Lajmet

Përfundojnë deklaratat hyrëse në Hagë

Në ditën e tretë të gjykimit, mbrojtja e Jakup Krasniqit ishte e fundit që mbajti deklaratat hyrëse.

Published

on

Në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë përfunduar deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbrojtësit të viktimave dhe ekipeve të mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në ditën e tretë të gjykimit, mbrojtja e Jakup Krasniqit ishte e fundit që mbajti deklaratat hyrëse, duke argumentuar se ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së, organi i ndjekjes “nuk ka prova” që e lidhin atë me ndonjë nga krimet e pretenduara.

Vetë Krasniqi iu drejtua trupit gjykues duke thënë se nuk ka kryer ndonjë krim, as “para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës”. Ai tha se është “absurde” akuza se ai dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, kanë “persekutuar” anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Krasniqi tha se vetë ka qenë pjesë e LDK-së.

Prokuroria ka pretenduar se të akuzuarit kanë udhëhequr një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që ka shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së, përfshirë edhe mbështetësit e LDK-së./REL

Lajmet

Jakup Krasniqi vazhdon qëndrimin në shtëpinë e tij në Prishtinë

Published

on

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, po qëndron edhe sot në shtëpinë e tij në Prishtinë, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, shkruan KosovaPress.

Krasniqi, i cili po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka ardhur në Kosovë për të qëndruar pranë familjes, për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Kjo është dita e dytë e qëndrimit të tij në Kosovë./KosovaPress

Continue Reading

Lajmet

Filmi “Zero A.D.: The Birth of Christ” me buxhet prej 44 milionë dollarësh, producent ekzekutiv shqiptari Noli Molla

Published

on

“Zero A.D.: The Birth of Christ” është një nga filmat më të shumëpritur të këtij viti, i cili pritet të shfaqet në kinema gjatë muajit dhjetor.

Përveç emrave të njohur të kinematografisë botërore që janë pjesë e kastit, si Jim Caviezel, Deva Cassel dhe Sam Worthington, filmi veçohet edhe për përfshirjen e shqiptarit nga Kosova, Noli Molla, në rolin e producentit ekzekutiv.

I pranishëm së fundmi në pre-premierën e filmit në CineStar, Molla ka ndarë detaje rreth produksionit, buxhetit dhe përfshirjes së tij në këtë projekt ndërkombëtar.

“Buxheti i filmit ka qenë 44 milionë dollarë”, ka deklaruar ai në një intervistë për Telegrafi.com.

Filmi trajton ngjarjen e Lindjes së Krishtit, ndërsa një nga veçoritë e tij është përzgjedhja e aktores Deva Cassel në rolin e Shën Mërisë. Ajo është vajza e aktorëve të njohur Vincent Cassel dhe Monica Bellucci.

Molla ka treguar se për këtë rol kishin audicionuar më shumë se 3 mijë aktore dhe se regjisori e kishte përzgjedhur Deva Cassel pa e ditur fillimisht se kush ishin prindërit e saj.

Ai ka theksuar se përfshirja e saj në projekt ishte veçanërisht emocionuese për të, duke kujtuar edhe rolin e Monica Belluccit në filmin “The Passion of the Christ”.

Gjatë intervistës, producenti kosovar ka folur edhe për planet e tij të ardhshme në industrinë e filmit. I pyetur nëse synon të realizojë një projekt ndërkombëtar për historinë e Kosovës, Molla ka zbuluar se është duke shqyrtuar dy ide: një film për Skënderbeun dhe një tjetër për Adem Jasharin.

Ai ka thënë se realizimi i këtyre projekteve kërkon skenar të fuqishëm dhe përzgjedhje të aktorëve që mund t’u japin atyre jehonë ndërkombëtare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë, duke bërë të ditur se kjo hapësirë së shpejti do të jetë e gatshme për artistët dhe publikun.

Përmes një njoftimi, Bogujevci ka theksuar se rinovimi i teatrit ODA është pjesë e investimeve në infrastrukturën teatrore në vend.

Ajo ka përmendur edhe projektet e përfunduara, përfshirë rinovimin e teatrit të qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë dhe të hapësirave teatrore në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, si dhe ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë.

Sipas ministres, punimet po vazhdojnë edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në teatrin “Adriana” në Ferizaj, ndërsa Qendra për Arte në Rahovec ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit.

Ndërkaq, Teatri i Operës dhe Baletit në Prishtinë është në fazën e fundit të projektimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Palimpsest”, projekt artistik që rikthen në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare

Published

on

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka prezantuar projektin artistik “Palimpsest”, i cili synon të rikthejë në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare të viteve ’30, ’40 dhe ’50.

Përmes krijimeve origjinale dhe përpunimeve të këngëve popullore, projekti sjell vepra të kompozitorëve Antonio Muçi, Karlo Pali, Muharrem Xhediku, Koço Uçi, Ramadan Sokoli dhe Çesk Zadeja.

Në këtë mbrëmje artistike do të interpretojnë Ardita Bufaj në piano, Armando Likaj në bariton dhe Maida Resulbegoviç në soprano, ndërsa e ftuar speciale do të jetë pianistja Norena Gaxha.

Koncepti artistik, hulumtimi arkivor dhe mbledhja e partiturave janë realizuar nga pedagogia Ardita Bufaj.

Projekti organizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në kuadër të Festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”, me synimin për të promovuar vlerat e trashëgimisë muzikore dhe për t’i përcjellë ato te brezat e rinj./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara