Aktualitet

Osmani ngushëllon popullin portugez, pas aksidentit tragjik në Lisbonë

Published

on

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dërguar telegram ngushëllimi homologut të saj portugez, Marcelo Rebelo de Sousa, pas aksidentit të tramvajit në Lisbonë.

“Zemrat dhe solidariteti ynë janë me presidentin Marcelo Rebelo de Sousa, kryeministrin Luis Montenegro dhe popullin e Portugalisë, pas aksidentit tragjik të tramvajit Gloria në Lisbonë.

Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave dhe u uroj shërim të shpejtë të plagosurve. Ne qëndrojmë pranë miqve tanë portugezë”, shkroi Osmani.

Aksidenti që zuri vend në qendër të Lisbonës dje, u mori jetën 15 personave, teksa 23 të tjerë u lënduan.

Tramvaji i njohur si “Elevador da Gloria” doli nga shinat, duke u bërë një prej aksidenteve më tragjike të regjistruara në kryeqytetin portugez.

Aksidenti ndodhi në orën 18:05, pranë sheshit “Restauradores”, pasi një kabllo sigurie u këput, duke bërë që automjeti të humbiste kontrollin dhe të përshpejtonte poshtë shpatit që lidhte pjesën e sipërme të qytetit me lagjen Baixa Pombalina.

Aksidenti preku edhe një teleferik të dytë që ishte ndaluar në fillim të rrugës Gloria, e që kishte disa pasagjerë brenda.

/S.K/EO/

Continue Reading

Aktualitet

Kurti: Kosova është rast unik i shtetndërtimit

Published

on

Në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike “KosovaPAR 2025”, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Kosova përfaqëson një rast të veçantë të shtetndërtimit pas luftës, i cili është vlerësuar edhe nga organizatat ndërkombëtare si një histori suksesi.

Teksa foli për konferencën, ai tha se ajo është shndërruar tashmë në një traditë vjetore që mbledh pjesëmarrës eminentë nga Kosova, rajoni, kontinenti evropian dhe e gjithë bota.

“Kjo konferencë, e cila, ashtu siç ishte premtuar në vitin 2023, është shndërruar tashmë në një konferencë vjetore që mbledh pjesëmarrës eminentë nga Kosova, rajoni, kontinenti evropian dhe e gjithë bota. Kosova është, në të vërtetë, një rast sui generis, për vetë faktin që ndërtimi i institucioneve pas luftës është bërë nga një mision i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, në bashkëpunim me BE-në dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Gjatë këtyre 25 viteve, në Kosovë ka ndodhur një proces i veçantë i shtetndërtimit, i pashembullt ndokund tjetër apo ndonjëherë tjetër. Raportet e fundit të organizatave si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, SIGMA, organizata GAP e të tjera dëshmojnë se Kosova është një rast suksesi i shtetndërtimit pas një lufte të tmerrshme. Gjatë këtyre katër viteve të fundit, qeveria që unë udhëheq ka ndërmarrë reforma të thella në të gjithë sektorët, në mënyrë që ndryshimet pozitive të jenë edhe të qëndrueshme në kohë për të ardhmen, por edhe të pakthyeshme, pra që të pamundësojnë hapa prapa,” tha Kurti.

Kurti tha se qeveria e tij ka synuar të ndërtojë baza të forta për të ardhmen.

Ministria e Punëve të Brendshme, për të tretin vit me radhë, ka organizuar konferencën ndërkombëtare “KosovaPAR 2025”, e cila këtë vit është fokusuar në temën: “Capacity in Public Administration for or through AI?”. Kjo temë trajton ndikimin e inteligjencës artificiale në ndërtimin e kapaciteteve në administratën publike.

Konferenca synon të rrisë ndërgjegjësimin për rolin e Reformës së Administratës Publike si një parakusht për integrimin evropian dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Këtë vit, në një kontekst të përshpejtuar digjital, diskutimet lidhen ngushtë me transformimin që sjell inteligjenca artificiale në qeverisje dhe administratë.

“KosovaPAR 2025”, e cila nisi dje dhe po vazhdon edhe sot, përfshin 14 panele, 2 sesione kryesore dhe një tryezë të rrumbullakët, me pjesëmarrje nga niveli i lartë shtetëror, komuniteti diplomatik, akademikë, zyrtarë publikë, shoqëria civile, si dhe përfaqësues nga rajoni dhe më gjerë.

/S.K/EO/

Continue Reading

Aktualitet

Sot hidhet shorti për renditjen e partive në KQZ

Published

on

Mbi 90 përfaqësues të subjekteve politike sot do të tërheqin shortin për renditjen e tyre në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime është një proces i hapur, duke garantuar transparencë e plotë dhe trajtim i barabartë i të gjitha subjekteve politike”, deklaroi ai.

Tërheqja e shortit nis nga ora 11:00 dhe zhvillohet te komuna e vjetër.

Ndryshe, fushata për zgjedhjet e muajit të ardhshëm nis më 13 shtator dhe përfundon para hapjes së qendrave të votimit më datën 12 tetor, në orën 06:59.

/S.K/EO

Continue Reading

Aktualitet

Prindërit kërkojnë që librat shkollorë të shpërndahen nga shkollat, jo të blihen vetë

Published

on

Edhe këtë vit, Ministria e Arsimit ka vendosur që librat shkollorë për nxënësit e klasave 1 deri në 5 të subvencionohen me 80 euro për çdo nxënës. Megjithatë, shumë prindër e konsiderojnë këtë proces të vështirë dhe kërkojnë që librat të shpërndahen drejtpërdrejt nga shkollat.

Nxënësja Melodi Cena nga klasa e pestë thotë se ende nuk ka marrë librat, ndonëse është e lumtur që ka filluar shkolla dhe ka mësuese të re.

“Jam në klasën e pestë, më vjen mirë po kaloj në shkollë, kam mësuese të re, kam shok dhe shoqe. Po që tre ditë pa libra, por e di që është e lehtë të blihen librat. Shkolla me na sjellë librat më mirë, nuk kemi pasur vështirësi me i gjet”, Cena.

Nëna e saj, Lenduare Cena, thekson se prindërit punojnë dhe nuk kanë kohë për t’u marrë me blerjen e librave. Ajo thotë se kjo situatë krijon dallime mes nxënësve dhe ndikon negativisht në procesin mësimor.

Prindërit shpresojnë që vitin e ardhshëm, librat të shpërndahen nga vetë shkolla për të shmangur ngarkesat dhe vështirësitë financiare.

“Kemi disa prind që me të vërtetë e kemi pasur të vështirë sepse punojmë, nuk kemi kohë. Do të ishte mirë që në vitin tjetër t’i jap shkolla, sepse është lehtësim për prindërit. Kjo është maltretim. Derisa të dalin paratë, për disa prindër që nuk i kanë mundësitë, por edhe në shkollë është vështirë sepse disa i kanë librat dhe disa jo, dhe është një lloj bullizimi. Është keq edhe për nxënësit. Kur i kanë marrë librat në fillim, ka qenë shumë më mirë në shkollë. Sot i bleva librat, pagova për disa libra që janë në mungesë, ende nuk i kam blerë fletoret. Edhe këtë e përballojmë, por shpresoj që në vitin tjetër nuk na maltretojnë kështu, se është vështirë. Unë jam nënë, tani kam lind dhe është dashur me ardhur këtu. 80 euro ka qenë subvencionimi për nxënësit nga klasa 1-5”, ka theksuar ajo.

/SK/EO/

Continue Reading

Aktualitet

Pesë vjet nga marrëveshja e Uashingtonit, deklarohet Avdullah Hoti

Published

on

E përditësuar

11:14

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kujtuar Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit, 2020, mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Hoti, këtë marrëveshje e konsideron arritje historike për vendin, por edhe mundësi të humbur.

Mundësi të humbur për faktin se, sipas tij, nuk janë zbatuar projektet e mëdha infrastrukturore që ishin arritur në atë marrëveshje.

“Sot bëhen pesë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit, një arritje historike për Kosovën që krijonte mundësi unike për: (1) fuqizimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe (2) vendosjen e Kosovës në qendër të zhvillimeve ekonomike në rajon përmes projekteve madhore infrastrukturore”, tha ai.

Fajin për mos-zbatimin e kësaj marrëveshjeje, Hoti ia vë qeverisë Kurti.

“Për fatin e keq të Kosovës dhe të secilit qytetar, marrëveshja u neglizhua nga institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet e vitit 2021. Kur u nënshkrua kjo marrëveshje, u kritikua ashpër nga opozita e atëhershme. Sot, pas pesë vitesh, të gjithë pa përjashtim janë të bindur për rëndësinë e saj strategjike, përfshirë ata që e cilësonin si tradhti kombëtare”, theksoi ai.

08:40

Janë bërë pesë vite që kur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizim ekonomik, me ndërmjetësimin e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump. Ky dokument u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve mes dy vendeve dhe një moment i veçantë në politikën e jashtme të Kosovës.

Marrëveshja u përpilua në katër gjuhë  shqip, anglisht, serbisht dhe hebraisht dhe përfshinte një sërë zotimesh të ndërsjella, përfshirë edhe një element të rëndësishëm: njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

Si rezultat, më 14 mars 2021, Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem, duke u bërë vendi i parë me shumicë myslimane që ndërmori një hap të tillë.

Në përputhje me marrëveshjen, Kosova pranoi të respektojë një moratorium njëvjeçar për mosaplikim në organizata ndërkombëtare, gjë të cilën e ka zbatuar gjatë periudhës së përcaktuar.

Po ashtu, Serbia u zotua të ndalë përkohësisht fushatën për tërheqjen e njohjeve të shtetësisë së Kosovës.

Në vijim janë pikat kryesore të marrëveshjes së firmosur më 4 shtator 2020:

Zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese për autostradën dhe hekurudhën Beograd-Prishtinë, si dhe studimi i fizibilitetit për lidhjen e tyre me një port në det të thellë në Adriatik.

Bashkëpunimi me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM në projekte infrastrukturore, kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe prani të plotë të korporatës në Serbi.

Hapja dhe operacionalizimi i pikëkalimit të përbashkët kufitar në Merdare.

Anëtarësimi i të dyja vendeve në nismën “Mini-Schengen” të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në 2019.

Njohja reciproke e diplomave dhe certifikatave profesionale.

Studimi për shfrytëzim të përbashkët të Liqenit të Ujmanit për ujë dhe energji.

Ndalimi i përdorimit të teknologjisë 5G nga furnizues të pasigurt dhe largimi i pajisjeve ekzistuese të tilla.

Përmirësimi i kontrolleve të udhëtimit ajror dhe ndarja e të dhënave përmes sistemeve të siguruara nga SHBA.

Promovimi i lirive fetare dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore që lidhen me Kishën Ortodokse Serbe, si dhe kthimi i pronave hebraike pa trashëgimtarë.

Angazhimi për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur dhe zgjidhje për çështjet e refugjatëve dhe të zhvendosurve.

Përkrahja e iniciativës për dekriminalizimin e homoseksualitetit në vendet ku është ende i ndaluar.

Shpallja e Hezbollahut organizatë terroriste dhe kufizimi i aktiviteteve të tij në juridiksionin e të dyja palëve.

Të gjitha pikat e marrëveshjes hynë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, por pas pesë vitesh, shumë prej tyre mbeten të pazbatuara ose të pjesshme, ndërsa çështjet politike mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten të tensionuara.

/S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara