Lajmet

Papa Leoni bën thirrje për unitet, premton të mos jetë “autokrat”

Published

on

Papa Leoni XIV nisi zyrtarisht shërbimin e tij të dielën duke iu drejtuar konservatorëve që ndiheshin të përjashtuar nën paraardhësin e tij, duke bërë thirrje për unitet, duke premtuar ruajtjen e trashëgimisë së Kishës Katolike dhe duke deklaruar se nuk do të qeverisë si “një autokrat”.

Pas një parade të parë me papamobilin përmes një turme me rreth 200.000 njerëz në Sheshin e Shën Pjetrit dhe rrugët përreth, Leoni u kurorëzua zyrtarisht si papa i 267-të i Kishës Katolike Romake gjatë një meshë në ambient të hapur.

Mbështetësit valëvitnin flamuj amerikanë dhe peruanë, me njerëz nga të dy vendet që e shpallin atë si papën e parë nga kombet e tyre. I lindur në Çikago, papa 69-vjeçar kaloi shumë vite si misionar në Peru dhe ka gjithashtu shtetësi peruviane.

Robert Prevost, një figurë relativisht e panjohur në skenën botërore që u bë kardinal vetëm dy vjet më parë, u zgjodh papa më 8 maj pas një konklavi të shkurtër kardinalësh që zgjati rreth 24 orë.

Ai pasoi Françeskun, një argjentinas që vdiq më 21 prill pas një udhëheqjeje 12-vjeçare shpesh të trazuar gjatë së cilës u përball me tradicionalistët dhe mbrojti të varfrit e të margjinalizuarit.

Në predikimin e tij, të lexuar në italishte të rrjedhshme, Leoni tha se si udhëheqës i 1.4 miliard katolikëve në mbarë botën, ai do të vazhdojë trashëgiminë e Françeskut në çështje sociale si lufta kundër varfërisë dhe mbrojtja e mjedisit.

Ai premtoi se do të përballet me “pyetjet, shqetësimet dhe sfidat e botës së sotme” dhe, në një gjest ndaj konservatorëve, premtoi të ruajë “trashëgiminë e pasur të fesë së krishterë”, duke bërë thirrje të përsëritura për unitet.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, një i konvertuar në katolicizëm që u përplas me Françeskun për politikat e ashpra të emigracionit të Shtëpisë së Bardhë, udhëhoqi delegacionin amerikan së bashku me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, gjithashtu katolik.

Vance shtrëngoi dorën shkurtimisht me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në fillim të ceremonisë. Të dy u takuan për herë të fundit në shkurt në Shtëpinë e Bardhë, kur u përplasën fort përpara mediave botërore.

Zelensky dhe Papa Leoni pritet ta mbajnë një takim privat më vonë gjatë të dielës, ndërsa Vance pritet të takohet me papën të hënën.

Në një apel të shkurtër në fund të meshës, Papa Leoni iu referua disa konflikteve globale. Ai tha se Ukraina po “martirizohet”, një frazë e përdorur shpesh nga Françesku, dhe bëri thirrje për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” atje. Ai përmendi gjithashtu situatën humanitare në Gazë.

Ndër ata që ishin në turmë të dielën kishte shumë pelegrinë nga SHBA-ja dhe Peruja.

Që nga zgjedhja si papë, Leoni ka sinjalizuar disa prioritete kyçe për papatin e tij, përfshirë një paralajmërim për rreziqet e inteligjencës artificiale dhe rëndësinë e sjelljes së paqes në botë dhe brenda vetë Kishës.

Papati i Françeskut la një Kishë të përçarë, me konservatorët që e akuzonin atë për krijimin e konfuzionit.

Duke thënë se po merrte këtë mision “me frikë dhe dridhje”, Leoni përdori fjalët “unitet” ose “të bashkuar” shtatë herë të dielën dhe fjalën “harmoni” katër herë.

Konservatorët gjithashtu akuzuan Françeskun se qeveriste në mënyrë autoritare dhe ankohen se ai i përçmonte shqetësimet e tyre dhe nuk konsultohej gjerësisht përpara marrjes së vendimeve.

Duke iu referuar Shën Pjetrit, apostullit të krishterë të shekullit të parë nga i cili papët e nxjerrin autoritetin e tyre, Leoni tha: “Pjetri duhet të kullosë kopenë pa iu dorëzuar ndonjëherë tundimit për të qenë autokrat, duke sunduar mbi ata që i janë besuar. Përkundrazi, ai thirret t’i shërbejë besimit të vëllezërve dhe motrave të tij dhe të ecë përkrah tyre”.

Shumë udhëheqës botërorë morën pjesë në ceremoni, përfshirë presidentët e Izraelit, Perusë dhe Nigerisë, kryeministrat e Italisë, Kanadasë dhe Australisë, kancelarin gjerman, Friedrich Merz, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen./REL

Lajmet

UBT në TOP 100 institucionet më të mira në botë në fushën e arkitekturës

Published

on

By

UBT është renditur në TOP 100 institucionet më të mira në botë në INSPIRELI World Architecture University Ranking, duke u pozicionuar në vendin e 33-të nga 1,444 institucione ndërkombëtare. Ky vlerësim prestigjioz dëshmon përkushtimin, kreativitetin dhe cilësinë akademike të studentëve dhe stafit të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, të cilët përmes projekteve inovative kanë arritur rezultate të shkëlqyera në nivel global.

Ky vlerësim i rëndësishëm është rezultat i punës së palodhshme, përkushtimit dhe kreativitetit të studentëve, të cilët përmes projekteve inovative arkitektonike dhe planifikuese kanë dëshmuar ide të avancuara, qasje bashkëkohore dhe zgjidhje kreative për sfidat e mjedisit të ndërtuar.

Projektet e realizuara nga studentët e UBT-së janë vlerësuar për originalitetin, funksionalitetin dhe ndikimin e tyre në zhvillimin hapësinor, duke e pozicionuar universitetin në mesin e institucioneve më të suksesshme në këtë fushë.

Një rol kyç në këtë sukses ka pasur edhe stafi akademik dhe profesional, i cili ka mbështetur vazhdimisht studentët gjatë këtij rrugëtimi, duke i udhëzuar në zhvillimin e projekteve, në aplikimin e standardeve ndërkombëtare dhe në ndërtimin e një qasjeje kritike e inovative ndaj arkitekturës dhe planifikimit hapësinor.

Renditja në INSPIRELI World Architecture University Ranking dëshmon se UBT po ndërton një mjedis akademik që nxit ekselencën, kreativitetin dhe angazhimin praktik, duke përgatitur arkitektë dhe planifikues të rinj të aftë për të konkurruar dhe kontribuar në nivel global.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Kushtetuese vendos për ankesën e Listës Serbe

Published

on

By

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 28 janar 2026, ka vendosur në rastin KO325/25, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procesverbaleve nga seanca e Kuvendit të Kosovës”, e mbajtur më 10 tetor 2025, të parashtruar nga Igor Simić dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Gjykata, ka vendosur: (i) të deklarojë, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër, që Vendimi [Nr.09-V-071] i Kuvendit të Republikës së Kosovës i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër që, bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky aktgjykim në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues; si dhe (iv) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masë të përkohshme.

Në aplikimin e parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Gjykata, siç ka sqaruar në Aktgjykim, arriti në përfundimin se shumica e deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, duke propozuar 9 (nëntë) kandidatë. Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë.”

Continue Reading

Lajmet

​Arrestohet një person, dyshohet se shtiu me kallashnikov në qendër të Podujevës

Published

on

By

Pasditen e sotme një person i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndërsa policia ka reaguar menjëherë duke arrestuar të dyshuarin

Lajmin për arrestimin e të dyshuarit e ka konfirmuar zyrtarja për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, moment kur njësitë policore kanë pranuar informatën dhe kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Rreth orës 13:30 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë. Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar personin e dyshuar”, ka deklaruar Ahmeti.

Continue Reading

Lajmet

VV dorëzon në polici kërkesë për hetim të kontratës 950 mijë euro të Komunës së Prishtinës për mbeturinat

Published

on

By

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Policinë e Kosovës një kërkesë për inicimin e hetimeve lidhur me kontratën në vlerë prej 950 mijë eurosh, të cilën Komuna e Prishtinës e ka dhënë për menaxhimin e mbeturinave.

Këtë e ka bërë të ditur asamblisti i VV-së, Çlirim Gërbeshi. Sipas VV-së, kjo kontratë, e negociuar pa njoftim paraprak, është në kundërshtim me normat ligjore në fuqi.

VV-ja pretendon se i gjithë procesi që i ka paraprirë lidhjes së kësaj kontrate paraqet indicie serioze dhe lë hapësirë të gjerë për hetim nga ana e organeve kompetente.

“Sot, në emër të Qendrës së Prishtinës të Lëvizjes Vetëvendosje!, kemi dorëzuar në Policinë e Kosovës kërkesë për inicimin e hetimeve lidhur me kontratën në vlerë prej 950 mijë eurosh, të cilën Komuna e Prishtinës e ka dhënë për menaxhimin e mbeturinave.

Sipas vlerësimit tonë, kjo kontratë, e negociuar pa njoftim paraprak, është në kundërshtim me normat ligjore në fuqi. Po ashtu, i gjithë procesi që i ka paraprirë lidhjes së kësaj kontrate paraqet indicie serioze dhe lë hapësirë të gjerë për hetim nga ana e organeve kompetente.

Institucionet publike janë të obliguara të veprojnë me transparencë, ligjshmëri dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve, ndërsa çdo devijim nga këto parime duhet të hetohet dhe të marrë përgjigje ligjore. Prishtina meriton qeverisje të ndershme, jo marrëveshje të dyshimta në kurriz të interesit publik”, ka shkruar Gërbeshi.

Continue Reading

Të kërkuara