UBT do të organizojë për herë të parë Konferencën Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (IC-SM 2025), e cila do të mbahet nga 23 – 25 tetor 2025 në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, në Lipjan. Kjo konferencë zhvillohet në kuadër të edicionit të 14-të të Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së dhe vjen si platformë unike për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave në fushën e mjekësisë sportive.
IC-SM 2025 është një konferencë ndërkombëtare ku pritet të marrin pjesë studiues të njohur, akademikë, doktorantë, profesionistë dhe ekspertë të fushës së mjekësisë sportive dhe shëndetit publik. Ajo do të shërbejë si një urë bashkëpunimi midis komunitetit akademik, institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave sportive për të avancuar kërkimet dhe praktikat moderne në këtë disiplinë gjithnjë e më të rëndësishme.
Temat kryesore të konferencës
Konferenca do të mbulojë një gamë të gjerë temash, ndër to:
- Mjekësia klinike sportive dhe rehabilitimi
- Menaxhimi i sëmundjeve kronike dhe popullatat e veçanta
- Aspektet neurologjike dhe psikologjike të sportit
- Shëndeti publik, ushqyerja dhe farmacologjia
- Teknologjia, etika dhe trendet e së ardhmes
- Konsideratat kardiovaskulare dhe biomekanike
Pjesëmarrës eminentë
Konferenca do të mbledhë në Prishtinë personalitete botërore të fushës së mjekësisë sportive, si:
- Prof. Dr. Fabio Pigozzi – President i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS) dhe lider global në shëndetin olimpik
- Prof. Dr. Norbert Bachl – Nënkryetar i FIMS, specialist në fiziologjinë e ushtrimeve dhe mjekësinë sportive, Universiteti i Vjenës
- Annika Hangleiter – Menaxhere projektesh në Wearables Technologies AG, ligjëruese në Universitetin e Aplikuar të Mynihut
- Prof. Dr. Gobert von Skrbensky – Specialist i ortopedisë dhe traumatologjisë, Austri
Programi dhe struktura
Konferenca nis më 23 tetor 2025 me ceremoninë solemne të hapjes së edicionit të 14-të të Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së dhe pritjen e pjesëmarrësve në UBT Smart City.
Më 24 tetor 2025, do të mbahet sesioni kryesor me fjalimet e ligjëruesve eminentë ndërkombëtarë dhe shqiptarë, ku do të trajtohen tema që lidhen me shëndetin e sportistëve, parandalimin e sëmundjeve, teknologjitë e reja në sport dhe ndërthurjen e tyre me inovacionet shkencore. Po ashtu, do të zhvillohen prezantime të punimeve shkencore të rishikuara nga kolegët, duke ofruar një hapësirë të rëndësishme për studiuesit e rinj dhe profesionistët e fushës.
Dita e fundit, më 25 tetor 2025, do të përfshijë një vizitë kulturore në vendet historike dhe me rëndësi në Prishtinë, duke kombinuar shkencën me kulturën dhe traditën vendore.
Mbështetja institucionale
Konferenca organizohet nga UBT në bashkëpunim me:
- Shoqatën e Mjekësisë Sportive dhe Ushtrimeve të Kosovës (KASEM)
- Federatën Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS)
- Komitetin Olimpik të Kosovës
- Rrjetin Universitar të Ballkanit Perëndimor SHAPE Project – Sport, Health, and the People
Afatet e rëndësishme
Afati për dorëzimin e abstrakteve: 10 tetor 2025
Njoftimi i pranimit: 17 tetor 2025
Afati i regjistrimit të hershëm: 17 tetor 2025
Afati i regjistrimit të vonuar: 20 tetor 2025
Afati i dorëzimit të punimeve të plota: 14 nëntor 2025
IC-SM 2025 shënon një hap të madh për Kosovën dhe rajonin, duke e vendosur UBT-në dhe Prishtinën si një qendër të rëndësishme shkencore dhe sportive në nivel ndërkombëtar.