Lajmet

Perëndimi duhet të ri-gjejë shtyllën e vet kurrizore

E kush dëshiron ta marrë përsipër rrezikun e një zjarri bërthamor që përfshin Parisin, Londrën apo Bregun Lindor të SHBA-së?

Published

on

Zakonisht kam kënaqësinë më të madhe kur vërtetohet se kam të drejtë për diçka që them në jetën e përditshme. Por në rastin e kundërvënies mes Perëndimit dhe Putinit dhe miqve të tij, nuk ndjej aspak kënaqësi kur kam argumentuar për vite me radhë se Brukseli dhe Uashingtoni duhet të kenë një qasje më të ashpër.

Unë i di edhe kundër-argumentet që po përdoren këto ditë, dhe i kuptoj ato. Për lehtësinë tuaj, po i rendis përmbledhtazi këtu:nuk ia vlen të rrezikohet nisja e një lufte bërthamore me Rusinë; për jetët e ukrainasve/baltikasve/gjeorgjianëve nuk ia vlen të rrezikohen ato të qytetarëve perëndimorë, apo edhe argumenti më i preferuar nga unë:Rusia mund të ketë disi të drejtë.

Përveç kësaj të fundit, gjithë të tjerat i kuptoj. E kush dëshiron ta marrë përsipër rrezikun e një zjarri bërthamor që përfshin Parisin, Londrën apo Bregun Lindor të SHBA-së? Por nga ana tjetër vetëm shprehja e“shqetësimit të madh” dhe “dënimit të fortë” nuk e ka dekurajuar aspak Putinin dhe miqtë e tij si Bjellorusia e Aleksandër Llukashenkos nga veprimet e pacipa të agresionit.

Bota ka qenë edhe më parë në një situatë të ngjashme. “Një njeri me sjellje të butë është ai që ushqen një krokodil me shpresën se atë do ta hajë të fundit”-tha dikur Uinston Çërçill mbi manovrat luftarake të Hitlerit.

Unë nuk do të thosha se Perëndimi ka pasur një qasje që ka synuar ta mbajë të qetë Putinin. Por ndërkohë vështirë se është bërë shumë për t’i rezistuar atëherë kur duhet. Dhe kjo sjellje vetëm sa e ka inkurajuar Kremlinin dhe aleatët e tij si Bjellorusia dhe Turqia.

Në fakt, Perëndimi ka bërë minimumin, duke shpresuar se Rusia do të zbutej vetë duke u përqendruar mbi çështje të tjera. Jo se Islamizmi radikal dhe Kina nuk janë shqetësuese për arsye të tjera, por ato nuk janë të vetmet kërcënime.  

Përshkallëzimi nga Moska ka ndjekur një model:pushtimi afatshkurtër i Gjeorgjisë, u pasua nga fushata ushtarake tashmë disavjeçare kundër Ukrainës, si dhe rrëmbimi i agjentëve estonezë të sigurisë dhe vrasja e disidentëve rusë.

Por çmimin e parë në këtë drejtim e ka marrë ulja e detyruar në Minsk e një avioni irlandez që fluturonte nga Athina dhe Lituania. Një përpjekje e Aleksandër Llukashenkos për t’i bërë përshtypje Putinin, ashtu si një djalë i vogël që shpreson të fitojë vlerësimin e vëllait apo motrës më të madhe.

Pavarësisht nga shtypja brutale e Llukashenkos ndaj njerëzve të tij, ai gjendet mbi një terren shumë më të lëkundshëm sesa shoku i tij në Kremlin. Lëvizja opozitare e Aleksei Navalnit, nuk arriti të nxjerr në rrugë 1 milionë  protestues siç ishte shpresuar në fillim të këtij viti,

dhe burgosjen e udhëheqësit opozitar dhe shpërndarjen nëpër botë të pjesës tjetër të ekipit, armiku kryesor i Putinit është tani forca e pamposhtur e Atit Kohë.

Megjithatë lideri bjellorus u duk sikur mund të rrëzohej gushtin e vitit të kaluar, vetëm për ta rivendosur rendin me ndihmën edhe të Putinit, duke përdorur një shfaqje vulgare të pushtetit të tij diktatorial. Unë besoj se këto provokime do të përshkallëzohen akoma më tej, pavarësisht nëse drejtohen nga Minsku, Moska apo Ankaraja.

Nuk ka asnjë dyshim se Belgjika në vitin 1914 apo Çekosllovakia dhe Polonia në 1939 nuk dukeshin plotësisht të ndërgjegjshme për atë që i priste. Por mund të thuhet se shumë nga dramat mund të ishin parandaluar nëse Gjermania do të ishte neutralizuar që herët.

Është për të ardhur keq që është shndërruar në një klishe thënia se historia përsëritet. Unë preferoj të mendoj se kjo është një arsye se pse askush nuk dëshiron që të veprojë. Sa keq që ndoshta të gjithë mund të pendohemi një ditë për mungesën aktuale të “shtyllës kurrizore” të Evropës përballë autokratëve.

Shënim: Timothy Ogden, është gazetar britanik me banim në Tbilisi të Gjeorgjisë, i fokusuar kryesisht mbi çështjet e mbrojtjes. / “New Europe” – Bota.al

Vendi

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.

I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.

Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.

Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.

Continue Reading

Lajmet

Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:

  • Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
  • Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
  • Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
  • Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.

UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.

Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Të kërkuara