Një studim i ri ka zbuluar se suplementet me vitaminë D ndihmojnë në ruajtjen e telomerëve, “kapakët” mbrojtës në fund të kromozomeve – dhe në këtë mënyrë të ngadalësojnë procesin biologjik të plakjes.
Telomerët shkurtohen natyrshëm me kalimin e moshës, çka shoqërohet me rritjen e rrezikut për sëmundje të lidhura me moshën dhe vdekshmëri të parakohshme. Vitamina D ndihmon në ngadalësimin e këtij shkurtimi, veçanërisht te leukocitet (qelizat e bardha të gjakut).
Çfarë tregoi studimi?
Studimi përfshiu të rritur amerikanë mbi 50 vjeç. Pjesëmarrësit morën suplemente me vitaminë D3, acide yndyrore omega-3, të dyja, ose placebo, për një periudhë prej pesë vitesh. Rezultatet treguan se:
– Grupi që mori vitaminë D pati shkurtim minimal të telomerëve pas 2 dhe 4 vitesh.
– Grupi placebo pësoi shkurtim të konsiderueshëm të telomerëve.
– Omega-3 nuk pati efekt të dukshëm në telomerë.
– Efekti pozitiv i vitaminës D ishte më i dukshëm te pjesëmarrësit që nuk merrnin ilaçe për kolesterol dhe tek ata që nuk ishin obezë.
Çfarë nënkuptojnë këto rezultate?
Ruajtja e gjatësisë së telomerëve përkthehet në ngadalësim të procesit të plakjes biologjike me rreth 3 vjet, kjo përforcon rolin e vitaminës D jo vetëm në shëndetin e kockave dhe imunitet, por edhe në parandalimin e plakjes qelizore.
Kufizime të studimit
– Studimi ishte analizë sekondare dhe nuk ishte projektuar për të matur efektet mbi telomerët.
– Mostra ishte me pjesëmarrës të bardhë mbi moshën 50 vjeç.
– 37% e të dhënave mungonin pas 4 vitesh.
– Efekti u vëzhgua vetëm në qelizat e bardha të gjakut dhe nuk u analizuan pasojat e drejtpërdrejta klinike.
Dr. David Cutler paralajmëron se benefitet e mundshme të vitaminës D duhen peshuar kundrejt rreziqeve të saj. Marrja e tepërt çon në dëmtime të veshkave dhe toksicitet, për shkak se është një vitaminë që grumbullohet në trup.
Ky studim shton prova në favor të rolit mbrojtës të vitaminës D kundër plakjes. Megjithatë, para se të përfshihet në udhëzimet zyrtare, nevojiten më shumë studime me popullata më të gjera dhe të larmishme. Para fillimit të çdo suplementi, konsultohuni me mjekun, sidomos nëse keni sëmundje kronike.