Lajmet

Papa Leoni bën thirrje për unitet, premton të mos jetë “autokrat”

Published

on

Papa Leoni XIV nisi zyrtarisht shërbimin e tij të dielën duke iu drejtuar konservatorëve që ndiheshin të përjashtuar nën paraardhësin e tij, duke bërë thirrje për unitet, duke premtuar ruajtjen e trashëgimisë së Kishës Katolike dhe duke deklaruar se nuk do të qeverisë si “një autokrat”.

Pas një parade të parë me papamobilin përmes një turme me rreth 200.000 njerëz në Sheshin e Shën Pjetrit dhe rrugët përreth, Leoni u kurorëzua zyrtarisht si papa i 267-të i Kishës Katolike Romake gjatë një meshë në ambient të hapur.

Mbështetësit valëvitnin flamuj amerikanë dhe peruanë, me njerëz nga të dy vendet që e shpallin atë si papën e parë nga kombet e tyre. I lindur në Çikago, papa 69-vjeçar kaloi shumë vite si misionar në Peru dhe ka gjithashtu shtetësi peruviane.

Robert Prevost, një figurë relativisht e panjohur në skenën botërore që u bë kardinal vetëm dy vjet më parë, u zgjodh papa më 8 maj pas një konklavi të shkurtër kardinalësh që zgjati rreth 24 orë.

Ai pasoi Françeskun, një argjentinas që vdiq më 21 prill pas një udhëheqjeje 12-vjeçare shpesh të trazuar gjatë së cilës u përball me tradicionalistët dhe mbrojti të varfrit e të margjinalizuarit.

Në predikimin e tij, të lexuar në italishte të rrjedhshme, Leoni tha se si udhëheqës i 1.4 miliard katolikëve në mbarë botën, ai do të vazhdojë trashëgiminë e Françeskut në çështje sociale si lufta kundër varfërisë dhe mbrojtja e mjedisit.

Ai premtoi se do të përballet me “pyetjet, shqetësimet dhe sfidat e botës së sotme” dhe, në një gjest ndaj konservatorëve, premtoi të ruajë “trashëgiminë e pasur të fesë së krishterë”, duke bërë thirrje të përsëritura për unitet.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, një i konvertuar në katolicizëm që u përplas me Françeskun për politikat e ashpra të emigracionit të Shtëpisë së Bardhë, udhëhoqi delegacionin amerikan së bashku me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, gjithashtu katolik.

Vance shtrëngoi dorën shkurtimisht me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në fillim të ceremonisë. Të dy u takuan për herë të fundit në shkurt në Shtëpinë e Bardhë, kur u përplasën fort përpara mediave botërore.

Zelensky dhe Papa Leoni pritet ta mbajnë një takim privat më vonë gjatë të dielës, ndërsa Vance pritet të takohet me papën të hënën.

Në një apel të shkurtër në fund të meshës, Papa Leoni iu referua disa konflikteve globale. Ai tha se Ukraina po “martirizohet”, një frazë e përdorur shpesh nga Françesku, dhe bëri thirrje për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” atje. Ai përmendi gjithashtu situatën humanitare në Gazë.

Ndër ata që ishin në turmë të dielën kishte shumë pelegrinë nga SHBA-ja dhe Peruja.

Që nga zgjedhja si papë, Leoni ka sinjalizuar disa prioritete kyçe për papatin e tij, përfshirë një paralajmërim për rreziqet e inteligjencës artificiale dhe rëndësinë e sjelljes së paqes në botë dhe brenda vetë Kishës.

Papati i Françeskut la një Kishë të përçarë, me konservatorët që e akuzonin atë për krijimin e konfuzionit.

Duke thënë se po merrte këtë mision “me frikë dhe dridhje”, Leoni përdori fjalët “unitet” ose “të bashkuar” shtatë herë të dielën dhe fjalën “harmoni” katër herë.

Konservatorët gjithashtu akuzuan Françeskun se qeveriste në mënyrë autoritare dhe ankohen se ai i përçmonte shqetësimet e tyre dhe nuk konsultohej gjerësisht përpara marrjes së vendimeve.

Duke iu referuar Shën Pjetrit, apostullit të krishterë të shekullit të parë nga i cili papët e nxjerrin autoritetin e tyre, Leoni tha: “Pjetri duhet të kullosë kopenë pa iu dorëzuar ndonjëherë tundimit për të qenë autokrat, duke sunduar mbi ata që i janë besuar. Përkundrazi, ai thirret t’i shërbejë besimit të vëllezërve dhe motrave të tij dhe të ecë përkrah tyre”.

Shumë udhëheqës botërorë morën pjesë në ceremoni, përfshirë presidentët e Izraelit, Perusë dhe Nigerisë, kryeministrat e Italisë, Kanadasë dhe Australisë, kancelarin gjerman, Friedrich Merz, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen./REL

Lajmet

Zbulim i ri arkeologjik në Spanjë: Një dhomë romake mendohet të ketë qenë bibliotekë e lashtë

Published

on

Një zbulim i ri arkeologjik në kompleksin romak Fuente Álamo, në Kordobë të Spanjës, mund të ndryshojë mënyrën se si kuptohet historia e këtij vendbanimi antik.

Sipas një studimi të publikuar në Journal of Mediterranean Archaeology, një dhomë që më parë besohej se ishte një faltore kushtuar perëndisë Mithra, mund të ketë shërbyer si bibliotekë romake.

Studiuesit nga universitetet e Kordobës dhe Granadës kanë arritur në përfundimin se Dhoma 10 është rimodeluar në shekullin e IV pas Krishtit dhe mund të jetë protobiblioteka më e vjetër e zbuluar deri më sot në Gadishullin Iberik, si dhe biblioteka më perëndimore e njohur në Perandorinë Romake.

Analizat arkitekturore kanë zbuluar elemente tipike të bibliotekave romake, përfshirë një absidë, kamare për ruajtjen e dorëshkrimeve, podium dhe hapësira që mund të kenë shërbyer për punë ose magazinim.

Nëse konfirmohet përfundimisht, kjo bibliotekë do të përbënte një nga zbulimet më të rëndësishme për studimin e jetës kulturore dhe intelektuale në Perandorinë Romake./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sulm ndaj zyrtarëve policorë në Rahovec, një person dërgohet në mbajtje

Published

on

Në Rahovec është arrestuar një person pasi dyshohet se, së bashku me familjarët e tij, ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë gjatë një intervenimi.

Sipas Policisë, të dyshuarit nuk i kanë respektuar urdhrat e zyrtarëve policorë dhe më pas kanë ndërmarrë sulm fizik ndaj tyre.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti po hetohet./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Inspektim në 65 auto-parkingje në Prishtinë, evidentohen shkelje tatimore

Published

on

Njësitë policore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, kanë realizuar një aksion inspektimi në 65 auto-parkingje në rajonin e Prishtinës.

Gjatë kontrolleve janë evidentuar shkelje të ndryshme, të cilat do të trajtohen nga institucionet përkatëse në përputhje me kompetencat ligjore.

Aksioni është zhvilluar në kuadër të luftimit të shmangies nga tatimi dhe respektimit të obligimeve ligjore nga bizneset./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Lipjan për ngacmim seksual

Published

on

Në Lipjan është arrestuar një person pasi dyshohet se në vazhdimësi ka ngacmuar një grua.

Sipas Policisë, rasti është raportuar më 29 korrik 2026, ndërsa pas konsultimit me prokurorin dhe inicimit të rastit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti po hetohet./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara