Lajmet

​PDK kërkon nga Kushtetuesja vlerësim për Ligjin për Fondin Sovran

Published

on

Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran.

Ndërsa, avokati Faton Fetahu tha se deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së qysh në fillim kanë paralajmëruar se një nismë e tillë është jokushtetuese, pasi disa ndërmarrje do t’i nënshtrohen kësaj ndërmarrje, duke krijuar kështu pabarazi juridike dhe ekonomike.

Deputeti i PDK-së Ferat Shala tha se Qeveria po orvatet që me ligje të tilla diskriminuese e të pabarabarta të kapë resurset, asetet dhe ndërmarrjet të cilat de fakto dhe de jure i menaxhon vet.

“Ne sot po fillojmë këtë proces juridik dhe jemi të bindur që do të duhej të kthehej dhe të suprimohej ky ligj tashmë i miratuar në kuvend dhe t’i kthehemi normalitetit ekonomik të vendit, sepse kjo qeveri po orvatet që me ligje të tilla diskriminuese të pabarabarta të kapë resurset, asetet dhe ndërmarrjet, të cilat de fakto dhe de jure i menaxhon vet. Dështimet ekonomike që ka arritur në këto tri vite në këtë ndërmarrje tash po orvaten të vendos një super strukturë menaxhuese për të krijuar pabarazi dhe për të hapur linja tjera të kontrollit mbi këto asete” tha Shala

Shala theksoi se ekipi menaxhues i Fondit Sovran mbi bazën e rregulloreve të parapara, do të rregullojë fatin e mijëra punëtorëve të industrisë së rënë, Trepçës, KEK-ut, PTK-së dhe hekurudhave, i cili sipas tij, do të lë mijëra punëtorë pa asnjë kujdesie ligjore.

“Një ligj që suprimon dhjetëra ligje, len me mijëra punëtorë pa asnjë kujdesie ligjore, nën mëshirën e një ekipi menaxhues të Fondit Sovran që mbi bazën e rregulloreve të parapara do të rregullojë fatin e mijëra punëtorëve së industrisë së rënë, të Trepçë , të KEK-ut, të PTK-së dhe hekurudhave”, shtoi ai.

Ndërsa, avokati i PDK-së, Faton Fetahu tha se 11 nene të këtij ligji janë të papajtueshme më së paku me 7 nene të Kushtetueses, dhe i tillë është edhe neni i cili flet për rolin investues të Fondit Sovran, Ai tha se Qeveria në këtë mënyrë krijon monopol në treg , sepse Fondi Sovran do të zgjedhë dy ndërmarrje private sipas dëshirës së tij , pa kushte dhe pa kritere do të investojë dhe në raport me këtë do të ketë diskriminime.

“Në tërësi kemi evidentuar, kemi vlerësuar se 11 nene të këtij ligji janë të papajtueshme me të paktën 7 nene të Kushtetutës dhe i tillë është edhe neni i cili flet për rolin investues të Fondit Sovran, si dhe krijimin e ndërmarrjeve, të cilat janë si ndërmarrje private, të cilat do t’i mbështesë Fondi. Pra, në këtë mënyrë krijon monopol në treg, sepse Fondi Sovran do të zgjedhë dy ndërmarrje private sipas dëshirës së tij, pa kushte dhe pa kritere, do të investojë , dhe në raport me to do të ketë diskriminim… një ligj i tillë rrezikon ekonominë dhe sigurinë juridike në vendin tonë”, u shpreh ai.

Ky Ligj është miratua ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, me votat e deputetëve të partisë në pushtet. /A.Shala /

Vendi

Inspektorati i Punës vazhdon aksionin: Ndalohen punimet në kantiere ndërtimi

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë një aksion të gjerë inspektues në të gjithë territorin e Kosovës, duke u fokusuar në sektorët me rrezikshmëri të lartë. Në raportin e fundit 48-orësh, i cili shënon ditën e gjashtë të këtij aksioni, fokusi ka qenë tërësisht te sektori i ndërtimtarisë, ku janë realizuar 100% e inspektimeve.

Gjatë kësaj periudhe, inspektorët kanë shqiptuar masa të menjëhershme ndaj subjekteve ku janë hasur shkelje. Çdo rast ku është urdhëruar ndalimi i punimeve, shoqërohet automatikisht me kërkesë për dënim në Gjykatën për Kundërvajtje.

Ky proces synon që të gjitha bizneset që nuk respektojnë rregullat e sigurisë dhe shëndetit në punë, të përballen me pasojat ligjore menjëherë pas përfundimit të aksionit.

Inspektorati bën me dije se në ditët në vijim do të nisin riinspektimet për të parë nëse janë eliminuar parregullsitë e konstatuara. Punimet do të lejohen të vazhdojnë vetëm atëherë kur subjektet të vërtetojnë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të përmirësuar gjendjen e sigurisë në kantiere. Ky angazhim i Inspektoratit mbetet pjesë e përpjekjeve për të garantuar një mjedis më të sigurt për të gjithë punëtorët në vend.

Continue Reading

Vendi

FINALISTËT E KUPËS SË KOSOVËS PËRCAKTOHEN PAS NDESHJEVE DRAMATIKE

Published

on

Dukagjini dhe Ferizaj kanë siguruar kualifikimin në finalen e Kupës së Kosovës, pas dy përballjeve të forta gjysmëfinale që u karakterizuan me tension dhe rivalitet deri në minutat e fundit.

Dukagjini triumfoi ndaj Ballkanit me rezultat 3-2, duke e mbyllur këtë duel me rezultat të përgjithshëm 6-2 dhe duke konfirmuar formën e mirë në fazën vendimtare të garës. Në anën tjetër, Ferizaj arriti të sigurojë finalen pas një ndeshjeje shumë të luftuar ndaj Llapit, e cila përfundoi 0-0 në kohën e rregullt. Ferizaj doli më i suksesshëm me rezultat të përgjithshëm 2-1.

Finalja e madhe e Kupës së Kosovës pritet të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një përballje që premton emocione dhe spektakël për trofeun e çmuar të garës.

Continue Reading

Vendi

Themelohet Garda për Mbrojtjen e Natyrës: Bashkëpunim kundër krimeve mjedisore

Published

on

By

Në shënim të Ditës Botërore të Tokës, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, një iniciativë që synon forcimin e bashkëpunimit mes qytetarëve dhe institucioneve.

Në një ceremoni ku morën pjesë Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit që i hap rrugë funksionalizimit të kësaj garde.

Sipas njoftimit, anëtarët e kësaj strukture do të punojnë ngushtë me Policinë e Kosovës për të parandaluar dhe trajtuar në mënyrë efikase krimet mjedisore në gjithë territorin e vendit.

Ministri Sveçla theksoi se mbrojtja e natyrës tashmë po kthehet në një angazhim të strukturuar dhe të organizuar, me qëllim ruajtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm.

Continue Reading

Lajmet

Maqedonci në Gjermani: Kosova dhe Gjermania forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka vizituar Gjermaninë ku është pritur në Ministrinë Federale të Mbrojtjes nga Sekretari i Parlamentit të Shtetit, Nils Schmid.

Gjatë këtij takimi zyrtar u diskutua për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbështetjen e vazhdueshme gjermane për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri Maqedonci vlerësoi lart kontributin e Gjermanisë në kuadër të KFOR-it dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, duke vënë theksin te rritja e ndërveprueshmërisë dhe zgjerimi i programeve për trajnime të përbashkëta.

Me këtë rast, ai shprehu mirënjohje për rolin konstruktiv të Gjermanisë dhe ritheksoi përkushtimin e Kosovës për forcimin e partneritetit strategjik dhe zhvillimin e ushtrisë sipas standardeve të NATO-s për ruajtjen e paqes në rajon.

Continue Reading

Të kërkuara