Kulturë

Përditësohet Manuali i Restaurimit, dokument thelbësor për pasuritë kulturore

Published

on

Një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes dhe restaurimit të pasurive kulturore u bë realitet me përditësimin e Manualit të Restaurimit nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK). Vendimi u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, me propozim të IKTK-së.

Manuali i përditësuar është një dokument kyç që do t’u shërbejë të gjitha subjekteve dhe specialistëve që merren me ndërhyrje restauruese e konservuese mbi pasuritë kulturore në vend. Ky manual është rikompozuar dhe pasuruar me zëra specifikë, të cilët reflektojnë proceset reale të ndërhyrjeve në terren. Përmirësimet janë realizuar duke siguruar përafrim të standardeve me çmimet aktuale të tregut dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Çfarë përfshin manuali i përditësuar?

Manuali i restaurimit përmban një gamë të gjerë udhëzimesh dhe specifikash teknike: Metodologjitë e reja të restaurimit, procedura dhe teknika të reja për ndërhyrjet mbi strukturat historike dhe monumentet. Përafrimi me standardet ndërkombëtare, integrim i praktikave bashkëkohore në restaurim dhe konservim, duke ruajtur autenticitetin dhe vlerat origjinale të pasurive kulturore. Kostot e përshtatura të ndërhyrjeve, një përditësim i çmimeve për shërbimet dhe materialet që lidhen me restaurimin, duke ofruar transparencë dhe efikasitet. Zëra specifik të punës, udhëzime për ndërhyrje në pasuritë e ndryshme, si struktura të betonit, gurit, drurit dhe metaleve, si dhe teknika për trajtimin e elementeve arkitektonike delikate.

IKTK e cilësoi këtë përditësim si një arritje të rëndësishme në mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, duke theksuar se dokumenti i ri është rezultat i një pune të gjatë dhe të kujdesshme nga ekspertë të fushës.

Në një postim zyrtar, IKTK deklaroi: “Ky është një dokument thelbësor që do të shërbejë si bazë për ndërhyrje restauruese cilësore në pasuritë tona kulturore. Përditësimi i tij do të ndikojë pozitivisht në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kombëtare”.

Me pjesëmarrjen aktive të profesionistëve të trashëgimisë dhe institucioneve përkatëse, përditësimi i manualit përfaqëson një hap domethënës drejt ruajtjes së identitetit kulturor të vendit. Ai do të lehtësojë procesin e vendimmarrjes dhe do të përmirësojë cilësinë e ndërhyrjeve për restaurimin e monumenteve dhe pasurive të tjera me vlerë historike.

Ky zhvillim shënon një tjetër arritje për ruajtjen e pasurive kulturore, duke u bërë një gur kilometrik në përpjekjet për të mbrojtur dhe trashëguar vlerat kombëtare tek brezat e ardhshëm./UBTNews/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Dalina Haxhiu fiton çmimin e parë në “Akordet për Fëmijë”

Published

on

Dalina Haxhiu është fituesja e çmimit të parë në edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”. Ajo u shpërblye me Okarinën e Artë për Fëmijë, për këngën “Ëndrra ime s’fle”, duke u renditur në krye të garës muzikore.

Çmimin e parë, Dalinës ia ndau kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, çmimin e dytë, e fitoi Rita Krasniqi me këngën “Soprano”, ndërsa Okarina e Bronztë për Fëmijë iu nda Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.

Çmimi për tekstin më të mirë shkoi për Aksa Sulejmanin, për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.

Në këtë edicion garuan 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra, duke sjellë në skenë këngë me mesazhe për ëndrrat, dashurinë, paqen dhe vetëbesimin.

“Akordet për Fëmijë” u organizuan për herë të parë në kuadër të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, duke krijuar një hapësirë të veçantë për talentet e reja dhe për prezantimin e krijimtarisë së tyre muzikore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart

Published

on

By

Aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart, i shquar për rolet e tij ikonike si Kapiten Jean-Luc Picard në “Star Trek” dhe Profesor Charles Xavier në sagën “X-Men”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles. Njoftimi u bë i ditur përmes llogarisë së tij zyrtare në Instagram, ku u konfirmua se ai u ndaj nga jeta të mërkurën, më 28 tetor, pas një beteje të shkurtër me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupat Lewy.

Në deklaratën zyrtare thuhet se Stewart u ndaj nga jeta i rrethuar nga bashkëshortja e tij, Sunny, si dhe familjarët e miqtë e ngushtë. Përveç karrierës së tij të bujshme në kinematografi dhe televizion, ai u vlerësua lart si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës teatrale, fitues i dy çmimeve “Laurence Olivier” dhe një çmimi “Grammy”, ndërsa në vitin 2010 u dekorua me titullin “Kalorës” nga Mbretëresha Elizabeth II.

Karriera e tij e pasur përfshin dekada pune në teatër dhe film, ndërsa roli i tij i fundit i xhiruar do të shfaqet në filmin “Avengers: Doomsday”. Ndarja e tij nga jeta ka nxitur reagime të shumta dhe ngushëllime nga koleget, industria e artit dhe adhuruesit e tij në mbarë botën. /The Guardian/

 

Continue Reading

Lajmet

“SARA” e Burim Halitit garon në festivalin ndërkombëtar në Milano

Published

on

By

Filmi dokumentar “SARA”, me regji nga Burim Haliti, është përzgjedhur në konkurrencën zyrtare të edicionit të 44-t të Festivalit Ndërkombëtar “SPORT MOVIES & TV 2026”, i cili po mbahet nga 30 tetori deri më 2 nëntor në Milano të Italisë.

Ky festival, i organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë dhe Televizionit Sportiv (FICTS), është i vetmi në këtë kategori i njohur zyrtarisht nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KOK). Ngjarja shërben si grand-finalja e rrjetit global “World FICTS Challenge”, që përfshin 27 festivale në pesë kontinente.

Shfaqja e dokumentarit të Halitit do të bëhet më 30 tetor, në orën 12:30, në “Cinema Centrale – Sala 2” në Milano. Përzgjedhja e filmit u realizua me mbështetjen e Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili mundësoi dërgimin e tij për shqyrtim para jurisë prestigjioze ndërkombëtare. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci viziton përgatitjet për festivalin “Akordet e Kosovës”

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po zhvillohen përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, që organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Gjatë vizitës, ajo ka parë nga afër skenografinë e realizuar nga Vesë Kraja dhe punën e ekipit organizues, vetëm dy ditë para nisjes së festivalit.

“Me një pjesë të ekipit të festivalit ‘Akordet e Kosovës’, duke parë nga afër përgatitjet dhe punën e mrekullueshme që po bëhet për festivalin, i cili nis këtë të premte në sallën ‘1 Tetori’”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.

Ajo është pritur nga drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, u.d. kryeredaktorja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, si dhe punonjës të tjerë të transmetuesit publik.

Festivali i këtij viti do të zgjasë tri net, duke sjellë interpretime muzikore dhe artistë mysafirë. Një hapësirë e veçantë do t’u kushtohet edhe talenteve të reja përmes Festivalit të Fëmijëve, që do të mbahet më 1 nëntor.

Rikthimi i emrit historik “Akordet e Kosovës” synon të nderojë artistët që ndër dekada kanë kontribuar në zhvillimin e muzikës shqipe.

Organizatorët kanë paralajmëruar tri mbrëmje muzikore në Prishtinë, me synimin që festivali të sjellë para publikut artistë të njohur dhe zëra të rinj.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara