Lajmet

Organizatat e UÇK-së nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në organizimin për epopenë

Published

on

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së nuk janë njoftuar ende zyrtarisht për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë. Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve deklaroi se nuk janë të vendosur nëse do të dërgojnë përfaqësues në Këshillin Shtetëror për shënimin e Epopesë së UÇK-së, këshill ky i themeluar sot nga Qeverisë së Kosovës.

Qeveria ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili do të kryesohet nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Jashari tha se deri më tani nuk janë kontaktuar nga institucionet.

“Neve nuk na ka kontaktuar askush deri më tani zyrtarisht dhe nëse na kontaktojnë apo bëjnë kërkesë për të qenë pjesë e këtij manifestimi ulem bashkërisht tri organizatat edhe marrim një qëndrim ose një vendim”, deklaron ai.

Ai shtoi se nuk kanë bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, pas dorëheqjes së ish-ministrit, Armend Mehaj.

“Kemi qenë pjesë aktive sa ka qenë ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sepse kemi pasur një bashkëpunim të mirë por me largimin e tij nuk kemi pasur asnjë bashkëpunim dhe do të shohim. Çdoherë me ne janë bërë organizimet me FSK-në, por ka pasur edhe anëtarë të tjerë të këtij organizimi. Megjithatë, pa u drejtuar zyrtarisht për të marrë pjesë, nuk mund të them asgjë”, shton Jashari.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nuk mori pjesë në aktivitetet e organizuara nga Qeveria për 17 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Lajmet

Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes

Published

on

Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re.

Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja shqetësohet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Published

on

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet në përgjigje.

BE-ja ka theksuar se vazhdimisht ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit në vitet 2014–2015 dhe të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas BE-së, mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht, ndërsa drejtësia duhet të vazhdojë të bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Projektligji u miratua në Kuvend të martën, pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Miratimi i tij u shoqërua me protesta në Kosovë, ndërsa kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara është rritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Schuebel uron presidenten e re, mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.

“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.

Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

D.L

Continue Reading

Lajmet

15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë

Published

on

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë ndarë 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Hoti ka njoftuar se programi është miratuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon subvencionimin e faturave për familjet që plotësojnë kriteret për përfitim.

Ai ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfituesit, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.

Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.

“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka shkruar Hoti./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara