Lajmet

​Papunësia, korrupsioni dhe emigrimi: Çfarë mendojnë të rinjtë për të ardhmen e Kosovës?

Published

on

Të rinjtë në Kosovë konsiderojnë se papunësia, korrupsioni dhe emigrimi do të jenë sfidë për Kosovën në dhjetë vitet e ardhshme. Sipas një studimi të Fondacioni Friedrich Ebert (FES) për rininë në Kosovë, që u publikua të martën, doli në pah se të rinjtë kosovarë i besojnë FSK-së (81 për qind), Policisë së Kosovës (74 për qind) dhe bashkësive fetare (72 për qind) më së shumti prej institucioneve vendore. Ndërkaq, besimi në qeverinë është (30 për qind), parlamentin (17 për qind) dhe partitë politike (9 për qind).

Pjesë e prezantimit të këtij studimi ishte kryeministri Albin Kurti, i cili tha se është shqetësuese që të rinjtë janë më pak të interesuar dhe informuar për politikën.

Megjithatë, ai tha se në bazë të raportit del se të rinjtë në Kosovë më shumë favorizojnë politikat e majta.

“Është pak shqetësuese gjetja që sot një pjesë e të rinjve janë të pa interesuar dhe të painformuar për politikën. Historikisht rinia ka qenë gjithmonë nismëtare e vendimeve dhe kthesave të mëdha. E dina rolin e saj në drejtimin e rrugës progresive dhe progresiste. Edhe rinia sot kur pyetën për masa specifike favorizojnë përgjithësisht politika të majta. Si një vend që po rritet ekonomikisht shpejtë e majta apo modeli socialdemokrat siguron që përfitimet të shpërndahen përgjithësisht”, tha ai.

Kreu qeveritar iu bëri apel të rinjve kosovarë që të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në Kosovë.

“Përmes reformave në sistemin arsimor, rritjes së buxhetit për arsimin, investimin e infrastrukturës arsimore dhe programi i themelimit të 12 profileve të mësimit dual, sfidat në arsim edhe po adresohen edhe zbuten. Synimi ynë është që për një diplomë shkolle apo fakulteti patjetër që të ketë një vend pune në ekonominë e shtetit tonë….13:41 Jemi të vendosur që të punojmë që të kthehen ata që shkuan, të mos kenë nevojë të shkojnë ata që planifikojnë diçka të tillë. Mbi të gjitha këtë ta bëjmë jo me fjalët që i themi por me rezultatet që i kemi. Konkretisht ekonomia, rritja ekonomia dhe demokracia është i tillë që tregon se ky vend ia vlen fortë të jetosh, banosh dhe të punosh në të dhe për të”, shtoi Kurti.

Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se institucionet në Kosovë duhet ta shfrytëzojnë këtë studim për të parë sesi ndryshojnë modelet e të rinjve, ndikimin e tyre dhe çka mendojnë ata.

“Kosova është dhe mbetet vendi më i ri në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Kur erdha unë këtu, mosha mesatare ishte 29 vjeç, mendoj se tani është 31, por kur bëjmë një krahasim me vendet e tjera, shumica e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor janë mbi 40 vjeç. Ndërsa në vendin tim, është pothuajse 47. Kështu që edhe unë kam kaluar atë moshë mesatare. Pra, ajo që doja të them është se ky studim për të rinjtë është me të vërtetë në kohën e duhur, ngase ju zbuloni se si ndryshojnë modelet e të rinjve, çfarë mendojnë ata, ndikimi tyre…Ashtu si kryeministri, është pak shqetësuese kur kupton se angazhimi apo mosangazhimi i të rinjve është mjaft i lartë, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Dhe për shkak se të rinjtë kanë ndikim në politikë, një studim i tillë nuk është vetëm me interes për akademinë apo sociologët, por është se si të angazhohen të rinjtë në proceset politike. Sepse ndryshe nga Gjermania, ju me të vërtetë keni një ndikim politik, për shkak të pothuajse 50 për qind të njerëzve nën 30 vjeç. Dhe mendoj se, për vendimmarrësit politikë, dhe disa prej tyre, dhe kryeministri janë këtu, është me të vërtetë e rëndësishme të dini se çfarë mund të bëni për çështjet si arsimi, punësimi ose mospërputhja midis kualifikimit dhe punës në të cilën jeni, kur nuk ka përputhe njëqind përqind. Çfarë mund të bëni gjithashtu për të parandaluar migrimin e njerëzve. Pra, këto janë temat që trajton studimi dhe ofron edhe zgjidhje për vendimmarrësit”, tha ai.

Kurse, drejtori i Zyrës së FES, Peter Hurrelbrink, tha se ky studim duhet të ofrojë bazë të mirë për politika konkrete dhe për të përmbushur nevojat dhe pritshmërit e të rinjve në Kosovë.

“Shpresojmë që ky studim të ofrojë një bazë të mirë për politika konkrete, për të përmbushur më mirë nevojat dhe pritshmëritë e të rinjve këtu në vend. Kosova mund ta shfrytëzojë më mirë potencialin e rinisë së saj, dhe ky studim shpresojmë se do të japë disa sugjerime për këtë. Njerëzit në vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm në Kosovë, dhe jo vetëm të rinjtë, përditë e kuptojnë se ka shumë pak progres në përmirësimin e jetës së tyre të përditshme. Kjo është arsyeja pse gjithnjë e më shumë prej tyre po vendosin të largohen nga vendet e tyre. Shumica e tyre shkojnë në Bashkimin Evropian, i cili në fakt përfiton nga kjo dukuri, veçanërisht Gjermania, kështu që kjo është e mirë për Bashkimin Evropian, por është një fatkeqësi sipas meje për vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.

Detaje për studimin dha menaxheri i programit të FES, Egzon Osmanaj. Ai tha se pavarësisht sfidave për të ardhmen, të rinjtë janë optimist për të ardhmen e tyre personale dhe të përgjithshme.

“Cfarë të rinjtë shohin se do të jetë sfida më e madhe në dekadën e ardhshme. Papunësia dhe korrupsioni kanë zënë vend edhe në të kaluarën në studimet e FES. Mirëpo ajo çka është e rëndësishme se është edhe sfida e tretë që është emigirimi, i cili s’ka qenë në studimet e kaluar por tani përmendet si një prej sfidave që Kosova do të përballet në dekadën e ardhshme. Pavarësisht këtyre sfidave që të rinjtë i shohin, në përgjithësi janë optimist si për të ardhmen personale ashtu edhe të ardhmen e përgjithshme. Rreth 87 për qind e të rinjve e perceptojnë të ardhmen e tyre më të mirë në aspekt personal, por edhe në aspekt të përgjithshëm rreth 77 për qind e tyre mendojnë se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë sesa që është tani”, përfundoi Osmanaj.

lajme

Komisioni për Punë të Jashtme pret në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë

Published

on

By

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës ka pritur sot në një takim zyrtar ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, László Dux.

Takimi mes anëtarëve të komisionit parlamentar dhe diplomatit hungarez po zhvillohet prapa dyerve të mbyllura për mediat.

Deri më tani nuk janë bërë me dije detaje zyrtare lidhur me temat konkrete të cilat janë përfshirë në agjendën e këtij takimi. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kosova e përmbyll Kampionatin Ballkanik të Karatesë me 10 medalje

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në karate ka arritur një rezultat të shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Stamboll të Turqisë, duke grumbulluar gjithsej 10 medalje, prej të cilave një e artë, tri të argjendta dhe gjashtë të bronzta.

Dita e fundit e garave solli tri medalje të bronzta në konkurrencën ekipore. Ekipi i djemve për kadetë, ekipi i vajzave për kadete si dhe ekipi i djemve për juniorë arritën të ngjiten në podiumin e fituesve duke siguruar medalje të bronzta për Kosovën.

Në garat individuale, suksesin më të madh e shënoi Emira Maqedonci, e cila u kurorëzua kampione e Ballkanit duke fituar medaljen e artë. Me medalje të argjendta u nderuan Suela Arifi, Qëndresa Ibrahimi dhe Prijam Gashi, ndërsa medaljet e bronzta në konkurrencën individuale i rrëmbyen Alea Kelmendi, Krenar Ismajli dhe Amar Daku.

Rezultati i arritur në Stamboll rikonfirmon ngritjen e karatesë kosovare në arenën rajonale, me federatën, trajnerët dhe sportistët që morën urime të shumta për përfaqësimin dinjitoz të flamurit të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 9 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

9 nëntor 1992 

Katër të vrarë, shumë të plagosur, 45 persona të dënuar në Shkup

Autoritetet e Maqedonisë vërtetuan lajmet se gjatë intervenimit të policisë së Maqedonisë ndaj protestuesve shqiptarë në lagjen Bit Pazar në Shkup, u vranë katër persona, me dhjetëra u plagosën, ndërsa, së paku 45 persona u dënuan me nga 30 ditë burg.

Nga të vrarët mirret vesh se Safet Sejfullai, 32 vjeçar u vra para portës së shtëpisë së tij. Ndërsa Viktorija Geshovska, 63 vjeçare u vra në dhomë të banesës së saj. I vrari i tretë, Shemsedin Ibrahimi, 38 vjeçar, vdiq në spital. Ndërsa viktima e katërt, që supozohet se është shqiptar, nuk është identifikuar ende. Në një raport nga Shkupi, të botuar sot në revistën “Shkëndija”, thuhet se i vrari i katërt është Sulejman Memishi, 22 vjeçar nga Shkupi.

Në raportet e ndryshme nga Shkupi, që mbështeten në burimet shqiptare, mirret vesh se policia maqedonase, arrestoi së paku 100 persona. Një numër i tyre është dënuar me burg, tha nënkryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Sami Ibrahimi. Deri më tash janë dënuar 45 persona me nga 30 ditë burg: Rrahman Iliazi (1970), Fadil Luta (1955), Jakup Salievski (1973), Abdyl Hyseni (1964), Vehbi Neziri (1973), Abdyl Sylejmani (1962), Adnan Rufati (1974), Setki Sylejmani (1906), Zekiria Vishi (1966), Qamil Vishi (1969), Osman Miftari (1956), Selajdin Ismaili (1965), Muharrem Seta (1968), Halil Ramadani (1958), Ibish Llami (1968), Ismajl Myrtezi (1951), Sylejman Maksuti (1950), Safet Gashi (1962), Fatmir Jashari (1965), Ramiz Sefaj (1956), Feriz Jusufi (1964), Ruzhdi Aliu (1952), Adnan Jusufi (1964), Samet Samakova (1958), Hamdi Bislimi (1964), Abullah Berkiri (1962), Sadri Burhamedini (1965), ? Çajani (1968), Isen Sinani (1953), Sabit Rexhepi (1974), Nehat Haliti (1968), Ali Morina (1958), Hajrullah Mustafa (1962), Faredin Bakiu (1965), Isa Selmani (1972), Shaip Selmani (1973), Ferid Islami (1967), Sedat Ismaili (1954), Xhelal Jashari (1959), Reshat Musliu (1959) dhe me të holla u dënuan Abdyl Naser Muharremi, Abdyl Kadri Abdiu, Naser Poliku dhe Mensur Mema.

Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarve nuk dihet.

Burimet shqiptare dyshojnë se numri i të vrarëve është më i madh.

Varrimi i të vrarëve u bë sot.

 

9 nëntor 1993

Diskriminim nacional e social

Sindikata e Pavarura të policisë së Kosovës, në një kumtesë për opinion, thekson se me shkresën e Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë, nr.890/1 prej 5 majt 1993 punëtorët shqiptarë në ish-SKPB janë përjashtuar arbitrarisht nga procedura për blerjen e banesave. Në praktikë, thuhet më tej në kumtesë, punëtorët shqiptarë të ish-SKPB-së së Kosovës u hodhën dëbuan arbitrarisht nga banesat shoqërore. Vetëm në muajin tetor 1993 me dhunë arbitrare policia serbe nga banesat shoqërore e nxori Enver Magjunin, ish-kryeshef i Drejtoratit për punë të brendshme në Vushtrri, Ramadan Bytyqi, ish-poskomandant i milicisë së komunikacionit në Ferizaj, Halil Blakaj, ish-poskomandant i milicisë në Prizren dhe Sadri Dedushajn, ish-milic në Deçan, shfrytëzues legjitim shumëvjeçar në to u vendosën Milosavleviq Milivoje, Zhiviq Gradimir, Zharko N.etj.

Ndërsa, gjatë muajit të kaluar, për shkak të aktivitetit sindikal, fizikisht u maltretuan Jakup Ahmeti, Imri Shala, Ali Berisha, Shemsi Slameni në Prishtinë dhe Shaban Neziri në Podujevë, thuhet në mes tjerash në kumtesën e Sindikatave të Pavarura të policisë së Kosovës.

 

9 nëntor 1995

Policia dëmtoi varrezat e Besim Latifit e Skënder Monollit në Pollatë të Podujevës

Policia serbe dëmtoi dje në Pollatë rrethojën e varrezave të Besim Latifit e Skënder Monollit, të cilët u vranë në shtëpitë e tyre në shtator të vitit 1990 nga një ekspeditë e forcave serbe.

Katër autoblinda dhe një automjet i policisë serbe shkuan dje rreth orës 15:00 në fshatin Pollatë të Podujevës dhe pasi qëndruan rreth 15 minuta përballë shkollës fillore të këtij fshati, duke u kthyer në drejtim të Podujevës, me autoblindë rrënuan një pjesë të rrethojave të varrezave të Besim Latifit e të Skënder Monollit, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Podujevë.

Në këto varreza është varrosur edhe Shefki Latifi, i cili u mbyt me torturë nga policia serbe më 4 korrik të këtij viti në Podujevë.

Aksioni i policisë serbe në shtator të vitit 1990 shënon fillimin e aksionit të madh të torturimit e keqtrajtimeve që përfshiu Kosovën gjatë pesë viteve të kaluara nën pretekst të kërkimit të armëve.

 

9 nëntor 1996

Në një apartament të Torinos u gjetën të vrara dy vajza shqiptare 

Në një apartament të veçuar në afërsi të stacionit hekurudhor të Torinos, dy vajza shqiptare në moshë të re shtetase të Shqipërisë u gjetën të vrara. Njëra nga ato vdiq menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetra pas operacionit po ashtu vdiq në spitalin e qytetit të Torinos, thuhej në një njoftim  të emetuar parmbrëmë në BBC.

Nga i njëjti burim theksohej se në shënimet e gjetura në apartament, rezultonte se vajzat e mbytura me thikë kërkonin të shkëputeshin përfundimisht nga rrjeti i prostitucionit ku ishin futur me forcë nga shfrytëzuesit e tyre. Ndërkohë, burimet e policisë italiane njoftuan se vrasja barbare e këtyre dy vajzave shqiptare është pasojë e hakmarrjes së bandave të kriminelëve, ngase ato nuk dëshironin të mbeteshin në kthetrat e tyre. Vetëm gjatë këtij viti në mënyra të ngjashme kanë rënë viktima 8 vajza shqiptare.

 

9 nëntor 1998

Prizren: Nuk ka tërheqje, por ripozicionime të forcave serbe

Në komunën e Prizrenit, nuk ka asnjë shenjë të tërheqjes së forcave serbe, ndërsa ato vetëm se janë ripozicionuar dhe vazhdojnë t’i keqtrajtojnë qytetarë shqiptarë, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

Në fshatin Planejë të Hasit tash një muaj janë vendosur forca të mëdha të ushtrisë serbe. Në këtë fshat, ushtria serbe ka uzurpuar tri dyqane të këtij fshati, si dhe objektin e shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri”.

Bëhet e ditur se ushtria serbe po i mban në izolim edhe disa lagje të këtij fshati, ndërsa çdo ditë po i ndalojnë qytetarët e këtushëm shqiptarë. Po ashtu në këtë fshat, ushtria serbe ka hapur edhe llogore.

Ndërkaq, forcat e policisë serbe po lëvizin shpesh edhe përgjatë rrugës Prizren-Prishtinë, veçanërisht në rrugën Duhël-Shtimje.

Dje rreth orës 11:00 në fshatin Zojz, policia serbe ka keqtrajtuar Halil Destanin. Në këtë fshat, qytetarët shqiptarë po keqtrajtohen nga një ekspeditë ndëshkuese e policisë serbe, e cila çdo ditë po dislokohet në fshatin Piranë, ndërsa po lëvizë edhe drejt fshatrave të tjera të Përdrinisë.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ndryshimet klimatike dhe sfidat globale: Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, folës në samitin botëror COP31 në Antalya

Published

on

By

UBT do të marr pjesë në Konferencën e 31-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), përmes pjesëmarrjes së Rektorit, Prof. Dr. Edmond Hajrizi në një panel ndërkombëtar të nivelit të lartë.

Më 18 nëntor 2026, në orën 13:00, në zonën Blue Zone të COP31 në Antalya, Rektori Hajrizi do të jetë folës në panelin me temë “From Universities to a Global Climate Alliance: Shared Vision and Action for Green Transition”, nën moderimin e Rektorit të Universitetit Çanakkale Onsekiz Mart, Prof. Dr. R. Cüneyt Erenoğlu.

Në kuadër të këtij paneli, Rektori Hajrizi do të prezantojë temën: “From Smart Campuses to Climate-Resilient Cities: The 5S Approach to University Living Labs”.

Prezantimi do të fokusohet në modelin UBT Smart City, duke trajtuar integrimin e arsimit, kërkimit shkencor, teknologjive të avancuara dhe veprimit klimatik në zhvillimin e kampuseve inteligjente dhe të qëndrueshme. Kjo pjesëmarrje përfaqëson gjithashtu vazhdimësinë e bashkëpunimit akademik ndërmjet UBT-së dhe Universitetit Çanakkale Onsekiz Mart, i cili filloi me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në vitin 2024.

Në kuadër të këtij partneriteti, me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), në UBT është realizuar Projekti i Transformimit të Gjelbër, me pjesëmarrjen e rreth 30 studentëve. Përmes pjesëmarrjes në COP31, UBT synon të ndajë përvojën e tij akademike dhe institucionale, të promovojë inovacionin dhe të forcojë partneritetet ndërkombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përballimin e sfidave klimatike.

Continue Reading

Të kërkuara