Lajmet

Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së

Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi u takua në Prishtinë me ndihmës sekretarin amerikan të Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.

Published

on

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) është i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara.

Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi u takua në Prishtinë me ndihmës sekretarin amerikan të Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.

Sipas saj, anëtarësimi në INTERPOL do të rriste kapacitetet e Kosovës në mënyrë që institucionet të përmirësonin përgjigjen “ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të sigurisë publike për secilin qytetarë të Republikës sonë, pa dallim”.

“Të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale transnacionale. Është dëshirë dhe vullnet i përbashkët i Kosovës dhe i SHBA-së që ata t’i luftojmë deri në fund dhe pa kompromis”, tha Osmani.

Kosova ka nisur përpjekjet që të anëtarësohet në INTERPOL që nga viti 2010. Por, atëbotë kërkesa e saj nuk ishte marrë parasysh nga Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate. Më 2015 dhe 2016, Kosova s’arriti të futej në agjendën e Asamblesë së Përgjitshme të INTERPOL-it, ndërkaq në vitet pasuese Prishtina nuk ka tentuar që të anëtarësohet për shkak të mungesës së mbështetjes së mjaftueshme.

Osmani falënderoi Byronë amerikane të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të ligjit për mbështetjen dhe tha se ky institucion ka ndihmuar në themelimin e shumë institucioneve në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Forenzikës.

“Mbështetja e SHBA-së për Kosovën ka qenë prezent në çdo sektorë në çdo hap të shtetndërtimit”, tha Osmani.

Ndërkaq, ndihmëssekretari Robinson tha se SHBA-ja mbështet Kosovën që të përmirësojë strukturat e saj gjyqësore dhe të sigurisë.

“Fakti që jam këtu është për të treguar mbështetjen për atë që po bëni ju, për atë që po bën policia juaj, atë që po bëjnë shërbimet tuaja të sigurisë për qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Mesazhi im për ta dhe për të gjithë ju është se SHBA-ja është këtu për të mbështetur përpjekjet tuaja për strukturat jetike të sigurisë dhe gjyqësorit. Ne po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por po ashtu po punojmë për një Kosovë më transparente, më të fortë dhe më të sigurt nesër për qytetarët e Kosovës”, tha ai, duke shtuar se gjatë vizitës do të takohet me zyrtarë nga Qeveria dhe nga sektori i drejtësisë.

Megjithatë, një takim me mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ndihmës sekretarit Robinson nuk është paralajmëruar nga ekzekutivi kosovar. Por, zyrtari amerikan pritet të takohet me zyrtarë të gjyqësorit.

Raportet mes Qeverisë Kurti dhe Qeverisë amerikane janë tendosur për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar që dinari serb të përdoret për pagesa në Kosovë.

SHBA-ja po i kërkon Kosovës që të pezullojë zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron valutën e vetme për kryerjen e pagesave. Por, Qeveria Kurti nuk ka dhënë sinjale se do të tërhiqet nga ky vendim.

Ditë më parë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë u pyet nëse Uashingtoni do të vendosë ndonjë masë ndaj Kosovës për shkak të shpërfilljes së kërkesës amerikane.

“Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane”, tha ai.

Në fillim të marsit, Kosovën e vizitoi Erin Elizabeth McKee, ndihmës administratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID-it. Ajo, u takua me presidenten Osmani, por jo edhe me Kurtin.

Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e SHBA-së (USAID) kontribuon në zhvillimin e shumë sektorëve në Kosovë.

Vetëm në shtator të 2023-tës, USAID-i ka ndarë një grant prej 35 milionë eurosh për Kosovën, për ta ndihmuar në fushën e integrimeve./REL

lajme

Komisioni për Punë të Jashtme pret në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë

Published

on

By

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës ka pritur sot në një takim zyrtar ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, László Dux.

Takimi mes anëtarëve të komisionit parlamentar dhe diplomatit hungarez po zhvillohet prapa dyerve të mbyllura për mediat.

Deri më tani nuk janë bërë me dije detaje zyrtare lidhur me temat konkrete të cilat janë përfshirë në agjendën e këtij takimi. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kosova e përmbyll Kampionatin Ballkanik të Karatesë me 10 medalje

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në karate ka arritur një rezultat të shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Stamboll të Turqisë, duke grumbulluar gjithsej 10 medalje, prej të cilave një e artë, tri të argjendta dhe gjashtë të bronzta.

Dita e fundit e garave solli tri medalje të bronzta në konkurrencën ekipore. Ekipi i djemve për kadetë, ekipi i vajzave për kadete si dhe ekipi i djemve për juniorë arritën të ngjiten në podiumin e fituesve duke siguruar medalje të bronzta për Kosovën.

Në garat individuale, suksesin më të madh e shënoi Emira Maqedonci, e cila u kurorëzua kampione e Ballkanit duke fituar medaljen e artë. Me medalje të argjendta u nderuan Suela Arifi, Qëndresa Ibrahimi dhe Prijam Gashi, ndërsa medaljet e bronzta në konkurrencën individuale i rrëmbyen Alea Kelmendi, Krenar Ismajli dhe Amar Daku.

Rezultati i arritur në Stamboll rikonfirmon ngritjen e karatesë kosovare në arenën rajonale, me federatën, trajnerët dhe sportistët që morën urime të shumta për përfaqësimin dinjitoz të flamurit të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 9 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

9 nëntor 1992 

Katër të vrarë, shumë të plagosur, 45 persona të dënuar në Shkup

Autoritetet e Maqedonisë vërtetuan lajmet se gjatë intervenimit të policisë së Maqedonisë ndaj protestuesve shqiptarë në lagjen Bit Pazar në Shkup, u vranë katër persona, me dhjetëra u plagosën, ndërsa, së paku 45 persona u dënuan me nga 30 ditë burg.

Nga të vrarët mirret vesh se Safet Sejfullai, 32 vjeçar u vra para portës së shtëpisë së tij. Ndërsa Viktorija Geshovska, 63 vjeçare u vra në dhomë të banesës së saj. I vrari i tretë, Shemsedin Ibrahimi, 38 vjeçar, vdiq në spital. Ndërsa viktima e katërt, që supozohet se është shqiptar, nuk është identifikuar ende. Në një raport nga Shkupi, të botuar sot në revistën “Shkëndija”, thuhet se i vrari i katërt është Sulejman Memishi, 22 vjeçar nga Shkupi.

Në raportet e ndryshme nga Shkupi, që mbështeten në burimet shqiptare, mirret vesh se policia maqedonase, arrestoi së paku 100 persona. Një numër i tyre është dënuar me burg, tha nënkryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Sami Ibrahimi. Deri më tash janë dënuar 45 persona me nga 30 ditë burg: Rrahman Iliazi (1970), Fadil Luta (1955), Jakup Salievski (1973), Abdyl Hyseni (1964), Vehbi Neziri (1973), Abdyl Sylejmani (1962), Adnan Rufati (1974), Setki Sylejmani (1906), Zekiria Vishi (1966), Qamil Vishi (1969), Osman Miftari (1956), Selajdin Ismaili (1965), Muharrem Seta (1968), Halil Ramadani (1958), Ibish Llami (1968), Ismajl Myrtezi (1951), Sylejman Maksuti (1950), Safet Gashi (1962), Fatmir Jashari (1965), Ramiz Sefaj (1956), Feriz Jusufi (1964), Ruzhdi Aliu (1952), Adnan Jusufi (1964), Samet Samakova (1958), Hamdi Bislimi (1964), Abullah Berkiri (1962), Sadri Burhamedini (1965), ? Çajani (1968), Isen Sinani (1953), Sabit Rexhepi (1974), Nehat Haliti (1968), Ali Morina (1958), Hajrullah Mustafa (1962), Faredin Bakiu (1965), Isa Selmani (1972), Shaip Selmani (1973), Ferid Islami (1967), Sedat Ismaili (1954), Xhelal Jashari (1959), Reshat Musliu (1959) dhe me të holla u dënuan Abdyl Naser Muharremi, Abdyl Kadri Abdiu, Naser Poliku dhe Mensur Mema.

Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarve nuk dihet.

Burimet shqiptare dyshojnë se numri i të vrarëve është më i madh.

Varrimi i të vrarëve u bë sot.

 

9 nëntor 1993

Diskriminim nacional e social

Sindikata e Pavarura të policisë së Kosovës, në një kumtesë për opinion, thekson se me shkresën e Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë, nr.890/1 prej 5 majt 1993 punëtorët shqiptarë në ish-SKPB janë përjashtuar arbitrarisht nga procedura për blerjen e banesave. Në praktikë, thuhet më tej në kumtesë, punëtorët shqiptarë të ish-SKPB-së së Kosovës u hodhën dëbuan arbitrarisht nga banesat shoqërore. Vetëm në muajin tetor 1993 me dhunë arbitrare policia serbe nga banesat shoqërore e nxori Enver Magjunin, ish-kryeshef i Drejtoratit për punë të brendshme në Vushtrri, Ramadan Bytyqi, ish-poskomandant i milicisë së komunikacionit në Ferizaj, Halil Blakaj, ish-poskomandant i milicisë në Prizren dhe Sadri Dedushajn, ish-milic në Deçan, shfrytëzues legjitim shumëvjeçar në to u vendosën Milosavleviq Milivoje, Zhiviq Gradimir, Zharko N.etj.

Ndërsa, gjatë muajit të kaluar, për shkak të aktivitetit sindikal, fizikisht u maltretuan Jakup Ahmeti, Imri Shala, Ali Berisha, Shemsi Slameni në Prishtinë dhe Shaban Neziri në Podujevë, thuhet në mes tjerash në kumtesën e Sindikatave të Pavarura të policisë së Kosovës.

 

9 nëntor 1995

Policia dëmtoi varrezat e Besim Latifit e Skënder Monollit në Pollatë të Podujevës

Policia serbe dëmtoi dje në Pollatë rrethojën e varrezave të Besim Latifit e Skënder Monollit, të cilët u vranë në shtëpitë e tyre në shtator të vitit 1990 nga një ekspeditë e forcave serbe.

Katër autoblinda dhe një automjet i policisë serbe shkuan dje rreth orës 15:00 në fshatin Pollatë të Podujevës dhe pasi qëndruan rreth 15 minuta përballë shkollës fillore të këtij fshati, duke u kthyer në drejtim të Podujevës, me autoblindë rrënuan një pjesë të rrethojave të varrezave të Besim Latifit e të Skënder Monollit, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Podujevë.

Në këto varreza është varrosur edhe Shefki Latifi, i cili u mbyt me torturë nga policia serbe më 4 korrik të këtij viti në Podujevë.

Aksioni i policisë serbe në shtator të vitit 1990 shënon fillimin e aksionit të madh të torturimit e keqtrajtimeve që përfshiu Kosovën gjatë pesë viteve të kaluara nën pretekst të kërkimit të armëve.

 

9 nëntor 1996

Në një apartament të Torinos u gjetën të vrara dy vajza shqiptare 

Në një apartament të veçuar në afërsi të stacionit hekurudhor të Torinos, dy vajza shqiptare në moshë të re shtetase të Shqipërisë u gjetën të vrara. Njëra nga ato vdiq menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetra pas operacionit po ashtu vdiq në spitalin e qytetit të Torinos, thuhej në një njoftim  të emetuar parmbrëmë në BBC.

Nga i njëjti burim theksohej se në shënimet e gjetura në apartament, rezultonte se vajzat e mbytura me thikë kërkonin të shkëputeshin përfundimisht nga rrjeti i prostitucionit ku ishin futur me forcë nga shfrytëzuesit e tyre. Ndërkohë, burimet e policisë italiane njoftuan se vrasja barbare e këtyre dy vajzave shqiptare është pasojë e hakmarrjes së bandave të kriminelëve, ngase ato nuk dëshironin të mbeteshin në kthetrat e tyre. Vetëm gjatë këtij viti në mënyra të ngjashme kanë rënë viktima 8 vajza shqiptare.

 

9 nëntor 1998

Prizren: Nuk ka tërheqje, por ripozicionime të forcave serbe

Në komunën e Prizrenit, nuk ka asnjë shenjë të tërheqjes së forcave serbe, ndërsa ato vetëm se janë ripozicionuar dhe vazhdojnë t’i keqtrajtojnë qytetarë shqiptarë, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

Në fshatin Planejë të Hasit tash një muaj janë vendosur forca të mëdha të ushtrisë serbe. Në këtë fshat, ushtria serbe ka uzurpuar tri dyqane të këtij fshati, si dhe objektin e shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri”.

Bëhet e ditur se ushtria serbe po i mban në izolim edhe disa lagje të këtij fshati, ndërsa çdo ditë po i ndalojnë qytetarët e këtushëm shqiptarë. Po ashtu në këtë fshat, ushtria serbe ka hapur edhe llogore.

Ndërkaq, forcat e policisë serbe po lëvizin shpesh edhe përgjatë rrugës Prizren-Prishtinë, veçanërisht në rrugën Duhël-Shtimje.

Dje rreth orës 11:00 në fshatin Zojz, policia serbe ka keqtrajtuar Halil Destanin. Në këtë fshat, qytetarët shqiptarë po keqtrajtohen nga një ekspeditë ndëshkuese e policisë serbe, e cila çdo ditë po dislokohet në fshatin Piranë, ndërsa po lëvizë edhe drejt fshatrave të tjera të Përdrinisë.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ndryshimet klimatike dhe sfidat globale: Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, folës në samitin botëror COP31 në Antalya

Published

on

By

UBT do të marr pjesë në Konferencën e 31-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), përmes pjesëmarrjes së Rektorit, Prof. Dr. Edmond Hajrizi në një panel ndërkombëtar të nivelit të lartë.

Më 18 nëntor 2026, në orën 13:00, në zonën Blue Zone të COP31 në Antalya, Rektori Hajrizi do të jetë folës në panelin me temë “From Universities to a Global Climate Alliance: Shared Vision and Action for Green Transition”, nën moderimin e Rektorit të Universitetit Çanakkale Onsekiz Mart, Prof. Dr. R. Cüneyt Erenoğlu.

Në kuadër të këtij paneli, Rektori Hajrizi do të prezantojë temën: “From Smart Campuses to Climate-Resilient Cities: The 5S Approach to University Living Labs”.

Prezantimi do të fokusohet në modelin UBT Smart City, duke trajtuar integrimin e arsimit, kërkimit shkencor, teknologjive të avancuara dhe veprimit klimatik në zhvillimin e kampuseve inteligjente dhe të qëndrueshme. Kjo pjesëmarrje përfaqëson gjithashtu vazhdimësinë e bashkëpunimit akademik ndërmjet UBT-së dhe Universitetit Çanakkale Onsekiz Mart, i cili filloi me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në vitin 2024.

Në kuadër të këtij partneriteti, me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), në UBT është realizuar Projekti i Transformimit të Gjelbër, me pjesëmarrjen e rreth 30 studentëve. Përmes pjesëmarrjes në COP31, UBT synon të ndajë përvojën e tij akademike dhe institucionale, të promovojë inovacionin dhe të forcojë partneritetet ndërkombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përballimin e sfidave klimatike.

Continue Reading

Të kërkuara