Lajmet

Peci: Të gjitha vërejtjet e auditorit janë adresuar për 6 muaj

Në kuadër hartimit të Programit të Pagesave Direkte, ai ka treguar se aty kanë përfshirë edhe kriteret e reja për subvencionim e kulturave bujqësore.

Published

on

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar Mbikëqyrjen e Financave Publike, për të prezantuar të gjitha veprimet që ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe të këtij viti për të adresuar të gjeturat e Raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit për MBPZhR-në për vitin 2020.

Siç njofton kumtesa ministrore, Peci i ka njoftuar anëtarët e këtij komisioni se pas pranimit të Raportit të Auditorit i ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të adresuar të gjeturat e tij përmes hartimit të planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

”Unë si Ministër, kam marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të adresuar të gjeturat e auditorit dhe i kam zbatuar në bazë të rekomandimeve që kanë dalë, për vetëm 6 muaj si titullar i këtij dikasteri. Një ndër këto janë edhe obligimet e krijuara në MBPZhR dhe në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, ku kam kërkuar që të gjitha ato obligime, të cilat janë të harmonizuara me procedura ligjore të realizohen. Krahas kësaj kam kërkuar nga përgjegjësit në ministri dhe në të dy agjencitë, që t’i ndjekin të gjitha procedurat për shpenzimin e parasë publike. Shtuar kësaj ju njoftoj se kam themeluar Task Forcën për verifikimin e të gjitha lëndëve të cilat kanë qenë për pagesë dhe të gjitha këto lëndë janë verifikuar”, ka thënë Ministri Peci.

Ndërkaq, ai ka theksuar se ka ndërmarrë veprime konkrete për të adresuar rekomandimet e Auditorit edhe sa i përket hartimit të kritereve dhe planifikimit të buxhetit për Programin e Pagesave Direkte, duke pasur për bazë të gjeturat që ishin dhënë për këtë program edhe sa i përket mospërputhjes së tij me planifikimet buxhetore. Në kuadër hartimit të Programit të Pagesave Direkte, Ministri Peci ka treguar se aty kanë përfshirë edhe kriteret e reja për subvencionim e kulturave bujqësore, të cilat po ashtu ishin të gjetura të Auditorit.

“Në Programin e Ri për vitin 2021, si kriter kemi vendosur që kontratat të jenë të noterizuara në sipërfaqe mbi 10ha duke e lënë të hapur mundësinë e aplikimit pa kontratë në noterizuar për sipërfaqe nën 10ha. Ndërsa për të gjithë ata që e dëshmojnë linjën e gjakut, nuk kemi kërkuar kontratë e kjo është bërë duke pasur parasysh problemet pronësore të cilat ekzistojnë tek ne”, tha Ministri Faton Peci.

Mes tjerash, Ministri Faton Peci para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka treguar se rekomandimet e Auditorit i ka adresuar edhe në institucionet të cilat funksionojnë në kuadër të MBPZhR-së, siç është Instituti Bujqësor i Kosovës dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Agjencia Pyjore e Kosovës.

Lajmet

Dita e gjashtë, protestat vazhdojnë edhe sonte në Prishtinë

Published

on

Protestat në Prishtinë kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë edhe sonte.

Qytetarët janë ftuar të mblidhen në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 21:00. Protesta është pjesë e tubimeve të njëpasnjëshme të mbajtura pas aktgjykimit të 16 shtatorit.

Thirrja për protestën e sotme është bërë me moton “Shihemi n’21:00 n’shesh”, ndërsa tubimet e ditëve të kaluara kanë mbledhur qytetarë në qendër të Prishtinës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestave të mëparshme situata ka qenë kryesisht e qetë dhe ka bërë thirrje për respektimin e ligjit, pronës publike e private dhe rregullave të trafikut./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pettifer: Pas Hagës, Kosova duhet ta rishikojë raportin me misionet ndërkombëtare

Published

on

By

Kosova duhet ta rishikojë raportin me misionet ndërkombëtare pas aktgjykimit të Hagës, thotë historiani britanik, James Pettifer, duke vënë në pikëpyetje nëse misione si EULEX-i kanë ende rol në vend.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Pettifer, ligjërues i Historisë së Ballkanit në St Cross College, Universiteti i Oksfordit, thotë se Kosova nuk duhej ta refuzonte krijimin e Dhomave të Specializuara, por duhej të negocionte ndryshe kushtet mbi të cilat ato u themeluan.

Ai argumenton se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së mund ta vështirësojë edhe më tej pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve, ndërsa bën thirrje që reagimi ndaj tij të jetë politik dhe institucional.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13 vjet për krime lufte.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje për respektimin e aktgjykimit.

Në Kosovë, të dielën u zhvilluan protesta kundër vendimit për të pestën natë me radhë, ndërsa, të hënën, protestuan edhe studentët.

Partia Demokratike e Kosovës, e mbështetur edhe nga Aleanca, çoi në Kuvend nismën për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Pettifer, aktgjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët është tashmë është një fakt juridik, pavarësisht se si është pritur në Kosovë. Çfarë mund të bëjë Kosova në këtë pikë – politikisht dhe institucionalisht?

James Pettifer: Mendoj se ka mjaft mundësi. Natyrisht, aktgjykimi është aty dhe procesi i apelit do të nisë. Edhe pse nuk e dimë se çfarë forme do të marrë dhe as sa do të zgjasë, ai proces do të vazhdojë pavarësisht gjithçkaje.

Por, mendoj se natyra e kësaj ngjarjeje është shumë serioze për Kosovën dhe se marrëdhëniet e zakonshme diplomatike dhe politike duhet të rishikohen.

Radio Evropa e Lirë: A mund të shpjegoni më hollësisht se çfarë mendoni se duhet të bëhet?

James Pettifer: Është e qartë se marrëdhënia me NATO-n është thelbësore dhe ajo nuk duhet të përfshihet në këtë çështje. Dhe, mësa di unë, NATO-ja nuk ka qenë e përfshirë në asnjë mënyrë në procesin e Dhomave të Specializuara.

Por, situata me Evropën është krejt ndryshe. Siç ndoshta e keni parë edhe në X dhe në rrjete të tjera sociale, shumë njerëz me përgjegjësi mendojnë se organizata si EULEX-i, OSBE-ja dhe të tjera duhet të mbyllen. Ato i përkasin së kaluarës.

Personalisht, mendoj se ky është drejtimi i duhur, veçanërisht sa i përket misionit të EULEX-it.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ky është një opsion i mundshëm?

James Pettifer: Po. Kosova është shtet sovran dhe i njohur. Dua të them se – mësa e kuptoj unë – këta njerëz janë në Kosovë vetëm me pëlqimin e Qeverisë.

NATO-ja është në një pozitë tjetër, por, siç e thashë, NATO-ja nuk ka qenë e përfshirë në procesin [e Dhomave të Specializuara].

Por, veçanërisht sa i përket EULEX-it, nuk shoh arsye përse duhet të vazhdojë, kur qartazi është një mjet për interesat e Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni thënë se Kosova ishte naive që bashkëpunoi me Dhomat e Specializuara. Çfarë duhej të kishte bërë ndryshe?

James Pettifer: Mendoj se këtë e ka vënë në dukje edhe Dr. Daniel Serwer në Uashington, i cili, prej kohësh, është njohës i rajonit dhe i Kosovës. Ai ka bërë një analizë shumë të mirë të mënyrës se si u përcaktuan kushtet fillestare të funksionimit të Dhomave të Specializuara – në një formë që nuk parashihte asnjë kontroll nga Qeveria [e Kosovës].

Kështu, në praktikë, Dhomat e Specializuara mund të manipuloheshin nga interesa të jashtme.

Radio Evropa e Lirë: Por, a mendoni se kishte ndonjë alternativë reale për një vend aq të varur nga mbështetja perëndimore? A mund të kishte thënë Kosova “jo”?

James Pettifer: Nuk ishte e nevojshme të thoshte “jo”. Duhej të negocionte në mënyrë profesionale se cilat do të ishin kushtet.

Unë isha në favor të përfshirjes së një tribunali për krimet e luftës, sepse të gjitha vendet e tjera të rajonit e kishin një të tillë dhe nuk do të ishte e përshtatshme që Kosova të mos e kishte.

Por, kjo u bë në një mënyrë që nënkuptonte se Kosova nuk kishte kontroll mbi procesin, dhe ky problem daton që nga fillimi.

Unë ua kam vënë në dukje këtë edhe diplomatëve të Kosovës në Londër, por ata nuk kanë menduar njësoj.

Nuk besoj se e kuptonin vërtet se cili mund të ishte problemi.

Radio Evropa e Lirë: Pra, shikuar nga kjo perspektivë, a e keqkuptoi Kosova atë për të cilën po pajtohej kur e themeloi Gjykatën… apo thjesht nuk kishte zgjidhje?

James Pettifer: Jo, nuk mendoj se çështja ishte nëse Kosova duhej ta refuzonte Gjykatën. Nuk ishte ky problemi. Çështja ishte nëse ajo ishte krijuar mbi baza të drejta dhe profesionale.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni thënë, gjithashtu, se ky aktgjykim mund ta kthejë shumë prapa procesin e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve. A mund të bëjë diçka Kosova tani për ta parandaluar këtë?

James Pettifer: Jo, nuk mendoj se mundet. Verdikti tashmë është marrë dhe, siç besoj se e keni parë, në Kosovë ka protesta të mëdha kundër tij.

Kjo do ta bëjë shumë të vështirë – ndoshta edhe të pamundur – arritjen e çfarëdo kompromisi me Serbinë për çështje të caktuara.

Radio Evropa e Lirë: Por, procesi i pajtimit po haste në vështirësi të mëdha edhe para këtij aktgjykimi. Pse mendoni se ky vendim do ta përkeqësojë edhe më shumë situatën?

James Pettifer: Sepse ekziston përshtypja se bashkësia ndërkombëtare nuk është neutrale. Kjo është një gjykatë ndërkombëtare dhe, sidomos për shkak të gjatësisë së dënimeve dhe cilësisë shumë të dobët juridike të disa pjesëve të aktgjykimit, njerëzit nuk do ta respektojnë atë.

Dhe kjo, mendoj, do të ndikojë shumë edhe në proceset normale diplomatike.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni shkruar gjerësisht për origjinën dhe zhvillimin e UÇK-së. A ndryshon ky aktgjykim diçka në mënyrën se si do ta shkruanit sot historinë e saj?

James Pettifer: Ky aktgjykim është pjesë e historisë. Por, nuk mendoj se mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje derisa të publikohet teksti i plotë i procesit gjyqësor, dhe në veçanti ajo që ka ndodhur në seancat e mbyllura.

Gjykata, gjithashtu, duhet t’i bëjë të ditura burimet mbi të cilat i ka mbështetur pretendimet e saj, të cilat, në shumë raste, mësa kam mundur të shoh gjatë procesit gjyqësor, nuk janë dhënë.

Radio Evropa e Lirë: Por, sa peshë duhet të ketë ky aktgjykim në mënyrën se si kuptohet dhe kujtohet lufta në Kosovë?

James Pettifer: Nuk mendoj se duhet të ketë fare peshë, veçanërisht sepse nuk ka të bëjë me vetë luftën.

Natyrisht, ky është një sulm ndaj UÇK-së – gjë që serbët dhe rusët e kanë dashur gjithmonë. Fillimisht u përpoqën përmes akuzave të pabaza të Dick Martyt. Për fat të mirë, ato akuza nuk çuan askund në sistemin gjyqësor.

Por, më pas u gjetën akuza të tjera, të cilave mund t’u jepej më shumë peshë.

Radio Evropa e Lirë: Njëzet e shtatë vjet pas luftës, a ka bërë Kosova mjaftueshëm për ta dokumentuar historinë e vet?

James Pettifer: Mendoj se ka bërë një punë mjaft të mirë. Është botuar shumëçka që prej kohës kur e shkrova librin tim, i cili u botua gati 20 vjet më parë. Mendoj se ai u botua si një lloj historie e përgjithshme e UÇK-së.

Sot dihet shumë më tepër për çështje të caktuara, por nuk mendoj se ajo që kam parë, e ndryshon argumentin themelor: se, në rrethanat e asaj kohe, një lëvizje e armatosur e rezistencës ishte e pashmangshme dhe ishte pjesë e asaj që prodhoi kriza në Jugosllavi.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, për fund, sikur ta këshillonit Kosovën sot, cilat janë dy ose tri gjërat që duhet t’i bëjë dhe cilat janë ato që duhet t’i shmangë?

James Pettifer: Mendoj se duhet shmangur dhuna, sepse dhuna në rrugë do t’i dobësonte shumë argumentet morale kundër këtij procesi gjyqësor, që unë e konsideroj të padrejtë. Por, natyrisht, protestat janë të rëndësishme dhe shpresoj të jenë të mëdha.

Megjithatë, mendoj se çështja kryesore është se çfarë do të bëjë Qeveria e Kosovës. Reagimi i [kryeministrit], zotit [Albin] Kurti, më duket disi i dobët. Do të shohim se çfarë do të bëjë konkretisht. Është ende herët, por Qeveria duhet ta trajtojë çështjen e legjitimitetit të organizatave si EULEX-i dhe nëse ato vazhdojnë të jenë të nevojshme në Kosovë.

Mendoj se shumica dërrmuese e njerëzve, ndoshta edhe disa serbë të Kosovës, do të donin t’i shihnin këto misione të përfundonin.

Kjo, mendoj unë, është çështja kryesore me të cilën duhet të përballet zoti Kurti.

Nëse OSBE-ja ka ende ndonjë rol të dobishëm, nuk e di. Nga sa di unë, duket se është një organizatë shumë e kushtueshme, e cila në shumicën e rasteve mbledh të dhëna që tashmë i dimë shumë mirë. Pra, të gjitha këto çështje mund të rishikohen.

Por, për këtë do të nevojitet një qëndrim i qartë dhe i bashkuar. Siç kam shkruar edhe në X, është e rëndësishme që elita e Kosovës të punojë së bashku dhe të zhvillojë politika të forta dhe të përbashkëta ndaj këtyre organizatave. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Një cisternë goditet nga një predhë në Ngushticën e Hormuzit

Published

on

By

Një anije që po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit u godit “nga një predhë e panjohur”, duke plagosur dy anëtarë të ekuipazhit, tha një agjenci britanike detare.

“Autoritetet ushtarake kanë unformuar UKMTO-in se një cisternë që po kalonte u godit nga një predhë e panjohur”, tha agjencia e Mbretërisë së Bashkuar për Operacione Tregtare (UKMTO) më 21 shtator.

Sipas kësaj agjencie, dy anëtarë të ekuipazhit kanë pësuar lëndime të lehta dhe “raportohet se anija ka vazhduar lundrimin drejt portit më të afërt”.

“Anijet këshillohen të kalojnë me kujdes dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë te UKMTO-ja”, paralajmëroi agjencia.

Njoftimi vjen një ditë pasi kryenegociatori iranian, njëherësh kreu i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, tha se Teherani ia ka përcjellë, përmes ndërmjetësve, Uashingtonit kushtet për përfundimin e bllokadës në Ngushticën e Hormuzit.

“Mesazhi ynë dhe shpjegimi qartësisht i është dërguar palës tjetër përmes ndërmjetësve”, tha ai për televizionin shtetëror iranian.

Ai shtoi se Ngushtica e Hormuzit nuk do të rikthehet në statusin para se të nisnin negociatat derisa Uashingtoni të plotësojë kushtet e Iranit dhe të përmbushë zotimet e tij.

Ngushtica e Hormuzit është rrugë kyç për dërgesat detare pasi para se të niste lufta në fund të shkurtit mes Iranit dhe SHBA-së, nëpër këtë rrugë ujore kalonte rreth një e pesta e dërgesave botërore të naftës dhe gazit. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

“Uta në Sharr”, filmi i animuar shfaqet në Prishtinë dhe Prizren

Published

on

Filmi i shkurtër i animuar “Uta në Sharr”, i bazuar në librin me të njëjtin titull, do të shfaqet më 22 shtator në Kino ARMATA në Prishtinë dhe më 23 shtator në Dokukino në Prizren.

Shfaqjet do të mbahen në orën 17:30, 18:00 dhe 18:30, ndërsa hyrja është falas. Për shkak të kërkesës së madhe, pjesëmarrësit duhet të rezervojnë biletat paraprakisht.

Filmi, i cili zgjat 10 minuta, sjell në ekran bukuritë natyrore të Kosovës dhe e përdor natyrën si hapësirë për bashkim dhe mirëkuptim mes komuniteteve.

Në qendër të tregimit janë Uta dhe Deltari, të cilët udhëtojnë nëpër malet e Sharrit, duke i ftuar fëmijët të zbulojnë këtë botë së bashku, pavarësisht komunitetit nga i cili vijnë.

Animacioni është realizuar nga Anibar Studios, ndërsa skenari dhe tregimi janë të Tuba Safçiut. Kënga “Uta në Sharr” është kompozuar, shkruar, interpretuar dhe prodhuar nga Arbër Salihu (La Fazani), me vokal nga Lisa Zuka.

Projekti është pjesë e nismës “Uta në Sharr – Edukim Gjithëpërfshirës dhe Ndërgjegjësim Mjedisor përmes Tregimit të Historive, Animacionit dhe Mësimit në Natyrë”, e financuar nga Sida përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë dhe e zbatuar në partneritet me Save the Children Kosova/o.

Nisma po zbatohet në 12 komuna të Kosovës dhe synon të promovojë edukimin gjithëpërfshirës, ndërgjegjësimin mjedisor dhe tregimin e historive për fëmijët dhe të rinjtë nga komunitete të ndryshme./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara