Op-Ed

Përfaqësimi politik

Published

on

Nga Altin Ademi

Në parim, të gjithë jemi të përfaqësuar në politikë. Këtë përfaqësim e autorizojmë një herë në katër vite sipas ciklit të rregullt zgjedhor, përjashtuar situatat kur qytetarëve iu imponohet të përcaktohen në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por kjo është vetëm përshtypja. Më e madhe se përshtypja është pikëpyetja, se sa realisht jemi të përfaqësuar, si dhe cila anë esencialisht thelbësore e jona, përfaqësohet nga të zgjedhurit tanë?

Kjo për faktin se ajo çfarë rëndom ndodhë në Kosovë në mes të përfaqësuesve dhe të përfaqësuarve, karakterizohet nga një natyrë krejt tjetër, në raport me atë se çfarë në të vërtetë nënkupton përfaqësimi politik.

Kësaj ngatërrese, tek modeli politik kosovar i kontribuojnë dy elemente. Së pari, për të qenë të përfaqësuar politikisht, duhet të ekzistojë një vetëdije e gjerë rreth çështjeve për çka duam të përfaqësohemi, e cila shpeshherë mungon si e tillë. Së dyti, sepse në filtrat politik, shpesh herë ndodhë që nuk arrijnë të dalin në pah, ata që i përgjigjen përfaqësimit që duam.

Rrjedhimisht, qytetarët janë të përfaqësuar më shumë nga mungesa, sesa nga alternativa. Më shumë nga mos besimi se gjërat mund të ndryshohen, sesa nga besimi se ato ndryshohen nga përfaqësuesit e tyre. Dhe kjo përbën një të çarë të madhe në besimin ndaj demokracisë.

Ky sindrom, si cikël zakonisht më shumë i atribuohet mazhorancës që është e veshur me kodet e pushtetit, sesa opozitës që kërkon të imponohet si alternativë përballë saj. Në fund të fundit, opozitës i takon fjala e për pozitën flet puna.

Një situate të tillë, krejt natyrshëm i kontribuon edhe mungesa e idesë politike që i përgjigjet formatit politik në të cilën bëjmë pjesë, ngase kërkesat dhe formati duhet të jenë në balanc me njëra-tjetrën. Si pasojë, shpesh herë pritjet e qytetarëve nga pushteti mund të jenë në shpërputhje me rolin e përfaqësuesve të tyre. Kjo bëhet edhe më e komplikuar kur i shtohet fakti se përfaqësuesit politik nuk shquhen për një zell të madh që ta sqarojnë këtë gjë. Madje këtyre të fundit, jo vetëm që iu konvenon paqartësia e pritjeve të qytetarëve, por shpesh herë bëhen edhe autorë me zë të thellimit të këtyre paqartësive.

Por çfarë ndodhë me përfaqësimin? Si mund ta kuptojmë se a jemi, apo deri në ç’masë jemi të përfaqësuar politikisht? Për të kuptuar më mirë se çdo të thotë përfaqësim politik, duhet kuptuar fillimisht katër parakushte, të cilat duhet të përmbushen në mënyrë që përfaqësimi politik të jetë i vërtetë, e pa të cilat, ai nuk është i tillë.

Së pari, është ekzistenca e një “trupi politik” që kërkon të përfaqësohet dhe kjo rëndom i atribuohet qytetarëve. Nuk do shumë hamendje se pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve në vendimmarrje apo “demokracia direkte”, shpesh herë nuk është as e mundur dhe as nuk garanton ndonjë cilësi më të mirë qeverisje sesa “demokracia përfaqësuese”. Prandaj, meqenëse jo të gjithë qytetarët mund të marrin pjesë në vendimmarrje, ata kërkojnë të përfaqësohen nga të zgjedhurit që kanë bindje, vizion e atribute të përafërta me ta.

Së dyti, është ekzistenca e një “strukture politike” që kërkon të na përfaqësojë dhe kjo rëndom i atribuohet partive politike, bashkë me kandidatët individual që veprojnë brenda tyre. Në mos për asgjë tjetër, partitë politike përpiqen të shërbejnë si referenca të mobilizimit rreth rrëfimeve në të cilat qytetarët duan të besojnë, e përmes të cilave duan të materializohen.

Së treti, është ekzistenca e “diçkaje” që përfaqësohet dhe kjo rëndom i atribuohet bindjeve, perspektivave, interesave dhe opinioneve të qytetarëve. Natyrisht se gjithsecili kemi bindje e vetëdije politike. Kemi një mënyrë të menduarit politik rreth strukturës shoqërore dhe se si duhet organizuar ajo. Përputhja e këtyre bindjeve me ato të kandidatëve dhe partive, janë pikërisht anët që na shtyjnë të besojmë tek kandidatët e caktuar apo subjektet e caktuara. Madje ky rrafsh është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse këtu shënohet dallimi themelor mes sferës private që na takon ekskluzivisht neve, me sferën publike që na takon të gjithëve si bashkësi, të cilën duam ta vëmë në jetë, përmes përfaqësuesve tanë të zgjedhur.

Së katërti, është ekzistenca e “ambientit” ku ndodhë përfaqësimi dhe kjo rëndom i atribuohet institucioneve, siç është Kuvendi, qeveria, si dhe organet tjera publike. Përmes përfaqësuesve brenda këtyre institucioneve, qytetarët janë të prirur të kërkojnë dhe të marrin shërbimet për çka kanë besuar dhe investuar me votë, nëse jo direkt për vetën e tyre, natyrisht se për bashkësinë politike si të tillë.

Por këto katër shtylla, kanë formula dhe modele që lidhen me përfaqësimin, ku vënia apo mosvënia e tyre në jetën politike, përcakton shkallën e përfaqësimit të vërtetë politik që iu bëhet qytetarëve.
Formula themelore lidhet me dy cilësi: delegatët dhe të besuarit. Pra, çështja themelore është paqartësia se a zgjedhim delegatë apo të besuar, sepse në mes të këtyre dy koncepteve, ekziston një dallim thelbësor e përmbajtjesor.

Në parim, përfaqësuesit që i përgjigjen konceptit “delegatë”, do të duhej të ndiqnin preferencat konkrete të qytetarëve. Meqenëse nuk mund të presim që gjithmonë do të ketë në garën politike politikanë me një kulturë politike gjithëpërfshirëse që shkon në dobi të të gjithëve, formula e delegimit është mundësi e mirë për të autorizuar përfaqësimin dhe kërkesat e qytetarëve në mënyrë precize. Detyra e përfaqësuesit me këtë rast është që të flasë e të veprojë në përputhje me ato gjëra për të cilat qytetarët e kanë deleguar.

Në anën tjetër, krejt i kundërt është përfaqësimi përmes “të besuarve tanë”. Ne nuk i zgjedhim të besuarit tanë që ata t’i ndjekin preferencat tona, por i zgjedhim për t’i fuqizuar ata, në mënyrë që të marrin vetë dhe në mënyrë të pavarur vendimet, nga të cilat, ne besojmë se do përfitojmë të gjithë dhe gjithë bashkësia politike. Theksi këtu është tek besimi se “të besuarit tanë” kanë afinitet të mirëfilltë për të ndjekur interesin e përgjithshëm, si dhe këtë gjë e bëjnë mirë, me kompetencë e me arsye.

Të dy këto modele përfaqësimi, kanë anët e tyre të mira dhe dobitë e tyre përkatëse. Por ajo çfarë shohim në ambientin tonë politik, është kryqëzimi i tyre në trajtë të zhdrejtë. Përfaqësuesit politik në Kosovë, zakonisht kërkojnë votën në cilësi të delegatit, sepse në mungesë të një ideje politike, depertojnë më lehtë me anë të premtimeve për të lehtësuar sfidat e qytetarëve. Megjithatë, ata “shndërrohen” në “të besuar” sapo marrin mandatin, duke e çliruar vetën nga përgjegjësia e delegimit dhe duke ndjekur preferencat e veta.

Kështu ndodhë që qytetarët të përfundojnë duke ndjekur paraqitjet publike të përfaqësuesve, pa i dëgjuar kërkesat e tyre direkte si dhe pa qenë të sigurt se veprimet dhe qëndrimet e përfaqësuesve janë në të vërtetë në linje me atë çka besojnë qytetarët që i kanë zgjedhur.
Defekti me këtë mënyrë të të konceptuarit të rolit përfaqësues, shkakton defekte zingjirore të raportit politik “zgjedhës dhe të zgjedhur”. Në mes tjerash, zhvlerëson debatin, argumentin dhe nevojën, duke i dhënë avantazh konfrontimit, paragjykimit dhe paraqitjes.

Thënë në përgjithësi, ajo çfarë karakterizon sjelljen e përfaqësuesve të qytetarëve në institucione në Kosovë, në një rend të mirëfilltë politik do të ishte përjashtim, përderisa këtu është e vazhdon të jetë modë.

Për të mos mbetur borxh, përfaqësimi i mirëfilltë politik është thelbi i demokracisë në të cilën bëjmë pjesë. Ai përveç se është formalisht si i tillë, ka edhe shumë anë të tjera domethënëse që përfaqësuesit e qytetarëve duhet t’i fusin në fjalorin e gjuhës dhe të të menduarit të tyre politik.

Në mes tjerash, përfaqësimi lidhet edhe me anën simbolike, që nënkupton mënyrën se si përfaqësuesi i prezanton të përfaqësuarit. Ai lidhet edhe me anën përshkruese, që nënkupton përshkrimin e saktë të nevojave dhe kauzave të atyre që kanë mandatuar përfaqësuesin. Është po ashtu përfaqësim përmbajtjesor që nënkupton aktivitetin dhe veprimet e përfaqësuesit në emër dhe për interes të atyre që përfaqëson, si një agjens ndërlidhës i tyre. Mbi të gjitha, përfaqësimi politik ka të bëjë me jetën e asociuar, e cila përfshinë çështjet tematike me rëndësi për komunitetin, shoqërinë, grupet e interesit dhe lëvizjet shoqërore.

Rrjedhimisht, përfaqësimi politik në një rend demokratik është interpretim, formulim e argumentim për zgjidhjen e çështjeve që preokupojnë mënyrën e përbashkët të jetesës. Si i tillë, ai është jo veç standard formal por edhe diskurs transformues me efekt real në përditshmëri.

Një përfaqësim i tillë në Kosovë, nuk është se nuk ekziston në nuanca, por është ende shumë larg si standard, aq i nevojshëm e i domosdoshëm për të mirëmbajtur një rend të mirëfilltë politik e demokratik.

Continue Reading

Op-Ed

Mos bëni gara për klikime, trajtoni me kujdes viktimat, dëshmitarët dhe mos rrezikoni hetimet, publikoni vetëm detajet dhe motivin?

Published

on

Nga Musa Sabedini – Gara për të bërë klikime në emër të një tragjedie në Gjilan, jep mesazh të keq të mënyrës së raportimit nga mediet online në veçanti. E keqja është se në këtë garë po përfshihen edhe mediet qendrore të cilat po bijnë viktimë të medieve lokale jo profesionale.

Viktimat duhet të trajtohen me dinjitet, sikurse edhe dëshmitarët dhe të dyshuarit derisa ndodhen në arrati. Policia dhe Prokuroria kur heshtin gjatë u japin hapësirë për spekulime medieve.

Tragjedia e sotshme në Gjilan, ku për pasojë mbeten të vdekur tre persona, po përcillet me tituj bombastik e sensacional nga ana e medieve online.

Tituj bombastik e sensacional të përcjellur me të dhëna, e detaje të parakohshme dhe joshja e lexuesit në rrjetet sociale, për të ngjallur me çdo kusht interesimin e tyre për të “pëlqyer”, një lajm nga kronika e zezë, janë dobësi profesionale dhe mungesë respekti dhe etike për viktimat dhe familjarët e tyre.

“Ekskluzive nga vendi i ngjarjes”, janë shumë tituj që po qarkullojnë nëpër medet qendrore, duke shtrembëruar ose dhënë informacione të pakonfirmuara nga ana e organeve zyrtare siç është policia dhe prokuroria.

Ekskluzive: Këta janë dy viktimat e vrasjes së dyfishtë në Gjilan” ishte një titull i njërit nga portalet qendrore, duke ofruar të dhëna dhe foto për të dyshuarit.

“Viktimat janë: Selami Hasani rreth 67-vjeçar dhe Abedin Hoxha rreth 68-vjeçar”, ishte në titull tjetër që përshkruhej me të dhëna dhe detaje te parakohshme për ngjarjen. “Kur bie telefoni në mesnatë, zjarrfikësit i duhet vetëm të veshë pantallonat dhe të shuaj flakët. Kurse gazetari duhet t`u tregojë një milion vetave se kush e ndezi shkrepësen dhe pse”.(David Randall).

Nuk ka më mirë se sa media ose gazetari të njihet ose të vlerësojë, pos Etikës dhe standardeve profesionale të gazetarisë, të njoh edhe aktet juridike që lidhen me Vrasjet, vrasjet e rënda, vrasja e kryer në gjendje të fortë mendore, vrasje nga pakujdesia, vrasja e foshnjës gjatë lindjes.

Jo rastësisht e përzgjodha këtë thënie të një gazetari me përvojë, i cili fuqishëm demonstron arsyen pse burimet janë të dobishme për punën e çdo gazetari apo mediumi, pse parimet dhe mënyra e raportimit për një ngjarje, ndodhi, tragjedi, aksident, zjarrëvënie, dhunim, trafikim të qenieve njerëzore, korrupsion, krime të rënda, vrasje, tentim vrasje, afera të ndryshme e shumë vepra të tjera nga të cilat mund të kemi e të marrim shembuj të shumtë, duke specifikuar këtu edhe natyrën e krimit.

Për të jetuar me këto rregulla e parime etike, duhet patjetër që gazetari të jetë i përpiktë në mbledhjen dhe grumbullim të fakteve për secilin rast, të jetë afër ngjarjes, afër dëshmive, shumë afër të së vërtetës dhe të mos shpif apo spekulojë në asnjë rast të vetëm.

“Raportimi i rasteve të vrasjeve të rënda kërkon respektimin rigoroz të standardeve etike dhe profesionale, duke shmangur çdo formë senzacionalizmi apo gare për klikime. Mediat duhet të ofrojnë informim të balancuar dhe të verifikuar, duke mbrojtur dinjitetin e viktimave dhe duke mos ekspozuar identitetin e tyre apo të dëshmitarëve nëse kjo mund të shkaktojë dëm të mëtejshëm.

Publikimi i detajeve makabre, fotove të ndjeshme ose informacionit të pakonfirmuar jo vetëm që dëmton integritetin e raportimit, por edhe mund të pengojë hetimet zyrtare. Përmbajtja duhet të kufizohet në faktet thelbësore dhe motivin e ngjarjes, pa spekulime, duke respektuar të drejtat e të gjitha palëve dhe duke siguruar që narrativa të mos nxisë paragjykime ose dhunë të mëtejshme”. (Allan, S., & Zelizer, B. (2004). Reporting War: Journalism in Wartime. Routledge. UNESCO. (2021). Reporting on violence and conflict: Ethical guidelines for journalists. UNESCO Publishing.)

Nganjëherë mediet duke dashur të bëjnë punën më të mirë të mundshme edhe gabojnë me qëllim apo pa të dhe për t`i ikur këtyre defekteve ekzistojnë procedura, udhëzues nga më të ndryshmit e mbi të gjitha kritere e kode etike, nga të cilat mund të mësojmë shumë.

Në gazetarinë kosovare qoftë e shkruar, televizive ose online po vërehen defekte të shumta dhe ende ka vrima të zeza që duhet urgjentisht të përmirësohen. Nuk është e lehtë asnjëherë që një gazetar, një kronist apo një medium, kudo që ndodhet ai, të raportojë me saktësi në momentet e rënda.

Gazetari jo gjithherë mund të jetë i disponueshëm ose profesionalisht e psikologjikisht në kryerjen e detyrës, por seriozitetin dhe ndjeshmërinë e raportimit duhet ta respektojë në çdo situatë të ndërlikuar. Gazetarinë e mirë e ndërtojnë mediet profesionale, por në teren janë kronistët ata që bëjnë lajmin, kronikën, raportin dhe investimi në këtë drejtim është obligim profesional i yni.

Andaj raportimi për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, padyshim që paraqet njërën nga sfidat më të mëdha të medias, e në veçanti të gazetarit që ballafaqohet drejtpërdrejt me këto situata.

Gazetari që ka përgatitje fizike, psikologjike, emocionale dhe intelektuale, shumë më lehtë dhe më mirë i tejkalon këto rreziqe.

Nuk mund të jemi gazetarë pa ndjenja derisa raportojmë për vrasjet, dhunimet, plagosjet, trazirat, trafikimin, korrupsionin, prostitucionin, por emocionet në gazetari dhe paragjykimet gjatë raportimit, janë e keqja më e madhe e gazetarisë.

Raportimi për situatat e ndjeshme, pastaj raportimi për krimet dhe dhunën, janë pikat më delikate për secilin gazetarë edhe nëse ai është profesionist i shkathët e me përvojë.

Të mbulosh një ngjarje me natyrë kriminale dhe të ofrosh para lexuesit dhe publikut të vërtetën, është pak e mundimshme në rrafshin profesional. Është e thjeshtë të raportosh për një konferencë shtypi, për një prezantim të ndonjë politikani apo partie politike, por të raportosh për tërmetet, fushat e mbuluara me gjak, krimin e të gjitha llojeve, të mbledhësh informacionet e sakta nga tereni, të jesh i përgatitur për të gjitha sfidat nuk është e lehtë, përkundrazi ky “sport” donë kulturë, edukatë mediatike, zhbirim të shumë arkivave e njohje të përgjithshme të problemeve.

Natyrisht që secila media ose secili gazetarë do të ndihej i lumtur nëse në këto raportime zbulohet dhe thuhet e vërteta, se fundja këtë synim e ka gazetaria. Por a mund të raportojmë për situatat e ndjeshme e konfliktuoze, e të mos japim paragjykime.

Sigurisht që është e mundur dhe patjetër që synim dhe qëllim final mbetet për secilën media që ta avancojë këtë fushë. Mos rrezikoni hetimet, publikoni vetëm detajet dhe motivin? Gazetari është një lloj hetuesi dhe këtu s`kam asnjë dilemë dhe i mbështesë hetimet në çfarëdo fazë, vetëm kur ato të jenë të besueshme dhe mirë të vërtetuara.

Por publikimi i rasteve me foto dhe të dhëna përcjellëse brenda 12 orëve është me rrezik për shumë palë të përfshira.

Pra bëhuni të kujdesshëm në verifikimin e çdo lajmi dhe materiali. Besoni zyrtarëve dhe hetuesve, por më shumë besoni dokumenteve të nënshkruara dhe vulosura dhe vëzhgimeve tuaja vetjake dhe të drejtpërdrejta.

Shprehja amerikane: “Edhe kur nëna të thotë të dua, verifikoje”? Amerikanët e kanë një shprehje shumë të qëlluar: ”Edhe kur nëna thotë të dua, verifikoje”.

Gjithçka që duhet të dimë dhe të veprojmë lidhet me saktësinë dhe vërtetësinë. E vërteta është mbi të gjitha dhe kryesorja sepse gjithçka lidhet e ndërlidhet rreth këtyre dy termeve gazetareske. Gazetari normalisht që duhet të ketë interesim për punën e tij dhe duhet t`i kushtojë shumë vëmendje edhe gjërave më të vogla. Botimi i fotografive paralel me lajmin në mes të dhembshurisë dhe mesazhit përçues?

Shumë lajme në mediet kosovare postohen dhe përcillen edhe me foto, pak minuta ose pas aksidentit apo tragjedisë.

Fotoja e publikuar pak minuta ose orë është shkelje e privatësisë, ani pse presioni i medieve vije pikërisht nga rrjetet sociale, të cilat fatkeqësisht nuk respektojnë as minimumin e mundshëm në raste të tilla.

Kur vendosim ta botojmë një lajm me foto të viktimës duhet të kemi parasysh nëse po shkaktojmë dhembshuri në familje, nëse rasti është në proces e sipër ose tjetra se ne po e kryejmë punën në mënyrë profesionale.

Gjithmonë kemi dilema në pyetjet që parashtron fotografi Garry Bryant i “Desert News”, i cili ofron këtë listë të pyetjeve kur japim imazhe përcjell me lajmin: – Ky moment a duhet të bëhet publik? – A do t`u shkaktojë një traumë subjekteve të fotografuar?  A jam në distancën e duhur për të mos u shqetësuar? -A po veprojë me dhembshuri? (Philip Patterson, Lee Wilkins,“Etika në media, çështje dhe raste”.

Ne kemi obligim të kujdesemi për të gjitha detajet dhe elementet që raporti apo kronika të mos përshkruhen me shkelje drastike. Mediet dhe reporterët që mbulojë sektorët problematik ose të ndjeshëm duhet ta zbatojnë në secilin rast që është e mundur Etikën dhe përherë të jenë në shërbim të interesit publik.

Në situatat kritike dhe të raportimit të mangët gjithmonë reagon edhe Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës, i cili merret ekskluzivisht me të drejtat dhe gabimet që bëjnë mediet online. Ekziston një udhëzues që i dedikohet mënyrës së raportimit për incidentet, aksidentet, të arrestuarit dhe të akuzuarit për veprat penale. Në preambulën e KMSHK-së pika V janë të qartësuar në detaje “kufizimet”.

“Mediet e shkruara nuk do ta trajtojnë asnjë individ si fajtor, para se diçka e tillë të konfirmohet nga Gjykata. Mediat e shkruara gjatë raportimit për incidente, aksidente apo vepra penale duhet të kenë parasysh prezumimin e pafajësisë për secilin të përfshirë dhe si të tillë duhet ta paraqesin në shkrim/raportim”.

Në librin tim dedikuar enkas situatave të ndjeshme dhe raportimeve delikate:

”Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, botuar në vitin 2023, kam prezantuar dhe analizuar në hollësi, të gjitha rastet dhe mënyrën e raportimit profesional për rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, vrasjet e rënda, veprat penale të të gjitha kategorive, dënimet, armët, shkeljet ligjore, etika gjatë raportimit, vdekjet, tragjeditë, privatësia, lajmet e rrejshme, vrasjet, plagosjet, aksidentet, zjarret, personat me aftësi të kufizuara, të miturit, të sëmurët mentalë, dhunimet, krimet e luftës, raportimet nga gjyqet, raportimi për pandemitë, raportimi për aspektet fetare, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni, kontrabandimi i migrantëve, raportimi për kronikën e zezë, personat e zhdukur, dhuna në familje, dhunimi, vrasjet e grave shtatzëna, vetëvrasjet, ngacmimi seksual, shantazhi, kanosja, shtrëngimi, detyrimi, hakmarrja, korrupsioni, ryshfeti, skemat piramidale dhe bixhozi, vjedhja, vjedhjet e rënda, grabitja, mjediset konfliktuoze, raportimi për protestat, trazirat, demonstratat, raportimi mbi konfliktet, trazirat sociale, siguria e gazetarëve dhe rreziqet, trazirat e marsit 2004, gjenocidi, sulmet terroriste, rrëmbimet, pengjet, spiunazhi, sabotimi, krimet kundër njerëzimit, pornografia, pedofilia, bigamia, krimet kibernetike”.

Autori është ligjërues në degën e Medias dhe Komunikimit në UBT

 

Continue Reading

Op-Ed

Media mund ta parandalojë dhunën, por edhe ta nxisë atë!

Published

on

Nga Safet Zejnullahu – Rastet e vrasjeve dhe të vetëvrasjeve ndodhin në të gjitha shoqëritë. Sikur edhe incidentet e tjera.

Vetëm këtë mbrëmje paskan ndodhur dy sulme fizike në sheshin e Prishtinës dhe të Podujevës me të njëjtin emër.

Një pjesë e portaleve (nga ato që lexoj unë, theksoj këtu Telegrafin, Kohën dhe Infokusin…), raportuan mjaftueshëm për ta përcjellë informacionin te publiku.

Por, një pjesë tjetër, për të satën herë, e tepruan. Duke detajuar përtej të gjitha limiteve. Të tillat seriozisht duhet të ndjehen në faj. Pikë.

Raportimi senzacionalist dhe në stilin e telenovelave nxit: edhe vrasjet, edhe vetëvrasjet, edhe aktet e tjera.

Një 15 vjeçar, për t’u bërë “hero mediatik” nuk përton ta vringëllojë thikën!

Sa s’janë kaluar të gjithë kufijtë, pariparueshëm, ka një zgjidhje:

Raportojini këto raste në një vend të padukshëm, pa emra, pa foto, pa detaje;

Hulumtoni pse në periudha krizash politike shtohen aktet e dhunshme;

Jepjuni zë ekspertëve që flasin për format e parandalimit të veprimeve të dhunshme.

Media profesionale mund të parandalojë vrasjet, vetëvrasjet dhe format e tjera të dhunës. (Vlerësoj reagimet e AGK-së e KPM-së, por ato, sikur edhe institucione të tjera, duhet të shtojnë përpjekjet, me trajnime shtesë, gjithashtu edhe me udhëzime reja e të përditësuara lidhur me raportimet në këto raste).

 

Continue Reading

Op-Ed

Raportimi i kronikës së zezë, raportimi me ndjeshmëri – Mos rrezikoni hetimet, publikoni vetëm detajet dhe motivin?

Published

on

Nga Musa Sabedini – Po i referohem vetëm disa rasteve të fundit siç ishte vrasja e policit Muhamet Lika, të rastit tragjik të dizajnerit Festim Isufi dhe të disa rasteve tjera të plagosjeve e therjeve me thikë, të cilat janë të mjaftueshme, për ta alarmuar në rrafshin profesional mungesën e etikës në raportime të tilla, me ndjeshmëri.

Tituj bombastik e sensacional të përcjellur me të dhëna, e detaje të parakohshme dhe joshja e lexuesit në rrjetet sociale, për të ngjallur me çdo kusht interesimin e tyre për të “pëlqyer”, një lajm nga kronika e zezë, janë dobësi profesionale dhe mungesë respekti dhe etike për viktimat dhe familjarët e tyre.

“Kur bie telefoni në mesnatë, zjarrfikësit i duhet vetëm të veshë pantallonat dhe të shuaj flakët. Kurse gazetari duhet t`u tregojë një milion vetave se kush e ndezi shkrepësen dhe pse” .(David Randall).

Nuk ka më mirë se sa media ose gazetari të njihet ose të vlerësojë, pos Etikës dhe standardeve profesionale të gazetarisë, të njoh edhe aktet juridike që lidhen me Vrasjet, vrasjet e rënda, vrasja e kryer në gjendje të fortë mendore, vrasje nga pakujdesia, vrasja e foshnjës gjatë lindjes.

Jo rastësisht e përzgjodha këtë thënie të një gazetari me përvojë, i cili fuqishëm demonstron arsyen pse burimet janë të dobishme për punën e çdo gazetari apo mediumi, pse parimet dhe mënyra e raportimit për një ngjarje, ndodhi, tragjedi, aksident, zjarrëvënie, dhunim, trafikim të qenieve njerëzore, korrupsion, krime të rënda, vrasje, tentim vrasje, afera të ndryshme e shumë vepra të tjera nga të cilat mund të kemi e të marrim shembuj të shumtë, duke specifikuar këtu edhe natyrën e krimit.

Për të jetuar me këto rregulla e parime etike, duhet patjetër që gazetari të jetë i përpiktë në mbledhjen dhe grumbullim të fakteve për secilin rast, të jetë afër ngjarjes, afër dëshmive, shumë afër të së vërtetës dhe të mos shpif apo spekulojë në asnjë rast të vetëm.

Nganjëherë mediet duke dashur të bëjnë punën më të mirë të mundshme edhe gabojnë me qëllim apo pa të dhe për t`i ikur këtyre defekteve ekzistojnë procedura, udhëzues nga më të ndryshmit e mbi të gjitha kritere e kode etike, nga të cilat mund të mësojmë shumë.

Në gazetarinë kosovare qoftë e shkruar, televizive ose online janë vërejtur defekte të shumta dhe ende ka vrima të zeza që duhet urgjentisht të përmirësohen.

Nuk është e lehtë asnjëherë që një gazetar, një kronist apo një medium, kudo që ndodhet ai, të raportojë me saktësi në momentet e rënda. Gazetari jo gjithherë mund të jetë i disponueshëm ose profesionalisht e psikologjikisht në kryerjen e detyrës, por seriozitetin dhe ndjeshmërinë e raportimit duhet ta respektojë në çdo situatë të ndërlikuar.

Gazetarinë e mirë e ndërtojnë mediet profesionale, por në teren janë kronistët ata që bëjnë lajmin, kronikën, raportin dhe investimi në këtë drejtim është obligim profesional i yni. Andaj raportimi për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, padyshim që paraqet njërën nga sfidat më të mëdha të medias, e në veçanti të gazetarit që ballafaqohet drejtpërdrejt me këto situata.

Gazetari që ka përgatitje fizike, psikologjike, emocionale dhe intelektuale, shumë më lehtë dhe më mirë i tejkalon këto rreziqe.

Nuk mund të jemi gazetarë pa ndjenja derisa raportojmë për vrasjet, dhunimet, plagosjet, trazirat, trafikimin, korrupsionin, prostitucionin, por emocionet në gazetari dhe paragjykimet gjatë raportimit, janë e keqja më e madhe e gazetarisë.

Raportimi për situatat e ndjeshme, raportimi për krimet dhe dhunën, janë pikat më delikate për secilin gazetarë edhe nëse ai është profesionist i shkathët e me përvojë. Të mbulosh një ngjarje me natyrë kriminale e të ofrosh para lexuesit dhe publikut të vërtetën, është e mundimshme në rrafshin profesional.

Është e thjeshtë të raportosh për një konferencë shtypi, për një prezantim të ndonjë politikani apo partie politike, por të raportosh për tërmetet, fushat e mbuluara me gjak, krimin e të gjitha llojeve, të mbledhësh informacionet e sakta nga tereni, të jesh i përgatitur për të gjitha sfidat nuk është e lehtë, përkundrazi ky “sport” donë kulturë, edukatë mediatike, zhbirim të shumë arkivave e njohje të përgjithshme të problemeve.

Natyrisht që secila media ose secili gazetarë do të ndihej i lumtur nëse në këto raportime zbulohet dhe thuhet e vërteta, se fundja këtë synim e ka gazetaria.

Por a mund të raportojmë për situatat e ndjeshme e konfliktuoze, e të mos japim paragjykime. Sigurisht që është e mundur dhe patjetër që synim dhe qëllim final mbetet për secilën media që ta avancojë këtë fushë.

Therjet me thikë dhe “tentim vrasja”. Pse janë momente të sikletshme për raportim?

Mediet shpesh herë japin lajme për therjen me thikë ndërsa policia gjithmonë i cilëson si “Tentim Vrasje”.

Duhet një vëmendje e posaçme kur jemi tek ky grup i kualifikimit sepse në Prokurori bazohen në rastet e therjes me thikë tek neni 172 i Kodit Penal që i bije cilësimi si “Vrasje e rëndë” dhe lidhet tek neni 28 që ka lidhje me “Tentativa në vrasje”.

Ndikimi i medies në këtë drejtim është thelbësor sepse ndikon pozitivisht në vetëdijesimin e të rinjve dhe grupeve apo bandave për të hequr dorë nga përdorimi i thikës që quhet dhe mjet i ftohtë.

Mos rrezikoni hetimet, publikoni vetëm detajet dhe motivin?

Dhuna dhe keqtrajtimet sidomos kur në pyetje janë femrat shpesh në mediet tona marrin hov dhe dimension më të madh. Gazetari është një lloj hetuesi dhe këtu s`kam asnjë dilemë dhe i mbështesë hetimet në çfarëdo fazë, vetëm kur ato të jenë të besueshme dhe mirë të vërtetuara.

Por publikimi i rasteve me foto dhe të dhëna përcjellëse brenda 12 orëve është me rrezik për shumë palë të përfshira. Mos harroni kur pala e dëmtuar ose personi që ushtron ankesë dhe ndodhet në duart e policisë dhe prokurorisë, mund ta ndryshoj deklaratën gjatë marrjes në pyetje.

Deklarata në polici mund të jepet nën presion ose detyrim dhe më vonë i njëjti ose e njëjta person mund të tërhiqet nga deklarata.

Pra bëhuni të kujdesshëm në verifikimin e çdo lajmi dhe materiali. Besoni zyrtarëve dhe hetuesve, por më shumë besoni dokumenteve të nënshkruara dhe vulosura dhe vëzhgimeve tuaja  vetjake dhe të drejtpërdrejta. Shprehja amerikane: “Edhe kur nëna të thotë të dua, verifikoje”?

Amerikanët e kanë një shprehje shumë të qëlluar: ”Edhe kur nëna thotë të dua, verifikoje”. Gjithçka që duhet të dimë dhe të veprojmë lidhet me saktësinë dhe vërtetësinë. E vërteta është mbi të gjitha dhe kryesorja sepse gjithçka lidhet e ndërlidhet rreth këtyre dy termeve gazetareske.

Gazetari normalisht që duhet të ketë interesim për punën e tij dhe duhet t`i kushtojë shumë vëmendje edhe gjërave më të vogla.

Botimi i fotografive paralel me lajmin në mes të dhembshurisë dhe mesazhit përçues?

Shumë lajme në mediet kosovare postohen dhe përcillen edhe me foto, pak minuta ose pas aksidentit apo tragjedisë. Fotoja e publikuar pak minuta ose orë është shkelje e privatësisë, ani pse presioni i medieve vije pikërisht nga rrjetet sociale të cilat fatkeqësisht nuk respektojnë as minimumin e mundshëm në raste të tilla.

Kur vendosim ta botojmë një lajm me foto të viktimës duhet të kemi parasysh nëse po shkaktojmë dhembshuri në familje, nëse rasti është në proces e sipër ose tjetra se ne po e kryejmë punën në mënyrë profesionale.

Gjithmonë kemi dilema në pyetjet që parashtron fotografi Garry Bryant i “Desert News”, i cili ofron këtë listë të pyetjeve kur japim imazhe përcjell me lajmin:

– Ky moment a duhet të bëhet publik?

– A do t`u shkaktojë një traumë subjekteve të fotografuar?

– A jam në distancën e duhur për të mos u shqetësuar?

– A po veprojë me dhembshuri?  (Philip Patterson, Lee Wilkins,“Etika në media, çështje dhe raste”.

Ne kemi obligim të kujdesemi për të gjitha detajet dhe elementet që raporti apo kronika të mos përshkruhen me shkelje drastike.

Raportimi i kronikës së zezë – Ballafaqimi me traumat dhe viktimat?

Asnjëherë mos harroni se viktimat dhe njerëzit e traumatizuar kërkojnë një vëmendje bukur delikate edhe në fazën e raportimit po edhe gjatë hetimeve tuaja.

Keni parasysh se shpesh edhe mund të humbni raste të mira për një lajm të mirë dhe ekskluziv, nëse shmangni listën udhëzuese për traumat dhe viktimat.

Një lajm i thjeshtë mund të jetë një pikë kthese për një storie me shumë peshë për publikun. Mirëbesimi dhe kontrolli logjik në pyetjet e shtruara dhe në trajtimin mediatik me shumë korrektësi është fitorja e juaj e parë.

Në udhëzuesin e “Res Publika” thuhet se gjithmonë do ju vijë rasti të gjeni fytyra njerëzore, të vizitoni shtëpitë dhe vendet e punës dhe t’u bëni njerëzve pyetje të pakëndshme për historitë.

“Por viktimat mund të jenë të traumatizuar. Ata mund të mos duan të identifikohen dhe të diskutojnë për ngjarjen. Edhe emërtimi i vendit ku jeton viktima mund të krijojë probleme me komunitetin, duke e lënë familjen e viktimës edhe më të pasigurt”.

Disa këshilla që mund të japim janë:

– Trajtojini viktimat me dinjitet.

Lëreni viktimën t’ju “ftojë” në historinë e vet.

– Lëreni viktimën të diktojë kohën dhe vendosjen e intervistave.

– Jini transparent.

– Merrni pëlqimin e informuar se si do të identifikohet viktima.

– Vendos njerëzoren përpara historisë. Së pari jepni përparësi mirëqenies së viktimës, së dyti historisë.

– Mos e mbingarkoni fillimisht me pyetjet më të vështira.

– Kini empati dhe dëgjoni.

– Ballafaqimi i përsëritur me viktimat e traumatizuara mund të ndikojë tek ju. (https://rm.coe.int/udhezues-praktik-per-mbrojtjen-dhe-sigurine-e-gazetareve/1680a4e081). Mediet dhe reporterët që mbulojë sektorët problematik ose të ndjeshëm duhet ta zbatojnë në secilin rast që është e mundur Etikën dhe përherë të jenë në shërbim të interesit publik.

Në situatat kritike e të raportimit të mangët reagon edhe Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës, i cili merret ekskluzivisht me të drejtat dhe gabimet që bëjnë mediet online. Ekziston një udhëzues që i dedikohet mënyrës së raportimit për incidentet, aksidentet, të arrestuarit dhe të akuzuarit për veprat penale.

Në preambulën e KMSHK-së pika V janë të qartësuar në detaje “kufizimet”.

“Mediet e shkruara nuk do ta trajtojnë asnjë individ si fajtor, para se diçka e tillë të konfirmohet nga Gjykata. Mediat e shkruara gjatë raportimit për incidente, aksidente apo vepra penale duhet të kenë parasysh prezumimin e pafajësisë për secilin të përfshirë dhe si të tillë duhet ta paraqesin në shkrim/raportim”.

Në librin tim dedikuar enkas situatave të ndjeshme dhe raportimeve delikate :”Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, botuar në vitin 2023, kam prezantuar dhe analizuar në hollësi, të gjitha rastet dhe mënyrën e raportimit profesional për rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, vrasjet e rënda, veprat penale të të gjitha kategorive, dënimet, armët, shkeljet ligjore, etika gjatë raportimit, vdekjet, tragjeditë, privatësia, lajmet e rrejshme, vrasjet, plagosjet, aksidentet, zjarret, personat me aftësi të kufizuara, të miturit, të sëmurët mentalë, dhunimet, krimet e luftës, raportimet nga gjyqet, raportimi për pandemitë, raportimi për aspektet fetare, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni, kontrabandimi i migrantëve, raportimi për kronikën e zezë, personat e zhdukur, dhuna në familje, dhunimi, vrasjet e grave shtatzëna, vetëvrasjet, ngacmimi seksual, shantazhi, kanosja, shtrëngimi, detyrimi, hakmarrja, korrupsioni, ryshfeti, skemat piramidale dhe bixhozi, vjedhja, vjedhjet e rënda, grabitja, mjediset konfliktuoze, raportimi për protestat, trazirat, demonstratat, raportimi mbi konfliktet, trazirat sociale, siguria e gazetarëve dhe rreziqet, trazirat e marsit 2004, gjenocidi, sulmet terroriste, rrëmbimet, pengjet, spiunazhi, sabotimi, krimet kundër njerëzimit, pornografia, pedofilia, bigamia, krimet kibernetike.

Autori është ligjërues në degën e Medias dhe Komunikimit në UBT.

/UBT News/

Continue Reading

Op-Ed

Gazetaria e sotshme dhe ajo hulumtuese, e skajshme, periferike dhe larg problemeve akute që po na rrethojnë

Published

on

Nga Musa Sabedini – E tërë lufta në gazetarinë ditore dhe informative ka për qëllim që të tregoj të vërtetën, që të thuhet ajo kur dhe si duhet. Gazetaria kosovare fatkeqësisht e ka devalvuar këtë maksimë dhe në vend të saj, në të gjitha mediet nacionale, dominojnë lajmet protokollare të zbehta dhe të pa vlera.

E kam thënë edhe më herët se gazetaria online në Kosovë, duke mos përjashtuar as TV nacionale e radiot, po dominohet nga lajmet protokollare, të cilat ekskluzivisht përshkruajnë një hark të ngushtë Parlament – Qeveri – Presidencë – Shtabe të partive politike, e portrete me politikanët e subjekteve politike.

Dikur në mediet qendrore kishte edhe paralajmërime nga gazetar me zë dhe media kredibile në stilin “Super intervistë”, “Ekskluzive ose super ekskluzive me Albin Kurtin..etj”.

Ky trend me gjasë sivjet pak ka ndryshuar, pikërisht sepse u pa që as kryeministri e as kushdo tjetër, nuk ua rregullon gazetarëve, as kushtet financiare e as vendin e punës. Duke i dhënë hapësirë përherë lajmeve të kota nga Qeveria, Parlamenti, Presidenca dhe çfarëdo informacioni që del nga “klubet institucionale”, qytetari i rëndomtë mbetet larg realitetit dhe përditshmërisë.

Personalisht as nuk i postoj e as publikojë shtëpitë kafaz të tipit “Big Brother”, sepse për mua nuk kanë asnjë vlerë etike dhe të mos flas mediatike. Por kështu nuk po e shohin televizionet qendrore të cilat për interesa të tyre, e për klikime po janë në gjendje të shkaktojnë lloj – lloj krize me publikun.

Ndërsa kur erdhi puna te protestat e rrymës, u ndalë turri mediatik sepse nuk kishte ndonjë interes të theksuar prej asaj pune.

Media parasë gjithash ka rol edukues, ka rol këshillues e sensibilizues për të përkrahur çdo iniciativë të shoqërisë, të grupeve të shëndosha të interesit dhe të gjithë atyre që vërtet punojnë e veprojnë për një vend ligjor e demokratikë.

Unë parimisht përherë i kam përkrahur të gjitha nismat e gazetarëve kundër institucioneve kokëforta, por “Shefat” e medieve kryesore nuk duhet të dërgojnë gazetar të rinj e të papërvojë dhe të shohin si realizim të “ëndrrës” një përgjigje nga Albin Kurti apo Vjosa Osmani, e ndonjë lider tjetër politik.

Për mua këto prononcime dhe ky vrapim i gazetarëve shpërfaq një gjendje kaotike të vet medieve kryesore, që tolerojnë, që aq ulët e aq jo profesionalisht, lejohen të nëpërkëmbën nga ndonjë kryeministër që i mungon sjellja etike.

Gazetaria sot dhe ajo që do të vije pas nesh, duhet të fokusohet në tema problemore, tema të nxehta, trajtim serioz ndaj të gjitha dukurive negative, një hulumtim dhe hetim profesional për të gjitha dilemat e dyshimet, që lidhen me korrupsion e krim të organizuar.

Gazetaria hulumtuese sikur nuk ekziston fare në këtë Kosovë të dërmuar nga politikat shterpe. Gazetaria hulumtuese mund të praktikohet orë e çast në Kosovë, duke i parë defektet që i kemi si shoqëri.

Po kush e zhvillon dhe e avancon gazetarinë profesionale dhe atë hulumtuese. Sigurisht të gjithë ata, që e duan me shpirt e zemër gazetarinë, dhe të gjithë ata profesionist të vërtet që nuk tremben nga e vërteta që përshkruhet nga argumenti dhe vërtetësia e fakteve.

Hetoni, hulumtoni, zbuloni, verifikoni dhe raportoni, pa u ndaluar përkundër pengesave dhe presioneve tuaja. E dua një gazetari vërtet kredibile e cila i nënshtrohet një rregulli bazik e funksional, e kjo lidhet edhe me guximin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.

Nuk po them që s`ka fare gazetari në Kosovë, e as hulumtuese, por kjo për momentin është e pamjaftueshme, për ta bërë më të përgjegjshme klasën politike, ndaj obligimeve shtetërore që kanë ata.

Media ka obligime publike për ta avancuar saktë, drejtë, shpejt, objektivisht, me argumente e saktësi çdo zhvillim që ndodhë rreth nesh.

Porosia për gazetarët e mediet servile ndaj pushteteve. Kurrë mos harroni se politika është jetëshkurtër, kurse profesioni e karriera e juaj në gazetari nuk vdes, e as shuhet kurrë. Gazetaria e mirë dhe e vërtetuar jeton gjithmonë në zemrat e çdo lexuesi, dëgjuesi apo shikuesi.

Autori është gazetar profesionist dhe ligjërues në degën e Media dhe Komunikimit në UBT. /UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara