Lajmet

Osmani-Cholletit: Serbia është kërcënim për paqen në rajon

Në takim me Chollet, Osmani ka biseduar edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga zyrtari i lartë, Derek Chollet, i shoqëruar nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretari i Mbrojtjes Spencer Boyer, si dhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane.

Presidentja Osmani dhe Chollet, siç ka bërë të ditur presidenca, kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Republikës së Kosovës, si dhe janë angazhuar për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

“Presidentja Osmani ka falënderuar z. Chollet për angazhimin proaktiv të Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është bërë e ditur në komunikatë.

Presidentja Osmani ka potencuar se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon.

“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-të, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, ka thënë Osmani.

Në takim me Chollet, Osmani ka biseduar edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke potencuar aleancën dhe afërsinë e theksuar të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike.

Presidentja Osmani ka theksuar se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon.

“Presidentja Osmani në takim me delegacionin e lartë amerikan, konfirmoi partneritetin historik dhe të pathyeshëm në mes të SHBA-ve dhe Kosovës, ndaj pikërisht kjo është një bazë e fortë për rritjen e bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe atë ekonomike. Bazuar në nismën e saj për Dialog Strategjik ndërshtetëror me SHBA-të, të iniciuar formalisht nga Presidentja Osmani para gjashtë muajsh, u shpreh gatishmëri për përshpejtimin e këtij procesi në përfitim të qytetarëve të të dy shteteve”, është bërë e ditur tutje në komunikatë.

Ndryshe, Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, sot është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Lajmet

27 vjet nga konferenca e Rambujesë

Published

on

By

Para 27 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-të, Boris Maiorsky, Rusi dhe Wolfgang Petritsch nga BE.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak.

Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë./Kosovapress/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Osmani takon Presidentin e Emirateve, paralajmërohen mbështetje për projekte të reja

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me Presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

Osmani ka falënderuar Presidentin e Emirateve për lidershipin dhe mbështetjen e treguar për gjithë rrugëtimin e shtetësisë së Kosovës.

“E nderuar me mikpritjen dhe diskutimet gjithnjë përmbajtjesorë me Presidentin e Emirateve, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e falënderova për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga ditët më të vështira e deri më sot”, njofton Zyra e Presidencës së Kosovës.

Ndër të tjera, Presidentja Osmani vlerësoi lartë partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përmendur bashkëpunimin në shumë fusha që kanë ndikuar në zhvillimin e Kosovës.

“Në veçanti, shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm”, njofton Zyra e Presidencës së Kosovës.

Në këtë takim Osmani shprehet se ka marrë mbështetjen e Presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore.

Continue Reading

Vendi

Rektori i UBT-së në Washington, mes liderëve botërorë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në SHBA

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në Washington, një ngjarje prestigjioze ku mori pjesë edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si dhe liderë të lartë politikë dhe institucionalë nga e gjithë bota.

Ky manifestim tradicional, i cili organizohet që nga viti 1953, mbahet çdo të enjte të parë të muajit shkurt dhe përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme shpirtërore dhe institucionale në SHBA.

Lutjet Nacionale të Mëngjesit mbledhin anëtarë të Kongresit Amerikan, politikanë, liderë ushtarakë, si dhe mysafirë nga mbi njëqind vende të botës.

Pjesëmarrja e Prof. Dr. Edmond Hajrizi në këtë ngjarje të rëndësishme përbën një moment domethënës për përfaqësimin akademik dhe institucional të Kosovës në një platformë globale me ndikim të veçantë.

Continue Reading

Lajmet

Rektori Hajrizi merr pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës në SHBA

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasadori i Kosovës në SHBA, z. Ilir Dugolli, për delegacionin nga Kosova që po merr pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në Washington.

Gjatë këtij takimi, Rektori Hajrizi pati mundësinë të takohet me deputetë, sipërmarrës, përfaqësues të komunitetit dhe medias, si dhe personalitete të tjera nga jeta akademike dhe institucionale, duke forcuar lidhjet ndërkombëtare dhe duke përfaqësuar Kosovën në një nivel institucional dhe akademik.

Continue Reading

Të kërkuara