Lajmet

Opozita maqedonase fiton zgjedhjet e dyfishta

Published

on

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut i dhanë fund qeverisjes shtatëvjeçare të Lidhjes Social-Demokrate në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare, që u mbajtën më 8 maj. VMRO DPMNE-ja, deri tash në opozitë, u shpall fituese si në balotazhin për kreun e shtetit, ashtu edhe në zgjedhjet për Parlamentin e ri. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kandidatja për presidente, Gordana Silanovska Davkova, fitoi mbi 65 për qind të votave, kundrejt presidentit të deritanishëm, Stevo Pendarovski, i cili mori rreth 30 për qind të votave.

VMRO DPMNE-ja shënoi fitore të thellë edhe në zgjedhjet parlamentare, me mbi 43 për qind të votave, apo 59 mandate nga 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Me këto rezultate, LSDM-ja përjetoi disfatën më të thellë që nga formimi i saj në vitin 1990.Ajo do t’i ketë 19 ulëse në Parlament, apo vetëm një më shumë se Fronti Evropian që kryesohet nga partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili mori 18 mandate.

Koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN, arriti të sigurojë 13 mandate, ndërsa të tjerat u ndanë mes partisë E Majta dhe lëvizjes ZNAM.

Disfata e thellë e LSDM-së lidhet me disa faktorë, si: dështimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mungesa e sundimit të ligjit, kriza e thellë ekonomike, por edhe “lëshimet” që ka bërë ndaj partnerit të saj qeverisës, BDI-së, thonë analistët. Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, e pranoi disfatën dhe nuk e përjashtoi mundësinë që së shpejti të largohet nga udhëheqja e partisë.

“LSDM-ja mori një grusht të rëndë. Kemi marrë dënimin nga votuesit. Askush nuk është realisht pa përgjegjësi”, tha Kovaçevski. Partia e tij fajësohet, njëkohësisht, edhe për politikën e jashtme.

Ajo në vazhdimësi është akuzuar për “tradhti”, pas marrëveshjes me Greqinë në vitin 2018 për ndërrimin e emrit të shtetit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut, si dhe për pranimin e një marrëveshjeje me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez”, për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim përfshirjen e pakicës bullgare në të si popull shtet-formues.

Për shkak të këtyre marrëveshjeve, LSDM-ja ishte në shënjestër të akuzave për “shitje të interesave kombëtare maqedonase”. Zbatimi i marrëveshjes me Bullgarinë tani pritet të jetë sfida kryesore e Qeverisë së re, që do të formohet nga VMRO DPMNE-ja.

Kreu i kësaj partie, Hristijan Mickoski, në paraqitjen e parë para mediave pas shpalljes së rezultateve preliminare të KSHZ-së, u përqendrua në rezultatin e arritur dhe formimin e shpejtë të Qeverisë së re.

“Në këto zgjedhje ka fituar Maqedonia, e cila u përket maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, serbëve, boshnjakëve, popullit krenar që tregoi vendosmëri dhe qetësi. Qeveria në Maqedoni ka rënë dhe ka një arsye për këtë. Krimi, korrupsioni, paaftësia, vlerat e rrejshme, shteti i konfiskuar, tenderët, nepotizmi dhe njëqind pasoja të tjera, që e bënë shtetin të vuajë dhe popullin të zhgënjyer”, tha Mickoski.

Ai paralajmëroi formimin e Qeverisë së re me koalicionin e opozitës shqiptare, VLEN, pavarësisht se zgjedhjet në mesin e shqiptarëve i fitoi Fronti Evropian, i kryesuar nga BDI-ja.

“Koha është që BDI-ja, së bashku me LSDM-në, të kalojnë në opozitë. Populli ia dha leksionin më të rëndësishëm Qeverisë [së deritashme] dhe shpëtoi vendin e tij”, tha Mickoski.

“Besojmë se, duke i pasur parasysh numrat, do të kemi një shumicë të sigurt, andaj jemi të bindur se Qeveria e re do të formohet shumë shpejt”, tha Bilall Kasami nga koalicioni VLEN.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili gjatë fushatës ka kritikuar vazhdimisht VMRO DPMNE-në për, siç ka thënë, “politika antievropiane”, bëri thirrje për respektimin e vullnetit të qytetarëve, të shprehur në zgjedhje, me qëllim të, siç tha, ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit.

“Sot, shteti jonë më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe, zero probleme me fqinjët, luftë kundër korrupsionit dhe fillim të negociatave për anëtarësim në BE”, tha Ahmeti. /UBTNews/

Lajmet

KQZ pritet që sot ta përmbyllë rinumërimin e votave

Published

on

By

Sot pritet të përmbyllet procesi i rinumërimit të gjithsej 2 mijë e 557 vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai bëri me dije se deri më tani janë rinumëruar rreth 95% e tyre.

“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky proces, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë”, deklaroi ai.

Continue Reading

Lajmet

Gjenden mbetje eshtërore në Skenderaj, dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në ja në bërë gërmime në fshatin Marinë të Skenderajt, ku janë hasur mbetje eshtërore.

Sipas policisë këto mbetje dyshohet se i përkasin personave të zhdukur në vitin 1998/1999.

Nga njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në janë bërë gërmime në fshatin Marinë, ku janë hasur mbetje të eshtrave që dyshohet se i përkasin njeriut. Mbetjet e eshtrave janë marrë nga njësia e IML-së për ekzaminim”, thuhet në raportin policor.

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet me sukses punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors”, me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit

Published

on

By

Punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors (J4J) – Mobile Journalism Workshop”, e organizuar nga UBT në bashkëpunim me TRT dhe Institutin Yunus Emre, u përmbyll me sukses, duke ofruar një përvojë të vlefshme profesionale për studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, si dhe për nxënësit e UBT International Smart Schools.

Kjo punëtori shërbeu si një platformë edukative dhe praktike për fuqizimin e të rinjve me aftësi bashkëkohore në gazetarinë mobile, tregimin kreativ të storieve dhe prodhimin e përmbajtjes digjitale me ndikim social.

Gjatë ditëve të punëtorisë, pjesëmarrësit u angazhuan në sesione intensive që përfshinë bazat e gazetarisë, etikën profesionale, storytelling digjital dhe përdorimin e mjeteve mobile për xhirim, editim dhe shpërndarje të përmbajtjes mediatike.

Përmes punës praktike në terren, studentët dhe nxënësit patën mundësinë të krijojnë video-storie autentike, të ndërtuara nga perspektiva të ndryshme dhe të përshtatura për platformat digjitale.

Një moment i veçantë i kësaj ngjarjeje ishte Digital Video Competition, ku u realizua shfaqja në grup e video-storieve të përgatitura nga pjesëmarrësit. Këto punime u vlerësuan nga një juri profesionale e përbërë nga gazetarë dhe ekspertë të TRT-së, të cilët ofruan feedback konstruktiv dhe këshilla profesionale, duke vlerësuar kreativitetin, qasjen vizuale dhe mesazhin shoqëror të videove të realizuara.

Punimet e të rinjve u vlerësuan si dëshmi e potencialit të madh krijues dhe e përgatitjes së tyre për t’u përballur me sfidat e gazetarisë moderne, duke treguar se gazetaria mobile është një mjet i fuqishëm për të rrëfyer histori reale dhe me ndikim.

Punëtoria u përmbyll me ndarjen e certifikatave si vlerësim për angazhimin dhe punën e tyre gjatë gjithë procesit trajnues. Në këtë ceremoni u theksua rëndësia e bashkëpunimeve ndërkombëtare në edukimin e brezit të ri të gazetarëve dhe roli i UBT-së si institucion që promovon arsimin praktik, inovacionin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me industrinë e medias.

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” bashkojnë vizionet për arsimin dhe inovacionin

Published

on

By

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi akademik, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një vizite zyrtare të delegacionit të Universitetit “Eqrem Çabej”, të prirë nga Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Jaho Cana, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Prishtinë. Delegacioni u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik të UBT-së.

Gjatë takimit, rektorët e dy institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar në hapësirën shqiptare, duke vënë theksin në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, si dhe realizimin e projekteve kërkimore dhe shkencore me interes të ndërsjellë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi modelin unik të UBT-së, veçanërisht rolin e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik si një urë lidhëse ndërmjet akademisë, industrisë dhe inovacionit, duke theksuar se UBT mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike rajonale dhe ndërkombëtare.

“Ne kemi menduar të krijojmë një ekosistem transdisiplinar, ku bashkëpunimi është në zemër të strategjisë sonë dhe ku universiteti ka ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri”, theksoi Hajrizi.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. Dr. Jaho Cana, vlerësoi lart filozofinë dhe misionin e UBT-së, duke e cilësuar këtë institucion si një universitet që ka lindur për t’i shërbyer shoqërisë dhe për të krijuar vlera konkrete për të.

“Ju keni lindur si një universitet për t’i ofruar të mira kësaj shoqërie. Jeni një universitet për t’i dhënë shoqërisë dhe sinqerisht ndihem i befasuar pozitivisht nga ajo që pashë këtu”, u shpreh Rektori Cana.

Ai shtoi se bashkëpunimi me një universitet si UBT-ja është prioritet për Universitetin “Eqrem Çabej”, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të urave të qëndrueshme akademike ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në rajon.

“Bashkëpunimi me një universitet si ju është prioritet i yni dhe jemi të bindur se kjo marrëveshje do të prodhojë rezultate konkrete për të dy institucionet”, tha Cana.

Vizita përfshiu edhe një tur në ambientet e Parkut Shkencor të UBT-së, ku delegacioni u njoh nga afër me laboratorët, qendrat e inovacionit dhe infrastrukturën moderne që mbështet arsimin, kërkimin dhe zhvillimin teknologjik.

Continue Reading

Të kërkuara