Aktualitet

Për 13 vjet, 14 shefa të Telekomit

Për pesë vjet, 115 milionë euro humbje.

Published

on

Ndërrimi i shpeshtë i tyre thuhet se i ka pamundësuar kësaj kompanie të zhvillohet dhe të tejkalojë problemet financiare që ka tash e disa vite.

Disa nga punët e këtyre udhëheqësve kanë qenë zhvillimi strategjik i kompanisë, zbatimi i planeve për përmirësimin e performancës financiare si dhe arritja e rezultatit pozitiv financiar.

Gjatë kësaj javë është dorëhequr nga pozita e kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina. Në këtë pozitë, bordi i drejtorëve të kësaj kompanie ka emëruar si ushtrues detyre, Burbuqe Hanën.

Lamih Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet e shpeshta që janë bërë në Telekomin e Kosovës, por edhe kërcënimet e vazhdueshme për falimentim, kanë penguar operimin e kompanisë.

“Faza më e keqe e Telekomit ka qenë kur ministra e kryeministra kanë thënë se Telekomi po falimenton dhe në këtë mënyrë e kanë dërguar drejt humnerës. Telekomi nuk mund të falimentojë nëse menaxhohet mirë, nëse ka bashkëpunim të mirë dhe nëse përgjegjësinë e merr qeveria. Nëse ‘dora e keqe’ largohet nga Telekomi, kjo kompani brenda një viti del nga kriza dhe brenda një viti e gjysmë është e gatshme të japë edhe dividendë për Kosovën”, thotë ai.

Dividendi është fitimi i kompanisë që duhet t’i dorëzohet pronarit, në këtë rast qeverisë.

Nga viti 2008 deri në vitin 2015, Telekomi i ka paguar Qeverisë së Kosovës mbi 250 milionë euro dividendë. Këto mjete, Qeveria e Kosovës i ka marrë nga Telekomi i Kosovës deri në vitin 2015, kur edhe ka filluar kriza financiare në Telekom.

Telekomi i Kosovës, dikur kompania më fitimprurëse në vend, është duke u përballur me një situatë të rënduar financiare si pasojë e kontratave të dëmshme, vendimmarrjes së gabuar, mungesës së investimeve, ndërhyrjes së politikës në vendimmarrje strategjike të kompanisë dhe nepotizmit.

Kjo kompani i ka borxh mbi 25 milionë euro kompanisë Z-Mobile për shkak të mospërmbushjes së një kontrate nga ana e Telekomit. Nga 15 janari i këtij viti, Telekomi është e obliguar që brenda 24 muajsh të shlyejë komplet borxhin ndaj kompanisë.

Menaxhimi jo i duhur në Telekomin e Kosovës ka munguar, thotë Balaj dhe sipas tij, në këtë mënyrë është rënduar situata financiare dhe gjendja e punëtorëve.

“Aspekti financiar e pengon operimin në punë. Tani e një kohë të gjatë për shkak të keqmenaxhimit, borxheve të mëdha, jemi obliguar t’i ulim pagat e punëtorëve dhe tani nuk po i marrin pagat me kohë”, thotë Balaj.

Për pesë vjet, 115 milionë euro humbje

Telekomi i Kosovës është kompani publike, e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile, Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi. Në këtë kompani janë të punësuar rreth 2.500 punonjës.

Sipas një raporti të auditimit të bërë në vitin 2019 nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, thuhet se kompania ka vazhduar trendin e operimit me humbje për pesë vjet radhazi.

Brenda pesë vjetëve, sipas raportit të auditorit, humbjet që ishin shënuar kapën vlerë e mbi 115 milionë eurove.

Kjo situatë, sipas auditorit, hedh dyshime të konsiderueshme në aftësinë e kompanisë për të vazhduar në vijimësi. Të hyrat e realizuara në Telekomin e Kosovës në vitin 2019 ishin në vlerë prej afër 55 milionë euro.

Në raportin e auditorit, po ashtu ishte theksuar se gjendja e platformave dhe sistemeve telekomunikuese vazhdon të jetë e rëndë.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri thotë për Radion Evropa e Lirë se ndërrimet e shpeshta të bordeve e kryeshefave në Telekomin e Kosovës, e bën të pamundur daljen nga kriza të kësaj ndërmarrje.

Ai thotë se situata është pesimiste dhe se Qeveria e Kosovës do të duhej ta ndihmonte me mjete financiare këtë ndërmarrje.

“Telekomi i Kosovës ishte kompani fitimprurëse. Vetëm në vitin 2007 ishte konstatuar fitim në vlerë 120 milionë euro, prej të cilave 75 për qind ishin derdhur në buxhetin e Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 me keqmenaxhim e keqpërdorime, kompania ka ardhur në një pozitë që edhe nëse dëshirojmë ta shesim nuk e blen askush sepse është para falimentimit”, thotë Shatri.

Privatizimi i dështuar

Telekomi i Kosovës i është nënshtruar dy herë procesit të privatizimit, mirëpo asnjëri prej tyre nuk është finalizuar me sukses.

Në tetor të vitit 2011, ky proces ishte mbyllur i pasuksesshëm, pasi nga gara ishte tërhequr Telekomi kroat, meqë, siç thuhej, menaxherët e Postës dhe Telekomit të Kosovës dyshoheshin për korrupsion.

Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës ka shpallur fituese në blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së kompaninë ‘Axos-Capital’, me një vlerë prej 277 milionë eurosh.

Por, më 31 dhjetor të vitit 2013, privatizimi është shpallur i dështuar, për shkak se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ishin kundër shitjes së 75 për qind të aksioneve të kësaj prone publike.

Burimi: Radio Evropa e Lire

Lajmet

Mot me diell, vranësira dhe mundësi për reshje të dobëta shiu

Published

on

By

Sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK).

Sipas parashikimit, gjatë ditës vranësirat vende-vende mund të shoqërohen me reshje lokale të dobëta shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2 dhe 5°C, ndërsa ato maksimale të ditës do të arrijnë nga 20 deri në 24°C.

Do të fryjë erë nga e lehtë deri në mesatare nga drejtimi i jugperëndimit, me shpejtësi prej 1 deri në 5 m/s.

Continue Reading

Aktualitet

Trump mirëpret Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë: Darka luksoze mbledh krerët më të fuqishëm të teknologjisë e biznesit

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mirëpriti Presidentin e Kinës, Xi Jinping, në Shtëpinë e Bardhë për një darkë shtetërore luksoze, ku të dy udhëheqësit proklamuan një kapitull të ri në miqësinë e tyre.

Në darkë morën pjesë biznesmenë miliarderë, zyrtarë të administratës Trump, drejtues ekzekutivë të kompanive më të mëdha teknologjike amerikane e të tjerë. Sidoqoftë, mbërritja e tyre u shoqërua nga thirrjet e forta të protestuesve jashtë portave të Shtëpisë së Bardhë, disa prej të cilëve u arrestuan.

Si Trump ashtu edhe Xi e lavdëruan njëri-tjetrin, duke u zotuar të vazhdojnë bisedimet për të siguruar stabilitet mes dy vendeve. Por ekspertët thonë se deri më tani nuk është arritur ndonjë rezultat konkret në këto bisedime.

Darka u mbajt në ditën e dytë të vizitës tri-ditore të Xi-t në Uashington.

Trump e falënderoi Xi-n për rrugëtimin e gjatë drejt SHBA-së dhe tha se marrëdhënia mes tyre ishte e fortë.

“Kurrë nuk jemi kuptuar më mirë,” tha Trump.

Ai lavdëroi historinë e gjatë të marrëdhënieve SHBA-Kinë, ndonëse bëri një devijim të paplanifikuar nga fjalimi për të lavdëruar projektin e tij të vazhdueshëm për sallën e ballos.

Në atë moment spontan, ai tha se si një “ndihmesë e veçantë”, udhëheqësi kinez dhe bashkëshortja e tij mund të ishin të parët që do të hynin në sallën e ballos, e cila është ende një vit larg përfundimit.

“Kushdo që dëshiron të hyjë në një kantier ndërtimi që është i pastër, i rregullt dhe që shkëlqen, është nderi ynë t’ju kemi juve atje,” tha ai.

Ai gjithashtu i dhuroi Xi-t një skulpturë të shqiponjës tullace, simbolit kombëtar të Amerikës, duke thënë se ajo përfaqësonte “frymën e lirë dhe lartësuese të Amerikës”.

“Shpresojmë se do të gjejë një vend të mirë e të mrekullueshëm në Pekin. Është nderi juaj,” tha ai.

Trump shtoi se ai dhe Zonja e Parë, Melania, kishin marrë pjesë vetë në dizajnimin e skulpturës.

Xi i falënderoi mikpritësit për pritjen e tij dhe bashkëshortes me “kujdes dhe vëmendje të minutshme”, duke i bërë ata të ndiheshin “vërtet si në shtëpi”.

Ai tha se dy udhëheqësit po “bëjnë historinë në marrëdhëniet tona dypalëshe”.

“Ne ramë dakord të ndërtojmë një marrëdhënie konstruktive SHBA-Kinë me stabilitet strategjik,” tha Xi, duke shtuar se të dy kishin realizuar “shkëmbime të sinqerta dhe të thella” që do të forcojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Aty si fjalët e Trump, ashtu edhe ato të Xi-t ishin të mbushura me lavdërime, duke u përqendruar në lidhjet kulturore dhe historinë e përbashkët mes SHBA-së dhe Kinës.

Marrëdhënia mes dy vendeve u “kalit në gjak dhe zjarr” gjatë luftës kundër Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, përpara se të avancohej më tej gjatë diplomacisë së “ping-pongut” të administratës Nixon, tha ai.

Rreth fundit të fjalës së tij, Xi tha se synimet e SHBA-së dhe Kinës mund të jenë “reciprokisht përforcuese”. Ai i nxiti të dyja palët të eksplorojnë një “qasje të re për bashkëjetesën e fuqive të mëdha”.

Kur BBC hyri në sallën e ngrënies për darkën, CEO i SpaceX, Elon Musk, ishte në këmbë mbi një tavolinë dhe dukej se po tregonte një histori zbavitëse që kishte bërë dy persona pranë tij të shpërthenin në gaz.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ishte në një tavolinë tjetër me një pamje serioze. Bashkëshortja e tij ishte e ulur pranë tij, ndërsa Jared Kushner dhe shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Monica Crowley, ishin afër tyre.

Shtëpia e Bardhë ftoi dhjetëra zyrtarë amerikanë, si dhe transmetues konservatorë, drejtues të industrisë teknologjike, CEO të rrjeteve sociale dhe ekzekutivë të tjerë korporativë.

Pjesëmarrësit përfshinin anëtarë të kabinetit të Trump, si dhe anëtarë të familjes si fëmijët e tij Ivanka, Eric dhe Tiffany.

Ndër krerët e industrisë teknologjike të pranishëm ishin Tim Cook i Apple, Sam Altman i OpenAI, Sundar Pichai i Google, Jeff Bezos i Amazon dhe Jensen Huang i Nvidia.

Të dy, Cook dhe Huang, ishin të ulur në të njëjtën tavolinë me Trump dhe Xi. Po ashtu edhe Musk, i cili më parë ka punuar në administratën Trump duke udhëhequr përpjekjet për reduktimin e aparatit shtetëror.

Kompani të tjera drejtuesit e të cilave ishin të pranishëm përfshijnë General Motors, Visa, Paramount Skydance, ExxonMobil e të tjerë.

I pranishëm ishte gjithashtu manjati i rrjeteve sociale Mark Zuckerberg, si dhe Jeff Yass, miliarderi amerikan që zotëron aksione në TikTok.

“Të gjithë donin të ishin këtu,” tha Trump përpara ngjarjes. “Do të thoja se këtu keni të gjithë botën e teknologjisë, të gjithë botën bankare dhe shumë më tepër.”

/BBC/

Continue Reading

Lajmet

Mediat irlandeze lartësojnë mikpritjen në Prishtinë

Published

on

By

Në fushë ishte një përballje e fortë futbolli ku Kosova doli fituese 1-0, por jashtë saj, atmosfera në Prishtinë u shndërrua në një histori falënderimi dhe respekti që kapërcen sportin.

Media e njohur sportive irlandeze, Balls.ie, i ka kushtuar një artikull të veçantë mikpritjes mbresëlënëse që tifozët e Irlandës morën në Kosovë, duke zbuluar arsyen e fortë pse kosovarët e ruajnë me kaq shumë dashuri emrin e Irlandës.

Gjithçka nis në vitet e vështira të pasluftës. Pas shkatërrimit të viteve 1998–1999, ku mbi 10,800 kosovarë u vranë dhe qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre, Irlanda u rendit ndër shtetet e para që u doli në ndihmë. Prej vitit 1999 e deri në vitin 2010, mbi 3,000 ushtarë irlandezë shërbyen në kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë, duke ndihmuar në rindërtimin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve, thuhet në artikullin e Balls.ie.

Kjo ndihmë nuk është harruar absolutisht.

“Përderisa Irlanda dhe Kosova nuk kishin ndonjë histori të madhe në futboll, shumë njerëz në këtë vend kanë një simpati të jashtëzakonshme për shtetin tonë. Një pjesë e madhe e kësaj daton që nga vitet ’90, kur forcat paqeruajtëse irlandeze luajtën një rol jetik në Kosovë,” shkruan Balls.ie.

Gazeta irlandeze tregon se si tifozët që udhëtuan drejt Prishtinës mbetën të befasuar kur vendasit i ndalonin nëpër rrugë e kafene, jo si kundërshtarë të futbollit, por për t’u shprehur falënderime për kontributin e ushtarëve të tyre dekada më parë.

“Shumë nga tifozët tanë mbetën pa fjalë nga përzemërsia dhe respekti me të cilin u pritën. Kosova tregoi se e kujton me shumë mirënjohje rolin e Irlandës gjatë asaj periudhe të vështirë historike,” përfundon artikulli i Balls.ie.

Kjo ndeshje vërtetoi edhe një herë se për kosovarët, ndihma e dhënë në ditët më të errëta mbetet e gdhendur përgjithmonë në memorie.

 

Continue Reading

Lajmet

BBC Sport: Kosova e mposht Irlandën me meritë në Prishtinë dhe nis mbarë UEFA Nations League

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundur fushatën e saj në Grupin B3 të UEFA Nations League, duke mposhtur Republikën e Irlandës me rezultat 1–0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo fitore e merituar erdhi pas një paraqitjeje dominuese nga dardanët, ndërsa rrjeti prestigjioz britanik BBC Sport raporton se vendasit e mbizotëruan plotësisht kundërshtarin gjatë gjithë 90 minutave.

Kosova tregoi energji të lartë që nga fillimi i takimit, duke e vënë vazhdimisht në presion mbrojtjen irlandeze. Rreziku kryesor erdhi përmes Baton Zabergjës nga krahët dhe sulmuesit Vedat Muriqi, i cili krijoi probleme të njëpasnjëshme për mysafirët.

Vendimi i ndeshjes erdhi vetëm shtatë minuta para fundit. Pas një goditjeje të Ermal Krasniqit që u kthye nga traveza, Muriqi reagoi më së shpejti duke shënuar me kokë për 1–0 dhe duke ndezur festën në shkallët e stadiumit. Edhe pse lojtarët irlandezë pretenduan për një faull gjatë aksionit, goli u konfirmua pas rishikimit nga sistemi VAR.

Në krahun tjetër, BBC e përshkroi paraqitjen e Irlandës si mjaft të dobët në sulm, me vetëm një goditje në kuadrat përgjatë tërë ndeshjes. Rastin më të mirë për mysafirët e shpërdoroi Chiedozie Ogbene në pjesën e parë, kur goditi mbi travezë.

Pas ndeshjes, edhe vetë përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, pranoi superioritetin e vendasve. “Ata e merituan fitoren, po të jam plotësisht i sinqertë. Nuk kishte asgjë që nuk e dinim për mënyrën se si do të luanin, por ishte një ditë e dobët për shumë nga lojtarët tanë,” u shpreh ai.

Me këtë fitore, Kosova merr tri pikët e para në grup, ndërsa Irlanda mbetet pa pikë pas xhiros së parë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara