Lajmet

Peci: Po tentohet futja e islamit politik përmes institucioneve shtetërore

Ai ka treguar se çfarë sipas tij, qëndron pas kërkesës për lejimin e shamisë në shkolla.

Published

on

Drejtori ekzekutiv i Institutit “Kipred”, Lulzim Peci ka thënë se fushata e nisur së fundmi që në shkolla të lejohet bartja e shamisë, ka për qëllim që të fusë islamin politik përmes institucioneve shtetërore.

Peci përmes një statusi në Facebook ka thënë se shpreson që Qeveria e Kosovës nuk do të ndryshojë udhëzimin administrativ, i cili siç ka thënë ai, e ndalon bartjen e uniformës fetare – shamisë në shkolla.

“Shpresoj se Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë një gabim madhor duke e ndryshuar udhëzimin administrativ që ndalon bartjen e uniformës fetare – shamisë në shkolla, pasi me këtë karakteri sekular i vendit tonë do të goditet në themel, e me këtë edhe shtylla mbajtëse e identitetit shqiptar në vendin tonë”, ka shkruar ai.

Ai ka treguar se çfarë sipas tij, qëndron pas kërkesës për lejimin e shamisë në shkolla.

“Së pari duhet të shtrohet pyetja se çfarë agjende janë duke shtyrë ata që po e kërkojnë këtë gjë? A kemi këtu të bëjmë me të drejtat e njeriut, apo me atë që e ka emrin e vërtetë – futjen e islamit politik përmes derës së vogël në institucionet shtetërore? Unë jam i bindur që ka te bëjë me të dytën, që në thelb ka të bëjë me ndryshimin e karakterit sekular të Kosovës që do ta shkatërroj kohezionin shoqëror të popullit tonë. Këto çfarë po them, nuk janë hamendje, por është një bindje e ndërtuar nga hulumtimet në terrene të zhvilluara në vitet e fundit në shumë pjesë të Kosovës. Kjo agjende e shami-kërkuesve është afatgjate, dhe për çka gjeneratat e ardhshme, përmes transformimit të së cilave mëtohet të ndërrohet karakteri shoqëror dhe politik i vendit dhe popullit tonë. Ajo në thelb ka për qëllim trasimin e një agjende anti-perëndimore që është në kundërshtim me vetë bazamentin e civilizimit evropian të popullit shqiptar, dhe atë që përmes premisave te “vëllazërisë muslimane” ta metastazojë ideologjinë e ‘umasë muslimane’ që tani ka marrë përmasat e një ‘kombi global’, që nuk i njeh identitetet nacionale të kombeve të ndryshme”, ka thënë Peci.

Sipas tij, agjenda e shami-kërkuesve është afatgjatë, anti-perëndimore dhe në kundërshtim me vetë bazamentin e civilizimit evropian të popullit shqiptar.

“’Umaja muslimane’ tanimë është duke zënë rrënjë tek gjeneratat e reja. Një numër i konsiderueshëm i te rinjve i konsideron më të afërt myslimanët e një vendi te largët islam, si p.sh. Indonezisë, që kurrë nuk i kane takuar ne jetën e tyre, sesa një shqiptar të konfesionit tjetër, apo ateist”, ka shkruar Peci mes tjerash.

Sipas tij, me këtë agjendë, do t’i plotësohen të gjitha dëshirat Serbisë dhe armiqve të tjerë të Kosovës.

“Me këtë agjendë, do i plotësohen të gjitha dëshirat Serbisë dhe armiqve të tjerë të Kosovës, ashtu si iu janë plotësuar dëshirat Rusisë ndaj Çeçenisë, që nga një popull me nacionalizëm sekular, kur ishin nën udhëheqjen e gjeneralit Dudajev, dhe pothuajse e kishin pavarësinë në dore, u shndërruan në vasal të ndytë të Rusisë nën udhëheqjen e radikalit islamik Kadyrovit, që bashkëjeton me ortodoksinë ruse, dhe lufton kundër Ukrainës pro-perëndimore”, ka shkruar ai.

Drejtori i KIPRED-it ka thënë po ashtu se asnjë nga vendet islame nuk e konsideron armik Rusinë e Putinit, ndërsa ata e respektojnë mbrojtjen amerikane, kryesisht prej frikës që e kanë nga Irani.

“Prandaj, duhet ta vëmë gishtin në kokë, dhe të mos e shkatërrojmë të ardhmen e vendit dhe të popullit tonë, që e ka arritur lirinë dhe pavarësinë me shumë sakrifica dhe me ndihmën kyçe të perëndimit, aty ku e kemi edhe vendin si popull me civilizim evropian”, ka përfunduar ai. 

Lajmet

Oda Ekonomike Amerikane: Gazi amerikan duhet të bëhet prioritet strategjik për Kosovën

Published

on

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që qasjen në gazin e lëngshëm natyror (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zhvillimin e infrastrukturës përkatëse ta trajtojë si prioritet strategjik kombëtar.

Sipas Odës, një orientim i tillë do të kontribuonte në forcimin e sigurisë energjetike të vendit, por edhe në thellimin e bashkëpunimit strategjik me SHBA-në.

Në reagim theksohet se sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet kryesisht në termocentralet me linjit dhe në importin e energjisë elektrike, çka sipas tyre paraqet barrë për ekonominë dhe rrit ndjeshmërinë ndaj luhatjeve të tregut.

Oda Amerikane vlerëson se zhvillimi i infrastrukturës së gazit dhe integrimi në rrjetet rajonale të LNG-së do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve energjetike, uljen e kostove të importit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës.

Po ashtu, theksohet se vendet e rajonit tashmë po pozicionohen në korridoret e reja energjetike, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet jashtë këtyre zhvillimeve nëse nuk vepron me kohë.

Në fund, Oda Amerikane i bën thirrje institucioneve që të ndërmarrin hapa konkretë drejt integrimit në infrastrukturën rajonale të gazit, duke paralajmëruar se mosveprimi mund të rrisë cenueshmërinë energjetike të vendit.

Continue Reading

Lajmet

“Dardanet” luajnë sot ndaj Kroacisë në “Fadil Vokrri”

Published

on

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të femrave, “Dardanet”, do të zhvillojnë sot ndeshje miqësore ndaj Kroacisë.

Takimi nis nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pritet të sjellë atmosferë sportive në kryeqytet.

Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në Art Sport, ndërsa hyrja në stadium është falas.

Organizatorët kanë bërë thirrje për mbështetje nga tifozët, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes së përfaqësueses së Kosovës në futboll të femrave.

Continue Reading

Lajmet

GAP: Rritje 19% e të hyrave të komunave nga tatimi në pronë në vitin 2025

Published

on

Instituti GAP ka publikuar të dhëna lidhur me të hyrat e komunave nga tatimi në pronë, duke bërë të ditur se ato kanë shënuar rritje të ndjeshme në vitin 2025 krahasuar me një vit më parë.

Sipas GAP-it, të hyrat totale të komunave nga tatimi në pronë janë rritur për 19 për qind në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024, duke arritur në 39.1 milionë euro.

“Të hyrat totale të komunave nga tatimi në pronë janë rritur për 19% në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024, duke arritur në 39.1 milionë €”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të publikuara, komunat me rritjen më të madhe përqindore gjatë vitit 2025 janë Podujeva, Suhareka, Viti, Istogu dhe Gjilani.

Ndërkohë, rëniet më të theksuara janë shënuar në komunat Deçan, Kaçanik, Mamusha dhe Partesh.

GAP po ashtu thekson se në periudhën 2022–2025, disa komuna kanë shënuar luhatje në inkasimin e tatimit në pronë, ndërsa të tjera kanë arritur ta dyfishojnë këtë kategori të të hyrave brenda kësaj periudhe.

Continue Reading

Lajmet

Rama në CNN: Nuk ka projekt për Zvërnecin, debat i ashpër me gazetaren gjatë intervistës

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për CNN International është pyetur për çështjen e investimit të planifikuar në Zvërnec.

Gjatë bisedës, Rama përsëriti se për momentin nuk ekziston asnjë projekt konkret për zonën e Zvërnecit, duke theksuar se çështja është sqaruar edhe më herët. Intervista u shoqërua me replika mes tij dhe gazetares, ku në një moment diskutimi u tensionua.

Gazetarja i tha Ramës se “nuk është nevoja të jesh i parespektueshëm”, pasi ai reagoi me tone më të ashpra gjatë debatit.

Kryeministri insistoi se hetimet e përmendura nuk lidhen me korrupsion, por kanë të bëjnë me verifikimin e pronësisë së tokave në atë zonë.

Në një moment të debatit u zhvillua edhe ky shkëmbim:

Rama: Doni të më dëgjoni apo doni vetëm të flisni?
Gazetarja: Dua t’ju dëgjoj, por po përpiqem të sqaroj për shikuesit tanë. Ju po na akuzoni për lajme të rreme dhe po përpiqem të kuptoj nëse projekti vazhdon apo është ndalur…
Rama: Përsëri, ju nuk doni të dëgjoni. Është shumë e qartë për mua. Nuk po ju sulmoj. Po ju them të vërtetën. Dhe derisa të më tregoni projektin, duhet të më dëgjoni, sepse nuk ka projekt.

Continue Reading

Të kërkuara