Lajmet

Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së

Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi u takua në Prishtinë me ndihmës sekretarin amerikan të Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.

Published

on

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) është i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara.

Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi u takua në Prishtinë me ndihmës sekretarin amerikan të Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.

Sipas saj, anëtarësimi në INTERPOL do të rriste kapacitetet e Kosovës në mënyrë që institucionet të përmirësonin përgjigjen “ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të sigurisë publike për secilin qytetarë të Republikës sonë, pa dallim”.

“Të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale transnacionale. Është dëshirë dhe vullnet i përbashkët i Kosovës dhe i SHBA-së që ata t’i luftojmë deri në fund dhe pa kompromis”, tha Osmani.

Kosova ka nisur përpjekjet që të anëtarësohet në INTERPOL që nga viti 2010. Por, atëbotë kërkesa e saj nuk ishte marrë parasysh nga Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate. Më 2015 dhe 2016, Kosova s’arriti të futej në agjendën e Asamblesë së Përgjitshme të INTERPOL-it, ndërkaq në vitet pasuese Prishtina nuk ka tentuar që të anëtarësohet për shkak të mungesës së mbështetjes së mjaftueshme.

Osmani falënderoi Byronë amerikane të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të ligjit për mbështetjen dhe tha se ky institucion ka ndihmuar në themelimin e shumë institucioneve në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Forenzikës.

“Mbështetja e SHBA-së për Kosovën ka qenë prezent në çdo sektorë në çdo hap të shtetndërtimit”, tha Osmani.

Ndërkaq, ndihmëssekretari Robinson tha se SHBA-ja mbështet Kosovën që të përmirësojë strukturat e saj gjyqësore dhe të sigurisë.

“Fakti që jam këtu është për të treguar mbështetjen për atë që po bëni ju, për atë që po bën policia juaj, atë që po bëjnë shërbimet tuaja të sigurisë për qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Mesazhi im për ta dhe për të gjithë ju është se SHBA-ja është këtu për të mbështetur përpjekjet tuaja për strukturat jetike të sigurisë dhe gjyqësorit. Ne po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por po ashtu po punojmë për një Kosovë më transparente, më të fortë dhe më të sigurt nesër për qytetarët e Kosovës”, tha ai, duke shtuar se gjatë vizitës do të takohet me zyrtarë nga Qeveria dhe nga sektori i drejtësisë.

Megjithatë, një takim me mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ndihmës sekretarit Robinson nuk është paralajmëruar nga ekzekutivi kosovar. Por, zyrtari amerikan pritet të takohet me zyrtarë të gjyqësorit.

Raportet mes Qeverisë Kurti dhe Qeverisë amerikane janë tendosur për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar që dinari serb të përdoret për pagesa në Kosovë.

SHBA-ja po i kërkon Kosovës që të pezullojë zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron valutën e vetme për kryerjen e pagesave. Por, Qeveria Kurti nuk ka dhënë sinjale se do të tërhiqet nga ky vendim.

Ditë më parë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë u pyet nëse Uashingtoni do të vendosë ndonjë masë ndaj Kosovës për shkak të shpërfilljes së kërkesës amerikane.

“Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane”, tha ai.

Në fillim të marsit, Kosovën e vizitoi Erin Elizabeth McKee, ndihmës administratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID-it. Ajo, u takua me presidenten Osmani, por jo edhe me Kurtin.

Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e SHBA-së (USAID) kontribuon në zhvillimin e shumë sektorëve në Kosovë.

Vetëm në shtator të 2023-tës, USAID-i ka ndarë një grant prej 35 milionë eurosh për Kosovën, për ta ndihmuar në fushën e integrimeve./REL

Lajmet

Hamasi pranon marrëveshje për çarmatim, Trump e cilëson hap historik drejt paqes në Gaza

Published

on

Hamasi ka pranuar një marrëveshje për çarmatimin e plotë të tij dhe të grupeve të tjera të armatosura në Rripin e Gazës, sipas njoftimeve të presidentit amerikan, Donald Trump.

Trump e ka cilësuar marrëveshjen si një “hap historik” drejt paqes dhe sigurisë, duke bërë të ditur se zbatimi i saj do të zhvillohet në disa faza. Sipas tij, pas përfundimit të procesit të çarmatimit, forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht nga territori palestinez.

Në bazë të planit, Hamasi dhe fraksionet e tjera do t’ia dorëzojnë armët një komiteti kombëtar palestinez, ndërsa procesi do të monitorohet nga një mekanizëm ndërkombëtar verifikimi.

Pas kësaj, një Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit dhe një forcë e re policore palestineze pritet të marrin përgjegjësinë për sigurinë në Gaza.

Megjithatë, zyrtarët izraelitë kanë shprehur skepticizëm nëse Hamasi do ta zbatojë marrëveshjen, ndërsa përfaqësues të grupit palestinez kanë deklaruar se çarmatimi nuk do të nisë pa tërheqjen e ushtrisë izraelite dhe përmbushjen e detyrimeve të marrëveshjes.

Trump ka falënderuar Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për rolin e tyre në ndërmjetësimin e bisedimeve, duke e përshkruar marrëveshjen si një pikë kthese në zbatimin e planit të tij 20-pikësh për paqen në Gaza./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Abdixhiku: LDK-ja e gatshme të rikthehet në negociata me VV-në për formimin e institucioneve

Published

on

Kryetari i sapokonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij është e gatshme të rikthehet menjëherë në negociata me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve.

Procesi i bisedimeve ishte pezulluar për shkak të Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, ku ishte iniciuar shkarkimi i Abdixhikut. Pas votimit, ai arriti të sigurojë mbështetjen e shumicës së delegatëve dhe të vazhdojë udhëheqjen e partisë.

Pas përfundimit të Kuvendit, Abdixhiku tha se pezullimi i negociatave hiqet dhe se LDK-ja është e hapur për diskutime lidhur me krijimin e institucioneve të reja.

Ai bëri të ditur se në takimin e parë me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, është diskutuar edhe për “balancën e pushteteve”, që sipas tij nënkupton se një parti e vetme nuk duhet t’i udhëheqë të gjitha institucionet.

Megjithatë, Abdixhiku mohoi se në atë takim ka pasur marrëveshje apo dakordime të tjera konkrete./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë trupa gjenden në gërmimet në Kalludër të Vogël, vazhdon kërkimi për varrezën masive

Published

on

Gjashtë trupa janë gjetur deri më tani gjatë gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël, në komunën e Zubin Potokut, ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë.

Sipas burimeve të RTK-së, numri i mbetjeve mortore të gjetura është rritur në gjashtë, ndërsa punimet po vazhdojnë në zonën ku dyshohet se mund të ketë edhe trupa të tjerë.

Në vendin e ngjarjes ka qëndruar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili ka vizituar punimet dhe ka falënderuar Policinë e Kosovës, prokurorët e Prokurorisë Speciale dhe ekipet e Mjekësisë Ligjore për angazhimin në këtë proces.

Gërmimet po zhvillohen për të zbardhur rrethanat e rastit dhe për identifikimin e mbetjeve mortore, ndërsa dyshimet lidhen me një varrezë masive të personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

VV dorëzon kallëzim penal ndaj Përparim Ramës për pretendime mbi legalizime të kundërligjshme

Published

on

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe disa zyrtarëve të kabinetit të tij, nën dyshimet për legalizime të kundërligjshme të objekteve.

Asamblistja e VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Berita Abazi, tha se kallëzimi bazohet në një sinjalizim anonim, i cili përmban pretendime për përfshirjen e disa kompanive të ndërtimit, legalizime të paligjshme dhe shuma parash që dyshohet se lidhen me këto raste.

Sipas saj, Prokuroria duhet të hetojë dhe të vërtetojë nëse pretendimet e sinjalizuesit janë të bazuara.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës, zyrtarët e përmendur dhe kompanitë e apostrofuara nuk kanë reaguar ndaj këtyre pretendimeve.

Nga ana tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka cilësuar akuzat si pjesë e një fushate propaganduese të Vetëvendosjes kundër tij, duke theksuar se ato janë bërë publike në ditën e mbajtjes së Kuvendit të LDK-së, ku emri i tij është përmendur si kandidat i mundshëm për kryetar të partisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara