Aktualitet

Palestinezët në Bregun Perëndimor me frikë për jetën e fëmijëve të tyre edhe në shkollë

Published

on

“Bassam al-Assaf” ka vendosur një gardh të gjatë me tela me gjemba rreth kompleksit dhe ka përforcuar portat e shkollës, në përpjekje për t’u ofruar qetësi prindërve. Tashmë, ekipet e ambulancave janë vendosur në rrugën jashtë shkollës, ndërsa disa prindër vullnetarisht po qëndrojnë jashtë shkollës gjatë gjithë ditës, si një veprim shtesë mbrojtjeje, raporton BBC.

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor palestinez, drejtori i shkollës së djemve në al-Mughayyir, “Bassam al-Assaf”, mbërriti në punë para agimit, duke kaluar pranë rrethimit të sapovendosur me tela me gjemba dhe portave të përforcuara të shkollës, ndërsa dielli fillonte të depërtonte mes ullinjve përreth fshatit, thellë në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Jemi të frikësuar”, tha al-Assaf. “Nxënësit kanë frikë dhe prindërit e tyre kanë frikë”.

Gjashtë persona, përfshirë tre nxënës të kësaj shkolle, janë vrarë në al-Mughayyir këtë vit, në një valë dhune të lidhur me kolonët kundër palestinezëve. Njëri prej tyre, 14-vjeçari Aws al-Naasan, u qëllua për vdekje nga një kolon jashtë portave të shkollës në prill.

“Isha brenda klasës sime dhe dy nxënës të vegjël erdhën me vrap për të më thënë se kishte kolonë pranë murit të shkollës”, kujton mësuesi i anglishtes, Waheed Abu Naem, vëllai i të cilit, Jihad, u vra gjithashtu nga një ushtar izraelit në të njëjtin sulm.

Waheed tha se po përpiqej t’i zhvendoste nxënësit në një vend të sigurt brenda portës së shkollës, kur koloni qëlloi në drejtim të tyre. Pamjet e regjistruara me telefon tregojnë momentin kur Aws u qëllua.

“Kur e ktheva pashë shumë gjak që i dilte nga hunda dhe goja dhe plumbin në kokë”, tha Waheed. “E humbëm”.

Ai tha se plumbat vazhduan të godisnin ndërtesën e shkollës, ndërsa nxënësit fshiheshin pas mureve të klasave ose shtriheshin përtokë.

Ushtria izraelite në një deklaratë në atë kohë tha se ishin hedhur gurë ndaj një veture që transportonte “civilë, përfshirë një ushtar rezervist”, dhe se rezervisti kishte dalë nga automjeti dhe kishte qëlluar ndaj personave të dyshuar.

Mediat izraelite raportuan se rezervisti u pezullua më vonë nga detyra dhe se nisi një hetim.

Që nga ajo ditë, numri i viktimave është rritur, bashkë me frikën e prindërve.

Hezitimi për t’i çuar fëmijët në shkollë

Gjatë verës, edhe dy nxënës të tjerë u qëlluan për vdekje nga forcat izraelite gjatë sulmeve dhe inkursioneve të kolonëve në fshat, së bashku me një 19-vjeçar që sapo kishte përfunduar shkollën.

Në të dyja rastet, ushtria izraelite tha se forcat e saj iu përgjigjën personave që nxitën “një trazirë të dhunshme”.

Me tri banka bosh në klasat e tyre, disa prindër hezitonin t’i dërgonin fëmijët në shkollë për vitin e ri shkollor.

Shkolla ndodhet pikërisht në skajin e al-Mughayyir, një fshat i izoluar në verilindje të Ramallahut, i rrethuar gjithnjë e më shumë nga postblloqe të kolonëve hebrenj dhe që shpesh bllokohet nga forcat izraelite, të cilat rregullisht vendosin një pikë kontrolli të improvizuar në hyrje.

“Bassam al-Assaf” ka vendosur një gardh të gjatë me tela me gjemba rreth kompleksit dhe ka përforcuar portat e shkollës, në përpjekje për t’u ofruar qetësi prindërve. Tashmë, ekipet e ambulancave janë vendosur në rrugën jashtë shkollës, ndërsa disa prindër vullnetarisht po qëndrojnë jashtë shkollës gjatë gjithë ditës, si një veprim shtesë mbrojtjeje.

“Erdha sepse kjo i bën fëmijët të ndiejnë se prindërit e tyre janë me ta, se janë të sigurt, kjo u jep një lloj sigurie”, tha Haroon Bishara, i cili ka një djalë në klasën e parë dhe një në të dytën.

“Këtë vit kemi më shumë frikë për fëmijët tanë. E dimë se në shkollë nuk ka siguri”, shtoi ai.

 

Por Bishara tha se kjo frikë ishte e përzier me vendosmërinë për të mos lejuar që kërcënimi nga sulmet e kolonëve t’i detyronte të largoheshin.

Të rreshtuar në oborr, nxënësit dëgjuan gjatë gjithë ditës udhëzimet që mësuesit përsëritën vazhdimisht: nëse ushtarët ose kolonët afrohen pranë shkollës, mos bërtisni, mos u afroni dhe mos reagoni.

Pak më shumë se një orë pasi nisën mësimet, kolonët u panë përmes dritareve të shkollës: dy burra që çonin delet përmes fushave palestineze, disa qindra metra larg shkollës, ndërsa ushtarët izraelitë qëndronin aty pranë.

Pak minuta më vonë, u shfaq një tjetër kolon me një tufë delesh.

“Që nga prilli ata janë afruar më shumë me fshatin”, tha Abu Naem. “Më parë i mbanin delet pas kësaj kodre, por tani ushtarët i sjellin kolonët deri te fshati”.

BBC-ja i ka kërkuar ushtrisë izraelite një përgjigje ndaj të gjitha akuzave të përfshira në këtë raport, por ajo nuk ka dhënë një përgjigje përpara publikimit të tekstit.

“Shënjestrimi i qëllimshëm”

Të gjitha vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar janë të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare. Shumë prej postblloqeve të vogla dhe të improvizuara të kolonëve që janë shtuar përreth al-Mughayyrit janë gjithashtu të paligjshme sipas ligjit izraelit.

Por një prej ekipeve të ambulancës të vendosura jashtë shkollës tha se, në vend që t’i largonin vendbanimet e paligjshme, ushtarët izraelitë kishin filluar të mbështesnin dhe lehtësonin inkursionet e kolonëve në fshat.

Hadi al-Naasan, shofer ambulance në fshat, tha se gjatë vitit të fundit kishte pasur një ndryshim në sjelljen e forcave izraelite. Sipas tij, rritja e numrit të palestinezëve të vrarë dhe të plagosur në al-Mughayyir këtë vit e pasqyronte këtë ndryshim.

“Në fillim të vitit 2025, sulmet e kolonëve ishin të pakta, për shkak të ndërhyrjeve të ushtrisë”, tha ai. “Në vitin 2026, situata ndryshoi plotësisht: kolonët u bënë plotësisht të mbrojtur nga ushtarët pushtues. Këtë vit, numri i dëshmorëve është më i lartë, numri i të plagosurve është gjithashtu shumë më i madh, dhe numri i fëmijëve të plagosur është rritur gjithashtu”.

Hadi, së bashku me banorë të tjerë të al-Mughayyrit, beson se disa kolonë izraelitë tashmë po i shënjestrojnë qëllimisht fëmijët, me qëllim që të ushtrojnë presion mbi të rriturit e fshatit që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Një Komision Hetimor i OKB-së, në një raport të publikuar në qershor, konstatoi se sulmet e kolonëve “kanë përdorur fëmijët si mjet në kuadër të një strategjie më të gjerë shtrënguese për t’i dëbuar palestinezët nga toka e tyre”.

Ai përshkroi gjithashtu “një model të kolonëve që shënjestronin qëllimisht fëmijët palestinezë” teksa ata luanin pranë shtëpive të tyre, shkonin ose ktheheshin nga shkolla, kujdeseshin për fermat apo kullosnin bagëtitë, “duke i kthyer hapësirat e përditshme në vende frike”.

Izraeli e ka hedhur poshtë raportin, duke e cilësuar atë si një “mashtrim shpifës”.

Fermeri, Sami Abu Rahma, beson fort se disa kolonë të dhunshëm po i shënjestrojnë fëmijët.

Në fund të korrikut, djali i tij nëntëvjeçar, Salim, u qëllua dhe u plagos teksa luante me vëllezërit dhe motrat e tij në fermën familjare të deleve jashtë al-Mughayyrit. Plumbi ende ndodhet në krahun e tij.

Pamjet e kamerave të sigurisë në fermë tregojnë Salimin duke treguar me gisht dhe duke u bërtitur prindërve të tij se kolonët po afroheshin, përpara se të vraponte për t’u strehuar me vëllezërit, motrat dhe nënën e tij, ndërsa dëgjohen dy të shtëna. Salimi shihet duke kapur shpatullën.

“Në atë moment, nuk mendon më; thjesht ndien frikë”, tha Sami. “Frikë se, Zoti na ruajt, sulmuesi po qëllonte për të vrarë. Gjëja e parë që të shkon në mendje është humbja e gjësë më të çmuar që ke”, shtoi Sami.

Ai tha se burri që qëlloi djalin e tij jetonte në një postbllok të paligjshëm të kolonëve, i cili ishte shfaqur pranë fermës në qershor, dhe se më parë kishte qëlluar ndaj Salimit në të njëjtën zonë, një javë më herët.

“Ti nuk ndihesh më se mund t’i mbash të sigurt në rrugë, madje as në shkollë”, tha ai.

“Kolonët nuk duan që ne të qëndrojmë këtu; duan të na bëjnë të ndihemi sikur nuk kemi të ardhme këtu”.

Sami tha se ishte fermeri i fundit që mban dele që kishte mbetur në atë zonë, pasi të tjerët ishin larguar me forcë nga sulmet e kolonëve. Sipas tij, koloni që qëlloi djalin i kishte thënë vazhdimisht familjes të largohej nga toka e tyre.

“Pavarësisht se sa i vendosur mund të jesh për të qëndruar”, shtoi ai, “çfarë bën kur kolonët fillojnë të qëllojnë mbi fëmijët e tu?”

Këshilli rajonal i kolonëve tha se një ushtar jashtë detyrës ishte arrestuar nën dyshimin se kishte lidhje me të shtënat.

“Na vjen keq për çdo dëm ndaj njerëzve të pafajshëm, qofshin hebrenj apo arabë, dhe kundërshtojmë çdo akt dhune që shkel ligjin”, thuhej në një deklaratë të tij, duke shtuar se kundërshtonte “përpjekjen për t’ia atribuuar të gjithë komunitetit të kolonëve në Jude dhe Samari aktet që ende nuk janë përcaktuar nga një hetim, si dhe pretendimin e pabazë se kullotja e ligjshme e deleve apo prania hebraike në zonë janë pjesë e një plani të qëllimshëm për të dëmtuar fëmijët ose për t’i dëbuar banorët nga shtëpitë e tyre”.

Al-Mughayyri është pjesë e një modeli që po shfaqet në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, ku gjithnjë e më shumë postblloqe të paligjshme të kolonëve po rrethojnë fshatrat palestineze, kolonët po marrin më shumë mbrojtje nga forcat izraelite dhe sulmet po zhvendosen nga fermat dhe tokat e kullotave drejt zonave të banuara, ku gratë dhe fëmijët janë më të rrezikuar.

“Fëmijët, kur shohin ushtrinë duke hyrë, nuk e kuptojnë rëndësinë e situatës”, tha Hadi al-Naasan, pjesëtar i ekipit lokal të ambulancës. “Të rriturit janë më të vetëdijshëm se si mund të zhvillohen ngjarjet”.

Statistikat e OKB-së

Shifrat e OKB-së sugjerojnë se numri i palestinezëve të plagosur gjatë sulmeve të kolonëve nga ushtarët izraelitë ose vetë kolonët është rritur ndjeshëm këtë vit, në një mesatare prej tre të plagosurish në ditë, ndërsa edhe numri i plagosjeve të shkaktuara drejtpërdrejt nga kolonët është më i lartë.

Kjo rritje është shoqëruar me zgjerimin e vendbanimeve izraelite dhe postblloqeve të kolonëve në Bregun Perëndimor.

Të gjitha vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor janë të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare dhe qeveria izraelite, e cila mbështet fuqishëm zgjerimin e vendbanimeve, po përballet me presion në rritje ndërkombëtar.

Arrestimi i disa kolonëve të dhunshëm dhe një plan i raportuar i kryeministrit izraelit për të çmontuar postblloqet e paligjshme në Bregun Perëndimor, nuk i kanë ndalur deri tani sulmet dhe as nuk i kanë qetësuar palestinezët, të cilët thonë se postblloqet e shkatërruara më parë nga autoritetet izraelite janë rindërtuar shpejt.

Teksa zgjedhjet izraelite janë më pak se dy muaj larg, ministria izraelite e Financave çoi përpara këtë javë planet për të marrë nën kontroll regjistrimin e tokave në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, një masë që organizata izraelite monitoruese e vendbanimeve “Peace Now” e përshkroi si “një hap të qartë drejt aneksimit”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ia ka atribuuar dhunën e kolonëve një pakice të vogël ekstremiste, duke i përshkruar ata në një intervistë të fundit televizive si “150 delinkuentë të rinj”.

Që nga fillimi i vitit 2025, OKB-ja ka regjistruar 316 palestinezë të vrarë nga forcat izraelite ose kolonët dhe më shumë se 5,600 të plagosur, deri në fund të korrikut 2026. Sipas OKB-së, gjatë së njëjtës periudhë janë vrarë 20 izraelitë, përfshirë një fëmijë dhe tetë pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa 123 izraelitë janë plagosur.

Prindërit palestinezë që kanë qëndruar në fshatra si al-Mughayyri, pavarësisht përshkallëzimit të dhunës së kolonëve, tani po përballen me një frikë gjithnjë e më të madhe se mund t’i humbasin fëmijët e tyre nëse qëndrojnë në tokën e tyre.

 

Continue Reading

lajme

Fitore historike me 9 gola: Como e Fabregasit shkatërron Lensin dhe thyen rekorde në Ligën e Kampionëve

Published

on

By

Skuadra italiane Como ka hyrë në librat e historisë së futbollit evropian, duke regjistruar një nga triumfet më spektakolare që ka njohur ndonjëherë Liga e Kampionëve, pasi mposhti Lensin me rezultatin e pabesueshëm 1-9 në udhëtim.

Ekipi i drejtuar nga Cesc Fabregas me këtë përfundimtar barazoi rekordin historik për fitoren më të thellë me optikën e tetë golave diferencë, një arritje kjo që mbahej më parë vetëm nga Liverpooli (8-0 ndaj Besiktasit në vitin 2007) dhe Real Madridi (8-0 ndaj Malmos në vitin 2015).

Përveç barazimit të këtij rekordi, Como u bë ekipi i parë në historinë e kompeticionit që arrin të shënojë nëntë gola si mysafir. Deri më tani, vetëm Bayern Munichu kishte realizuar nëntë gola në një ndeshje (në fitoren 9-2 ndaj Dinamo Zagrebit në vitin 2024), por ato i kishte shënuar në fushën e vet.

Protagonist kryesor i mbrëmjes ishte sulmuesi Tasos Douvikas i cili realizoi het-trik, ndërsa seria e golave u plotësua nga Nico Paz, Lucas Da Cunha, Marc-Oliver Kempf, Mattia Liberali, Martin Baturina dhe Matteo Papaccioli.

Kjo paraqitje mbetet një tjetër dëshmi e ecurisë mbresëlënëse të Comos në edicionin e saj debutues në elitën e futbollit evropian. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

Real Madridi triumfon sërish në fund ndaj AEK-ut të Athinës me golin e Valverdes

Published

on

By

Real Madridi ka regjistruar një tjetër fitore dramatike në minutat e fundit, duke triumfuar si mysafir me rezultatin 2-3 përballë AEK-ut të Athinës në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Skuadra greke shkaktoi befasi në pjesën e parë duke kaluar në epërsi përmes një supergoli nga distanca të shënuar nga Koita (12′). Përgjigja e madrilenëve erdhi në minutën e 32-të, kur Jude Bellingham barazoi shifrat me një gol fantastik me thembër, pas një asistimi nga Cucurella.

Megjithëse Reali pati disa raste të mirëfillta për të kaluar në avantazh gjatë pjesës së dërguar, ishte AEK-u që gjeti sërish golin me anë të Stavros Pilo (75′) nga afërsia. Gëzimi i vendësve megjithatë zgjati vetëm tre minuta, pasi Kylian Mbappe u tregua i saktë në minutën e 78-të për të barazuar sërish rezultatin, pas një asistimi të Dumfries.

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, në skenë doli Federico Valverde (90+2′), i cili me një goditje të fuqishme dhe precize nga distanca mposhti portierin vendas, duke siguruar tri pikët e arta për “Los Blancos”.

Me këtë fitore të re, Real Madridi ngjitet në kuotën e 12 pikëve në tabelë, ndërsa AEK-u mbetet me tri pikë të grumbulluara. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

Zemra rrah për Kosovën: Florent Hajdini refuzon Austrinë dhe zgjedh “Dardanët”

Published

on

By

Talenti i futbollit Florent Hajdini ka marrë vendimin përfundimtar rreth së ardhmes së tij ndërkombëtare, duke zgjedhur që të përfaqësojë ngjyrat e Kosovës dhe duke refuzuar ofertën nga Përfaqësuesja e Austrisë.

Duke dëshmuar lidhjen e fortë emocionale me vendin e origjinës, futbollisti ka përcjellë një mesazh të qartë për vendimin e tij: “Faleminderit për gjithçka, por zemra rrah për Kosovën”.

Me këtë zgjedhje, Hajdini i bashkohet listës së talentëve të shquar diasporikë që i përgjigjen pozitivisht thirrjes së “Dardanëve”, duke shtuar opsione të rëndësishme për strukturat e ardhshme të Përfaqësueses së Kosovës në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/

Continue Reading

Lajmet

Muriqi pas fitores ndaj Liverpoolit: I treguam Evropës sa e madhe është Fenerbahçe

Published

on

By

Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka vlerësuar lart fitoren me përmbysje të Fenerbahçes ndaj Liverpoolit me rezultat 3-2, duke deklaruar se ky triumf i tregoi mbarë Evropës madhështinë e gjigantit turk.

Prizrenasi u fut në lojë në pjesën e dytë si zëvendësues i Romelu Lukakut dhe pas vetëm pak minutash realizoi golin e fitores. Përveç golit vendimtar, paraqitja e tij u vlerësua lart nga platforma e specializuar Sofascore, e cila i dha notën 7.5 – ndër më të lartat e ndeshjes.

“Jam shumë i lumtur. Ky gol është një dhuratë për tifozët tanë. Po kalojmë disa kohë të vështira, por sot i treguam të gjithëve se sa e madhe është Fenerbahçe,” tha Muriqi pas takimit.

Ai shtoi se skuadra e nisi ndeshjen mjaft mirë dhe tregoi karakter për t’u rikthyer nga disavantazhi 1-2: “Të gjithë e ndjenë këtë energji. E nisëm mirë, goditëm shtyllën dhe pësuam një gol të pafat, por ia dolëm të riktheheshim. Kjo është madhështia e këtij klubi. Shpresoj me shpirt që ky triumf të shërbejë si pikë kthese për ne.”

Sulmuesi shtatlartë do të paraqitet me Fenerbahçen edhe në ndeshjen e këtij vikendi në kampionat, përpara se të udhëtojë drejt Kosovës për t’u grumbulluar me kombëtaren për dy sfidat e muajit nëntor ndaj Izraelit dhe Irlandës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara