Lajmet

Përfitimet e majasë së bukës për fytyrën, flokët dhe kopshtin

Published

on

Majaja e bukës është një përbërës i njohur për përdorimin e saj në përgatitjen e bukës apo picës, ku ndihmon në ngritjen e brumit dhe dhënien e strukturës së dëshiruar.

Por, kjo kërpudhë natyrale ka shumë përdorime të tjera të dobishme, që shkojnë përtej kuzhinës.

Në këtë artikull do të zbulojmë pesë mënyra alternative se si mund ta përdorni majanë e bukës në shtëpi, nga kujdesi për fytyrën e deri tek kopshtaria.

Pastron dhe rigjeneron fytyrën

E pasur me vitaminë B, antioksidantë, aminoacide dhe vitaminë E, që e bëjnë ideale për pastrimin dhe rigjenerimin e lëkurës. Përgatitja është e thjeshtë: Përzieni një lugë gjelle maja me ujë të ngrohtë, lëreni të pushojë për 30 minuta në ambient të ngrohtë. Aplikoni përzierjen në fytyrën e pastër dhe lëreni të veprojë për 20 minuta. Pasi të thahet, shpëlani me ujë e përdorni krem hidratues.

Shkëlqen dhe ushqen Flokët

Majaja e bukës është trajtim natyral i shkëlqyeshëm për flokët, falë përmbajtjes së vitaminës B8 e lëndëve ushqyese. Për ta përdorur: Shkrini një lugë gjelle maja në një gotë me ujë. Vendosni përzierjen në flokë të thatë, duke filluar nga skalpi. Lëreni të thahet për 30 minuta e lani me shampo si zakonisht.

Largon krimbat dhe insektet e padëshiruara nga bimët

Krimbat dhe insektet e vogla mund të jenë problem për kopshtarinë. Majaja e bukës është mënyrë natyrale për t’i larguar pa përdorur kimikate: Mbushni një kavanoz me dy lugë gjelle maja e shtoni ujë të vakët, pak sheqer e kripë. Vendosni në tokë pranë bimëve apo luleve. Insekte tërhiqen nga fermentimi e do të grumbullohen në kavanoz, duke lënë bimët të qeta.

Ushqen dhe përmirëson shëndetin e luleve

Një përzierje me majë buke, ujë e mjaltë ju ndihmon luleve të marrin proteinat e nevojshme e tërheqin insektet. Hidhni pak nga kjo përzierje në pjatat ku vendosen lulet. Kjo mënyrë ndihmon lulëzimin e shëndetshëm të kopshtit tuaj.

Përshpejton plehërimin e tokës

Majaja e bukës, si një kërpudhë me mikrorganizma të gjallë, ndihmon në përshpejtimin e dekompozimit të materialeve organike në tokë: Përzieni majanë me sheqer, kripë dhe ujë e hidhni përzierjen në tokë.

Kjo aktivizon proceset e plehërimit, duke ndihmuar bimët të marrin ushqimet e nevojshme më shpejt.

Përfundimisht, majaja e bukës është një burim natyral me shumë përdorime të ndryshme që mund t’ju ndihmojnë jo vetëm në kuzhinë, por edhe për kujdesin personal dhe kopshtarinë. /A.Z/UBT News/

Lajmet

IKShPK me apeli për prindërit: Konfirmohen 180 raste me fruth, mbi 95% prej tyre të pavaksinuar

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka apeluar sërish te qytetarët për vaksinimin e fëmijëve, duke e vlerësuar këtë proces si masën më të sigurt, më efikase dhe më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe gjithë komunitetit.

Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK, nga 16 prilli deri më 27 shtator 2026 janë konfirmuar gjithsej 180 raste me fruth në Kosovë, prej të cilave tetë raste janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit. Mbi 95% e personave të prekur i përkasin kategorisë së të pavaksinuarve me vaksinën MMR, çka dëshmon rolin kyç të kësaj mbrojtjeje në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Në kuadër të përpjekjeve për të parandaluar përhapjen e mëtejshme, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar fushatën e vaksinimit të vonuar (catch-up) për fëmijët që e kanë shtyrë procesin. Si rezultat i këtij angazhimi, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,176 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç, duke dëshmuar ndërgjegjësimin e lartë të prindërve.

Instituti ka shprehur falënderime për prindërit, profesionistët shëndetësorë dhe institucionet për bashkëpunimin në rritjen e shkallës së imunizimit, duke nëvizuar se çdo fëmijë i vaksinuar përbën një hap më afër ndërprerjes definitive të transmetimit të fruthit.

 

Continue Reading

Lajmet

Vlora Çitaku zgjidhet nënkryetare e Kuvendit të Kosovës me 95 vota

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot për zgjedhjen e Vlora Çitakut, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në postin e nënkryetares së Kuvendit.

Në votimin e zhvilluar gjatë seancës plenare, kandidatura e Çitakut mori mbështetjen e 95 deputetëve.

Nënkryetari i propozuar nga PDK-ja ishte i vetmi që kishte mbetur pa u zgjedhur në seancën e mëparshme konstituuese, kur u votuan anëtarët e tjerë të kryesisë. Kjo vonesë erdhi pasi PDK-ja i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar ligjshmërinë e konstituimit të Kuvendit pas kalimit të afateve kushtetuese.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin duke vlerësuar se Kuvendi është i konstituar konform rregullave dhe se Qeveria nuk është antikushtetuese, duke i hapur rrugë kështu plotësimit të Kryesisë së Kuvendit.

Continue Reading

Lajmet

PDK përshëndet deklaratën e Kuvendit për aktgjykimin në Hagë, kërkon procedim urgjent të projektligjit për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përshëndetur miratimin nga Kuvendi i Kosovës të deklaratës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përmes një deklarate për media, PDK-ja ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare për mbështetjen, ndërsa ka kërkuar që hapi i radhës të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga kjo parti javën e kaluar.

“Kërkojmë nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta trajtojnë e votojnë me urgjencë”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Sipas kësaj partie, deklarata e miratuar nga Kuvendi përfaqëson qëndrimin e institucionit, ndërsa miratimi i projektligjit do të përbënte hapin e radhës institucional.

“Deklarata shpreh qëndrimin e Kuvendit. Votimi i ligjit është hapi i radhës për t’i dhënë përgjigje institucionale kërkesave që kemi ngritur”, thuhet më tej në njoftim.

PDK-ja ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin e saj lidhur me mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të saj.

“PDK-ja do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për një proces të drejtë ndaj ish-krerëve të saj”, përfundon deklarata.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton deklaratën për aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Published

on

By

DEKLARATË PËR AKTGJYKIMIN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA NË HAGË NDAJ HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, JAKUP KRASNIQIT DHE REXHEP SELIMIT

Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare të mbajtur më 28 shtator 2026,

Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e popullit për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;

Duke rikujtuar se lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u zhvillua në rrethana të represionit sistematik dhe krimeve të rënda të kryera nga forcat serbe, në një kohë kur popullit të Kosovës i mohoheshin të drejtat themelore dhe e drejta për të jetuar i lirë në vendin e tij;

Duke njohur rëndësinë e ndërhyrjes së NATO-s në ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe në procesin e çlirimit të vendit;

Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë apo zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë dhe duke rikujtuar krimet e rënda të kryera ndaj popullsisë civile, përfshirë vrasjet, dëbimet, dhunën seksuale, shkatërrimin e pronës dhe zhvendosjen me forcë të mijëra qytetarëve;

Duke qenë të bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, përmes mjeteve ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;

Duke rikujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura me sakrificën e brezave, rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, përfshirë NATO-n,

Kuvendi i Republikës së Kosovës miraton këtë deklaratë:

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

  2. Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin lidhur me ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal, ashtu siç është përcaktuar në aktgjykim.

  3. Kuvendi kërkon nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme, brenda kompetencave të tyre, për mbrojtjen e së vërtetës historike lidhur me luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.

    Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, përmes së cilës do të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike mbi luftën për liri dhe çlirimin e Kosovës.

  4. Kuvendi rikujton se lufta në Kosovë gjatë viteve 1998–1999 është trajtuar edhe përmes aktgjykimeve të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, përfshirë rastet ndaj zyrtarëve politikë, ushtarakë dhe policorë të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë. Në këto procese gjyqësore janë trajtuar krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës dhe strukturat shtetërore përmes të cilave ato janë kryer.

  5. Kuvendi kërkon nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që të respektojnë mandatin e tyre, në përputhje me bazën ligjore mbi të cilën janë themeluar dhe me parimet e shtetit të së drejtës.

  6. Kuvendi kundërshton çdo përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën çlirimtare të popullit të Kosovës apo për të krijuar barazime mes popullit që luftoi për liri dhe forcave që ushtruan represion dhe dhunë ndaj tij.

  7. E vërteta historike, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe e drejta e çdo të akuzuari për një proces të drejtë gjyqësor, janë parime që duhet të respektohen njëkohësisht. Kuvendi i Republikës së Kosovës deklaron përkushtimin e tij për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe institucionale në dispozicion.

 

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte caktuar të niste sot në orën 11:00, ka pësuar vonesë të dukshme dhe nuk ka filluar punimet as pas më shumë se një ore e gjysmë nga orari i paraparë.

Sipas rendit të ditës, deputetët pritej të mblidheshin për të shqyrtuar disa pika me rëndësi, përfshirë miratimin e Deklaratës lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së, si dhe formimin e komisioneve parlamentare.

Megjithatë, mbajtja e seancës është zvarritur për shkak të mungesës së kuorumit dhe mospranisë së mjaftueshme të deputetëve në sallën e Kuvendit në orarin e caktuar, si dhe nga takimet e konsultimet e minutave të fundit ndërmjet grupeve parlamentare. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara