Lajmet

Osmani priti në takim lamtumirës jo-rezident të Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani

Ajo theksoi se Kosova llogaritë në mbështetjen japoneze në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Published

on

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin jo-rezident të Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani, të cilin e ka falënderuar për angazhimin e tij të deritashëm.

Japonia, sipas presidentes Osmani është aleat dhe partner strategjik, ndaj e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme, duke u angazhuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy shteteve.

Osmani ka theksuar se të dy shtetet ndajnë vlerat dhe parimet e njëjta në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe çështjet botërore.

Ajo ka theksuar se Kosova llogaritë në mbështetjen japoneze në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan potencialin për rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, arsimit, teknologjisë informative, shëndetësisë, mjedisit dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët, thuhet në një komunikatë për media të Presidencës së Kosovës.

Lajmet

Studentja e Inxhinierisë së Ndërtimit në UBT, Diellza Vishi, mbron masterin me hulumtim shkencor në Spanjë

Published

on

By

Një tjetër histori suksesi shënohet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT. Studentja Diellza Vishi ka përmbyllur me sukses studimet e saj të nivelit master, duke realizuar një hulumtim të rëndësishëm shkencor në kuadër të programit të mobilitetit Erasmus+.

Gjatë një semestri të kaluar në Valencia të Spanjës, pjesën eksperimentale dhe hulumtimin shkencor për temën e saj të diplomës, Diellza i ka zhvilluar në laboratorin e njohur ICITECH (Instituto de Ciencia y Tecnología del Hormigón), brenda Universitat Politècnica de València (UPV). ICITECH njihet si një nga institutet kërkimore më me zë në Evropë në fushën e materialeve ndërtimore dhe inxhinierisë strukturore.

Hulumtimi shkencor u zhvillua nën mbikëqyrjen e dy emrave të shquar të fushës: Prof. Dr. Pedro Serna Ros, ekspert me reputacion ndërkombëtar në fushën e betonit të përforcuar me fibra, si dhe Prof. Dr. Visar Krelani, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT.

Studentja Diellza Vishi mbrojti me sukses temën me titull “Experimental Analysis of the Effect of Fiber Orientation on the Mechanical Behavior of Prismatic and Slab Elements”.

Pjesë e komisionit në mbrojtjen e diplomës ishte edhe vetë Prof. Dr. Pedro Serna Ros, i cili u kyç drejtpërdrejt nga Spanja përmes platformës Google Meet.

Ky sukses dëshmon edhe një herë cilësinë e përgatitjes akademike në UBT dhe mundësitë e mëdha që institucioni u ofron studentëve për të depërtuar në qendrat më të njohura kërkimore evropiane. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

I dyshuari për deklarim të rremë në hetimin për krime lufte dërgohet në mbajtje për 48 orë

Published

on

By

Një burri nga fshati Zupç i komunës së Zubin Potokut i është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, të martën, pasi dyshohet për deklarim të rremë gjatë një hetimi për krime lufte.

Sipas avokatit të tij, Milosh Deleviq, personi me inicialet D.V. ishte ndaluar rreth orës 13:00 në pikëkalimin kufitar në Bërnjak dhe ishte dërguar për të dhënë dëshmi si dëshmitar në hetimin që Prokuroria Speciale po zhvillon për krime lufte në Zubin Potok. Më pas, prokurori vendosi të nisë procedurë ndaj tij për deklarim të rremë, siç ka deklaruar avokati për mediumin lokal Zubin Potok INFO.

Edhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të martën rreth orës 14:30 është arrestuar një burrë në Mitrovicën e Veriut, pasi kishte deklaruar rrejshëm gjatë intervistimit nga njësia policore, duke u dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Prokuroria Speciale e Kosovës është duke zhvilluar hetime për krime lufte në komunën e Zubin Potokut, ku po kryhen gërmime në disa lokacione për mbetje mortore të personave të zhdukur nga lufta e vitit 1999. Në lidhje me këtë rast, më parë janë arrestuar tre persona ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. /Telegrafi/

Continue Reading

Lajmet

AKB kërkon transparencë për pagën minimale 500 euro

Published

on

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur mbështetje parimore për rritjen e pagës minimale në 500 euro, por ka kërkuar nga Qeveria transparencë lidhur me analizat ekonomike dhe sociale që kanë paraprirë këtë vendim.

AKB, përmes një reagimi, ka thënë se rritja e pagave dhe përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve janë në interes të ekonomisë, por ka ngritur shqetësime për mënyrën se si është vendosur dhe zbatuar paga minimale prej 500 eurosh.

“AKB e mbështet parimisht rritjen e pagave dhe përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve në Kosovë. Megjithatë, AKB shpreh shqetësim serioz për mënyrën se si është vendosur dhe zbatuar paga minimale prej 500 euro, pa një dialog të plotë institucional me partnerët socialë dhe pa transparencë të mjaftueshme lidhur me analizat ekonomike, sociale dhe ligjore”, thuhet në reagim.

Sipas AKB-së, Qeveria duhet të publikojë analizat mbi të cilat është përcaktuar niveli i pagës minimale, përfshirë ndikimin në punësim, bizneset e vogla, konkurrueshmërinë dhe informalitetin.

“Ku është analiza e kostos së jetesës mbi bazën e së cilës është përcaktuar niveli prej 500 euro? Ku është analiza e ndikimit në punësim dhe papunësi? Ku është analiza e ndikimit te mikro, bizneset e vogla dhe ndërmarrjet e mesme?”, pyet AKB-ja.

Organizata e bizneseve ka paralajmëruar se rritja e kostos së punës, nëse nuk shoqërohet me masa të tjera ekonomike, mund të ndikojë në punësimin formal dhe qëndrueshmërinë e bizneseve.

Sipas saj, ndër pasojat e mundshme janë “zvogëlimi i vendeve të punës, mosdeklarimi i plotë i pagave, rritja e punësimit informal, zgjerimi i ekonomisë gri, mbyllja e mikro-bizneseve, rritja e çmimeve” dhe dobësimi i konkurrueshmërisë.

Në këtë kuadër, AKB i ka propozuar Qeverisë krijimin e një “Pakete 500+ për Punësim Formal”, e cila do të përfshinte lehtësime tatimore, ulje të kostos së punës për bizneset e vogla, subvencione për punësimin e të rinjve dhe kategorive të rrezikuara, si dhe mbështetje për bizneset që formalizojnë punëtorët.

AKB ka kërkuar gjithashtu masa për luftimin e ekonomisë informale, mbështetje për digjitalizimin dhe rritjen e produktivitetit, si dhe krijimin e një mekanizmi të përhershëm të dialogut social ndërmjet Qeverisë, punëdhënësve dhe punëtorëve.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se Kosova ka nevojë për paga më të larta, por edhe për biznese më të qëndrueshme.

“Paga 500 euro është e mirë për punëtorin. Por paga 500 euro pa biznes të qëndrueshëm, pa produktivitet më të lartë, pa lehtësime fiskale dhe pa dialog social mund të shndërrohet në problem për vetë punëtorin”, ka deklaruar Shahini.

Ai ka theksuar se AKB-ja nuk e kundërshton rritjen e pagave, por mënyrën e vendimmarrjes.

“Ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagave. Ne kundërshtojmë mënyrën kur një vendim kaq i rëndësishëm për ekonominë merret pa transparencë të plotë mbi analizat, pa dialog të mjaftueshëm me partnerët socialë dhe pa një paketë ekonomike që e mbron punësimin”, ka thënë Shahini.

Sipas tij, Qeveria duhet të publikojë analizat dhe procedurat, si dhe të ulet në dialog me përfaqësuesit e bizneseve dhe punëtorëve për të gjetur masa që do ta bëjnë të qëndrueshme pagën minimale prej 500 eurosh./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Haradinaj: Rezultati zgjedhor kërkon bashkëvendimmarrje mes pozitës dhe opozitës

Published

on

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve parlamentare nuk i ka dhënë asnjë partie të drejtën për të qeverisur e vetme, duke theksuar se krijimi i institucioneve duhet të bazohet në bashkëvendimmarrje mes pozitës dhe opozitës, raporton Ekonomia Online.

Duke komentuar mosarritjen e një marrëveshjeje në takimet e fundit, Haradinaj tha se verdikti i qytetarëve kërkon ndarje të përgjegjësive në procesin e vendimmarrjes.

“Qytetari ka votuar, populli ka votuar, sot jemi deputetë të zgjedhur. Ky rezultat kërkon bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët. Nuk i ka dhënë një shumicë të duhur partisë fituese dhe, kuptohet, për të arritur në krijimin e institucioneve kërkohet vendimmarrje e përbashkët”, tha ai.

Sipas Haradinajt, deri më tani nuk është ofruar një model i bashkëvendimmarrjes, por vetëm një ftesë që opozita të bëhet pjesë e qeverisë.

“Ajo që kemi parë deri tani është një pozicion i tillë që nuk ofron bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët, por i është ofruar opozitës për përfitimin e pushtetit, pra me i dhënë përfitime ose pjesëmarrje në pushtet. Kjo nuk e reflekton rezultatin. Dallimi mes numrit të deputetëve, të shqiptarëve po flas, të pozitës dhe opozitës nuk është aq i madh sa që vetëm fituesi i zgjedhjeve të mbajë vendimmarrjet”, tha ai.

Ai shtoi se rezultati zgjedhor duhet të lexohet si nevojë për ndarje të përgjegjësive institucionale.

“Për me e thjeshtuar edhe më shumë, nga dy postet e para, në këtë rast kryeministri që është posti kryesor sepse udhëheq qeverinë, ekzekutivin, dhe presidenti, njëri nga të dy postet në bazë të rezultatit zgjedhor i takon opozitës. Ai që ka fituar zgjedhjet, nëse ka logjikë demokratike, e lexon kështu rezultatin e zgjedhjeve”, tha ai.

Haradinaj akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po synon të mbajë të gjithë pushtetin vendimmarrës.

“Nëse ka logjikë regjimi, e që në fakt kjo logjikë po ndodh me Kurtin, ai nuk dëshiron vendimmarrje të përbashkët ose ndarje të vendimmarrjes. Kurti po i kërkon të gjitha situatat ose pozitat ose institucionet vendimmarrëse për vete dhe në njëfarë mënyre po synon me e poshtruar opozitën duke i ofruar vetëm përfitime të pushtetit, pra vetëm pjesëmarrje në qeverisje. Kjo nuk është ashtu siç ka vendosur qytetari. Është logjikë e regjimit. E këtë udhëheqësit e regjimeve totalitare të frikësohen nga bashkëvendimmarrja ose nga ndarja e vendimmarrjes”, tha ai.

Ai theksoi se opozita mund të kontribuojë në krijimin e institucioneve vetëm nëse është pjesë e vendimmarrjes.

“Unë mendoj që opozita mundet me ndihmuar në krijimin e institucioneve, por kuptohet duhet të ketë bashkëvendimmarrje, jo vetëm marrje pjesë në ekzekutiv që nënkupton pra vetëm përfitime për pushtet”, tha ai.

I pyetur për referencat ndaj kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, Haradinaj e vlerësoi punën e tij në krye të partisë dhe të Komunës së Gjakovës.

“Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ushtruar shumë funksione. Është kryetar shumë i suksesshëm i Komunës së Gjakovës edhe shihen zhvillimet në Gjakovë, po u tregua edhe kryetar i suksesshëm i partisë që udhëheq. Ka dëshmuar me rezultate, pra menjëherë kemi ngritje që është një situatë e re”, tha ai.

Sipas Haradinajt, thelbi i çështjes mbetet mënyra se si interpretohet rezultati zgjedhor.

“Bëhet fjalë: a pranon, a e lexon rezultatin udhëheqësi i regjimit si bashkëvendimmarrje apo jo? Nëse nuk e pranon se rezultati është bashkëvendimmarrje, nuk ia ka dhënë qytetari i Kosovës votën për vendimmarrje si i vetëm, për të udhëhequr me të gjitha institucionet e vendit, për të pasur një kontroll absolut. Ia ka zbritur votën, është e vërtetë që përqindje ka, po ia ka zbritur qindra mijëra vota. Nëse ai nuk e lexon kështu, i bie që është e kotë edhe mbajtja e takimeve”, tha ai.

Haradinaj përsëriti se Aleanca nuk synon të hyjë në qeveri vetëm për poste.

“Nuk mendoj që opozita e ndihmon Kosovën duke u bërë pjesë e qeverisjes Kurti vetëm për përfitime të pushtetit. Opozita kishte mundur me e ndihmuar Kosovën duke u bërë pjesë e vendimmarrjes. Aleanca nuk synon pra në asnjë variant vetëm përfitimet e pushtetit, por nëse kemi realisht me e ndihmuar Kosovën në krijimin e institucioneve në ndarjen e vendimeve ose në bashkëvendimmarrje, atëherë po”, tha ai.

I pyetur nëse njëri nga postet kryesore duhet t’i takojë opozitës, Haradinaj sqaroi se nuk e kishte fjalën domosdoshmërisht për postin e presidentit.

“Jo, nuk është presidenti. Njëra. Njëra. Pra në marrëveshje me partinë fituese, mundet partia fituese me të drejtë me kërkuar kryeministrin, por mundet edhe në çfarëdo rruge dikush nga opozita me u bërë kryetar qeverie, sepse ndërtimi i institucioneve nënkupton edhe zgjedhjen e presidentit, dhe është bashkëvendimmarrja”, tha ai.

Ndërsa lidhur me mundësinë e votimit të presidentit të ardhshëm, Haradinaj tha se kjo varet nga një marrëveshje politike për ndarjen e vendimmarrjes.

“E shihni që tani votat për presidentin janë marrëveshje politike e dy të tretave. Duhet të sqarohet pra a është një situatë e ndarjes së vendimeve, pra nëse bëhet fjalë vetëm për pjesëmarrjen në pushtet kuptohet që nuk kemi pse me u kyçur në diskutime”, shtoi Haradinaj./Ekonomia Online/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara