Lajmet

Osmani u drejtohet policëve: Në kohë krize dhe sfidash, qëndroni të palëkundur

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Policia e Kosovës, gjatë çerekshekullit të punës së saj, vazhdon të jetë një nga institucionet me të besuara dhe të respektuara të vendit tonë.

Gjatë fjalimit të saj në ceremoninë qendrore për shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Policisë, e para e shtetit kujtoi heroin Afrim Bunjakun dhe 22 policët e tjerë të rënë në detyrë. Osmani ka thënë se puna dhe trimëria e tyre i frymëzon të gjithë dhe ka qenë e rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi dhe qetësia.

“Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës. 6 shtatori shënon një moment tejet të rëndësishëm në ditën e themelimit të Policisë sonë. Sot jemi këtu për ta kremtuar 25-vjetorin e Policisë, ditë kjo e cila nuk është thjesht një festë e një institucioni, por një nderim për përkushtimin dhe sakrificën e grave dhe burrave që kanë shërbyer e vazhdojnë të shërbejnë si gardianë të rendit dhe sigurisë. Policia e Kosovës gjatë këtij çerek shekulli vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara të vendit tonë. Forcat policore kanë qenë në krye të mbrojtjes së qytetarëve tanë, që rrugët, shtëpitë dhe gjithë qytetarët në çdo cep të Kosovës të jenë të sigurt”, deklaroi ai.

Gjatë fjalimit të saj, e para e shtetit kujtoi heroin Afrim Bunjakun i cili u vra vitin e kaluar gjatë sulmit që ndodhi në Banjskë.

“Nuk mund të flasim për Policinë pa nderuar heronjtë që dhanë jetën në krye të detyrës. I fundit është Afrim Bunjaku, trimëria dhe sakrifica e të cilit vazhdojnë të na frymëzojnë të gjithëve. Afrimi bashkë me shumë të tjerë, bëri sakrificën më të madhe për ta mbrojtur atdheun tonë dhe për të siguruar një mjedis të qetë për gjithë qytetarët. Në këtë përvjetor shpreh mirënjohje për secilin pjesëtar të Policisë që para gjithçkaje kanë vendosur interesin shtetëror dhe atë të qytetarëve”, tha presidentja.

Osmani falënderoi fuqishëm edhe aleatët e Kosovës.

“Për 25 vjet rresht që nga dita e parë e deri më sot i kemi pasur në krah aleatët tanë, prandaj i falënderoj edhe një herë në emër të Kosovës jo vetëm për eskpertizën dhe trajtimet, për pajisjet e armatimin, por për gjithë përkrahjen e pashoq mbi të gjitha për besimin e tyre në Policinë e Kosovës dhe për gjithçka tjetër”, ka thënë Osmani.

Në fund, ajo falënderoi edhe gratë e Policisë së Kosovës për shërbimin profesional e mbi të gjitha për shembullin që japin për çdo vajzë që synon t’i bashkohet misionit për ta mbajtur Kosovën e sigurt.

Lajmet

Rriten rastet me fruth në Kosovë: IKShPK bën thirrje urgjente për vaksinimin e fëmijëve

Published

on

By

Në Kosovë është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve me fruth, ku nga data 16 prill deri më 24 gusht 2026 janë regjistruar gjithsej 147 persona të prekur. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), vetëm gjatë javës së fundit janë konfirmuar 10 raste të reja, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve është dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Sipas shpërndarjes gjeografike, vatra më e madhe e infeksionit mbetet komuna e Prishtinës me 49 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 35 raste dhe Ferizaj me 13 raste. Të prekura janë edhe komunat e Obiliqit (9 raste), Lipjanit (8), Kaçanikut (7), si dhe Vushtrria e Shtimja nga katër raste. Raste të izoluara janë raportuar gjithashtu në Skenderaj, Drenas, Gjilan, Gjakovë, Shtërpce, Deçan, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.

Për përballimin e kësaj situate, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar punën në terren gjatë tri javëve të fundit, me fokus në komunat më të prekura. Si rezultat i këtij aksioni, janë vaksinuar me doza MMR gjithsej 504 fëmijë që kishin vonesa në marrjen e vaksinës sipas kalendarit të rregullt.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj simptomave të para si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, dhe të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e rënda, autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje prindërve dhe kujdestarëve të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre. IKShPK rikujton se vaksinimi pranë Qendrave të Mjekësisë Familjare mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Sindikata e KEK-ut vendos fotografitë e katër punëtorëve që humbën jetën, paralajmëron protestë

Published

on

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka zhvilluar një aksion simbolik para zyrave të KEK-ut, ku ka vendosur fotografitë e katër punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës, duke kërkuar kushte më të sigurta dhe mbrojtje më të madhe për punëtorët.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka thënë se punëtorët në Kosovë nuk kanë mbrojtjen e duhur dhe ka kërkuar respektimin e Ligjit të Punës.

Jashari ka theksuar se humbja e fundit e një punëtori të KEK-ut duhet të jetë e fundit, duke kërkuar menaxhim më të mirë dhe masa më të forta të sigurisë në vendin e punës.

Ai ka bërë të ditur se nesër, nga ora 08:00, do të mbahet protestë solidarizuese në tri divizione të KEK-ut, në mbështetje të familjeve të punëtorëve që kanë humbur jetën.

Ndërkaq, nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka kritikuar Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për, siç ka thënë, mungesë reagimi ndaj rasteve të vdekjeve të punëtorëve.

Llumnica ka njoftuar se aksioni simbolik do të vazhdojë edhe para zyrave të BSPK-së, ku sindikata planifikon të vendosë fotografitë e katër punëtorëve si shenjë proteste.

Protesta e paralajmëruar për nesër do të mbahet në tri divizionet e KEK-ut, duke filluar nga ora 08:00./A.K/

Foto: Driton Paçarada

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Montana: disa të rritur dhe fëmijë vriten në një banesë, autori vetëvritet

Published

on

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Billings në Montana, ku disa persona, përfshirë edhe fëmijë, kanë humbur jetën pasi një person i armatosur ka hapur zjarr në një banesë.

Sipas Telegrafit, policia e ka cilësuar ngjarjen e së dielës mbrëma si një “konflikt familjar”. Pas të shtënave, i dyshuari dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës dhe më pas ka kryer vetëvrasje me armë zjarri.

Sherifi i përkohshëm i Yellowstone County, Kent O’Donnell, ka konfirmuar se në banesë kanë vdekur “disa të rritur dhe disa të mitur”. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë, identitetet apo moshat e viktimave.

Policia ka arritur në rrugën White Star Circle rreth 10 minuta pasi një person kishte telefonuar 911 dhe kishte raportuar të shtëna. Zyrtarët kanë dëgjuar të shtëna nga pjesa e pasme e banesës, ndërsa pak minuta më vonë ndërtesa është përfshirë nga zjarri.

Zjarrfikësit janë përballur me vështirësi të mëdha gjatë ndërhyrjes, për shkak të qasjes së kufizuar në ujë dhe numrit të pamjaftueshëm të hidrantëve në zonë.

Shefi i zjarrfikësve të Billings, Matt Hoppel, ka thënë se zjarri është përhapur me shpejtësi dhe, për shkak të kushteve të rënda, banorët e shtëpisë nuk kanë mundur të shpëtojnë.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të sqarojnë rrethanat e plota të tragjedisë.

Ndërkohë, një fushatë në GoFundMe pretendon se të paktën tetë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën. Kjo shifër ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Policia ndalon dy gara shpejtësie në Gjakovë, gjobiten pjesëmarrësit

Published

on

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale në Gjakovë kanë ndërhyrë në dy raste të ndara për të ndaluar gara të shpejtësisë brenda qytetit.

Në rrugën “Martirët Qerkezi”, policia ka identifikuar dy motoçikleta duke zhvilluar garë shpejtësie, ndërsa në rrugën “Gaspër Karaqi” janë hasur dy automjete duke kryer veprime të ngjashme.

Falë intervenimit të menjëhershëm, policia ka ndaluar kundërvajtjet, ndërsa ndaj personave të përfshirë janë shqiptuar gjoba në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të shmangin garat e shpejtësisë dhe sjelljet e rrezikshme, duke theksuar se ato paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë rrugore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara