe jo t’i shpërndajnë apo t’i japin për të zbardhur më tutje fatin e personave të zhdukur”,  deklaroi ai.

Prokurorja Florije Shamolli tha se rastin e 23 personave të zhdukur është duke e trajtuar prej shtatë vitesh dhe se provat e mbledhura deri tani i çojnë hetimet drejt tyre, por identifikimi nuk mund të konfirmohet pa rezultatet e ADN-së.

“Një gjë duhet ta dimë: dyshimet, të gjitha provat të cilat ne i kemi na dërgojnë tek zhdukja e 23 intelektualëve apo të quajtur doktorët. Mirëpo për të ardhur deri te rezultati final duhet të kemi durim, duhet të bëhet ADN-ja e saktë. Pa ADN-në, ne dyshimet të gjitha na dërgojnë aty, të gjitha provat na dërgojnë aty. Mirëpo, duhet të presim edhe pak kohë deri të vijnë të gjitha ekspertizat, për shkak se duhet të konstatohet ADN-ja, duhet të konstatohet shkaku i vdekjes, mbetjet mortore, domethënë një numër ekspertizash. Unë e shfrytëzoj rastin, kam pasur planifikim që të gjithë familjarët e këtij rasti t’i thërras në zyrën time dhe të vijnë. Ata do ta kenë derën e hapur në çdo kohë. Për çdo informacion të cilin prokuroria e posedon në lidhje me këtë rast, brenda kompetencave për sa i përket që të kenë njohuri familjarët, në çdo kohë, në çdo orë mund të drejtohen në zyrën time. Ju lutem familjarë, këto janë raste të ndjeshme. Mos bini pre e informacioneve të ndryshme. Informacionin zyrtar ejani dhe kërkojeni në zyrën time. Unë do të jam aty deri në momentin e fundit, deri te rezultati final. Se si do të vijë deri te momenti, t’ju informoj: janë tre persona nën paraburgim, të dyshuar. Mirëpo duhen edhe prova të tjera. Sigurisht, në qoftë se vijmë deri te ngritja e aktakuzës, atëherë gjykimi do të jetë publik dhe do të keni mundësi të gjithë ta përcillni atë rast”, tha Shamolli.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, tha se zbulimi i varrezave masive është rezultat i një pune disavjeçare të institucioneve të Kosovës.

“Për fat të mirë, përpjekja disavjeçare e institucioneve të Kosovës më në fund u kurorëzua me rezultate konkrete. Pra, opinion është i njoftuar se nuk është çështja e një muaji angazhimit të institucioneve tona, të cilat kanë qenë të involvuara në këtë çështje, po është një involvim disavjeçar dhe për fat të mirë të gjitha këto kanë rezultuar me sukses evidente. Natyrisht ne si popull kemi pasur atë fatkeqësinë që përveç të afërmit tanë na janë privuar nga e drejta për të jetuar, për fat të keq ata janë privuar edhe nga e drejta për të pasur një varr. Pra një vend ku familjarët do t’i përkujtonin. Një gjë pozitive është për familjarët e këtyre 23 personave që tash e tutje megjithatë kjo pjesa e dytë e pamundësisë së përkujtimit do të eliminohet.”, tha Limani.

Ndërsa, shefi i Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Florim Elshani, tha se hetimet për këtë rast janë intensifikuar nga viti 2024.

“Edhe në këtë rast kemi punuar edhe në rastin e njohur si grupi i intelektualëve. Hetimet kanë vazhduar për një periudhë të gjatë ashtu siç e potencuan të gjithë parafolësit e mi, po më intensive kanë qenë prej vitit 2024 e këndej në lidhje me saktësimin dhe lokalizimin e këtij lokacioni, derisa kemi arritur me datën 27 në specifikimin e saktë të vendvarrezës së parë. Por domethënë deri në ato momente ne nuk kemi ditur se çka saktë me çka kemi të bëjmë apo se çfarë çfarë kemi, por me të filluar punimet, ekipet profesionale të antropologëve, mjekoligjorëve dhe arkeologëve dhe forenzikës kanë konstatuar se hapësira dhe kushtet e varrezës nuk mund me qenë të përshtatshme për një grup kaq të madh, domethënë kjo ka zgjuar kureshtjen te ne dhe kemi intensifikuar veprimet hetimore me ç’rast kemi lokalizuar edhe varrezën e dytë e po ashtu pas një intervali kohor prej dy-tri ditësh edhe varrezën e tretë masive në të cilën kemi nxjerrë deri më tash çfarë mund të thuhet paktën 23 trupa apo të individëve”, tha Elshani.

Valon Hyseni nga Instituti i Mjekësisë Ligjore tha se pas evidentimit të tri lokacioneve, procesi tashmë ka kaluar në fazën e ekzaminimit dhe identifikimit.

“Sigurisht që përfundimi i lokacionit nuk është fundi i kësaj pune. Pra, këtu fillon puna më e madhe e cila tash do të bëhet në laboratorin për Mjekësi Ligjore, ku ka filluar ekzaminimi i këtyre mbetjeve mortore dhe ku ka filluar edhe marrja e mostrave dhe dërgimi i tyre për analizat e ADN-së. Deri tash mund t’ju konfirmoj që kemi çuar të paktën 10 mbetje kockore pra, në laboratorin e ADN-së në Hagë dhe shpresojmë që shumë shpejt do të kemi edhe rezultatet e para dhe tek atëherë mund të flasim se për kë bëhet fjalë”, tha Hyseni.

Anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, dha detaje për tri lokacionet dhe numrin e mbetjeve mortore të gjetura.

“Lokacioni aktual ose vendi ku gjendemi aktualisht është lokacioni i parë i varrit masiv, meqë siç u potencua edhe nga kolegët janë edhe dy lokacione të tjera, pra dy varre masive në këtë zonë. Lokacioni i tretë i varrit masiv bie diçka 300 metra, po, distancë nga lokacioni aktual. Ndërsa lokacioni i dytë i varrit masiv bie të jetë diku rreth 1 kilometër distancë, flas gjithmonë me vijë ajrore, pra përkatësisht në fshatin Jabukë. Këtë lokacion, siç u potencua edhe nga kolegët edhe nga kolegët e policisë, po edhe kolegët e komisionit po edhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, edhe siç e kemi bërë publike edhe në komunikimin që kemi pasur me media, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të 13 personave ose të paktën minimumi 13 individëve. Po e them gjithmonë të paktën si minimumi, meqë zyrtarisht do të përcaktohet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore pasi të përfundojnë të gjitha procedurat në kuptim të ekzaminimit mjekoligjor dhe në kuptim të identifikimit përmes analizave të ADN-së”, tha Gara.

Procesi i gërmimet në dy fshatrat në Zubin Potok nisi më 28 korrik 2026.

Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit.

Në Kosovë konsiderohen të zhdukur edhe rreth 1 mijë e 560 persona nga lufta e fundit./A.K/

/Kosovapress/

Continue Reading

Vendi

Protestat kundër vrasjes së grave vazhdojnë për të dytën ditë, kërkohet dorëheqja e dy ministrave

Published

on

Protestat kundër vrasjes së grave në Kosovë kanë vazhduar edhe sot, për të dytën ditë radhazi, me pankarta që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, duke reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Ata po kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndjekjen penale të personave që, sipas protestuesve, kanë neglizhuar rastin e Zekajt.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, gjatë fjalimit para ndërtesës së Qeverisë, ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të organizatorëve.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferrin. Ndaj tyre është hapur procedurë disiplinore dhe është themeluar një panel hetimor për trajtimin e rastit.

Edhe Policia e Kosovës ka pezulluar nga puna 11 zyrtarë policorë për mënyrën e trajtimit të rastit të Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.

Protestë kundër vrasjes së grave dhe për kërkimin e përgjegjësisë institucionale ishte mbajtur edhe një ditë më parë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi mobiliteti Erasmus+ KA171 në Sapienza University of Rome – Itali

Published

on

By

UBT hap thirrjen për studentët e nivelit Bachelor nga programet Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Juridik, Psikologji, Inxhinieri e Mekatronikës, Studime të Sigurisë, Shkenca Politike, Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë, si dhe Media dhe Komunikim, për mobilitet studentor në Sapienza University of Rome, Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, për semestrin pranveror të vitit akademik 2026/2027.

Sapienza University of Rome është një nga universitetet më të mëdha dhe më të njohura publike në Itali, me traditë të gjatë akademike dhe një gamë të gjerë programesh studimore dhe kërkimore.

Linku për aplikim

Afati i fundit për aplikim: 02.11.2026

Kujdes: Thirrja do të qëndrojë e hapur vetëm për 4 ditë!

Pas përfundimit të afatit, aplikimet do të shqyrtohen sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët që kalojnë fazën e parë të vlerësimit do të ftohen për intervistë, ndërsa studentët e përzgjedhur do të nominohen zyrtarisht nga UBT për mobilitet në Sapienza University of Rome.

Ftojmë të gjithë studentët nga programet përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar më tej kompetencat e tyre akademike dhe profesionale.

Për informacione shtesë, mund të kontaktoni Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në: [email protected].

Continue Reading

lajme

Një dashuri e shkruar në letra dhe e ruajtur nga historia

Published

on

By

Në Reporting House, në Prishtinë, ekspozita “Një mur na ndan ” sjell para vizitorëve një histori të veçantë dashurie, përkushtimi dhe idealizmi përmes mbi 50 letrave të shkëmbyera ndërmjet çiftit të UÇK-së, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, si dhe eksponateve të tjera që dokumentojnë rrugëtimin e tyre. Letrat u shkruan kryesisht gjatë kohës kur Fehmiu vuante dënimin si i burgosur politik në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci.

Përmes fjalëve të shkruara, Xheva dhe Fehmiu ndanin mallin, emocionet dhe ëndrrat për një jetë të përbashkët, pavarësisht largësisë që i ndante. Letrat, të zbukuruara me lule të vizatuara, shkronja të shkruara me ngjyra kuqezi, poezi dhe prozë, dëshmojnë jo vetëm dashurinë e tyre të thellë, por edhe formimin intelektual, bindjet dhe përkushtimin ndaj Kosovës.

Ato pasqyrojnë dy njerëz që, krahas lidhjes personale, i bashkonte edhe ideali për lirinë e vendit. Një element i veçantë i ekspozitës është edhe kostumi i kuq i Xhevës, të cilin ajo e veshi kur u vendos në familjen Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit, pas vendimit për ta pritur Fehmiun gjatë viteve të burgimit.

Kjo veshje shënon një moment të rëndësishëm të jetës së tyre dhe e lidh historinë personale të çiftit me rrugëtimin e tyre atdhetar. Përveç letrave dhe veshjes, ekspozita përfshin edhe eksponate të tjera, ndër to intervistën e Fehmi Lladrovcit të vitit 1998 dhe pamje të burgut ku ai kaloi pesë vjet. Së bashku, këto materiale sjellin një dimension më njerëzor të historisë, duke zbuluar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e dy figurave që shpesh kujtohen vetëm përmes rolit të tyre në luftën çlirimtare.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998, gjatë luftës në Kosovë. Sot, përmes letrave të tyre të ruajtura dhe të ekspozuara në Reporting House, historia e tyre vazhdon të rrëfehet, duke ndërthurur dashurinë personale me idealet dhe përkushtimin ndaj vendit.

Ekspozita “Një mur na ndan” na kujton se pas figurave historike qëndrojnë njerëz me ndjenja, shpresa dhe ëndrra.

Letërkëmbimi i Xhevës dhe Fehmiut mbetet një dëshmi e rrallë e një dashurie që i rezistoi ndarjes, kohës dhe rrethanave të vështira, si dhe e një lidhjeje të ndërtuar mbi barazinë, besimin dhe idealet e përbashkëta.

(Autore: Adile Muli, studente e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës suspendon 11 zyrtarë policorë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Policia e Kosovës ka marrë vendim për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Vendimi është mbështetur në Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore dhe rekomandimin e drejtpërdrejtë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Masa e suspendimit përfshin të gjithë zinxhirin komandues dhe hetimor në rajonin e Pejës, përfshirë ushtruesin e detyrës së Drejtorit Rajonal, Shefin e Hetimeve Rajonale, Komandantin dhe Zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, Shefin e Hetimeve, ushtruesin e detyrës së Shefit të Operativës, Komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.

Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se ky hap është ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast.

“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara