Lajmet
Pasojat për vëllezërit Kariq nga sanksionet kundër Lukashenkas
Published
5 years agoon
By
Betim GashiNjë kompleks banimi dhe i zyrave komerciale po ndërtohet në vendin ku më parë ka qenë një aeroport në Minsk të Bjellorusisë. Projekti në vlerë 3.5 miliardë dollarë vlerësohet se do të ndryshojë pamjen e kryeqytetit bjellorus. Dhjetëra ndërtesa shumëkatëshe, apartamente dhe vila me 30.000 njësi banimi janë pjesë e projektit që njihet si Minsk World.

Kompania Dana Holding, e cila merret me zbatimin e këtij projekti, e përshkruan atë si një “qytet brenda një qyteti”. Kompania e vlerëson si një nga projektet më të mëdha të pasurive të patundshme në Evropë. Ky është vetëm një nga projektet që Bjellorusia ia ka dhënë kompanisë Dana Honlding.
Qendra e kompanisë është në Qipro dhe ajo është themeluar nga familja Kariq, një familje që ishte njëra nga më të pasurat dhe më me ndikim në vitet 1990 në Serbi, kur ky vend udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviq.
Fuqia e kësaj familjeje, pas rënies së Millosheviqit, është zbehur.
Gjatë dekadës së fundit biznesmenët Kariq janë ngritur në maje të industrisë bjelloruse të pronave, duke siguruar përfitime të mëdha. Por, kritikët thonë se këtë e kanë arritur falë lidhjeve të afërta me Alyaksandr Lukashenkan, i cili që 27 vjet e qeverisë Bjellorusinë me grusht të hekurt.
Lukashenka po i shtyp me forcë protestat kundër tij që nga mbajtja e zgjedhjeve presidenciale në gusht të vitit 2020, për të cilat opozita e akuzon për mashtrime.
Familja Kariq mohon lidhjet me Lukashenkan.
Viktar Lukashenka është djali i madh i Alyaksandr Lukashenkas. Gruaja e tij, Liliya Lukashenka, renditen në mesin e 13 zëvëndësdrejtorëve të kompanisë Dana Astra, dega kryesore në Bjellorusi e kompanisë Dana Holding. Megjithatë, ajo nuk punon më në këtë kompani. Ajo aktualisht drejton një galeri arti në një qendër tregtare, që është në pronësi të Dana Holdings.
Dragomir Kariq, njëri nga anëtarët e familjes, është përzgjedhur nga Lukashenka që të jetë konsull nderi i Bjellorusisë në Beograd.
Këto lidhje tani po kërcënojnë të dëmtojnë perandorinë e pasurive të patundshme të familjes Kariq, e cila në fillim të vitit 2020 kishte më shumë se 7 milionë metra katrorë të projekteve në zhvillim në Bjellorusi dhe Kazakistan, duke përfshirë edhe projektin Minsk World.
Llogaritet se vlera në treg e këtyre projekteve mund të arrijë në 13 miliardë dollarë, sipas faqes së internetit së Dana Holdings.
Situata e fundit në Bjellorusi ka bërë që pasuritë e familjes Kariq të vihen në rrezik. Lukashenka po godet protestuesit paqësorë, të cilët kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve, në të cilat ai pretendon se ka fituar një mandat të gjashtë për të udhëhequr me vendin. Kundërshtarët e tij dhe vendet perëndimore thonë se zgjedhjet ishin të manipuluara.
Në dhjetor të vitit 2020, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj kompanisë Dana Holdings dhe një prej degëve të saj në Bjellorusi.
BE-ja e ndërlidhi këtë kompani me përfitime dhe mbështetje të regjimit të Lukashenkas.
“Të ndjesh pasojat e sanksioneve”
Edhe Shtetet e Bashkuara mund të vendosin sanksione ndaj familjes Kariq, duke e bërë të pamundur që ata t’i shmangen kufizimeve, duke regjistruar kompani të reja.
Më 24 mars në një seancë dëgjimore, kongresisti amerikan, Chris Smith, i bëri thirrje Departamentit të Thesarit dhe Departamentit të Shtetit të marrin në konsideratë vendosjen e sanksioneve ndaj disa biznesmenëve, përfshirë Dragomir Kariq, 71 vjeç dhe vëllanë e tij më të ri, Bogoljub Kariq, 67 vjeç.
Smith sërish bëri thirrje për sanksione amerikane ndaj përkrahësve të Lukashenkas pasi autoritetet bjelloruse devijuan një avion pasagjerësh të një fluturimi Athinë-Vilnius dhe e detyruan atë të ulet në aeroportin e Minskut vetëm për të arrestuar një gazetar dhe aktivist të opozitës dhe të dashurën e tij.
“Pas këtij incidenti të shëmtuar, ne duhet të rrisim qartë numrin e njerëzve në atë listë (të sanksioneve)”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ligjvënësi Smith.
“Shumë njerëz duhet të ndiejnë pasojat e sanksioneve ekonomike”, tha ai.
Më 24 maj, presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se i kërkoi administratës së tij që në bashkëpunim me BE-në dhe organizatat tjera, të përgatisnin masat e duhura për ata që janë përgjegjës për incidentin.
Para se të ndodhte incidenti me aeroplanin, Shtetet e Bashkuara kishin filluar me sanksione ndaj Lukashenkas dhe mbështetësve të tij për shkak të shtypjes së protestuesve dhe opozitës. Dhuna ka rezultuar me burgosjen e më shumë se 400 personave dhe shkelje tjera të të drejtave të njeriut.
Shtetet e Bashkuara shpallën dy raunde sanksionesh në fund të vitit 2020 kundër gati 50 zyrtarëve dhe disa entiteteve qeveritare.
Në muajin prill, Departamenti i Thesarit vendosi përsëri sanksione ndaj nëntë kompanive shtetërore bjelloruse, për të cilat tha se “financojnë dhe mbështesin” qeverinë e Lukashenkas.
Dragomir Kariq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, më 7 maj, mohoi që biznesi i tij familjar gëzon ndonjë trajtim të veçantë në Bjellorusi.
Sipas tij, ky vend ka një ekonomi të tregut dhe një konkurrencë në industrinë e ndërtimit, pavarësisht një bindjeje të gjerë se Bjellorusia ruan elementet e një ekonomie të kontrolluar të stilit sovjetik.
Lidhur me akuzat për lidhjet e tij me Lukashenkan, ai tha se ato mbase vijnë nga konkurrentët e biznesit, me qëllimin që të dëmtojnë biznesin e tij.
Ai thekson përvojën e gjatë të familjes në biznes dhe mohon se ka fituar kontrata të reja në Bjellorusi.
Dragomir dhe Bogoljub Kariq janë takuar me Lukashenkan. Ai i ka quajtur projektet e tyre “vepra të mrekullueshme”.
Vendosja e sanksioneve të SHBA-së kundër vëllezërve Kariq mund t’iu ngjallë atyre kujtime nga e kaluara.
“Kuleta” të Millosheviqit
Në vitet 1990 dhe në fillim të viteve 2000, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kishin vendosur sanksione ndaj Kariqëve për shkak të supozimeve për lidhjet e tyre me Millosheviqin. Ish-presidenti jugosllav ishte gjykuar nën akuzat për krime të luftës në Gjykatën e Hagës, por vdiq në qelinë e tij më 2006.
Pas rënies së komunizmit, familja Kariq doli në pah si një nga familjet më të pasura në Serbi.
Kjo familje kishte në pronësi kompani nga industri të ndryshme, përfshirë banka, kompani të sigurimeve, pastaj në sektorët e prodhimtarisë, telekomunikacionit, media dhe pasuri të paluajtshme. Pasuria e kësaj familjeje vlerësohej në miliarda dollarë.
Megjithatë, pasuria e tyre u reduktua si pasojë e sanksioneve perëndimore dhe përmbysjes së Millosheviqit në vitin 2000.
Në vitin 2006, Bogoljub Kariq përfundimisht u arratis në Rusi për t’iu ikur akuzave të korrupsionit, për të cilat ai thoshte se janë të motivuara politikisht.
Me vite të tëra, vëllezërit Kariq janë munduar që të “pastrojnë” emrat e tyre në Perëndim dhe të marrin viza apo pasaporta.
Ata kanë paguar avokatë, kompani dhe individë me qindra mijëra dollarë për të realizuar kërkesat e tyre në Uashington dhe Otava, kryeqytetin e Kanadasë.
Një nga përpjekjet e fundit të familjes Kariq për të rregulluar imazhin e tyre në Uashington, ishte në vitet 2009-2010 kur lobistët e paguar i paraqisnin ata në Uashington si persona “pro-perëndimor” që mbështesin kapitalizmin dhe zhvillimin ekonomik dhe që ishin kundër të asaj që ata e quanin “shkelje kundër demkracisë në Beograd”.
Derisa lobistët e tyre po shkonin vërdallë Uashingtonit, vëllezërit Kariq po afroheshin me Lukashenkan, një udhëheqës autoritar për të cilin, disa zyrtarë perëndimorë thonë se është “diktatori i fundit në Evropë”.
Pasuritë bjelloruse
Për shkak se biznesi i tyre ishte vënë nën trysni në vitet 2000, vëllerëzit Kariq filluan angazhimin për zgjerimin e biznesit të tyre në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Në fakt ata ishin aktivë në këtë rajon që nga vitet 1980.
Dragomir Kariq, i cili drejtoi bizneset e familjes në Rusi, thuhet se ftoi Lukashenkan që të marrë pjesë në një forum ekonomik në Serbi në mars të vitit 2009 dhe e shoqëroi liderin bjellorus përgjatë dy mbrëmjeve.
Që nga ajo kohë, biznesi i pasurive të patundshme të vëllezërve Kariq në Bjellorusi ka shënuar rritje të madhe, duke u bërë qendra kryesore e perandorisë së tyre të biznesit.
Lukashenka i ka shitur armë Millosheviqit pavarësisht një emborgoje të Kombeve të Bashkuara. Ai ishte i vetmi lider i huaj që vizitoi Beogradin gjatë fushatës 78-ditore të bombardimeve të NATO-s më 1999.
Përmes një dekreti presidencial, ai u ka dhënë vëllezërve Kariq të drejtat e projekteve kryesore të pasurive të patundshme.
Valer Tsapkal është biznesmen bjellorus dhe politikan i opozitës, por që tani jeton në mërgim. Ai më parë ka shërbyer si ambasador në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, vëllerëzit Kariq, kanë trajtim të veçantë përmes dhënies së të drejtave të projekteve. Dy degët e kompanisë Dana Holdings – Dana Astra dhe Emirates Blue Sky – fituan të paktën 175 milionë dollarë për një periudhë katërvjeçare nga 2017 dhe 2020, sipas deklaratave të tyre financiare bjelloruse.
Presidenti i kompanisë Dana Holding, Vibor Muliq, i tha Radios Evropa e Lirë përmes një deklarate se kompania po kundërshton sanksionet dhe se ka ngritur një ankesë në Këshillin Evropian të Drejtësisë.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e sanksioneve që një kompani të përfshihej në listë vetëm në bazë të disa artikujve plotësisht të parëndësishëm të mediave të caktuara të opozitës”, tha ai.
Sipas tij, kompania Dana Holdings do të vazhdojë punën e saj në projektin Minsk World dhe pret që ta përfundojë atë deri në vitin 2024. Megjithatë, disa projekte në BE janë vënë në pritje derisa të ketë një vendim për ankesën e kompanisë. Ndërkohë, të paktën sipas dokumenteve, Kariqët kanë dalë nga Bjellorusia.
Pak para se të shpalleshin sanksionet evropiane, pronësia e kompanisë Dana Holdings, u transferua nga Kariqët te një shtetas i Qipros, Marinos Stylianides. Kështu bëhet e ditur nga ana e Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me bazë në Bosnjë (OCCRP) dhe Belsat, nje medium me bazë në Poloni, por që përqendrohet ne raportime për Bjellorusinë.
Degët e kompanisë Dana Holdings në Bjellorusi gjithashtu kanë ndryshuar pronësinë, raportuan OCCRP dhe Belsat. Por, Tsapkala nuk mendon se vëllezërit Kariq do të ndalojnë veprimtarinë në Bjellorusi për shkak të sanksioneve evropiane.
“Është shumë e lehtë të largohesh nga Dana Holding dhe të themelosh një kompani të re, veçanërisht nëse Lukashenka e di se kush qëndron pas saj”, tha opozitari bjellorus, duke shtuar se në këtë rast është e rëndësishme që sanksionet të vendosen ndaj vetë familjes Kariq.
Ngritja përrallore nga hiri komunist?
Kariqët janë një shembull pothuajse përrallor për pasurimin e madh në fund të shekullit të 20-të. Bogoljub dhe Dragomir Kariq, së bashku me vëllezërit e tyre të tjerë Zoran dhe Sretan dhe motrën Olivera, u rritën në Kosovë, një nga rajonet më të varfra të Jugosllavisë komuniste.
Që të gjithë ishin pjesë e një ansambli të muzikës popullore, që performonin në dasma dhe organizime tjera para se të themelonin një kompani private në fund të viteve 1970, që aktivitetin e saj e zhvillonte në prodhimin e pajisjeve për ferma.
Më 1988, Bogoljub Kariq i tha gazetës New York Times se ka qenë vetë diktatori jugosllav, Josef Broz Tito, që ndërhyri politikisht për të ndihmuar nismën e tyre. Një dekadë më vonë, ai tha se ata kishin 20 milionë dollarë të ardhura vjetore, për atë kohë, një shumë e jashtëzakonshme për një kompani private në Evropën Lindore.
Gjatë katër dekadave të ardhshme, rritja e biznesit të tyre do të shkonte krahas lidhjeve të tyre politike.
“Nuk ka asnjë mëdyshje se shkathtësia e Kariqëve përbën një nga elementët kryesorë të suksesit në biznes”, tha për Radion Evropa e Lirë, Biljana Joviq, një analiste për Ballkanin, me bazë në Uashington.
“Që nga fillimi, baza kryesore e këtij suksesi ka qenë ofrimi i favoreve për politikanë, administratorët lokalë dhe aparatçikët në Kosovë, ku filloi biznesi i tyre, përmes Sllobodan Millosheviqit dhe, më e rëndësishmja, gruas së tij. Pastaj deri te Partia Përparimtare Serbe (kreu i së cilës është Aleksandar Vuçiq) dhe udhëheqësit politikë të vendeve të-ish Bashkimit Sovjetik, ku ata zgjeruan veprimtarinë e tyre të biznesit”, tha Joviq.
“Kjo mënyrë e funksionimit ka dhënë fryte për katër dekada dhe nuk ka gjasa që ajo të braktiset”, tha ajo.
Më i riu nga vëllerëzit, Bogoljub Kariq, drejtoi biznesin – i njohur si Vëllezërit Kariq – dhe pasi zhvilloi kontakte me zyrtarë qeveritarë, shumë shpejt e zgjeroi veprimtarinë në Bashkimin Sovjetik para shembjes së tij më 1991. Ardhja në pushtet e Millosheviqit dhë rënia e komunizmit në fund të viteve 1980 si dhe shembja e ardhshme e komunizmit, hapën mundësinë që kjo familje të rrisë pasurinë e saj.
Sllavoljub Gjukiq më 2001 kishte bërë një biografi për çiftin Millosheviq-Markoviq, ku thuhej se Bogoljub Kariq, në fillim kishte fituar besimin e Mira Markoviqit, gruas së Sllobodan Millosheviqit, e cila konsiderohet se kishte shumë ndikim.
Sipas Gjukiq, të dy i lidhte pjesërisht respekti që kishin për Titon.
Ndër të parët që siguruan lejen për hapjen e një banke private në Jugosllavi më 1994, ishin vëllezërit Kariq.
Gjukiq shkroi se Kariqët nuk e kishin asnjë problem për të siguruar vet kontrata të vogla biznesi në Serbi, por kontratat kryesore ata i përfituan përmes ndërhyrjes së qeverisë dhe Millosheviqit.
Shtëpi afër Kongresit
Vëllezërit Kariq, nga pasuria e tyre krijuan Fondacionin Kariq, përmes së cilit themeluan një universitet privat në Beograd dhe një ceremoni çmimesh vjetore.
Kritikët thonë se vëllezërit Kariq e kanë përdorur bamirësinë për t’u afruar me zyrtarët dhe për të bërë favore.
Ndarja e shpërblimeve nga ata, sipas Joviq, ishte pjesë e një agjende më të gjerë të biznesit.
Sikurse shumë familje tjera të Evropës Lindore që krijuan pasuri pas rënies së komunizmit, edhe Kariqët bën përpjekje për të qëndruar dhe krijuar legjitimitet në vendet perëndimore përmes blerjes së shtëpive të shtrenjta në Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada. Pastaj, me kërkesa për shtetësi, si dhe duke u shoqëruar më shtresa të larta dhe duke regjistruar kompani, përfshirë një në Florida të SHBA-së.
Në fillim të viteve 1990 ndaj Kariqëve u vendosën për herë të parë sanksione për shkak të lidhjeve të tyre me Millosheviqin. Pasuritë e tyre në Perëndim u ngrin dhe në atë kohë Shtetet e Bashkuara përmes këtyre sanksioneve, u munduan të bënin presion mbi qeverinë jugosllave që t’i jepte fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Më 1995 dhe 1996, Kariqët paguan lobistë në Uashington për të organizuar takime me zyrtarë nga administrata e ish- presidentit amerikan, Bill Clinton dhe në Kongres për të diskutuar paqen, heqjen e sanksioneve, zhbllokimin e fondeve të tyre dhe promovimin e demokracisë.
Bogoljub Kariq madje kishte dalur me idenë që të vizitojë Shtetet e Bashkuara së bashku me Mira Markoviqin.
Pasi përfundoi lufta në Bosnje më 1995, sanksionet u shfuqizuan, por ndaj Bogoljub Kariq u vendosën sërish sanksione ekonomike dhe ndalesa për hyrje nga ana e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të tij me Millosheviqin gjatë dhe pas luftës në Kosovë më 1998-99.
Bogoljub Kariq ka shërbyer si ministër pa portofol në qeverinë e Millosheviqit më 1998-99, por ai pretendon se dha dorëheqje pasi Millosheviqi kishte dështuar në realizimin e premtimeve për reforma.
Sipas Sllavoljub Gjukiq raportet e Bogoljub Kariqit me Millosheviqin ishin të ” ndërlikuara”, dhe se ky biznesmen kishte filluar me financimin e partive tjera, si një mundësi për të fituar siguri në rast se udhëheqësi jugosllav do të humbte pushtetin.
Në Përëndim ekzistojnë vlerësime se Kariq e ka ndihmuar Millosheviqin të shmangë sanksionet dhe është përpjekur të pastrojë para përmes Qipros. Ai e ka mohuar këtë akuzë.
Në vitin 2003, Uashingtoni hoqi sanksionet ekonomike kundër Kariqëve. Por, amerikanët kanë refuzuar që t’iu lëshojnë viza për në Shtetet e Bashkuara Kanadaja ka refuzuar kërkesën e tyre për shtetësi.
Në këtë situatë ata sërish përdorën metodën e angazhimit të kompanive lobuese në Uashington. Më 2003, fondacioni i tyre bleu një shtëpi për 885.000 dollarë afër Kongresit, të cilën ata e quajtën Shtëpia Serbe.
Çmimi i paqes për Putinin
Ndërkohë, për lidhjet e tyre me Millosheviqin, Kariqët po përballeshin me pasoja në Serbi. Ata u detyruan të paguanin një tarifë prej 30 milionë dollarësh për shkak të “fitimit të tepërt” nga favoret që i siguruan përmes Millosheviqit. Bogoljub Kariq më 2004 formoi partinë Forca e Serbisë dhe garoi për president, por shumë ekspertë thanë se kjo ishte bërë me qëllimin që të mbrojë pasurinë e familjes së tij.
Në zgjedhje, ai fitoi 18 për qind të votave dhe në raundin e dytë fitoi Boris Tadiq nga Partia Demokratike.
Megjithatë, Qeveria e re serbe nuk u ndal dhe filloi hetime për mashtrim ndaj Kariqëve. Bogoljub Kariq humbi stacionin televiziv, shiti aksionet në fushën e telekomunikacionit- mbase në vlerë qindra miliona dollarë – dhe u arratis në Rusi.
Në vitet 2009-2010 sërish kemi një përpjekje për lobim në SHBA, përmes së cilit ai u mundua të bindë Shtetet e Bashkuara që të shfuqizonin vendimin për t’ia ndaluar hyrjen dhe të bënin presion në Qeverinë serbe që të heqin akuzat për mashtrim kundër tij, duke thënë se është i pafajshëm.
Kur kjo përpjekje i dështoi, duket se ai u orientua nga fuqizimi i lidhjeve me udhëheqësit autoritarë në ish-Bashkimin Sovjetik.
Fondacioni Kariq i ndau një çmim paqeje presidentit rus, Vladimir Putin më 2014, në kohën kur Kremlini aneksoi Krimenë dhe mbështeti separatistët në Ukrainën lindore, duke shkaktuar një luftë që ka lënë të vrarë më shumë se 13.000 njerëz.
Një vit më vonë, fondacioni shpërbleu udhëheqësin autoritar të Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev, i cili drejtoi vendin për më shumë se një çerek shekulli dhe ende ka pushtet, pavarësisht largimit nga detyra më 2019.
Fondacioni Kariq kohët e fundit ka botuar libra për Putinin, Nazarbayevin dhe presidentin kinez, Xi Jinping.
Kariqët kanë pasur projekte të mëdha në Rusi dhe aktualisht e kanë një në Kazakistan.
Më 2016 kur përfunduan të gjitha rastet e akuzave për mashtrim kundër tij, Bogoljub Kariq, u kthye në Beograd dhe lavdëroi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Serbia ka Putinin e saj dhe ai është Aleksandar Vuçiq”, tha ai në një tubim gjatë fushatës së suksesshme të Vuçiqit për zgjedhjet e 2017-ës.

Vuçiq është akuzuar nga kritikët për shtypje të mediave dhe kthim prapa të demokracisë.
Partia Forca e Serbisë e Kariqit është në koalicion me Partinë Përparimtare të Serbisë të presidentit Vuçiq. Aktualisht Forca e Serbisë ka katër deputetë në parlament, përfshirë njërën ulëse që e mban Dragomir Kariq.
Dragomir Kariq dhe Vuçiqi kanë shërbyer në të njëjtën kohë në qeverinë e Millosheviqit dhe janë takuar disa herë në vitet e fundit. Takimi më i rëndësishëm është në ceremonitë e prezantimit të projekteve të patundshmërisë në Serbi dhe Kazakistan.
Megjithatë, nuk ka ndonjë sinjal se biznesi i familjes Kariq po shënon rritje në Serbi gjatë udhëheqjes së Aleksandar Vuçiqit.
RFE
You may like
Lajmet
“Bllokadat janë inekzistente”, Kurti thotë se shumë shpejt do ta takojë presidenten Osmani
Published
1 hour agoon
December 31, 2025By
UBTnews
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se shumë shpejt do ta takojë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani ka deklaruar se do të kandidojë edhe për një mandat si presidente e vendit, e për këtë Kurti tha se së pari do të presin konstituimin e Kuvendit dhe më pas do të ecin tutje.
“Ne së pari do të presim që të certifikohen rezultatet duhet te konstituohet Kuvendi të shohim përbërjen e legjislaturës së re dhe me pastaj të ecim tutje. Por, ashtu siç kam thënë sot është dita e fundit e vitit 2025, shpejt do ta takoj presidenten Osmani dhe duhet të bisedojmë bashkë për rrugën përpara. Keni parasysh njëherë është konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë dhe vetëm më pas është zgjedhja e presidentes”, tha ai me rastin e vizitës në Telekomin e Kosovës.
I pyetur për mundësi bashkëpunimi me ndonjë parti politike, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje tha se rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit është i qartë, dhe se tashmë pengesat për formimin e Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë janë inekzistente.
“Nuk kam ndonjë gjë të re për të thënë rezultati është më i qartë se asnjëherë më parë. Ne kemi pritur se do ta tejkalojmë rezultatin e 9 shkurtit por duket se po e tejkalojmë edhe rezultatin e 14 shkurtit 2021. Bllokimi në formimin e Kuvendit dhe pengesat për formim të qeverisë së re tashmë janë inekzistente”, deklaroi Kurti.
Më 28 dhjetor në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare ku e para u rendit Lëvizja Vetëvendosje me 48.41%.
Lajmet
Afër 70% të votave të numëruara, pesë kandidatët më të votuar te partitë më të mëdha
Published
1 hour agoon
December 31, 2025By
UBTnews
Afër 70% e votave për kandidatët e partive për deputetë janë numëruar, sipas përditësimit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në këto zgjedhje të parakohshme, e cila u pasua nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.
Në zgjedhje morën pjesë rreth 45 për qind të gati 2 milionë qytetarëve me të drejtë vote.
Më poshtë pesë kandidatët më të votuar të partive më të mëdha shqiptare:
Lëvizja Vetëvendosje
Albin Kurti – 241,920 Vota
Glauk Konjufca – 188,513 Vota
Albulena Haxhiu – 98,786 Vota
Hekuran Murati – 97,790 Vota
Donika Gërvalla – 87,956 Vota
Partia Demokratike e Kosovës
Bedri Hamza – 110,875 Vota
Arian Tahiri – 51,283 Vota
Përparim Gruda – 47,739 Vota
Uran Ismaili – 37,640 Vota
Sala Jashari – 34,838 Vota
Lidhja Demokratike e Kosovës
Lumir Abdixhiku – 53,682 Vota
Hykmete Bajrami – 33,730 Vota
Ukë Rugova – 29,649 Vota
Avdullah Hoti – 26,409 Vota
Doarca Kica-Xhelili – 26,119 Vota
Lajmet
Viti 2025: Mbi 26 mijë raste penale, 18 vrasje dhe konfiskime mbi 112 milionë euro në Kosovë
Published
2 hours agoon
December 31, 2025By
UBTnews
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar–20 dhjetor janë iniciuar mbi 26 mijë raste për vepra penale, që përbën një rënie prej 3.54 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Sipas të dhënave zyrtare të policisë, gjatë këtij viti janë regjistruar gjithsej 18 raste të vrasjeve, një më shumë se vitin e kaluar.
Policia ka publikuar gjithashtu informacione lidhur me luftën kundër narkotikëve, duke dhënë detaje për llojet e substancave narkotike që janë konfiskuar gjatë vitit.
Po ashtu, sipas statistikave policore, në periudhën janar–nëntor të këtij viti janë ngrirë dhe sekuestruar asete në vlerë mbi 112 milionë euro, në kuadër të hetimeve për vepra të ndryshme penale.
Policia e Kosovës ka vlerësuar se këto të dhëna dëshmojnë për angazhimin e vazhdueshëm në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit në vend.
Lajmet
Kush janë më të votuarit për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit?
Published
3 hours agoon
December 31, 2025By
UBTnews
Tri ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se kush do të jenë 120 anëtarët e rinj të Kuvendit të Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke i numëruar votat për kandidatët për deputetë qysh nga e hëna dhe deri më tani janë numëruar mbi 68 për qind të tyre.
Në zgjedhje morën pjesë rreth 45 për qind të gati 2 milionë qytetarëve me të drejtë vote.
Zgjedhjet i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Më mposhtë mund të shihni se kush janë pesë kandidatët më të votuar në secilën parti kur janë numëruar më shumë se dy e treta e votave.
Lëvizja Vetëvendosje:
- Albin Kurti 240.263 vota
- Glauk Konjufca 187.285 vota
- Albulena Haxhiu 98.092 vota
- Hekuran Murati 97.208 vota
- Donika Gërvalla 87.303 vota
Partia Demokratike e Kosovës
- Bedri Hamza 109.795 vota
- Arian Tahiri 50.873 vota
- Përparim Gruda 47.331 vota
- Uran Ismaili 37.295 vota
- Sala Jashari 34.428 vota
Lidhja Demokratike e Kosovës
- Lumir Abdixhiku 53.314 vota
- Hykmete Bajrami 33.484 vota
- Ukë Rugova 29.489 vota
- Avdullah Hoti 26.200 vota
- Doarsa Kica Xhelili 25.958 vota
Lista Serbe
- Sllavko Simiq 20.392 vota
- Igor Simiq 119.623 vota
- Liljana Stefanoviq 19.042 vota
- Millan Kostiq 16.170 vota
- Nemanja Bishevac 15.805 vota
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
- Ramush Haradinaj 27.779 vota
- Daut Haradinaj 17.151 vota
- Besnik Tahiri 16.465 vota
- Bekë Berisha 12.110 vota
- Agim Çeku 11.242 vota
Sipas të dhënave paraprake, LVV-ja do t’i ketë 56 ulëse në Kuvend, pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15, Lista Serbe 9 dhe AAK-ja 6.
Personi më i votuar në Kosovë është Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit i fitoi 337.791 vota, duke thyer rekordin e deriatëhershëm të presidentes Vjosa Osmani (300.756 vota).
Mbetet të shihet nëse Kurti do ta forcojë këtë rekord apo jo.
“Bllokadat janë inekzistente”, Kurti thotë se shumë shpejt do ta takojë presidenten Osmani
Afër 70% të votave të numëruara, pesë kandidatët më të votuar te partitë më të mëdha
Viti 2025: Mbi 26 mijë raste penale, 18 vrasje dhe konfiskime mbi 112 milionë euro në Kosovë
Kush janë më të votuarit për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit?
UBT në vitin 2025: Arritjet, sfidat dhe perspektivat për të ardhmen
Kosova ngre aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut
Gjenden të vdekur dy persona në një vilë në Pejë
Gati 50 për qind të numëruara, ky është rezultati i votave për deputetë
BE “pret” nga Kosova formim të shpejtë të institucioneve
Të kërkuara
-
Aktualitet2 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Aktualitet2 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Lajmet3 months agoPunimi shkencor i profesoreshës së UBT-së, Miranda Sejdiu Abazi dhe bashkëautorëve botohet në Georgian Medical News
-
Rajoni1 month agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
