Botë

Parlamenti Evropian miraton planin e riarmatosjes së BE-së

Published

on

Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë jodetyruese mbi Librin e Bardhë për Mbrojtjen që Komisioni Evropian do të prezantojë më 19 mars dhe që do të përmbajë planin e riarmatimit të Evropës.

Plani është ilustruar nga Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, në debatin plenar të martën dhe ditën e sotme u votua me 419 vota pro, 204 vota kundër dhe 46 abstenime.

Eurodeputetët e partisë së kryeministres Giorgia Meloni, Fratelli d’Italia, kishin paraqitur një amendament për të kërkuar ndryshimin e emrit të planit nga “Riarmatosja e Evropës” në “Mbroj Evropën”, por ai nuk kaloi.

Për Parlamentin Evropian ky është një “moment historik për mbrojtjen evropiane“. Eurodeputetët mirëpresin planin e riarmatimit të BE-së dhe mbështesin fuqimisht idenë që vendet anëtare duhet të rrisin fondet e mbrojtjes dhe sigurisë në nivele të reja, në të paktën 3% të PBB-së.

Parlamenti Evropian përsërit gjithashtu mbështetjen e tij për Ukrainën dhe “u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së, partnerëve ndërkombëtarë dhe aleatëve të NATO-s që të heqin të gjitha kufizimet në përdorimin e sistemeve të armëve perëndimore të dorëzuara në Ukrainë kundër objektivave ushtarakë në territorin rus”.

Parlamenti Evropian vëren “një ndryshim në politikën e jashtme të SHBA-së, pasi administrata Trump po propozon normalizimin e lidhjeve me Rusinë dhe po bëhet gjithnjë e më e qartë se Evropa duhet të forcojë sigurinë dhe mbrojtjen e saj për të qenë në gjendje të ndihmojë Ukrainën të mbrohet”.

Ndërsa për Parlamentin Evropian, Rusia, e mbështetur nga aleatët e saj Bjellorusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani, përfaqëson “kërcënimin më të rëndësishëm direkt dhe indirekt për BE-në dhe sigurinë e saj“.

Për eurodeputetët, “Bashkimi Evropian është tani në një pikë kthese në historinë dhe ndërtimin e tij“. Sipas Parlamentit Evropian, “BE-ja tani duhet të miratojë një qasje holistike dhe horizontale që integron një dimension të mbrojtjes dhe sigurisë në shumicën e politikave” dhe kjo qasje duhet “të mbështetet nga instrumentet rregullatore dhe financiare“.

Për më tepër, Parlamenti Evropian thekson “nevojën për të forcuar aftësitë dhe burimet, duke kapërcyer fragmentimin e tregut të mbrojtjes“.

Në këtë kuptim, Parlamenti Evropian është “i bindur fort se preferenca evropiane duhet të jetë gurthemeli i të gjitha politikave të BE-së në lidhje me tregun evropian të mbrojtjes, si një imperativ strategjik për të mbrojtur ekspertizën evropiane, në mënyrë që të forcohen aftësitë evropiane të mbrojtjes në afat të gjatë dhe sepse paratë e taksapaguesve të BE-së duhet të krijojnë vlerë të shtuar në territorin e BE-së”.

Eurodeputetët gjithashtu bëjnë thirrje për “masa të menjëhershme për të përmirësuar sigurinë dhe mbrojtjen e kufirit verilindor të BE-së me Rusinë dhe Bjellorusinë, duke krijuar një linjë mbrojtjeje gjithëpërfshirëse dhe elastike në sektorët tokësorë, ajrorë dhe detarë për të kundërshtuar kërcënimet ushtarake dhe hibride”.

Lajmet

Irani kërkon 290 miliardë dollarë dëmshpërblim nga SHBA-ja

Published

on

Gjykatat iraniane kanë vendosur që Shtetet e Bashkuara t’i paguajnë Iranit 290 miliardë dollarë dëmshpërblim, ka deklaruar të hënën një zyrtar i sistemit gjyqësor iranian.

“Kemi siguruar vendime nga gjykatat vendase, të cilat kanë caktuar një dëmshpërblim prej 290 miliardë dollarësh kundër amerikanëve”, ka thënë Hassan Abdolianpour, kreu i qendrës për avokatët pranë sistemit gjyqësor, sipas televizionit shtetëror.

Sipas këtij televizioni, kërkesa për dëmshpërblim lidhet me veprime të Shteteve të Bashkuara që datojnë disa dekada më parë, raportojnë mediat e huaja.

Ndërkohë, tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një valë sulmesh ndaj Iranit, gjatë të cilave u vra udhëheqësi suprem i vendit, Ali Khamenei.

Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë drejt disa vendeve të rajonit, duke deklaruar se shënjestronte bazat dhe asetet amerikane e izraelite.

Në qershor, memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar në Islamabad mes SHBA-së dhe Iranit, i cili synonte hapjen e rrugës drejt një marrëveshjeje paqeje, përfshinte edhe një klauzolë për hartimin e një plani me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit.

Irani gjithashtu është përballur prej dekadash me sanksione të rënda amerikane, kryesisht për shkak të programit të tij bërthamor./A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Jensen Huang rikthehet në krye të NVIDIA-s

Published

on

By

Jensen Huang është rikthyer në postin e drejtorit ekzekutiv dhe presidentit të kompanisë teknologjike NVIDIA, njoftoi të hënën Bordi i Drejtorëve.

Vendimi për rikthimin e tij u mor me votë unanime pas një sërë takimesh dhe diskutimesh me Huangun, gjatë të cilave Bordi u bind për sinqeritetin dhe aftësinë e tij për ta drejtuar kompaninë.

“Bordi beson se Jensen është personi i duhur për të udhëhequr NVIDIA-n dhe se rikthimi i tij është në interesin më të mirë të aksionarëve, punonjësve, partnerëve dhe klientëve tanë”, deklaroi kryetari i Bordit, Harvey C. Jones, duke falënderuar njëherësh Colette Kress për drejtimin e përkohshëm të kompanisë krahas detyrës së saj si drejtoreshë financiare.

Sipas njoftimit zyrtar, Bordi ka marrë garanci edhe nga nivelet e larta të qeverisë amerikane, duke u bindur se rikthimi i Huangut në krye të gjigantit të çipave nuk përbën rrezik për sigurinë kombëtare.

Huang kishte dhënë dorëheqjen rreth dy javë më parë, pas raportimeve për lidhje jashtëmartesore me dy gra, njëra prej të cilave dyshohej si spiune kineze, ndërsa tjetra ishte vartëse e tij brenda kompanisë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kërcënime me bomba në qindra shkolla në Gjermani dhe Danimarkë

Published

on

By

Qindra shkolla në Gjermani dhe Danimarkë kanë pranuar kërcënime për bomba përmes postës elektronike të hënën, duke shënuar vazhdimin e një vale alarmesh të rreme që po godasin së fundmi institucionet arsimore nëpër Evropë.

Autoritetet gjermane bënë të ditur se rreth 450 shkolla në mbarë vendin janë prekur nga këto mesazhe, por theksuan se nuk ka asnjë rrezik real. Policia në Freiburg deklaroi se nuk ekziston asnjë provë për kërcënim konkret, ndërsa edhe policia e Berlinit dhe ajo në landin e Turingisë u kanë kërkuar shkollave të vazhdojnë procesin mësimor normalisht, duke vlerësuar se qëllimi i autorëve është vetëm përhapja e panikut.

Një situatë e ngjashme është raportuar edhe në Danimarkë, ku policia konfirmoi se po heton kërcënimet e dërguara ndaj disa shkollave në të gjithë vendin, por shtoi se aktualisht nuk ka arsye për shqetësim.

Këto raste vijnë pas një serie alarmesh të rreme me bomba dhe sulmesh kibernetike që kanë prekur së fundmi shkolla, supermarkete, sisteme të trafikut ajror dhe media në disa vende evropiane. Vetëm javën e kaluar u evakuuan mbi 10 shkolla në Spanjë, ndërsa në fillim të këtij muaji mijëra shkolla në Itali u përballën me kërcënime të njëjta përmes emailit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Anulohen qindra fluturime dhe ndalet transporti publik

Published

on

By

Qindra fluturime janë anuluar dhe shërbimet hekurudhore e urbane janë ndërprerë në mbarë Belgjikën, si pasojë e një greve të përgjithshme kundër masave të planifikuara qeveritare për shkurtimin e shpenzimeve publike.

I gjithë trafiku ajror është pezulluar në aeroportin Zaventem të Brukselit dhe në atë të Charleroit, ku operojnë kompani me kosto të ulët si Ryanair. Për shkak të bojkotit nga kontrollorët e trafikut ajror, asnjë avion nuk do të ngrihet apo ulet në Bruksel nga ora 07:00 deri në 21:00, duke prekur planet e udhëtimit të mbi 50 mijë pasagjerëve. Paralelisht, janë ndalur trenat, metroja, transporti publik dhe janë raportuar ndërprerje në shkolla e shërbime të tjera publike, teksa mijëra qytetarë po marshojnë në kryeqytet.

Greva zhvillohet në mes të krizës politike për miratimin e buxhetit, pasi kryeministri Bart De Wever ende nuk ka arritur kompromis me partnerët e koalicionit pesëpartiak, ku partia e majtë Vooruit po kundërshton shkurtimet në pensione e shëndetësi dhe po kërkon rritjen e taksave për të pasurit. Mbreti Philippe e kishte refuzuar dorëheqjen e De Weverit në fillim të muajit për t’i dhënë kohë shtesë negociatave.

Udhëheqësit e sindikatave kryesore, Bert Engelaar nga FGTB dhe Ann Vermorgen nga CSC, e kanë akuzuar ekzekutivin për goditje ndaj sistemit të mbrojtjes sociale dhe shkurtim të ditëve të pushimit zyrtar, duke kërkuar tatimim të mirëfilltë të pasurisë dhe heqje të lehtësive fiskale në vend të masave shtrënguese.

Continue Reading

Të kërkuara