Lajmet

Pa eufori: Si reagon Gjermania ndaj marrëveshjes së Washingtonit

Published

on

Ndërsa administrata e Trumpit dhe liderët e rajonit nuk kanë nguruar t’i quajnë deklaratat e nënshkruara në Washington nga Vuçiçi dhe Hoti si “historike”, në Gjermani shihen me skepticizëm.

Deklarata zyrtare nga Berlini, të hënën, 07.09.20, në përgjigje të një pyetjeje të Deutsche Welle-s, në konferencën e rregullt të qeverisë, mund të përmblidhej kështu: “I përshëndesim parimisht të gjitha përpjekjet që bëhen për përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, por mbështesim sidomos tërësisht përpjekjet ndërmjetësuese të të ngarkuarit të BE-së, Lajçak.” Kështu, pra, zëdhënësi i ministrisë gjermane të punëve të jashtme, Christopher Burger, duke shtuar: “Përshëndesim edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Israelit dhe Kosovës“

Se përse arritja, që presidenti amerikan, Trump, pasuar nga liderët në rajonin e Ballkanit, e quan “marrëveshje historike“, nuk u prit me eufori nga Gjermania, nuk ka të bëjë edhe aq me mospajtimet e shumta që ekzistojnë sot mes qeverisë gjermane dhe administrates së Presidentit Trump. Përkundrazi, Gjermania do të gëzohej madje, nëse Shtetet e Bashkuara vërtet do të arrinin ndonjë marrëveshje, thotë një diplomat gjerman në Berlin, në bisedë me DW.

Marrëveshje apo shprehje dëshirash?

Gëzimi i Gjermanisë pas marrëveshjes kishte te bënte kryesisht me faktin, qe nuk u be ndonjë “marrëveshje e pistë”, në dëm të viktimave të luftës, me mosdënim ose amnisti për kriminelët e luftës që ende janë të lirë. Por shanset që kjo të ndodhte, mbas formulimit te aktakuzes ndaj presidentit Thaçi, ishin të vogla.

Mungesa e euforisë gjermane ka të bëjë me faktin, që marrëveshja në radhë të pare nuk ishte marrëveshje, thuhet nga qarqet diplomatike. Kjo, jo vetëm për shkak të formës, siç do të konstatonte, ambasadori Wolfgang Ischinger, në një mesazh në Twitter.

“Gjë e mire qe Shtetet e Bashkuara kujdesen për Kosovën dhe Serbinë, Por është e rëndësishme të shënohet se nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje mes palëve në Uashington DC, sepse ende nuk ka një njohje reciproke. Mbetet shumë punë për BE-në, Miroslav Lajcak dhe Komisionin e BE-së”, shkruan organizatori i Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Veç formës, ishte edhe përmbajtja, ajo që nga ekspertët e fushës shihet me çudi deri me humor. “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, në një analizë të korrespondentit të saj nga Evropa Juglindore, Michael Martens, e zbërthen rezultatin e bisedimeve në Uashington dhe konstaton qysh në fillim se „është e vështirë të sjellësh në një emërues të përbashkët atë që është nënshkruar të premten në Uashington. Sepse kemi të bëjmë me një potpuri të larmishme deklarimesh qëllimi.”

Potpuri temash

Martens e ka fjalën këtu sidomos për pikat e dokumenteve të nënshkruara veç e veç nga Hoti e Vuçiç që nuk kishin të bënin fare me rajonin: „Nuk është vetëm pika e Izraelit ne paktin e treshes amerikano-serbo-kosovare që hedh pyetjen rreth substancës së një marrëveshjeje”, shkruan Martens. Ai kujton se Grenelli më parë ka deklaruar se synimi i tij si ngarkuar për dialogun Serbi-Kosovë, kishte qenë afrimi ekonomik dhe përmirësimi i jetesës së njerëzve të thjeshtë, por Martens mendon se “marrëdhëniet diplomatike me Izraelin thuajse nuk kanë asnjë impakt ndaj këtyre temave”.

Akoma më pak pritet të ndikojnë për mirë pikat që kanë të bëjnë me Hisbollahun, zhvendosjen ose vendosjen e ambasadave në Jerusalem, dekriminalizimin e homoseksualitetit, mosbashkëpunimin me Kinën për rrjetet 5 G etj. Përkundrazi, nga kjo e fundit mund të pritet vetëm frenim i ekonomisë, mendon autori. Sipas Martens, as pikat që flasin për bashkëpunimin ekonomik nuk janë të reja, me përjashtim të mundësisë së aksesit në instrumentet amerikane të financimit të ekonomisë rajonale. Të tjerat, ishin thënë edhe më parë. Martens, në analizën e tij arrin në konkluzionin se nga takimi i javë së kaluar në Uashington nuk u arrit asnjë zgjidhje në konfliktin Kosovë-Serbi.

BE-ja paralajmëron

Ngjashëm argumentojnë edhe qarqet diplomatike nga Berlini. Veç kësaj, ajo që në Berlin thuhet nën zë, u shpreh të hënën nga zëdhënësi i komisionit të BE-së, për çështje të jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano. “Nuk ka asnjë shtet anëtar të BE-se me një ambasadë në Jerusalem,” thavStano. “Çdo hap diplomatik që mund të vërë në pikëpyetje pozicionin e përbashkët të BE-se për Jerusalemin është një shqetësim serioz.”

Por edhe në planin e bisedimeve Serbi-Kosovë, vëzhguesit në Berlin, jo vetëm që nuk shohin ndonjë përparim, por, përkundrazi, janë të pakënaqur edhe me pikën që e detyron Kosovën të heqë dorë për një vit nga aplikimi ne organizatat ndërkombëtare. “Ky është një kthim prapa në procesin e njohjes së Kosovës”, thotë për DW, nje diplomat i rangut të lartë ne Berlin. Gjermania ka qenë lobuesja kryesore në vitin 2018 për ta anëtarësuar Kosovën në Interpol.

Të pakënaqur janë qarqet nga Berlini edhe për shkak të futjes së Kosovës në Mini-Schengen. Sepse ka qenë Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal struktura e parë e krijuar enkas për këtë qëllim në kuadër të Procesit të Berlinit. E aty përshiheshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presion ndaj BE-se

E përditshmja e madhe zvicerane, Neue Zürcher Zeitung, në një artikull të korrespondentit nga Stambolli, Volker Pabst, shpreh gjithashtu dyshime për efektin e kësaj arritjeje. Megjithatë, ajo së paku i njeh një meritë Grenellit: Qe po i bën presion Bashkimit Evropian qe te angazhohet me shume ne kete fushe. Rezultat i ketij presioni te terthorte është edhe emërimi i të ngarkuarit të posaçëm Lajçak. ”Marrëveshja e nënshkruar të premten është një hap i vogël në rrugën e gjatë për zgjidhjen e çështjeve të mëdha, sidomos asaj të njohjes së Kosovës nga Serbia”, konstaton Pabst.

Për Gjermaninë është e qartë që pas këtij takimi, topi do të vazhdojë të mbetet në Bruksel. Aty u mblodhën sërish të hënën Hoti, Vuçiç, Borrell dhe Lajçak dhe diskutuan për çështje konkrete, si personat e humbur, asociacioni i komunave me shumicë serbe, çështjet financiare dhe ato të pronësisë. Asnjë nga këto tema, nuk u prek në dokumentet e Uashingtonit.

Por edhe qarqet diplomatike nga Berlini janë të vetëdijshme, se për të arritur kompromise dhe përparime nevojiten dhe lëshime, në politikat e zgjerimit. Por kjo është vështirë të realizohet, duke pasur parasysh që BE-ja nuk është në gjendje t’u japë qytetarëve të Kosovës një të drejtë kaq fillestare: lëvizjen e lirë, Dhe në këtë pikë edhe Grenelli e Ischingeri pajtohen: “Në vend që të ankoheni, përse nuk u jepni shtetasve të Kosovës liberalizimin e vizave – të cilin ju e keni premtuar prej shumë vitesh”, replikon Grenell ndaj kritikës së Ischingerit në Twitter. “Unë jam shumë dakord, liberalizimi i vizave për Kosovën duhej dhënë me kohë. Unë kam vite që e them”, justifikohet diplomati gjerman, ish-negociator bisedimesh të mëparshme mes Serbisë dhe Kosovës.

Ischingeri, nuk është i vetmi me këtë mendim. Por një nga vendet që e frenojnë procesin e liberalizimit te vizave është vetë Gjermania. Se kur do të zgjidhet ky problem, këtë askush nuk mund ta thotë.

Lajmet

UBT sjell në Kaçanik një reflektim akademik mbi trashëgiminë moderne përmes ekspozitës ‘Modernizmi në Kaçanik 1945–1990’

Published

on

By

Në praninë e përfaqësuesve të institucioneve lokale nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Hanit të Elezit, stafit akademik dhe studentëve të interesuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, u bë hapja solemne e ekspozitës “Modernizmi në Kaçanik 1945–1990”, një projekt hulumtues dhe prezantues i kushtuar zhvillimit arkitektonik, urban dhe kulturor të periudhës së modernizmit në qytetin e Kaçanikut.

Ekspozita, e organizuar, punuar dhe kuruar nga profesori Kujtim Elezi në bashkëpunim me një grup studentësh të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqëson një angazhim të drejtpërdrejtë akademik dhe praktik të studentëve në dokumentimin, analizimin dhe interpretimin e trashëgimisë moderne arkitektonike.

Përmes hulumtimeve në terren, mbledhjes së materialeve arkivore, analizave grafike dhe prezantimeve vizuale, studentët kanë sjellë një pasqyrë të strukturuar të transformimeve urbane dhe arkitektonike që kanë shënuar Kaçanikun në periudhën 1945–1990.

Ky projekt dëshmon qasjen bashkëkohore të Departamentit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, i cili integron mësimdhënien teorike me punën kërkimore dhe angazhimin praktik në komunitet.

Përmes kësaj ekspozite, studentët jo vetëm që kanë zhvilluar aftësitë e tyre profesionale në analizë urbane dhe interpretim arkitektonik, por kanë kontribuar edhe në ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e ruajtjes dhe rivlerësimit të trashëgimisë moderne. Ekspozita synon të nxisë reflektim akademik dhe diskutim profesional mbi vlerat e modernizmit dhe ndikimin e tij në formësimin e identitetit arkitektonik bashkëkohor, duke e vendosur dialogun mbi trashëgiminë në një kontekst aktual të zhvillimit urban.

Continue Reading

Lajmet

REL: Kosova në valën e shtrenjtimit global të karburanteve

Published

on

By

Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë.

Më 3 mars, një litër naftë në disa pika karburanti arriti në 1.39 euro, ndërsa benzina në 1.38 euro.

Një ditë më parë, çmimet ishin deri në 1.25 euro për naftë dhe 1.24 euro për benzinë.

Lëvizja e shpejtë e tregut vendor nuk është rastësi – ajo pasqyron përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe tronditjen e zinxhirit global të furnizimit me energji.

Tensionet gjeopolitike dhe efekti domino

Rritja u nxit nga tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, që shtynë çmimin e naftës Brent – standardi global i referencës – të rritet deri në 10 për qind më 1 mars.

Pasiguria për ndërprerje të furnizimeve u shtua veçanërisht pas pezullimit të një pjese të dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit.

Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon mbi një e pesta e furnizimeve ditore globale me naftë, shërben si arterie eksporti për vende si Irani, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku.

Çdo rrezik për bllokim apo kufizim të qarkullimit përkthehet menjëherë në rritje të kostove të sigurimit dhe transportit dhe, për rrjedhojë, në çmime më të larta në tregjet botërore.

Kosova, plotësisht e varur nga importi

Kosova nuk ka rafineri të saj dhe furnizohet tërësisht nga importet.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, vendi importoi mbi 478 milionë euro naftë dhe më shumë se 51 milionë euro benzinë.

Furnizimet kryesore vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës.

Kjo varësi strukturore e bën tregun vendor jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve globale.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet mund të vazhdojnë të lëvizin, pasi kompanitë furnizohen sipas çmimeve aktuale të bursës dhe nuk mbajnë rezerva të mëdha.

Ai shton se nuk ka vend për panik dhe se nuk priten mungesa në treg, por thekson se dinamika e çmimeve mbetet e varur nga zhvillimet ndërkombëtare.

Institucionet mes paralajmërimeve dhe masave të përkohshme

Përballë rritjes së shpejtë të çmimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Kosovës njoftoi për një intensifikim të inspektimeve dhe përgatitje të raporteve ditore mbi çmimet.

Sipas ministrisë, në rast të rritjeve të pajustifikuara mund të aplikohen masa mbrojtëse dhe rregullim i përkohshëm i çmimeve, me mbikëqyrje nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore.

Një vendim i ngjashëm u mor më 16 dhjetor 2025 nga ministrja e atëhershme Rozeta Hajdari, duke përcaktuar marzhë maksimale tregtare prej 2 centësh për litër në shitje me shumicë dhe prej 12 centësh për litër në shitje me pakicë. Ky vendim qëndroi në fuqi vetëm 30 ditë. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Mbishkrime nacionaliste serbe në Ambasadën e Kosovës në Berlin

Published

on

By

Mbishkrime me përmbajtje fyese dhe shoviniste në gjuhën serbe janë vendosur në objektin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin.

Për këto veprime ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

“Mbishkrimet e vendosura përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si ‘Nuk ka dorëzim’, ‘Kosova është Serbi’ dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD njofton se, pas identifikimit të këtij akti, janë informuar autoritetet gjermane.

“Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve”, bën të ditur Ministria.

Gjithashtu, MPJD ka dënuar këtë akt vandalizmi dhe çdo përpjekje tjetër për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike, si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

LDK: S’ka ende marrëveshje për presidentin, zgjedhjet e parakohshme të panevojshme

Published

on

By

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Besian Mustafa bëri të ditur se nuk është arritur ende ndonjë marrëveshje për kandidat për postin e presidentit.

Ai theksoi se zgjedhjet e parakohshme, të cilat mund të pasojnë nëse presidenti apo presidentja e re nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, janë “të evitueshme, të shmangshme dhe të panevojshme”. Megjithatë, Mustafa nënvizoi se pa përfshirjen e pushtetit nuk mund të ecet përpara: “Pushteti ka 66 ulëse, dhe pa ta nuk bëhet kjo punë”.

Sipas tij, deri tani nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare që ka arritur të mbledhë minimumi 30 nënshkrime të deputetëve, ndërsa mbetet e paqartë se si do të zhvillohet situata në ditët në vijim. “E kam të pamundur të përgjigjem se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Mund të ketë sërish takim. Ne jemi të hapur, me shpresën që do të arrijmë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Mustafa.

Këto zhvillime vijnë pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku u diskutua për zgjedhjen e presidentit të ri, por pa u arritur konsensus.

Kurti e përshkroi takimin si të zhvilluar në një “atmosferë konstruktive”, duke shtuar se çdo risi do t’i komunikohet publikut. Ndërkaq, Abdixhiku, pas takimit të 2 marsit, ishte shprehur se “s’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus”, duke theksuar se imponimet nuk përbëjnë zgjidhje për LDK-në.

Ai kishte paralajmëruar se një garë me disa kandidatë është “procedurë e paraparë për të dështuar” dhe mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Nga ana tjetër, Kurti ka deklaruar se për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota, pa përmendur kandidatë konkretë.

Afati kushtetues për përfundimin e procesit të zgjedhjes së presidentit po afron, duke shtuar presionin mbi subjektet politike për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

Continue Reading

Të kërkuara