Lajmet

Pas vrasjes së 18-vjeçarit, deputetët kërkojnë që t’i kushtohet vëmendje shëndetit mendor të fëmijëve e adoleshentëve në shkolla

Deputeti i VV-së, Haxhi Avdyli, tha se ka ardhur koha që duhet të merren hapa konkretë sa i përket kësaj çështjeje.

Published

on

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të merren me promovimin e shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve në shkolla, pas rastit të 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu nga Podujeva, i cili ditë më parë u godit me veturë nga persona të dyshuar dhe më pas e rrah për vdekje me shufra metalike.

Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku, tha se propozon që si Komision të organizojnë një tryezë të përbashkët me ministritë përgjegjëse, ku do të diskutohet për aspektin e shëndetit mendor dhe sa është numri i psikologëve në shkolla. Ajo tha se ngjarja e fundit duhet ta shqetësojë të gjithë shoqërinë dhe deputetët.

“Shpreh ngushëllime për familjen e Lulzimit që humbi jetën padrejtësisht nga bashkëmoshatarë nga një sulm i paparë. Për neve është shumë brengosëse, sepse ka ndodhur mes të rinjve tanë, gjë që ne nuk do të donim të shohim kurrë diçka të tillë. Unë mendoj që ne si Komision ta propozojmë një tryezë të përbashkët me ministrat e Drejtësisë dhe të Arsimit, bashkërisht ta organizojmë dhe ta diskutojmë duke qenëse ne e mbulojmë pjesën e mirëqenies dhe për punë sociale, aspektin e shëndetit mendor, prezenca e psikologëve, sa është numri i tyre, kjo kërkon një shqetësim të gjithë shoqërisë dhe neve si deputet”, tha ajo.

Deputeti i VV-së, Burim Meta, tha se viti ka filluar me pamje makabre, sipas tij, nga ky rast shihet që të rinjtë kanë probleme të theksuara me shëndetin mendor.

“Po fillojmë ketë vit me pamje makabre që po ndodhin në shtetin tonë nga akte kriminale të cilat po ndodhin në shtetin tonë. Akoma me e dhimbshme që po ndodhin tek adoleshentët tanë. Po të shohësh këto pamje tronditëse vërejmë që kemi probleme të theksuara me shëndetin mendor”, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se ky rast nuk duhet të heshtet, por duhet që të ngrihet zëri më fuqishëm dhe të kërkohet përgjegjësi nga institucionet për raste të tilla.

“Mendoj që nuk është e tepërt vetëm të përsëritet sepse rastet e tillë janë shqetësim.  Mendoj që nuk duhet të heshtet duhet të jetë zëri me i fuqishëm për të gjitha nivelet përgjithësisë si institucionale duke filluar nga edukimi prindror deri te përgjithësia që ka të bëjë me sundimin e rendit të ligjit”, tha ai.

Deputeti i VV-së, Haxhi Avdyli, tha se ka ardhur koha që duhet të merren hapa konkretë sa i përket kësaj çështjeje. Sipas tij, duhet të punohet që këto fenomene të parandalohen duke filluar nga institucionet arsimore.

“Nuk është hera e parë që ka ndodhur, edhe viteve të kaluara dhe e kemi kaluar duke reaguar dikush nëpër rrjete sociale, dikush duke shkruar ndonjë rresht, por ka ardhur koha që të merren hapa më konkretë në këtë drejtim. Pse jo të nisemi nga ky Komision se detyre e këtij komisioni është edhe të hartojë ligje. Ne duhet të hyjmë në thelb të çështjeve, të merremi me parandalimin e këtyre fenomeve dhe ka mundësi që këto fenomene të parandalohen, duke filluar nga puna më e madhe në institucione të arsimit. Mund të bëjmë ndonjë shtysë ose presion të këtij sektori që shkolla të luajë rol më të madh, po ashtu edhe ne kuptimin edukimit dhe kontrollit të madh”, tha Avdyli.

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon shefin e EULEX-it, diskutojnë sundimin e ligjit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e institucioneve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Ajo ka riafirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit, pavarësinë dhe profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara