Lajmet

Partitë politike garojnë të vetme në zgjedhje lokale, vetëm një koalicion i deklaruar

Published

on

Partitë politike shqiptare parlamentare do të garojnë të vetme në zgjedhjet lokale që mbahen më 17 tetor 2021. Kjo ndodh pasi LVV, PDK, LDK dhe AAK, nuk kanë shprehur vullnet për të garuar si pjesë e ndonjë koalicioni.

Gjatë afatit 15 ditor të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (16 – 30 qershor) vetëm dy parti politike nga radhët e komunitetit boshnjak kanë shprehur dëshirën për të garuar si koalicion, ndërsa partitë nga radhët e komuniteteve tjera do të garojnë të vetme në zgjedhje. Kjo u konfirmua për KosovaPress nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Partitë politike të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë pasur mundësinë që të deklarohen nëse në zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, pra jo si të vetme. Është detyrim ligjor që partia politike të njoftojë se do të kërkojë certifikim përmes koalicionit. Gjatë afatit për deklarim të koalicioneve, KQZ-ja ka pranuar vetëm një deklaratë për koalicion zgjedhor të nënshkruar mes dy partive politike nga radhët e komunitetit boshnjak, Demokratska Stranka Bosnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, me emrin Koalicija VAKAT”, tha Elezi përmes një përgjigje me shkrim.

Sipas tij, partitë politike që duan të garojnë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet t’i kenë parasysh disa obligime ligjore.

“Janë disa detyrime për partitë politike që kërkojnë certifikim përmes koalicionit. Partitë politike që deklarohen se do të garojnë në emër të koalicionit, nuk do të mund të garojnë si të vetme në zgjedhje. Po ashtu, partia politike e cila tërhiqet nga koalicioni nuk mund të garojë si e vetme dhe as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër, ndërsa pjesa tjetër e atij koalicioni mund të marrë pjesë në zgjedhje”, tha Elezi.

Elezi sqaroi se ky afat ka qenë vetëm për deklarim për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit dhe se periudha për dorëzimin e aplikimit për certifikim dhe listës së kandidatëve për kryetarë komunash dhe për kuvende komunale, do të përfundojë më 16 gusht.

Edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2017 vetëm një koalicion ishte deklaruar dhe pikërisht Koalicioni VAKAT nga këto dy parti boshnjake, ndërsa KQZ-ja kishte certifikuar edhe 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur, për kryetar komune apo për kuvende komunale, në komuna të ndryshme.

Rajoni

UBT në qendër të artit bashkëkohor: Ekspozitë me karakter ndërkombëtar në Austri në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, është prezantuar një ekspozitë me karakter ndërkombëtar, e realizuar në Boden, Tirol të Austrisë, si pjesë e festivalit Mediafrische, në bashkëpunim me UBT.

Ekspozita vjen si rezultat i bashkëpunimit artistik ndërmjet profesorëve të UBT-së, Uran Krasniqit dhe Besfort Salihut, duke sjellë një qasje bashkëkohore që ndërthur artin, dizajnin dhe hulumtimin urban.

Ekspozita përbëhet nga dy projekte qendrore me koncept të thellë kritik dhe reflektues:

Projekti “Wear your city (Collective memory of Prishtina)” përfaqëson një hulumtim vizual dhe konceptual mbi arkitekturën e zhdukur dhe simbolet urbane të fshirë të Prishtinës. Përmes këtij projekti dokumentohet memoria kolektive e qytetit, duke i transformuar objektet dhe hapësirat e humbura në një narrativë artistike mbi identitetin urban dhe kujtesën historike.

Ndërkohë, projekti “Truth Absorbed” trajton temën e mjegullimit të së vërtetës në epokën bashkëkohore, duke reflektuar mbi mënyrën se si qytetari përballet me një realitet të transformuar, të fragmentuar dhe shpesh të paqartë në kontekstin e shoqërisë moderne.

Pjesëmarrja e studentëve dhe artistëve të lidhur me UBT-në në një festival ndërkombëtar si Mediafrische në Austri, dëshmon angazhimin e institucionit për ndërkombëtarizimin e artit dhe dizajnit, si dhe për krijimin e platformave ku talentet e reja mund të shprehin idetë e tyre në skenën globale.

Ky aktivitet konfirmon edhe një herë rolin e UBT-së si një qendër e rëndësishme e kreativitetit, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e artit dhe dizajnit bashkëkohor.

Continue Reading

Vendi

Profesori i UBT-së, Arian Kadriu pjesë e një publikimi shkencor në Fondazione Machiavelli mbi misionet e paqes

Published

on

By

Profesori i UBT-së dhe Prodekan i Fakultetit të Studimeve të Sigurisë, Arian Kadriu, ka publikuar një punim shkencor në bashkautori me gjeneralin Giuseppe Morabito, të titulluar “Gli italiani nella KFOR in Kosovo: un modello per le missioni di pace”, i botuar në Fondazione Machiavelli.

Punimi analizon rolin e misionit të KFOR-it në Kosovë pas luftës së vitit 1999, me fokus të veçantë kontributin e Italisë në operacionet e paqes, stabilitetit dhe rindërtimit institucional në Kosovë. Studimi trajton gjithashtu dimensionin civil-ushtarak (CIMIC), si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetet lokale në ndërtimin e besimit dhe sigurisë afatgjatë.

Autori thekson se modeli italian në kuadër të KFOR-it paraqet një qasje të suksesshme të ndërthurjes së forcës ushtarake me ndjeshmërinë humanitare dhe bashkëpunimin civil, duke ofruar një shembull të rëndësishëm për misionet paqeruajtëse në të ardhmen.

Pjesëmarrja dhe kontributi akademik i Prof. Arian Kadriut në këtë publikim ndërkombëtar dëshmon angazhimin e tij në fushën e studimeve të sigurisë dhe rolin aktiv të UBT-së në debatet shkencore globale mbi paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Continue Reading

Vendi

Ekzekutohen shtesat prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat

Published

on

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se janë ekzekutuar pagesat prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat që kanë përmbushur kriteret për përfitim.

Sipas Muratit, mbështetja është realizuar në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 dhe përfshin punëtorët me të ardhura mujore bruto deri në 1.000 euro.

Ai bëri të ditur se për këtë masë janë ndarë rreth 25 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, sa i përket mbështetjes për studentët, Murati tha se komisioni vlerësues është duke vazhduar punën dhe se listat e përfituesve do të publikohen sapo të jenë gati për ekzekutim.

Sipas të dhënave zyrtare, kostoja totale e shtesave prej 100 eurosh të miratuara nga Qeveria arrin në 105 milionë euro, duke përfshirë përfituesit e skemave sociale, fëmijët dhe studentët.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria trajtoi mbi 1.100 raste korrupsioni gjatë vitit 2025

Published

on

Prokurori i Shtetit ka trajtuar gjatë vitit 2025 gjithsej 1.191 raste të korrupsionit, prej të cilave ka arritur të zgjidhë 903 raste, u bë e ditur në raportin vjetor të prezantuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.

Gjatë prezantimit të raportit në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Qalaj bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar Prokuroria ka pranuar 45.295 kallëzime penale dhe ka zgjidhur 42.123 prej tyre.

Sipas raportit, Prokurori i Shtetit ka trajtuar edhe raste të krimeve ekonomike, krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit me qenie njerëzore dhe dhunës në familje.

Në fushën e krimeve ekonomike janë zgjidhur 420 raste, ndërsa gjatë vitit 2025 janë sekuestruar pasuri në vlerë mbi 64 milionë euro. Po ashtu, janë trajtuar 102 raste të krimit të organizuar dhe 28 raste të terrorizmit.

Raporti tregon gjithashtu se gjatë vitit të kaluar janë evidentuar 3.975 raste të dhunës në familje, ndërsa gjykatat kanë nxjerrë 1.930 vendime fajësuese për rastet e proceduara nga Prokuroria.

Sipas të dhënave të prezantuara, Prokuroria ka vazhduar t’i kushtojë rëndësi luftimit të korrupsionit dhe krimeve të tjera që cenojnë rendin dhe sigurinë publike në vend.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara