Lajmet

UBT u uron suksese maturantëve në afatin e dytë të Testit të Maturës Shtetërore 2026

Published

on

Në prag të mbajtjes së afatit të dytë të Testit të Maturës Shtetërore 2026, i cili do të zhvillohet nesër, më 29 gusht, UBT u uron suksese të gjithë maturantëve që do t’i nënshtrohen këtij testi, duke u dëshiruar rezultate të mira dhe përmbushjen e objektivave të tyre akademike.

Ky test përbën një etapë të rëndësishme për maturantët në përfundim të arsimit të mesëm dhe një hap drejt vazhdimit të rrugëtimit të tyre në arsimin e lartë dhe zhvillimit të mëtejmë profesional.

UBT, edhe gjatë këtij viti, ka qenë pranë maturantëve përmes Programit Përgatitor për Maturën Shtetërore 2026, i cili u organizua në qendrat e UBT-së në Prishtinë, Ferizaj, Pejë dhe Prizren.

Përmes këtij programi, maturantët patën mundësi të përgatiten në lëndët kryesore dhe ato zgjedhore, përmes ligjëratave, ushtrimeve praktike, testeve model dhe përsëritjes së njohurive kryesore të nevojshme për testin.

UBT u dëshiron të gjithë maturantëve suksese në afatin e dytë të Testit të Maturës Shtetërore 2026 dhe beson se puna, përkushtimi dhe përgatitja e tyre do të kurorëzohen me rezultate të mira.

Suksese maturantë! UBT beson në ju dhe në potencialin tuaj për të ndërtuar të ardhmen që dëshironi!

Lajmet

Shakira thyen rekord në Amazon Music, koncerti me Dua Lipën më i ndjekuri nga një artiste femër

Published

on

Amazon Music ka bërë të ditur se koncerti i Shakirës, i mbajtur më 3 tetor në Madrid, është bërë performanca e transmetuar drejtpërdrejt më e ndjekur nga një artiste femër në historinë e platformës.

Koncerti u transmetua në Amazon Music, Prime Video dhe Twitch, ndërsa u zhvillua në kuadër të turneut botëror të këngëtares kolumbiane, “Las Mujeres Ya No Lloran World Tour”, si pjesë e rezidencës së saj evropiane në Madrid.

Mbrëmja solli edhe një moment të veçantë për publikun, pasi Shakirës iu bashkua në skenë këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. Dy artistet interpretuan së bashku, në një version akustik, këngën “Antología”.

Koncerti u mbajt në “Estadio Shakira”, një stadium i përkohshëm i ndërtuar në kompleksin Iberdrola Music, në zonën Villaverde të Madridit.

Transmetimi rekord ishte pjesë e fushatës vjetore të Amazon Music, “Music Connects Us”, e cila këtë vit mban temën “The Women Shaping Latin Music” dhe i kushtohet grave që kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e muzikës latine.

Amazon Music vlerësoi ndikimin e Shakirës në skenën ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një artiste që për më shumë se tri dekada ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit për artistët latinë në tregun global.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Amazon Music, “Dai Dai”, bashkëpunimi i Shakirës me Burna Boy, është kënga më e dëgjuar në botë në platformë gjatë vitit 2026 deri më tani. Shakira është gjithashtu artistja latine më e dëgjuar në Amazon Music gjatë së njëjtës periudhë.

“Las Mujeres Ya No Lloran World Tour është bërë shumë më tepër nga sa mund ta kisha imagjinuar dhe jam shumë krenare për të”, është shprehur Shakira, duke thënë se është e emocionuar që këtë përvojë ta ndajë me fansat në mbarë botën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mitrovica mirëpret Samitin Ndërkombëtar të Rinisë për Paqe 2026

Published

on

Mitrovica ka mirëpritur “Balkan International Youth Summit for Peace 2026” (BIYSP), një samit ndërkombëtar që mblodhi të rinj nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar mbi paqen, dialogun dhe bashkëpunimin.

Samiti u zhvillua nga 1 deri më 4 tetor, nën temën “Youth as Peace Practitioners: From Dialogue to Action”, ndërsa u mbështet financiarisht nga Ministria e Sportit dhe Rinisë.

Gjatë ditës së dytë, në emër të Ministrisë, fjalë përshëndetëse mbajti këshilltari i lartë i ministrit Blerim Gashani, Drilon Brahimi.

Ndërkaq, Vedat Jashari, udhëheqës i Divizionit për Zhvillimin e Politikave për Rininë, mori pjesë në sesionin “Spotlight: Histori nga terreni”, ku prezantoi përvojën e Kosovës në zhvillimin e politikave dhe programeve për të rinjtë.

Përmes diskutimeve, paneleve dhe shkëmbimit të përvojave, samiti synoi të fuqizojë rolin e të rinjve në ndërtimin e paqes dhe kohezionit shoqëror.

Ministria e Sportit dhe Rinisë ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që fuqizojnë të rinjtë dhe nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

FOTOIST 2026 rikthehet në Prishtinë me 36 ngjarje dhe 12 ekspozita fotografike

Published

on

Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë FOTOIST rikthehet në Prishtinë për edicionin e katërt, duke sjellë një program me 36 ngjarje kulturore dhe 12 ekspozita fotografike ndërkombëtare.

Festivali po zhvillohet nga 29 shtatori deri më 16 tetor 2026 dhe përfshin ekspozita, ligjërata, debate, shfaqje filmash, promovime librash fotografikë, takime me artistë, portfolio reviews, si dhe aktivitete edukative e profesionale.

Hapja solemne e FOTOIST 2026 do të mbahet më 9 tetor, në orën 18:00, në Sheshin e Hotel Grandit, ku do të prezantohet ekspozita “Në Sytë e Tjetrit” e fotografit Korab Basha.

Pas ceremonisë, artistët, fotografët dhe publiku do të zhvillojnë një tur të përbashkët nëpër ekspozitat e festivalit, nga hapësirat e ish-Hotel Grandit deri te Barabar Centre. Autorët do të prezantojnë konceptin dhe procesin krijues të punëve të tyre.

Programi i festivalit ka nisur edhe para hapjes solemne. Më 29 shtator, në Galerinë Qahili, u hap ekspozita “Koha e Thyer” e Osman Demirit, ndërsa më 6 tetor u hap “Drita e Heshtjes” e Blerta Syla Suroit. Në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë prezantohet gjithashtu ekspozita “Kuti(a) e Kujtesës / The Memory Box” e Burim Myftiut.

Programi ekspozues do të përmbyllet më 13 tetor, në orën 19:00, në Paper Gallery, me hapjen e ekspozitës “Ujëgrame Cimatike” të Liona Vorfit.

Përmes 36 ngjarjeve kulturore, FOTOIST 2026 synon ta trajtojë fotografinë jo vetëm si medium artistik, por edhe si dokument, kujtesë, dëshmi dhe mjet komunikimi shoqëror.

Aktivitetet do të zhvillohen në galeri, institucione kulturore, hapësira universitare dhe ndërtesa me rëndësi historike në Prishtinë, duke e shndërruar qytetin në një hapësirë të ekspozimit dhe dialogut kulturor.

Në edicionin e katërt, festivali vazhdon bashkëpunimin me artistë, fotografë dhe institucione nga Kosova, rajoni, Evropa dhe më gjerë, me synimin për ta forcuar rolin e Prishtinës në skenën e fotografisë bashkëkohore në Evropën Juglindore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Prishtinë: Tre persona dyshohet se dhunuan dhe grabitën një shtetase të huaj

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një rast të rëndë të dhunimit dhe grabitjes të ndodhur të martën mbrëma në Prishtinë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:05, ku tre persona të panjohur dyshohet se nën kanosje kanë dhunuar një femër, shtetase e huaj. Përveç sulmit, të dyshuarit i kanë grabitur viktimës gjësende të ndryshme si dhe dokumentet personale.

Lidhur me rastin janë informuar prokurori kujdestar dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë intenzivisht për identifikimin e të dyshuarve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.  /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara