Botë

Pakistani zotohet se do të kundërpërgjigjet ndaj Indisë

Published

on

Kryeministri i Pakistanit, Shebaz Sharif, është zotuar se do të kundërpërgjigje, pas sulmeve ajrore të Indisë, që lanë të vdekur dhjetëra persona, teksa tensionet mes dy fuqive – që kanë armë bërthamore – kërcënojnë që të përshkallëzohen edhe më shumë.

Takimi i Komitetit Kombëtar për Siguri i Pakistanit më 7 maj përfundoi me vendimin për të autorizuar ushtrinë e shtetit për t’u kundërpërgjigjur.

Komiteti Kombëtar për Siguri i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të njohë peshën e veprimeve të paprovokuara dhe ilegale të Indisë dhe ta mbajë përgjegjëse për shkeljen flagrante të normave ndërkombëtare dhe ligjeve”, u tha në deklaratën e lëshuar nga zyra e Sharifit.

Në njoftim u shtua se India “edhe një herë ka nxitur zjarr në rajon”.

Disa orë para këtij njoftimi, forcat indiane goditën caqe në mbarë Kashmirin, e administruar nga Pakistani, dhe në provincën Punxhab të Pakistanit.

India tha se kreu sulme “precize” kundër “terroristëve” pas një sulmi në Kashmirin, e administruar nga India, dy javë më parë, kur u vranë 26 turistë hindu.

India tha më herët se dy ose tre të dyshuar të atij sulmi ishin shtetas pakistanezë, por nuk dhanë detaje apo ndonjë dëshmi. Pakistani ka mohuar se është i përfshirë në këtë sulm.

Ushtria pakistaneze tha se vetëm civilë u vranë gjatë sulmeve ajrore të 7 majit, duke shtuar se numri i viktimave është 26, ndërkaq 46 të tjerë janë plagosur.

Më pas, grupi militant me seli në Pakistan, Jaish-e-Mohammed, përmes një deklarate tha se dhjetë anëtarë të familjes të liderit të grupit, Maulana Masood Azhar, janë vrarë gjatë sulmeve.

Ky njoftim nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Ndërkaq, Pakistani ka pretenduar se ka rrëzuar disa avionë indianë dhe të dyja palët kanë vazhduar të garantojnë përtej Vijës së Kontrollit – kufirit de facto në Kashmir – që nisën që nga sulmi i prillit.

Këto janë luftimet më të ashpra mes dy palëve në më shumë se dy dekada. Pakistani ka thënë se sulmet e Indisë janë “akt flagrant i luftës”./REL/

Lajmet

34 të vdekur dhe mijëra migrantë në Ceutë, Spanja forcon masat në kufi

Published

on

Të paktën 34 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin nga Maroku drejt qytetit autonom spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut. Ndërkohë, rreth 60 mijë migrantë raportohet se kanë hyrë në territorin e Ceutës brenda 24 orëve të fundit, duke krijuar një situatë të jashtëzakonshme në kufirin mes Marokut dhe Spanjës.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të garantuar sigurinë në Ceutë, pas tensioneve të fundit të shkaktuara nga fluksi i madh i migrantëve.

“Qeveria spanjolle qëndron me qytetin e Ceutës. Ne e kuptojmë shqetësimin dhe pasigurinë që qytetarët po përjetojnë në orët e fundit,” u shpreh Sánchez.

Ai theksoi se shteti do të angazhojë të gjitha burimet e nevojshme për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur rendin dhe bashkëjetesën në këtë territor spanjoll në bregdetin e Afrikës së Veriut.

“Qeveria do të përdorë çdo burim të shtetit për të garantuar sigurinë e qytetarëve të Ceutës,” shtoi ai, duke nënvizuar se asnjë qeveri e mëparshme nuk ka investuar aq shumë burime në këtë territor sa administrata aktuale.

Sánchez njoftoi gjithashtu se autoritetet do të vendosin barriera lundruese në zonën e molit si masë e përkohshme, ndërsa po shqyrtohen edhe ndryshime ligjore për menaxhimin e situatës.

Ceuta, e vendosur në bregun verior të Afrikës dhe e rrethuar nga territori maroken, mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes së migrantëve drejt Bashkimit Evropian. Fluksi i ditëve të fundit ka rritur ndjeshëm tensionet në këtë zonë kufitare, duke shtuar presionin mbi autoritetet spanjolle./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hamasi pranon marrëveshje për çarmatim, Trump e cilëson hap historik drejt paqes në Gaza

Published

on

Hamasi ka pranuar një marrëveshje për çarmatimin e plotë të tij dhe të grupeve të tjera të armatosura në Rripin e Gazës, sipas njoftimeve të presidentit amerikan, Donald Trump.

Trump e ka cilësuar marrëveshjen si një “hap historik” drejt paqes dhe sigurisë, duke bërë të ditur se zbatimi i saj do të zhvillohet në disa faza. Sipas tij, pas përfundimit të procesit të çarmatimit, forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht nga territori palestinez.

Në bazë të planit, Hamasi dhe fraksionet e tjera do t’ia dorëzojnë armët një komiteti kombëtar palestinez, ndërsa procesi do të monitorohet nga një mekanizëm ndërkombëtar verifikimi.

Pas kësaj, një Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit dhe një forcë e re policore palestineze pritet të marrin përgjegjësinë për sigurinë në Gaza.

Megjithatë, zyrtarët izraelitë kanë shprehur skepticizëm nëse Hamasi do ta zbatojë marrëveshjen, ndërsa përfaqësues të grupit palestinez kanë deklaruar se çarmatimi nuk do të nisë pa tërheqjen e ushtrisë izraelite dhe përmbushjen e detyrimeve të marrëveshjes.

Trump ka falënderuar Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për rolin e tyre në ndërmjetësimin e bisedimeve, duke e përshkruar marrëveshjen si një pikë kthese në zbatimin e planit të tij 20-pikësh për paqen në Gaza./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Merz: Mali i Zi duhet të anëtarësohet në BE deri në fund të dekadës

Published

on

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të kësaj dekade, duke vlerësuar se vendi ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret për anëtarësim.

Gjatë një vizite në Dublin, Merz tha se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të mbetet i besueshëm dhe se vendet që i plotësojnë kushtet nuk duhet të pengohen nga zhvillimet në shtetet e tjera kandidate.

Ai theksoi se Mali i Zi ka bërë përparim të konsiderueshëm në zbatimin e reformave dhe mbetet vendi më i avancuar i Ballkanit Perëndimor në negociatat për anëtarësim.

“Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të dekadës. Vendi është gati për anëtarësim dhe ka përmbushur në masë të madhe të gjitha kërkesat”, deklaroi Merz.

Kancelari gjerman rikujtoi se Kroacia ishte shteti i fundit që iu bashkua BE-së në vitin 2013 dhe theksoi se Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimet ndaj vendeve që përmbushin Kriteret e Kopenhagës.

Sipas tij, deklarata përbën një sinjal të fortë mbështetjeje për integrimin evropian të Malit të Zi, i cili synon të përfundojë negociatat dhe të anëtarësohet në BE para fundit të dekadës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zelensky kërkon 300 raketa Patriot deri në dimër

Published

on

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump një paketë urgjente me interceptorë Patriot për të mbrojtur infrastrukturën energjetike të vendit nga sulmet ruse gjatë dimrit.

Në një intervistë për Axios, Zelensky tha se rezervat ukrainase të raketave Patriot janë pothuajse të shteruara, duke paralajmëruar se pa to Rusia mund të godasë termocentralet dhe të shkaktojë një krizë humanitare.

Ai bëri të ditur se Trump ka shprehur gatishmëri për të mbështetur Ukrainën edhe me licenca për prodhimin e raketave Patriot, por theksoi se prodhimi do të kërkojë kohë.

“Ne kemi nevojë për raketat Patriot dje”, u shpreh Zelensky, duke shtuar se Ukraina synon të sigurojë 300 interceptorë deri në dimër.

Presidenti ukrainas tha se vendi është i gatshëm të ndajë teknologji dhe ekspertizë ushtarake me SHBA-në në këmbim të mbështetjes, ndërsa njoftoi se po shqyrtohet edhe mundësia e prodhimit të interceptorëve në bashkëpunim me kompanitë amerikane të mbrojtjes.

Zelensky theksoi se mbetet i interesuar për rifillimin e bisedimeve të paqes me Rusinë, por shtoi se nuk beson se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të ndalë luftën./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara