Në ambientet e Bibliotekës në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, u organizua Akademia Përkujtimore në nder të jetës, veprës dhe trashëgimisë së profesor Arsim Murselit – arkitektit të njohur, intelektualit të shquar dhe pedagogut të përkushtuar të UBT-së.

Nën patronatin e Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, kjo akademi mblodhi familjarë, kolegë, studentë dhe bashkëpunëtorë të shumtë për të kujtuar dhe nderuar figurën e një njeriu të veçantë që la gjurmë të pashlyeshme në arsimin dhe arkitekturën në Kosovë.
Në hapje të akademisë, pas një minute heshtjeje në nderim të profesorit, fjalën e mori Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili theksoi rëndësinë e trashëgimisë që la pas vetes profesor Murseli:
“Profesor Arsim Murseli ishte një figurë emblematike për UBT-në. Ai ishte jo vetëm një ligjërues i shkëlqyer dhe një profesionist i përkushtuar, por mbi të gjitha një njeri me vlera të rralla humane. Ai e donte UBT-në me shpirt dhe e përjetonte suksesin e çdo studenti si sukses personal. Me veprën dhe karakterin e tij, ai mbetet një udhërrëfyes për të gjithë ne”.
Fjalë të veçanta për jetën dhe kontributin e profesorit dha edhe prof. Mimoza Sylejmani, kolege e tij nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, e cila përmes leximit të jeteshkrimit solli në vëmendje rrugëtimin e pasur profesional dhe personal të tij:
“Profesori Arsim Murseli ishte një njeri që e ndërtonte jetën siç ndërtonte edhe objektet: me kujdes, përkushtim dhe dashuri. Ai ishte mentor për shumë nga ne, dhe ndikimi i tij do të ndjehet gjatë në çdo kënd të këtij institucioni”.
Ndërsa Afrim Llabjani, Drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, u shpreh:
“Ferizaj e ka humbur një prej figurave më të çmuara të edukimit dhe qytetarisë. Kontributi i tij në arsim dhe në krijimin e standardeve të reja akademike është i pazëvendësueshëm”.
Emocione të thella solli edhe fjala e motrës së profesorit, znj. Hyrije Murseli, e cila në emër të familjes falënderoi UBT-në për kujdesin dhe nderimin e veçantë që po i bëhej profesorit:
“Familja jonë është thellësisht mirënjohëse për këtë organizim kaq dinjitoz. Arsim Murseli jetoi me përkushtim ndaj dijes dhe dashuri ndaj njerëzve, dhe ne ndjehemi krenarë që ai la pas vetes kaq shumë dashuri dhe respekt”.
Akademia u përmbyll me ndjenja mirënjohjeje, por edhe me një reflektim të thellë mbi trashëgiminë që la pas vetes profesori – një jetë të dedikuar dijes, edukimit dhe ndërtimit të së ardhmes përmes formimit të gjeneratave të reja.