Lajmet

Përfaqësimi i grave në shërbimin civil vlerësohet se është shumë i ulët

Kurti u shpreh se Qeveria ka treguar përkushtim dhe veprime konkrete për luftimin e dhunës në familje.

Published

on

Sot në takimin e Agjencisë për Barazi Gjinore, në shënim të fushatës së 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave, u prezantuan rezultatet e monitorimit dyvjeçar të programit të Kosovës për barazi gjinore, i miratuar nga Qeveria në maj të vitit 2020.

Kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia prezantoi të dhënat që janë mbledhur nga të gjitha ministritë, e cila tregoi se nga 38 komunat e Kosovës kanë raportuar vetëm 16.

Ndër të tjera, ajo tregoi se për raportin që kishte të bënte me punësimin e grave dhe vajzave të moshave 15 deri në 64 vjet, synimi ishte të rritej punësimi për 17%, derisa të dhënat për vitin 2020 janë 14.1%, ndërsa për vitin 2021, për tre mujorin e katërt të vitit 2021, rezultati ishte 16.8%.

Sa i përket përqindjes së bizneseve aktive në pronësi apo bashkëpronësi të grave, sipas Gusisë, synim ishte 13%, ndërsa në vitin 2021 kjo shifër kishte arritur në 20.5%.

“Programi i Kosovës për barazi gjinore, do të thotë i planifikuar në tri shtylla: Fuqizimi ekonomik dhe mirëqenia sociale, shtylla e parë, shtylla e dytë është zhvillimi njerëzor, rolet dhe marrëdhëniet gjinore dhe shtylla e tretë është të drejtat e grave, qasja në drejtësi dhe siguri. Sa i përket arritjes së caqeve do të thotë të këtij programi, gjetjet janë se për shtyllën e parë, fuqizimi ekonomik dhe mirëqenia sociale, numri i caqeve për këto dy vite ishte 10, numri i caqeve të arritura 4, nuk ka të dhëna për 4, ndërsa dy caqe nuk janë, do të thotë nuk ka rezultate në dy nga shtylla e parë PGBGJ-së. Tek shtylla e dytë zhvillimi njerëzor, rolet dhe marrëdhëniet gjinore, ku ishin planifikuar12 caqe, 8 prej tyre janë arritur, për 2 prej tyre nuk ka të dhëna dhe dy prej tyre nuk janë realizuar fare. Sa i përket shtyllës së tretë, të drejtat e grave, qasja në drejtësi dhe siguri, nga 12 caqet e planifikuara, 6 janë të arritura, për 5 nuk ka të dhëna, ndërsa për një nuk kemi asnjë rezultat. Sa i përket arritjeve, do të thotë sipas treguesve të synuar, raporti i punësimit do të thotë të popullsisë, që kishte të bëjë me punësimin e grave dhe vajzave të moshave 15 deri në 64 vjet do të thotë synimi ishte 17% të rritej do të thotë punësimi. Për vitin 2020 të dhënat janë 14.1%, ndërsa për vitin 2021 për tre mujorin e fundit do të thotë, tre mujorin e katërt të vitit 2021, kemi një rezultat prej 16.8% do të thotë që është, ka qenë një vlerësim konkret real sepse ka arrit do të thotë t’i afrohet synimit. Sa i përket përqindjes së bizneseve aktive në pronësi apo bashkëpronësi të grave do të thotë synim ishte 13%, ndërsa në vitin 2021 kjo shifër ka arrit në 20.5%”, u shpreh ndër të tjera Gusia gjatë prezantimit të të dhënave.

Në këtë takim, i pranishëm ishte edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili u shpreh se pasiguria ekonomike është një prej faktorëve kyç që i mban gratë edhe vajzat larg zhvillimit të qëndrueshëm.

Kurti dekaroi se kanë mbështetur punësimin e grave, me ç’rast përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike kanë përfituar 3 mijë e 500 gra dhe 1 mijë e 419 biznese. Ai përmendi edhe subvencionimet që kanë ndarë në bujqësi, mbështetjet që kanë dhënë për nënat e reja etj.

“Në prag të aktivizmit të përmbylljes së 16 ditëve të aktivizmit të fushatës kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave mirëse po takohemi për të folur lidhur me programin e Kosovë për barazi gjinore dhe nivelin e zbatimit të tij. Këtë program e patëm në maj të vitit 2020 në një situatë pandemie e në një periudhë jo të lehtë nën ndikimin e Covid-19. Për përballjen e pasojave të pandemisë kemi dizajnuar masë specifike në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike për ta mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e qasjes së grave në shkollim e në punësim. Pasiguria ekonomike është një prej faktorëve kyç që i mban gratë edhe vajzat larg zhvillimit të qëndrueshëm, mirëqenies dhe prosperitetit. Andaj, përmes integrimit gjinor në këtë pako, kemi mbështetur punësimin e grave, masë kjo nga e cila kanë përfituar 3 mijë e 500 gra dhe 1 mijë e 419 biznese. Kemi mbështetur biznese që janë në pronësi të grave, me vlerë të subvencionimit afër gjysmë milionë euro, kurse vlera e kreditimit të mundësuar e tejkalon 3 milionë euro. E në bujqësi për vitin 2021 kemi ndarë subvencione për 1 mijë e 325 gra përfituese. Që nga fillimi i skemës së mbështetjes për nënat e reja deri më tani kemi rreth 200 mijë përfituese nga shtesat për fëmijë dhe mbi 23 mijë përfituese nga shtesat për lehona. Për vitin akademik 2021-2022 kemi ndarë rreth 1 mijë bursa për gra dhe vajza për studime në stem e për vitin tjetër e kemi rritur buxhetin dhe numrin në 2 mijë bursa. Nga 1 milion euro në 2 milion euro, nga 1 mijë bursa në 2 mijë bursa. Kemi dhënë 13 bursa për studente me aftësi të kufizuara dhe kemi përkrahur 10 vajza për bursë të doktoraturës”, tha ai.

Kurti u shpreh se Qeveria ka treguar përkushtim dhe veprime konkrete për luftimin e dhunës në familje, dhunës mbi baza gjinore. Ai tha se janë angazhuar duke hartuar dhe miratuar strategjinë dhe plane e veprime për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave dhe vajzave

Kurti potencoi se kanë vazhduar me mbështje të porcesit të njohjes së statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, siç tha ai, si një prej parakushteve të ndërtimit të paqes së qëndrueshme të vendit.

Po ashtu, ai deklaroi se po mbështesin financiarisht edhe strehimoret që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore. Kurti shtoi se mbeten të përkushtuar që të krijojnë barazi, aty ku ka më së shumti pabarazi.

Ndërsa, zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike, Bardhyl Dobra, u shpreh se burrat janë ata që dominojnë në tregun e punës, një gjë e tillë, sipas tij, dëshmohet se mbizotëron edhe në sektorin publik. Ai deklaroi se përfaqësimi i grave në shërbimin civil është shumë i ultë.

“Ndonëse neni 101 i Kushtetutës sonë, ku flet për shërbimin civil përcakton se shërbimi civil duhet të pasqyrojë shumëllojshmërinë e shoqërisë në vendin tonë. Përfaqësimi i grave në shërbimin civil është shumë i ultë. Madje shifrat janë tejet brengosëse. Sipas të dhënave të ofruara nga departamenti për menaxhimin e zyrtarëve publik, në nivelin e lartë menaxherial, gratë përbëjnë vetëm 19% të të punësuarve në atë nivel dhe vetëm 16% në nivelin e mesëm drejtues. Ndërsa, në nivelin e ulët drejtues dhe atë profesional kemi 30%, respektivisht 37% gra. Duke pasur parasysh nivelin e ulët të përfaqësimit të grave në shërbimin civil dhe sistemin e mbyllur të administratës që e kemi trashëguar, është shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur që të ketë ngritje në karrierë dhe rrjedhimisht edhe përfaqësim më të madh të grave në pozita vendimmarrëse pa ndryshuar rrënjësisht përshembul ligjin për zyrtarë publikë, siç tashmë kemi bërë edhe presim që të miratohet sot në Kuvend në lexim të parë”, tha ai.

Dobra deklaroi se Ministria e Punëve të Brendshme është duke bërë reformë thelbësore në fushën e Administratës Publike, reformë që shtrihet në disa rrafshe por që gravitojnë rreth ndryshimeve legjislative.

Ndërkaq zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani u shpreh se pavarësisht suksesit të vajzave dhe grave brenda dhe jashtë vendit, ende ka punë për të bërë.

“Kur flasim për përfshirjen e rolit të vajzave dhe grave në vendimmarrje, si unë po edhe shumë gra të tjera që bartin përgjegjësinë shtetërore, çdo ditë e më shumë shohim që fuqia e gruas, jo vetëm që është e dukshme në vendimmarrje, mirëpo në raste të caktuara edhe është vendimtare për zgjedhjet e trajtimin e rasteve të veçanta, si dhe orientimin në politikave specifike. Sot gratë dhe vajzat i gjejmë kudo të angazhuara edhe brenda vendit, por edhe jashtë vendit dhe jo vetëm që i gjejmë, por edhe i shohim në piedestal, qofshin ato, artistet, sportistet, aktvistet, policet, drejtoresha, politikane dhe çfarëdo lloj profesioni tejtër. Mirëpo, përkundër kësaj, padyshim dhe gjithë progresit që është shënuar në vitet e fundit, padyshim që kemi ende shumë punë përpara vetes.”, tha ajo, duke shtuar se të gjithë duhet të japim kontributin individual”, tha ajo.

Osmani falënderoi të gjitha sportistet që përkundër të gjita vështirësive që kanë, vazhdojnë të promovojnë sportin dhe të jenë zë i fuqishëm i grua dhe vajzës në shoqërinë tonë. Ajo shtoi se në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë në proces të draftimit të reformës së sistemit aktual sportiv.

Vendi

Rritet numri i viktimave në Poloni, të paktën gjashtë të vrarë nga të shtënat në Krakov

Published

on

Numri i viktimave nga të shtënat me armë zjarri në Poloni është rritur sërish.

Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë nga të shtënat në qytetin jugor të Krakovit, ka bërë të ditur administrata rajonale, raporton SkyNews.

Ndërkohë, të paktën 15 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Më herët, policia kishte raportuar për të paktën pesë viktima dhe rreth një duzinë të plagosurish, transmeton Ekonomia Online

Ndwrkobw, agjencia Kosovapress ka njoftuar se autori i vrasjes së gjashtë personave sot në qendër të Krakov ishte i veshur me uniformë kamuflazh dhe, sipas portalit polak Wirtualna Polska, ai mbante veshur edhe një jelek antiplumb.

Ish-specialisti i policisë kundër terrorizmit Kuba Jaloszyński beson se pajisjet dhe armët e tij tregojnë se ai po përgatitej për sulm. Deri më tani, policia nuk ka konfirmuar veçmas se ai mbante veshur një jelek antiplumb balistik.

Zëdhënësja e policisë së Krakow, Katarzyna Cislo, konfirmoi për TVN24 se disa armë zjarri dhe municione të tjera u gjetën në veturën e sulmuesit.

Mediat polake raportojnë gjithashtu se vetura është ekzaminuar nga ekspertët e policisë për eksplozivë. Ende nuk është njoftuar saktësisht se çfarë arme ishte, sa u gjetën ose si e siguroi sulmuesi atë.

Sulmi ndodhi sot rreth orës 3 pasdite në qendrën historike të Krakov. Një burrë e drejtoi veturën e tij në sheshin kryesor të qytetit, Rynek Główny, dhe filloi të qëllonte kalimtarët. Ndërsa udhëtonte nëpër qytet, ai qëlloi gjithashtu në një tramvaj të transportit publik, duke thyer dritaren e kabinës së shoferit.

Policia qëlloi dhe plagosi sulmuesin gjatë ndërhyrjes, pas së cilës ai u arrestua dhe u dërgua në spital, ku thuhet se është në gjendje kritike. Dy oficerë policie u plagosën gjithashtu në shkëmbimin e zjarrit. Njëri prej tyre pësoi tri plagë me armë zjarri dhe është në gjendje kritike.

Policia konfirmoi se sulmuesi është shtetas polak dhe mohoi thashethemet se një polic u vra dhe se një sulmues i dytë është në kërkim. Identiteti i të dyshuarit nuk është publikuar ende zyrtarisht. Mediat polake raportojnë se ai është një burrë i moshës 25-vjeç. Policia ende nuk e ka përcaktuar motivin e sulmit.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

7 nëntor 1992

Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase

Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.

Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.

Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.

Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.

Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.

Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.

Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.

Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.

 

7 nëntor 1994

Represioni gjatë nëntë muajve në Istog

Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.

Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.

 

7 nëntor 1995 

Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale

Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.

 

 7 nëntor 1996

Dhuna e përditshme në Kosovë

Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.

  1. Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.

Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.

 

7 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar

Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.

Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.

 

7 nëntor 1998

Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.

Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së. 

Foto: Shkupi

Continue Reading

Vendi

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Vendi

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara