Lajmet

“Për të ndryshuar të ardhmen tonë, duhet të ndryshojmë mënyrën se si ua mësojmë fëmijëve historinë”

Nga Yuval Noah Harari.

Published

on

Ne nuk mund t’i mbrojë fëmijët nga historia. Në Ukrainë, miliona familje kanë humbur shtëpitë e tyre për shkak të luftës së nisur nga Vladimir Putin. Në Nju Delhi të Indisë, temperaturat rekord prej 50 gradë Celsius i detyruan fëmijët të qëndronin mbyllur brenda shtëpive të tyre këtë verë, duke mos pasur mundësi të studiojnë apo luajnë.

Çmimet globale të ushqimeve po rriten, duke bërë që jo pak fëmijët në të gjithë botën të vuajnë pasojat e urisë. Pra është e pashmangshme që brezi i ardhshëm do të dojë të përballet me pyetjet e mëdha: Pse ka luftëra? Cili është vendi ynë në natyrë? Çfarë është paraja, dhe pse është ajo kaq shumë e rëndësishme?

Shpeshherë, fëmijët i marrin këto pyetje shumë më seriozisht sesa të rriturit. Ata vënë në dyshim gjërat që të rriturit i marrin si të mirëqena. Të rriturit mund të bezdisen kur një fëmijë reagon me pyetjen “Pse?” pas çdo përgjigje që japin. Por zakonisht, fëmija vetëm sa po përpiqet t’i gjejë fundin disa gjërave, në një mënyrë që të rriturit nuk e bëjnë më.

Një gjë tjetër, ajo nga e cila s’mund t’i mbrojmë dot fëmijët është ekspozimi ndaj rrëfimeve të rreme historike. Që në moshë shumë të hershme, të rinjtë bombardohen me mite dhe informacione të gabuara, jo vetëm mbi ngjarjet aktuale, por edhe për historinë bazë të vetë njerëzimit. Pra kush jemi, nga vijmë dhe si arritëm këtu.

Për shembull, në vendin tim të lindjes, Izraelin, edhe nxënësit në shkollat laike mësojnë zakonisht historinë e Kopshtit të Edenit, dhe shohin imazhe shumëngjyrëshe të Arkës së Noes, shumë kohë përpara se të dëgjojnë për Neandertalët apo të shohin artin e shpellave të Lasko dhe Sulauesi.

Dhe kjo qasje ka ndikimin e vet. Pasi është e mundur të gjurmohet një vijë e drejtpërdrejtë nga urdhri i Zotit për njerëzit tek libri i Zanafillës “popullojeni Tokën dhe nënshtrojeni atë” deri në Revolucionin Industrial dhe krizën e sotme ekologjike. Një linjë tjetër e drejtpërdrejtë e ndikimit mund të nxirret nga rrëfimet historike që mësojnë fëmijët rusë në shkollë, tek pushtimi i Ukrainës nga Putin dhe kriza globale e ushqimit që ka shkaktuar ai.

Në rast se i lëmë fëmijët në mëshirën e miteve, çmësimi i këtyre ideve më vonë gjatë jetës do të jetë një detyrë e vështirë, dhe ndonjëherë e pamundur. Prandaj është jetike që ne të flasim hapur me fëmijët në lidhje me çështjet e mëdha dhe në një mënyrë të përgjegjshme, shkencore të bazuar në prova, në vend të besimit dogmatik.

Kjo është një sfidë me të cilën jam përballur kohët e fundit, kur po shkruaja historinë e botës për fëmijët. Ajo që kam mësuar nga ky projekt, është fakti se adresimi i çështjeve të mëdha për fëmijët është një punë tepër delikate. Disa lëndë janë argëtuese, si eksplorimi i jetës së përditshme të gjuetarëve-mbledhësve të epokës së gurit, kur njerëzit jetonin në natyrë dhe kur fëmijët i kalonin ditët duke mësuar sesi të ngjiteshin në pemë, si të gjurmonin kafshët dhe të ndiznin zjarrin.

Por temat e tjera janë më sfiduese. Për shembull, analiza e asaj që ndodhi kur Sapiensët e lashtë takuan Neandertalët, na nxit të diskutojmë se si mund të ishte jeta e një fëmije me një nënë Sapiens dhe një baba Neandertal, duke nxjerrë në pah tema të tilla si racizmi, lufta, gjenocidi dhe zhdukja.

Është thelbësore që ne t’u flasim fëmijëve për anën e errët të historisë. Por si të shmangim paralizimin e tyre nga frika? Një parim udhëzues në këtë rast, është se ne duhet të shmangim përshkrimet në detaje të ngjarjeve të tmerrshme, derisa fëmijët të jenë mjaftueshëm të pjekur për t’i kuptuar si duhet ato.

Ndaj kur duhet të flasim për katastrofa dhe padrejtësi, është më mirë të vihet theksi tek liria: pavarësisht se sa të tmerrshme janë gjërat, njerëzit zakonisht mund të bëjnë një ndryshim për mirë. Dhe ky nuk është mendim i dëshiruar, por vetë thelbi i historisë. Në fund të fundit, historia nuk është studimi i së kaluarës, ose thjesht një listë luftërash, fatkeqësish, dhe mbretërish të vdekur që sunduan mijëra vjet më parë.

Historia është studimi se si ndryshojnë gjërat. Në rast se ne mendojmë se bota ka qenë gjithmonë e njëjtë, dhe se mënyra se si jetojmë sot është vetmja se si duhet jetuar, atëherë është e natyrshme të ndjejmë sikur ndryshimi është i pamundur, dhe se problemet me të cilat përballemi janë të pazgjidhshme.

Pra edhe nëse gjërat janë shumë të padrejta, çfarë mund të bëjmë? Kështu është bota, i themi vetes. Por duke studiuar historinë, ne mësojmë se njerëzit nuk kanë jetuar gjithmonë si ne, dhe se bota po ndryshon gjatë gjithë kohës. Njerëzit e bënë botën atë që është sot, dhe janë po njerëzit ata që mund ta ndryshojnë atë.

Sigurisht, kjo nuk është një detyrë e lehtë, por kjo gjë ka ndodhur shumë herë në të kaluarën. Kjo është arsyeja pse historia është kaq e fuqishme. Ajo është çelësi për të ndryshuar botën. Kjo është aq e vërtetë saqë në shumë vende, qeveritë kanë frikë nga historia.

Udhëheqësit i ndalojnë rrallëherë njerëzit që të mësojnë matematikë ose fizikë. Por shumë qeveri i ndalojnë njerëzit – sidomos të rinjtë – të mësojnë të paktën disa pjesë të historisë. Gjithçka kthehet pas tek ata mbretër të vdekur që sunduan mijëra vjet më parë, me duart e tyre të akullta që zgjaten nga përtej varrit për të kapur mendjet tona, dhe për të ngrirë ndryshimet.

Tek e fundit, kanë qenë këta mbretër të vdekur prej kohësh që shpikën dhe përhapën histori të ndryshme mbi Perënditë, kombet, paratë dhe dashurinë, të cilat besohen nga shumë njerëz sot dhe u përmbahen. Për të fituar njëfarë lirie nga këto rrëfime dhe për t’u sjellë ndryshe, ne duhet të kuptojmë se si u krijuan dhe u përhapën ato.

Përndryshe, nuk do t’i shohim kurrë ashtu siç janë: thjesht tregime. Fëmijët që pyesin “Pse?” janë një forcë e fuqishme që mund t’i shkundë deri në themele këto përralla të vjetra. Por përveçse duhet të shmangim terrorizimin e tyre, ne duhet të jemi të kujdesshëm edhe për të mos i ngarkuar të rinjtë me përgjegjësitë tona.

Mëkati më i vjetër që bëjnë shpesh të rriturit, është pritshmëria që fëmijët të marrin përsipër projektet tona, dhe sidomos të zgjidhin problemet, të cilat donim t’i zgjidhnim ne, por nuk e kemi kuptuar se si.

Kur flasim me fëmijët mbi çështje të mëdha, ne duhet që herë pas here të pyesim veten pse po e bëjmë vërtet këtë. Çdo njeri në botë bart një barrë të rëndë. Kur u mësojmë historinë të rinjve, ne e bëjmë ndonjëherë këtë për të zhvendosur një pjesë të barrës sonë mbi supet e brezit të ardhshëm. Ne duam që të rinjtë të vazhdojnë të bartin me vete besimet, kujtimet, identitetet dhe konfliktet që na kanë rënduar gjatë gjithë jetës sonë.

“Ja pra fëmijë, unë i çova këto gjëra deri në këtë pikë, tani është radha juaj!” Por kjo qasje është e padrejtë. Një arsye shumë më e mirë për të mësuar historinë, është të ndihmohen fëmijët të çlirohen nga të paktën një pjesë e frikës, iluzioneve dhe urrejtjeve të tyre.

“I shihni këto gjëra, fëmijë? Unë jam përballur me to për vite me radhë, dhe ato e kanë bërë të mjerë jetën time. Ndaj bëni kujdes! Nuk duhet të merreni me to!” Shpresoj që historia të bëhet një mjet për të çliruar njerëzit dhe jo për t’i mbajtur ata peng të së kaluarës. Ajo duhet të jetë një mekanizëm për të krijuar marrëveshje të reja, në vend se të përjetësojnë konfliktet e vjetra. Tek e fundit, qëllimi i mësimit të historisë nuk është të kujtosh të kaluarën, por të çlirohesh prej saj.

Shënim: Libri i ri “Ne të pandalshmit: Si njerëzit e pushtuan botën” nga historiani i njohur izraelit me famë botërore, Yuval Noah Harari, ka dalë në treg më 20 tetor. / “The Guardian” – Bota.al

Vendi

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Vendi

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.

I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.

Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.

Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.

Continue Reading

Vendi

Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:

  • Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
  • Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
  • Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
  • Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.

UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.

Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Të kërkuara