Lajmet

Pakistanezët që zgjodhën të qëndrojnë në Sudan pavarësisht konfliktit

Pavarësisht situatës së tensionuar, disa vendosën të mos largohen nga Sudani.

Published

on

Më 21 prill, kur u bënë gjashtë ditë nga konflikti në Sudan, mbi 1 mijë e 500 pakistanezë morën një mesazh nga ambasada në kryeqytetin Khartoum: “Ejani në kompleksin e ambasadës nëse dëshironi të ju kthejnë në Pakistan”.

Raketa të guximshme, bombardime të pandërprera dhe dhunë në rrugë, Irfan Khan, një pakistanez 35-vjeçar, doli vullnetar për të çuar disa shtetas të tjerë në ambasadë. Por ai vetë nuk deshi të largohej nga Sudani, ku luftimet midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) kanë lënë qindra të vdekur dhe kanë detyruar mijëra njerëz të qëndrojnë fshehurazi në shtëpitë e tyre dhe mijëra të tjerë të largohen nga vendi.

“Derisa po vozisja rreth 10-12 km, rrugët ishin të mbushura me trupa, tym që dilte nga gomat dhe predha të harxhuara ishin gjithandej rreth nesh. Ishte situatë e tensionuar dhe ne u ndaluam më shumë se gjashtë herë si nga ushtria qeveritare ashtu edhe nga fraksioni rebel, derisa ata kërkuan nga ne që të identifikoheshim”, tha Khan për Al Jazeera përmes telefonit.

“Fatmirësisht, pas gati një ore, ia dola t’i largoja njerëzit nga aty”, deklaroi ai mes tjerash.

“Unë do të qëndrojë prapë”, tha Khan, i cili drejton një dyqan optik në Khartoum. “Unë kam biznesin tim, miqtë e mi, rrjetin tim. Po, gjërat janë keq për momentin, por nesër do të përmirësohen. Ose ndoshta një ditë më pas”.

Khan i cili u zhvendos në Sudan 14 vjet më parë pas vëllait të tij, tha se ai ndjehet më i sigurt në shtëpinë e tij në Khartoum sesa në Karachi, qyteti i dytë më i madh në Pakistan.

“Edhe pse vëllau im u kthye, unë vendosa të qëndrojë këtu. Ky vend dhe njerëzit e saj janë të mrekullueshëm”, deklaroi ai për Al Jazeera.

“Kur filluan luftimet, sinqerisht ishte shumë e frikshme. Por sa më shumë që flisja me miqtë e mi këtu dhe dola vetë në ditët e fundit, ndjeva se frika po më shuhej. Edhe nëse kthehem disi në Pakistan, cila është garancia që do të mund të kthehem? Më mirë do të vazhdoj të jetoj këtu dhe të kujdesem për biznesin tim”, deklaroi ai më tej.

Gruaja dhe djali i saj, gjithashtu edhe prindërit e tij në Karachi i kërkuan të kthehej, por ai insiston se do të qëndrojë.

Pavarësisht luftimeve të tensionuara në rrugët e Sudanit, ka pakistanezë siç është rasti me Khanin, që duan të qëndrojnë.

Jamil Hussain, një 40-vjeçar që drejton një dyqan veshjesh, thotë se po qëndron sepse nuk arriti të largonte të gjithë familjen e tij nga rruga e keqe. Hussain, i cili mbërriti në Khartoum në vitin 2009, u martua me një grua sudaneze në vitin 2011.

Ata kanë tre djem dhe një vajzë, por kur shpërthyen luftimet dhe ai u përpoq të merrte familjen e tij në Pakistan, ambasada i tha atij se kjo nuk do të ishte e mundur.

“E pyeta ambasadën, por u informova se do të ishte e ndërlikuar pasi ata janë shtetas sudanezë … vetëm unë mund të kthehesha, jo familja ime”, tha Hussain.

“Nuk e kam problem të pësoj humbje në biznes këtu. Por për të lënë pas familjen time, fëmijët e mi dhe duke mos ditur se kur do të jem në gjendje të kthehem, vendosa të mos lëvizja”./UBTNews/

Lajmet

Estonia zhvendos trupat pranë kufirit me Rusinë, përgatitet për skenar të mundshëm konflikti

Published

on

Estonia po zhvendos një nga brigadat kryesore të ushtrisë së saj nga Tapa drejt Jõhvi-t, rreth 50 kilometra nga kufiri me Rusinë, ndërsa vendi po forcon përgatitjet për një skenar të mundshëm agresioni rus.

Sipas Financial Times, zyrtarët estonezë thonë se vendi po afron vazhdimisht trupat drejt kufirit dhe po investon në armë me rreze të gjatë veprimi, të afta të godasin objektiva thellë brenda territorit rus. Megjithatë, drejtuesit e ushtrisë dhe inteligjencës estoneze nuk besojnë se Rusia synon një luftë të plotë me NATO-n gjatë dy viteve të ardhshme, por paralajmërojnë se Moska mund të përgatitet për një konflikt të mundshëm në të ardhmen.

Në këtë kuadër, Estonia ka kaluar drejt strategjisë së quajtur “mbrojtje aktive”. “Duhet të nisim nga kufiri dhe të fitojmë që në betejat e para”, tha koloneli Tarmo Kundla, komandant i Brigadës së Parë Estoneze.

Brigada po zhvendoset në mënyrë të përhershme nga Tapa në Jõhvi, ku po ndërtohen objekte të reja për akomodimin e trupave. Ndërkohë, një bazë e re ushtarake po ndërtohet edhe në Narvë, me kapacitet për rreth 1,000 ushtarë.

Një përfaqësues i inteligjencës ushtarake estoneze tha se periudha kritike për forcimin e mbrojtjes në shtetet baltike është një deri në katër vitet e ardhshme. Ministria estoneze e Mbrojtjes ka deklaruar se synimi është që çdo agresion ndaj vendit të bëhet “i paimagjinueshëm” dhe që shkatërrimi i luftës të mbahet larg territorit estonez.

Estonia po rrit paralelisht edhe kapacitetet për goditje me rreze të gjatë. Gjatë vitit të fundit, vendi ka nënshkruar kontrata për nëntë sisteme amerikane HIMARS, përfshirë raketa balistike M57 me rreze deri në 300 kilometra, si dhe nëntë sisteme koreano-jugore Chunmoo me rreze të ngjashme. Nga bazat estoneze pranë kufirit, Shën Petersburgu ndodhet rreth 260 kilometra larg.

Pas pushtimit rus të Krimesë në vitin 2014, strategët ushtarakë estonezë kishin ndërtuar një doktrinë që parashikonte mobilizimin e shpejtë të rezervistëve dhe një mbrojtje taktike, pjesërisht guerile, për të ngadalësuar forcat ruse deri në mbërritjen e përforcimeve të NATO-s.

Por, pas vëzhgimit të luftës në Ukrainë, drejtuesit ushtarakë estonezë arritën në përfundimin se kjo strategji nuk do të ishte e mjaftueshme. Sipas tyre, Rusia ka treguar gatishmëri për të përballuar humbje të mëdha njerëzore dhe për të mbajtur territoret e pushtuara edhe në kushte të shkatërrimit të gjerë.

Për këtë arsye, Estonia synon tani të mbrojë çdo pjesë të territorit dhe të kryejë që në ditën e parë të një pushtimi goditje ndaj objektivave ruse qindra kilometra pas vijës së frontit. “Duhet t’i ndërtojmë linjat tona sot. Kjo është mbrojtje përpara”, tha Kundla.

Inteligjenca ushtarake estoneze është veçanërisht e shqetësuar për mundësinë e një aksioni të kufizuar rus kundër një objektivi kufitar, veçanërisht qytetit të Narvës, ku shumica e banorëve janë rusishtfolës.

Sipas vlerësimeve estoneze, një veprim i tillë mund të përdorej nga Moska për të testuar vendosmërinë e NATO-s dhe për të krijuar përçarje brenda aleancës. Estonia ndërkohë shpreson që prania e aleatëve të NATO-s të luajë rol kyç në parandalimin e një skenari të tillë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton kredinë 60 milionë euro për kampusin e studentëve në kuadër të “Prishtina 2030”

Published

on

By

Me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), që parasheh një kredi prej 60 milionë eurosh për renovimin dhe zgjerimin e kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Investimi lidhet edhe me përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ku kampusi universitar pritet të shërbejë përkohësisht si fshati i atletëve.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të marrëveshjes në Kuvend, tha se projekti përfshin renovimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së konvikteve, si dhe ndërtimin e renovimin e objekteve sportive në institucionet arsimore përreth kampusit.

Sipas Muratit, gjatë Lojërave Mesdhetare, kampusi do të përdoret për akomodimin e sportistëve, ndërsa objektet sportive të shkollave përreth do të shërbejnë si qendra stërvitore.

“Projekti do të sjellë përfitime për studentët, duke mbështetur njëkohësisht organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të mbahen në vitin 2030 në Prishtinë”, deklaroi Murati.

Përveç kredisë prej 60 milionë eurosh, marrëveshja parasheh edhe mundësinë e përfitimit të një granti investiv shtesë prej 10 milionë eurosh.

Investimet pritet të përmirësojnë ndjeshëm infrastrukturën e kampusit universitar dhe hapësirave sportive përreth. Pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare, objektet e rinovuara do të mbeten në shërbim të studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe komunitetit.

Projekti synon që investimi të mos shërbejë vetëm për organizimin e “Prishtina 2030”, por të krijojë infrastrukturë të qëndrueshme për studentët dhe qytetarët edhe në vitet pas përfundimit të garave.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kurti paralajmëron takim me Hamzën gjatë ditës së sotme

Published

on

By

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se sot pritet të zhvillojë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Kurti sqaroi se në këtë takim do të rihapen diskutimet për hapat e mëtejshëm lidhur me projektligjin për Specialen, si dhe çështja e zgjedhjes së Presidentit.

Sipas kryeministrit, për të zbatuar një strategji të mirëfilltë shtetërore e kombëtare në lidhje me proceset në Hagë, vendit i nevojiten institucione funksionale, duke nënvizuar se “adresa e fitores është Apeli”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Bashkë-yjet e “Friends” refuzojnë të marrin pjesë në dokumentarin për Matthew Perry

Published

on

Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer nuk do të marrin pjesë në dokumentarin e ri të Netflix për aktorin e ndjerë Matthew Perry, sipas burimeve të cituara nga “Page Six”.

Bëhet fjalë për serialin dokumentar me tri pjesë “The One About Matthew Perry”, i cili do të trajtojë jetën, karrierën dhe betejën e aktorit me varësinë, përmes rrëfimeve të familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas burimeve, pesë aktorët e “Friends” janë kontaktuar nga ekipi i dokumentarit, por kanë vendosur të mos marrin pjesë. Në vend të tyre, dokumentari do t’u japë hapësirë njerëzve të tjerë që e kanë njohur dhe kanë qenë pranë Perry-t gjatë jetës së tij.

Një burim ka thënë se për Jennifer Aniston, e cila ishte veçanërisht e afërt me Perry-n, do të ishte e vështirë ta përjetonte përsëri humbjen në mënyrë publike dhe para kamerave.

Dokumentari, i drejtuar nga Mary Robertson, do të përfshijë edhe rrëfimin e motrës së Perry-t, Mia Perry Bowick, si dhe fotografi dhe video të papublikuara nga arkivi privat i familjes.

Matthew Perry u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, i cili u transmetua nga viti 1994 deri më 2004. Pas përfundimit të serialit, ai mbeti i afërt me bashkë-yjet e tij.

Perry ndërroi jetë në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare. Sipas autoriteteve, shkaku i vdekjes ishte efektet akute të ketaminës. Hetimi për vdekjen e tij çoi në arrestimin e pesë personave, përfshirë asistentin e tij dhe dy mjekë.

Aktori kishte folur publikisht për betejën e tij me varësinë dhe për përpjekjet për t’u rehabilituar. Në vitin 2022 ai publikoi kujtimet “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, ku rrëfeu përvojën e tij personale me varësinë dhe shërimin./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara