Lajmet

Osmani: Sulmet hibride përbëjnë sfida reale për stabilitetin kombëtar

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje të enjten për forcim të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, dhe ka vlerësuar se sulmet hibride përbëjnë sfida reale për stabilitetin kombëtar.

Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me temën për qëndrueshmërinë kombëtare.

“Sulmet hibride, që përfshijnë edhe operacione të kombinuara kibernetike, ushtarake, ekonomike dhe informative, më mirë të them dezinformative në këtë rast, janë sfida reale për stabilitetin tonë kombëtar“, ka thënë Osmani, duke bërë thirrje për trajnim ekspertësh dhe bashkëpunim me partnerët strategjikë për ndërtim të kapaciteteve për të garantuar mbrojtje.

“Zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas standardeve më të larta të NATO-s mbetet prioriteti ynë strategjik e kombëtar”, ka thënë Osmani, duke përmendur se investimi në armatim, personel ushtarak dhe mirëqenien e tyre është jetik, ashtu sikurse investimi në institucione tjera të sigurisë.

Ajo ka përmendur edhe sigurinë energjetike si shumë të rëndësishme për sigurinë kombëtare.

“Shteti ynë duhet të investojë në përmirësim të infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, me theks të veçantë në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e sistemeve të rëndësishme”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova vazhdon që t’i bashkërendojë të gjitha përpjekjet e saj në drejtim të anëtarësimit në NATO.

“Ne nuk synojmë vetëm të përfitojmë nga aleancat, por edhe të kontribuojmë në to”.

Zyrtarët e Kosovës përmendin vazhdimisht se synojnë anëtarësimin e vendit në këtë aleancë veri-atlantike, ndonëse janë të vetëdijshëm se anëtarësimit në NATO duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në programin e aleancës, Partneriteti për Paqe.

Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë program, ndonëse kanë rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare.

Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë qysh në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.

Kosova kufizohet me tri shtete anëtare të NATO-s: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.

Rajoni

Alarm për bombë në disa institucione në Shqipëri

Published

on

By

Një mesazh kërcënues për bombë ka mbërritur në disa institucione shtetërore në Shqipëri. A2 CNN raporton se një email ka kërcënues ka mbërritur në kryeministri, ministri, institucione të drejtësisë dhe Bankën e Shqipërisë.

“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh.

Pas marrjes së mesazhit, është boshatisur Gjykata dhe Prokuroria e Fierit. Administrata është alarmuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë. /A2 CNN/

Continue Reading

Aktualitet

Vitia: 53.4 për qind e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë

Published

on

By

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53.4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes, duke theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm për suksesin e trajtimit dhe rritjen e mundësive për mbijetesë.

Këtë deklaratë Vitia e bëri në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ku u diskutua për ndërgjegjësimin, diagnostikimin e hershëm dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për gratë.

Ai bëri të ditur se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, ndërsa gjatë këtij viti pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komunat ku mungojnë këto pajisje. Gjithashtu, përmes mamografit mobil, shërbimi po u ofrohet edhe grave në komunat që nuk kanë aparatura të tilla.

Sipas Vitisë, Kosova tashmë ka edhe planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028, me synim përmirësimin e diagnostikimit dhe qasjes në shërbime shëndetësore.

Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 1.847 mamografi në kuadër të aktiviteteve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Prej tyre, 463 janë kryer vetëm gjatë muajit tetor.

Gashi njoftoi gjithashtu se gjatë këtij viti, deri në ditën e mbajtjes së simpoziumit, janë realizuar 700 mamografi, prej të cilave rreth 150 gjatë muajit tetor.

D.L

Continue Reading

Vendi

UBT organizon Konferencën më të madhe shkencore për Mjekësinë Sportive, me pjesëmarrjen e profesionistëve botërorë

Published

on

By

UBT do të mirëpresë më 21 tetor, Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive – ICSM 2026, e cila do të bëjë bashkë profesionistë shëndetësorë, hulumtues, akademikë dhe ekspertë të sportit për të diskutuar zhvillimet e reja në mjekësinë sportive, inovacionin dhe qëndrueshmërinë në praktikën klinike dhe sportive.

Konferenca, e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, në bashkëpunim me International Federation of Sports Medicine (FIMS), SHAPE Project – Sport, Health, and the People dhe Kosovo Association of Sports and Exercise Medicine (KASEM), në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, do të zhvillohet nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”, duke krijuar një platformë për shkëmbimin e njohurive shkencore, përvojave profesionale dhe praktikave bashkëkohore në këtë fushë.

Në kuadër të konferencës do të trajtohen tema me rëndësi për zhvillimin e mjekësisë sportive, përfshirë shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe mundësitë që sjell inovacioni teknologjik në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe performancës sportive.

Konferenca synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet komunitetit akademik, profesionistëve shëndetësorë dhe sektorit sportiv, duke nxitur diskutimin mbi qasjet e reja shkencore dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Konferenca është e akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP).

Për më shumë informata rreth programit, të interesuarit mund të vizitojnë: LINKU.

Continue Reading

Lajmet

Skenderaj: Qëlloi qenin me armë, policia ia sekuestron armën

Published

on

By

Një person është shoqëruar në polici pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të qenit të një bashkëqytetari në Skenderaj. Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 18 tetor, rreth orës 10:20.

Pas raportimit të rastit, Policia e Kosovës, në konsultim me prokurorin e shtetit, ka ushtruar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku ka gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie.

I dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt. Rasti po hetohet nën dyshimin për veprat penale “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara