Lajmet

Pendarovski: Këshilli i Sigurimit të angazhohet në mënyrë proaktive për përfundimin e luftës në Ukrainë

Agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës, siç tregoi Pendarovski, i dha një goditje të fortë paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Published

on

Detyra më urgjente e Këshillit të Sigurimit është të angazhohet në mënyrë proaktive për përfundimin e luftës në Ukrainë, tha presidenti Stevo Pendarovski dje pasdite në New York në fjalimin e debatit të hapur për ruajtjen e paqes ndërkombëtare dhe sigurinë e Këshillit të Sigurimit, me temën “Ruajtja e qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së përmes multilateralizmit efektiv: ruajtja e paqes dhe sigurisë në Ukrainë”.

“Mënyra e vetme për të arritur këtë qëllim është përmes diplomacisë dhe negociatave, të bazuara në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Për këtë qëllim, hapi i parë duhet të jetë një armëpushim i menjëhershëm dhe pa kushte, për të krijuar një mjedis për fillimin e negociatave. Gjatë gjithë procesit, Kombet e bashkuara duhet të themelojnë një mision paqeruajtës me detyrë kryesore monitorimin e armëpushimit dhe ndihmës humanitare  për civilët”, theksoi presidenti Pendarovski.

Agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës, siç tregoi Pendarovski, i dha një goditje të fortë paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe rendit ndërkombëtar.

“Kjo luftë sfidoi multilaterizmin, si bazë e rendit ndërkombëtar, në një nivel të paprecedentë. Ndërsa, siç e dimë të gjithë, arkitektura ndërkombëtare dhe e sigurisë, reflektimi më i rëndësishëm i së cilës janë Kombët e Bashkuara, synon multilaterizmin”, tha presidenti.

Ai vlerësoi se situata aktuale është rezultat i injorimit të detyrimeve që përmban Karta e OKB-së e vitit 1945.

“Pa respektuar barazinë sovrane dhe integritetin territorial të çdo vendi anëtar, nuk mund të flasim për multilateralizëm efektiv. Deri më tani kemi parë disa përpjekje për të ridefinuar themelet e rendit ndërkombëtar, por asnjëra prej tyre nuk ka marrë mbështetje aq të gjerë sa parimet që bota e qytetëruar vendosi pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore”, theksoi Pendarovski.

Në këtë kuptim, siç theksoi ai, bllokada në të cilën ndodhet Këshilli i Sigurimit si organi kryesor i OKB-së, i cili synon ruajtjen dhe promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, është nxitur pikërisht nga mosrespektimi dhe, do të thoja, edhe anashkalimi i ndërgjegjshëm i parimeve bazë të rendit ndërkombëtar.

“Është e qartë se kjo bllokadë zvogëlon besueshmërinë dhe besimin e njerëzve se Kombet e Bashkuara mund të arrijnë efektivisht objektivin kryesor për të cilin u krijua gati tetë dekada më parë. Pa një alternativë të besueshme në perspektivën e rendit ndërkombëtar aktual, i cili do të ketë mbështetjen e shumicës së kombeve, është e kuptueshme pse zhgënjimi i njerëzve nga mosveprimi i OKB-së po bëhet më i fortë”, theksoi kreu i shtetit maqedonas.

Është e qartë, shtoi Pendarovski, se bota bashkëkohore është shumë e ndryshme nga bota e vitit 1945 dhe Këshillit i Sigurimit të OKB-së duhet të përballet dhe të jetë në harmoni me këtë realitet të ri.

“Në kuadër të debateve aktuale për reformën eventuale të organit kryesor të OKB-së, duhet të shqyrtohet tërësisht çështja e vetos së anëtarëve të përhershëm, veçanërisht kur njëri prej tyre është i përfshirë në konflikt”, shtoi presidenti.

Sipas tij, detyra më urgjente e Këshillit të Sigurimit është që të angazhohet në mënyrë aktive për përfundimin e luftës në Ukrainë. E vetmja mënyrë për të arritur këtë qëllim është përmes diplomacisë dhe negociatave, bazuar në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

“Për këtë, hapi i parë duhet të jetë një armëpushim i menjëhershëm dhe pa kushte, që të krijohet ambient për fillim të negociatave. Gjatë gjithë procesit, Kombet e Bashkuara duhet të krijojnë një mision paqeruajtës me detyrë kryesor për të mbikëqyrë armëpushimin dhe ndihmën humanitare për civilët”, tha presidenti.

Pendarovski theksoi se komponentët kryesorë të marrëveshjes së ardhshme paqësore duhet të jenë, së pari, respektimi i plotë i integritetit territorial të Ukrainës, tërheqja e plotë e trupave ruse, mundësimi i kthimit të të gjithë refugjatëve, mbështetje e madhe për rindërtimin pas konfliktit të vendit të shkatërruar dhe garanci ndërkombëtare për të drejtat e të gjitha komuniteteve etnike dhe fetare që jetojnë në Ukrainë për shekuj me radhë.

“Lufta në Ukrainë ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e organizatës botërore, por ofron, gjithashtu, një mundësi të jashtëzakonshme për Këshillin e Sigurimit që të veprojë në përputhje me partimet e Kartës së OKB-së dhe të ndihmojë të kthehet besimi i njerëzve në Kombet e Bashkuara si një organizatë e domosdoshme globale”, theksoi Pendarovski.

Rajoni

Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.

Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.

Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.

Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.

Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.

Continue Reading

Aktualitet

Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit

Published

on

By

Trupi Gjykues në rastin e madh të Speciales ku po gjykohen krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, e përkrahur edhe nga mbrojtja e Selimit, se Prokuroria nuk duhet të dorëzojë apo zbulojë materiale të tjera, cilado qofshin ato, që nga momenti i mbylljes së çështjes gjyqësore – 18 shkurt 2026.

Sipas Trupit Gjykues, Prokuroria me materialet që ia ka komunikuar gjyqtarëve në sistemin e brendshëm të punës më 4 dhe 10 mars 2026, respektivisht më 4 mars ka dorëzuar katër materiale dhe gjashtë ditë më vonë edhe një material tjetër, nuk janë prova të reja në proces, raporton Klan Kosova.

“Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli. Zbulimi i provave nuk i është komunikuar gjykatës për qëllime të pranueshmërisë por si njoftim për palën e kundërt, pjesëmarrësit dhe Panelin”, thuhet në vendimin e Charles Smith.

“Paneli gjithashtu nuk sheh ndonjë meritë në argumentin e Mbrojtjes se, me mbylljen e rastit, interesi legjitim i Panelit në mbikëqyrjen e detyrimeve të zbulimit, siç përcaktohet në vendimin e kornizës ligjore, nuk vlen më”.

Mbrojtja e Hashim Thaçit i konsideroi materialet e dorëzuara javë pas mbylljes së rastit, të padrejta dhe të papranueshme. Sipas kryembrojtësit të Thaçit, Luka Misetiq, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në këtë fazë, përfshirë materiale që ZPS i sheh si inkriminuese në procese tjera, mohojnë të drejtën e Thaçit për një proces kundërshtues. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Vendi

Zhvilloni të ardhmen e turizmit modern përmes vizionit akademik të UBT-së

Published

on

By

Misioni i Fakultetit të TurizmitUBT është përqendruar në aplikimin e përsosmërisë në mësimdhënie dhe kërkime shkencore, duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës ku studenti është në qendër të vëmendjes për t’u përgatitur si udhëheqës i ardhshëm në biznes, shërbime publike dhe industri.

Ky program studimi ofron njohuritë më të avancuara në të gjitha dimensionet e turizmit, duke ndërthurur ekspertizën ndërkombëtare me nevojat e tregut lokal për të rritur bashkëpunimin midis studentëve, stafit akademik dhe komunitetit.

UBT, gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi për Diplomë të Dyfishtë (Double Degree) me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.

Përmes një natyre të fokusuar aplikative, programi synon formimin e specialistëve të mirëfilltë të cilët pajisen me aftësi të thelluara zbatuese për të garantuar një karrierë të suksesshme profesionale në një mjedis ekonomik gjithnjë e më kompleks.

Gjatë rrugëtimit akademik, studentët zhvillojnë kuptim kritik mbi teoritë ekonomike, mësojnë të përdorin teknologjinë e informacionit në dizajnimin e organizatave turistike dhe fitojnë aftësi inovative për zgjidhjen e problemeve të paparashikuara në këtë fushë.

Një nga pikat më të forta të këtij programi është lidhja e ngushtë me sektorin e industrisë, përfshirë hotelierinë, gastronominë dhe agjencitë turistike, çka siguron që kurrikula t’u përgjigjet plotësisht nevojave reale të tregut të punës.

Studentët përgatiten të menaxhojnë projekte komplekse, të kuptojnë pozicionin financiar të bizneseve turistike dhe të zbatojnë procedurat e menaxhimit të rreziqeve në operacionet e përditshme.

Për të mbështetur zhvillimin e gjeneratave të reja, UBT ofron mundësi të shkëlqyera financiare, duke përfshirë një bursë prej 20% për tre vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen në këtë fakultet.

Kjo mbështetje, e kombinuar me transferimin e njohurive dhe nxitjen e krijimtarisë, bën që të diplomuarit në Turizëm të jenë të gatshëm të marrin role udhëheqëse dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin arsimor, kulturor dhe ekonomik të vendit dhe rajonit.

Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi ratifikon shtatë marrëveshje ndërkombëtare

Published

on

By

Në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës pas një pauze rreth njëmujore, deputetët ratifikuan shtatë marrëveshje ndërkombëtare nga 12 sa ishin paraparë në rendin e ditës.

Në sallë ishin të pranishëm 81 deputetë, të cilët votuan pro shtatë marrëveshjeve të para. Mirëpo, seanca u përcoll me debate dhe largime, pasi deputetët e PDK-së lëshuan sallën në fillim të punimeve, meqë u refuzua kërkesa e tyre që draft-rezoluta për mbrojtjen e të vërtetës historike të vendosej si pikë e parë e rendit të ditës.

Nga ana tjetër, edhe pse ishin në sallë, deputetët e Listës Serbe nuk votuan as për prezencë e as për marrëveshjet në fjalë.

Ndërkaq, katër marrëveshjet e mbetura nuk u votuan nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me arsyetimin se ato kishin nevojë për shqyrtim paraprak.

Ndër vendimet më të rëndësishme që kaluan këtë të enjte ishte edhe marrëveshja e kredisë prej 33 milionë eurosh ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, e dedikuar për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Marrëveshjet e ratifikuara:

  • Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.
  • Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018.
  • Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017.
  • Marrëveshja e kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.
  • Marrëveshja e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike.
  • Marrëveshja e kredisë “Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
  • Marrëveshja e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.

Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë me Bankën Evropiane për Investime, shkon në 121 milionë euro.

Continue Reading

Të kërkuara