Aktualitet

Pakistani ‘do të duhet të pajtohet’ me kushtet e FMN-së

Ekonomia e Pakistanit është në gjendje të rëndë, kjo mes kaosit politik dhe përkeqësimit të sigurisë.

Published

on

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha të premten se qeveria do të duhet të pajtohet me kushtet e ndihmës së FMN-së që janë “përtej imagjinatës”.

Një delegacion i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) zbarkoi në Pakistan të martën për bisedimet e fundit për të ringjallur ndihmën jetike financiare që ka ngecur prej muajsh.

Qeveria është përballur me rritjen e taksave dhe uljen e subvencioneve të kërkuara nga FMN-ja, nga frika e reagimit përpara zgjedhjeve të tetorit.

“Unë nuk do të hyj në detaje, por do të them vetëm se sfida jonë ekonomike është e paimagjinueshme. Kushtet me të cilat do të duhet të pajtohemi me FMN-në janë përtej imagjinatës. Por ne do të duhet të pajtohemi me kushtet”, tha Sharif.

Ekonomia e Pakistanit është në gjendje të rëndë, kjo mes kaosit politik dhe përkeqësimit të sigurisë.

Banka qendrore e vendit tha të enjten se rezervat e saj valutore kishin rënë përsëri në 3.1 miliardë dollarë, gjë që analistët thanë se ishte e mjaftueshme për më pak se tre javë importe./UBTNews/

Lajmet

Nga 18 vjet burgim për Ilir dhe Rrahim Abdullahun për vrasjen e policit Triumf Riza

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të premten aktgjykimin dënues ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut, duke i dënuar me nga 18 vjet burgim secilin për vrasjen e zyrtarit policor, Triumf Riza. Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, bëri të ditur se gjykata i shpalli të akuzuarit fajtorë për kryerjen në bashkëkryerje të veprës penale “Vrasje e rëndë”, bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Sipas vendimit të gjykatës, Ilir Abdullahut i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërsa e njëjta masë e paraburgimit i është caktuar edhe Rrahim Abdullahut. Gjatë seancës së shpalljes së vendimit, në sallë ishte i pranishëm vetëm i akuzuari Ilir Abdullahu i shoqëruar nga avokati i tij, Ramë Dreshaj, ndërsa Rrahim Abdullahu mungoi dhe u përfaqësua nga avokatja Agnesa Salihu. Në seancë mungoi po ashtu edhe prokurorja e rastit, Arbëresha Shala.

Zyrtari policor Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Aktualitet

Sulme masive ruse në Ukrainë, goditen urat në Kiev dhe stacionet hekurudhore; së paku nëntë të vdekur

Published

on

By

Rusia ka goditur urat në Kiev dhe stacionet hekurudhore gjatë natës në një sulm të madh, i cili u ndërmor vetëm pak ditë pasi Ukraina dëmtoi rëndë Urën strategjike të Krimesë. Raketat balistike goditën pikat kyçe të kalimit në kryeqytetin ukrainas gjatë një sulmi në shkallë vendi, të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi si një nga goditjet më masive të luftës deri më tani, duke lënë të vrarë të paktën nëntë persona dhe duke plagosur së paku 28 të tjerë.

Sipas presidentit Zelensky, sulmet goditën disa qytete dhe rajone, përfshirë ndërtesa banimi dhe objekte energjetike, ndërsa sirenat e alarmit ajror zgjatën pa ndërprerje gjatë gjithë natës deri në orët e mëngjesit. Ai bëri të ditur se Rusia lëshoi mbi 110 raketa dhe më shumë se 400 dronë sulmues, duke përdorur taktika të lëshimit të valëve në intervale prej 20 deri në 30 minutash, gjë që vështirësoi shuarjen e zjarreve, pastrimin e rrënojave dhe rikthimin e shërbimeve. Si pasojë e goditjeve, tri urat e shënjestruara në Kiev – ura Podilsko-Voskresensky, ura Darnytskyi dhe Ura Jugore – u mbyllën për qarkullim, ndërsa kryebashkiaku Vitali Klitschko u bëri thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet me vetura private në qytet, duke konfirmuar shtatë të vdekur dhe 17 të plagosur vetëm në kryeqytet.

Dy viktima të tjera u regjistruan në qytetin perëndimor të Lvivit, ku u dëmtua rëndë stacioni hekurudhor Sknyliv, një nga pikat kryesore të hyrjes në Ukrainë për njerëzit dhe ndihmat ndërkombëtare. Ky kundërsulm vjen pasi presidenti rus Vladimir Putin kishte kërcënuar me hakmarrje të dhimbshme pas operacionit ukrainas që shembi një pjesë të rrugës së Urës së Krimesë, të cilën Moska e përdor për furnizimin e trupave dhe pajisjeve ushtarake që nga aneksimi i paligjshëm i gadishullit në vitin 2014.

Sulmet ruse përkuan me zhvillimet e dendura diplomatike në Berlin, ku liderët evropianë, përfshirë kryeministrin britanik Andy Burnham, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, deklaruan se janë të gatshëm për negociata me Moskën për t’i dhënë fund luftës. Në takimin e “koalicionit të të vullnetshmëve”, ku morën pjesë Zelensky dhe të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner pretendoi se Rusia do të ishte e hapur ndaj garancive të sigurisë për Ukrainën të bazuara në Nenin Pesë të NATO-s. Megjithatë, zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov e hodhi poshtë këtë ide, duke theksuar se një anëtarësim i tillë i Ukrainës në NATO është i papranueshëm për Rusinë. Nga ana tjetër, Trump, i cili u kyç në bisedime nga avioni presidencial pas takimeve në Kinë me Putinin dhe Xi Jinpingun, raportohet se vuri në pikëpyetje vendimin e liderëve evropianë për të ndarë 70 miliardë euro fonde ushtarake për Ukrainën.

Ndërkohë, tensionet u përhapën edhe përtej kufirit ukrainas, pasi kryeministri polak Donald Tusk akuzoi Rusinë për provokim të qëllimshëm kur një raketë lundruese ruse ra rreth 50 kilometra brenda territorit polak, së bashku me dy predha të tjera të paidentifikuara që ranë në fshatrat përreth pa shkaktuar viktima, çka detyroi ngritjen në ajër të avionëve luftarakë polakë dhe suedezë në krahun lindor të NATO-s. Pas sulmeve në Kiev, ku raportohet se u dëmtuan edhe ambasadat e Austrisë dhe Holandës, ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot kërkoi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke i quajtur goditjet ruse krime për të cilat Moska do të duhet të japë llogari. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

AKB: Nga 7.16 miliardë euro remitanca në pesë vjet e gjysmë

Published

on

By

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si po shfrytëzohet kapitali i diasporës në vend, duke vlerësuar se dërgesat e mërgimtarëve po mbeten kryesisht të orientuara drejt shpenzimeve të përditshme dhe sektorit të ndërtimit, në vend se të kanalizohen në zhvillimin e industrisë dhe prodhimit vendor.

Sipas një vlerësimi të kësaj organizate, gjatë periudhës nga viti 2021 deri në qershor të vitit 2026, Kosova ka pranuar gjithsej rreth 7.16 miliardë euro remitanca, prej të cilave rreth 80 për qind ose afro 5.73 miliardë euro janë shpenzuar në konsum, patundshmëri dhe ndërtim. Ndërkohë, vetëm 2 për qind e këtij kapitali, që përkthehet në rreth 143 milionë euro, është investuar në biznes, industri dhe prodhim, kurse 18 për qind e mbetur ka shkuar në destinime të tjera.

Të dhënat e prezantuara nga AKB-ja tregojnë një trend të vazhdueshëm të rritjes së dërgesave të diasporës ndër vite, duke filluar nga 1.15 miliardë euro në vitin 2021, 1.22 miliardë euro në vitin 2022, 1.33 miliardë euro në vitin 2023 dhe 1.35 miliardë euro në vitin 2024.

Kjo rritje ka vazhduar edhe në vitin 2025, kur remitancat arritën në 1.4 miliardë euro, ndërsa vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 në vend kanë hyrë rreth 690.7 milionë euro. Pavarësisht këtij potenciali të lartë financiar, AKB-ja vlerëson se këto mjete nuk po arrijnë të shndërrohen në motor të zhvillimit ekonomik përmes hapjes së fabrikave të reja apo rritjes së eksporteve.

Për ta ndryshuar këtë gjendje, AKB-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të hartojë një strategji të posaçme për orientimin e kapitalit të mërgatës drejt sektorëve prodhues, teknologjisë dhe eksportit.

Kryetari i kësaj organizate, Agim Shahini, ka kërkuar nga institucionet që të krijojnë një klimë më të favorshme investuese përmes garantimit të sigurisë juridike, ofrimit të lehtësirave fiskale dhe zbatimit të politikave konkrete mbështetëse, duke theksuar se vendi ka nevojë për investime që gjenerojnë fabrika dhe vende të reja pune, e jo vetëm mjete për konsum. /E.A/

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 20 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

20 nëntor 1992

Aksion i suksesshëm i “Rilindjes” për shkollën shqipe në Kosovë

Aksioni i gazetës “Rilindja”, që botohet në Zvicër, “Ne për shkollën shqipe” që u organizua për bashkatdhetarët tanë në Perëndim dhe qytetarët e disa shteteve perëndimore, ka arritur rezultate të mira. Siç informon Këshilli për organizimin e këtij aksioni deri më 18 nëntor janë tubuar 237.453 franga zvicerane, 88.932 marka gjermane dhe një sasi e konsiderueshme e materialit tjetër shkollor. Aksionin e “Rilindjes”, përveç punëtorëve tanë në botë, e përkrahën edhe qytetarë e institucione të shumta të Zvicrës, Gjermanisë, Austrisë e të tjerë.

Këto mjete do të sillen në Republikën e Kosovës si formë e ndihmës dhe kontributit për arsimin shqip të Republikës sonë, ndërsa destinimi do të përcaktohet nga lidhja e arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri”, me seli në Prishtinë.

 

20 nëntor 1993 

Halil Latifi vdiq nga tortura e policisë në Shkup

Halil Latifi nga fshati Gërçec i Shkupit, vdiq në një klinikë të spitalit të Shkupit pas plagëve që ia kishin shkaktuar policët maqedonas në stacionin e policisë në kuartin Karposh të Shkupit.

Ai u arrestua më 16 nëntor me pretekst të kërkimit të armës, në organet e punëve të brendshme në komunën Karposh të Shkupit dhe pasi u rrah dhe u maltretua rëndë vdiq nga plagët e rënda trupore. Këtë e vërtetoi edhe mjeku që bëri obduksionin në Klinikën Kardiovaskulare të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup.

Halil Latifi u mor në polici më 16 të këtij muaji dhe tërë natën u rrah në stacionin e policisë. Pas presioneve të njëpasnjëshme, ai i shkroi një letër familjes së vet dhe u tregoi se ku e ka fshehur pushkën automatike. Me këtë letër policët shkuan më 17 nëntor, bastisën shtëpinë e tij dhe morën pushkën automatike së bashku me 20 fishekë.

Për shkak të plagëve të rënda, Halili pastaj u dërgua në spitalin kardiovaskular të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, ku vdiq.

Halil Latifi u varros dje në fshatin e tij në Gërçec të Shkupit.

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, në një komunikatë zyrtare, siç njofton gazeta “Bujku” njoftoi për vdekjen e Halil Latifit nga infarkti!”

Ndërsa Partia për Prosperitet Demokratik, në një komunikatë të saj kritikoi policinë dhe personelin mjekësor për këtë vdekje misterioze, siç e cilësoi PPD-ja.

20 nëntor 1995

Sali Berisha: Nuk ka paqe në Ballkan pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës

Integrimi i Shqipërisë në Komunitetin Evro-Atlantik përbën synimin strategjik të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe përbën një çështje të interesit jetik për Shqipërinë, tha presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha, duke përshëndetur Konferencën paqësore të stabilitetit në Ballkan që u mbajt në Tiranë, njoftoi TVSH.

Duke folur për rolin dhe rëndësinë e Shqipërisë në Partneritetin për Paqe, presidenti Berisha theksoi se programi ofron një mundësi të mrekullueshme për të mësuar, por stacioni i fundit i tij mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancë dhe ky është vullneti i Shqipërisë.

Ndërsa, duke folur për bashkëpunimin me Aleancën, Berisha tha se Shqipëria i ka ofruar Aleancës bazat e saj aeroportuale për misionet e saj që synojnë vendosjen e paqes në ish-Jugosllavi.

Në vazhdim, z.Berisha foli për rëndësinë që kanë bisedimet për paqe në Dejton dhe theksoi, ndër të tjera, se paqja duhet të jetë e drejtë dhe e qëndrueshme.

Asnjë paqe e arritur në ish-Jugosllavi nuk mund të jetë e tillë në qoftë se ajo nuk ofron një zgjidhje për çështjen e Kosovës shtoi Berisha, për të theksuar se lënia në një anë e këtij problemi do të sillte një rrezik permanent shpërthyes për Jugun e Ballkanit dhe më gjerë. Përfshirja e Kosovës në agjendën e Grupit të Kontaktit do të ishte një veprim largpamës nga ana e Fuqive të Mëdha. Kushtëzimi i masave ndëshkuese ndaj Beogradit me normalizimin e jetës në Kosovë dhe me arritjen e një marrëveshjeje me udhëheqjen legjitime të Kosovës për statusin e Kosovës, do të ishte leva më efikase në duart e komunitetit ndërkombëtar, theksoi ndër të tjera, presidenti Berisha. Pasi theksoi se Shqipëria është kundër ndryshimit të kufijve me forcë, ai tha se Shqipëria me politikën e saj në rajon është shndërruar në një faktor të rëndësishëm stabiliteti për Ballkanin dhe do të vazhdojë të mbetet e tillë, por në qendër të veprimtarisë së saj diplomatike, të përpjekjeve të saj, do të mbetet çështja e Kosovës. Zgjidhja e saj i kthen të drejtat njerëzore dhe kombëtare, që u takojnë 2 milionë shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre që nga lashtësia e hershme deri më sot. Por, shtoi Berisha, kjo zgjidhje ka gjithashtu rëndësi jetike për të ardhmen e gjithë rajonit, pasi eliminon vatrën më të rrezikshme të destabilizimit, që mund të shkaktohet nga dhuna serbe, theksoi, ndër të tjera, presidenti Berisha.

 

20 nëntor 1996

Një mjek amerikan dëshiron të punojë vullnetarisht në Kosovë

Përkundër bllokadave të regjimit okupues në afrimin e ndihmës shëndetësore popullatës shqiptare, falë angazhimit tonë e vërteta për gjendjen në Kosovë po depërton në botë dhe po bën që gjithnjë e më shumë njerëz ta njohin drejt çështjen e Kosovës dhe të ndihmojnë në zgjidhjen e drejtë të saj, tha dr. Alush Gashi, këshilltar për Shëndetësi i kryetarit Rugova.

Ai tha se një rast të tillë shënon gjesti i dr. Robert Vudsit, specialist i otorinolaringologjisë nga Kentaki (SHBA), i cili shprehu dëshirën që të angazhohet në mënyrë vullnetare për të ndihmuar popullin e Kosovës.

Në një njoftim me shkrim ai bëri të ditur gatishmërinë e tij që të punojë falas në rrjetin humanitar në Kosovë dhe në këtë mënyrë të japë kontributin e tij në mbrojtjen shëndetësore të popullit në Kosovë, duke ndihmuar kështu dhe duke përkrahur kolegët e tij shqiptarë që punojnë në kushte tjete të rënda.

Pas pushtimit të Kosovës dhe largimit me dhunë të mjekëve shqiptarë nga vendet e tyre të punës, mbrojtja shëndetësore e popullit të Kosovës u rrezikua në tejmasë. Shqiptarët në masë të madhe refuzojnë shërbimet e mjekëve joprofesionsitë serbë të instaluar në institucionet shëndetësore të pushtuara. Ndërsa shërbimet mjekësore në ordinancat private kryesisht janë të shtrenjta dhe të papërballueshme për popullatën. Një numër i mjekëve shqiptarë ndërkaq, në pamundësi të ushtrimit të profesionit të tyre, janë larguar nga Kosova në kërkim të kushteve më të mira të punës.

Gjesti i mjekut amerikan, i parë në këtë prizëm, është një gjest i vullnetit të mirë.

 

20 nëntor 1997

Ambasadorit shqiptar në Londër iu refuzua kërkesa për azil politik

Prishtinë, 20 nëntor (QIK)

Masmediat e huaja, duke u mbështetur në një komunikatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, njoftuan mbrëmë se Londra ka refuzuar kërkesën për azil politik të ambasadorit të Shqipërisë në Londër, Pavli Çesku dhe të një diplomati tjetër shqiptar.

  1. Çesku, me vendimin e qeverisë së re të Shqipërisë, është ndërruar nga ky post, por ai ka refuzuar të kthehet në Shqipëri.

Ditë më parë, mediat njoftuan edhe për probleme në ndërrimin e ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër, ku kryesi i kësaj detyre, Skender Buçpapaj, ka refuzuar t’ia dorëzojë detyrën pasardhësit të tij.

 

 20 nëntor 1998

Malishevë: Bora dhe të ftohtit rrezikojnë jetën e shumë banorëve

Prej mbrëmë në komunën e Malishevës po bie borë pa ndërprerë. Në viset kodrinore malore trashësia e saj ka arritur deri në 30 cm.

Reshjet e borës e kanë vështirësuar edhe më shumë gjendjen edhe ashtu shumë të rëndë të mijëra banorëve të kësaj komune, të cilët gjenden jashtë vendbanimeve të veta ose janë kthyer pranë gërmadhave të shtëpive të tyre, të djegura e të shkatërruara gjatë ofensivave të forcave serbe.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së së Malishevës bën të ditur se mungesa e ushqimit të mjaftueshëm, e veshmbathjes, e shërbimeve mjekësore dh e ilaçeve e rrezikojnë jetën e shumë banorëve të komunës së Malishevës, sidomos të fëmijëve të vegjël, të lehonave dhe të sëmurëve.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara