Lajmet

Opozita kundërshton shtyrjen e zgjedhjeve

Krasniqi: Presidentja s’ka kompetencë për të shtyrë zgjedhjet

Published

on

Partitë opozitare në Kosovë nuk po e mbështesin kërkesën për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, të cilat janë caktuar që të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë pjesëmarrjen në takimin e së hënës, të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, por të njëjtit janë shprehur kundër idesë së shtyrjes së zgjedhjeve.

Mbajtjen e takimit e kanë konfirmuar edhe nga kabineti i presidentes, duke mos dhënë komente shtesë lidhur me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve. Kundër kësaj ideje është edhe njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Albert Krasniqi.

Takimi i presidentes Osmani me përfaqësues të partive politike, vjen pas letrës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që ka rekomanduar mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Sipas letrës së IKSHPK-së, mbajtja e zgjedhjeve do të ndikonte në rritjen e rasteve me koronavirus e për pasojë do të rriste edhe rrezikun e rritjes së rasteve të vdekjeve.

“Meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojmë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet ndër të tjera në letrën e IKSHPK-së.

Opozita e bashkuar kundër shtyrjes së zgjedhjeve

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa për shtyrje të zgjedhjeve është e papranueshme.

“Ne do të marrim pjesë në takim dhe do të japim vërejtjet tona. Është kërkesë e paarsyeshme dhe panevojshme, ne jemi kundër si LDK. S’ka legjitimitet asnjë institucion lokal pastaj dhe mungesa e legjitimitetit do të shkaktonte problem të mëdha”, thotë Gashi.

Ai thotë se Qeveria duhet të merret me menaxhimin sa më efikas të pandemisë COVID-19 e jo të tentojë shtyrjen e zgjedhjeve.

“Nëse bëhet fjalë për çështje të sigurisë nga COVID-19 atëherë duhet të merren masa parandaluese, distanca, tubimet e vogla, mund të eliminohet fushata krejt, ka plot zgjidhje. Asnjë vend në botë nuk i ka anuluar dhe mendoj se as ne nuk mund ta bëjmë”, thotë Gashi.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se shtyrja e zgjedhjeve nuk është zgjidhje adekuate.

“Nëse shtyhen zgjedhjet ka pasoja shumë të mëdha lidhur me pushtetin lokal. Praktikisht do të jetë një pushtet vakant, komunat do të jenë me një menaxhment në skadencë. Mundësia për të pasur edhe keqpërdorime dhe për të mos pasur menaxhim të mirë, efikas, është shumë e madhe”, thotë Dreshaj.

Sipas tij, Kosova ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme në pandemi dhe se do të duhej të mbaheshin sërish.

“Nuk mendoj se është një atribut i mjaftueshëm që situata aktuale me COVID-19, të jetë arsye për shtyrjen e zgjedhjeve, për shkak se aty do të bëhet një pyetje praktike dhe logjike: pas sa kohe do të organizohen zgjedhjet? Ne nuk jemi të sigurt se kur do të përfundojë pandemia nëse nuk kryhet vaksinimi masiv i popullatës”, thotë Dreshaj.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, por zyrtarë të kësaj partie nuk janë përgjigjur.

Derisa në zyrën për informim të Lëvizjes Vetëvendosje, parti që udhëheq me Qeverinë e Kosovës, thonë se institucionet shëndetësore janë ato të cilat e japin vlerësimin e duhur për këtë çështje.

Krasniqi: Presidentja s’ka kompetencë për të shtyrë zgjedhjet

Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus (D+), thotë se me këtë kornizë ligjore që ka Kosova, zgjedhjet nuk mund të shtyhen, pa marrë parasysh vullnetin që mund të ketë presidentja ose ndonjë prej partive politike.

Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta e as ligjet nuk ia kanë përcaktuar si kompetencë presidentes anulimin apo shtyrjen e zgjedhjeve. Sipas tij, presidentja e ka për kompetencë vetëm shpalljen e zgjedhjeve.

“E vetmja mundësi për t’i shtyrë zgjedhjet është nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme, e aty pastaj zgjatet edhe mandati i kuvendeve komunale dhe kryetarëve të komunave ose nëse partitë politike të gjitha që janë në parlament pajtohen që të shtyhen zgjedhjet. Kështu krijohet një kornizë përkohshme ligjore që i jep kompetencë presidentes për t’i shtyrë zgjedhjet”, thotë Krasniqi.

Nëse veprohet jashtë këtyre rrethanave, sipas Krasniqit, do të ishte në kundërshtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të presidentes dhe nuk do të ishte shtyrje valide e zgjedhjeve.

Në mars të vitit 2020, kur në Kosovë kishte filluar pandemia, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte marrë vendim për shtyrjen e zgjedhjeve për kryetar të Podujevës.

Derisa në maj të viti të kaluar, kryeministri i tanishëm Albin Kurti kishte kërkuar që të mbaheshin zgjedhjet.

Edhe në këtë rast sipas Albert Krasniqit, nuk është respektuar korniza ligjore dhe ka qenë në kundërshtim me kompetencat e presidentit. Sipas tij, ky rast nuk do të duhej të merrej si precedent që të shtyhen sërish zgjedhjet.

Ndërkaq, infektologu Hamdi Ramdani thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të fokusohet në luftën kundër pandemisë, pasi aktualisht numri i të vdekurve nga COVID-19, është shumë i lartë.

“Çështja e shtyrjes së zgjedhjeve për disa ditë ose disa javë, është krejtësisht politike për çka subjektet politike duhet të merren vesh. Por, mendoj se çdo institucion, çdo qytetar, çdo politikan, duhet të fokusohet si të luftohet pandemia COVID-19”, thotë Ramdani.

Prej muajit të kaluar, Kosova ka regjistruar numra të lartë të infektimeve ditore, por edhe të viktimave. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 237 viktima.

Zgjedhjet e 17 tetorit janë zgjedhje të rregullta, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, mbahen çdo katër vjet.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë ishin mbajtur më 22 tetor 2017.

Ligji për zgjedhjet lokale, në nenin katër, pika dy, thotë se zgjedhjet lokale “nuk mund të mbahen më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se 30 ditë pas përfundimit të mandatit”.

Po ashtu ky ligj përcakton se është në kompetencë të presidentit të shtetit që të shpallë zgjedhjet, por në këtë legjislacion nuk flitet për shtyrjen e zgjedhjeve.

Aktualitet

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi pranohet anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave (EurASc)

Published

on

Themeluesi dhe Presidenti i UBT-së, Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është pranuar si anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave (European Academy of Sciences – EurASc).

European Academy of Sciences (EurASc) është një nga akademitë më prestigjioze në Evropë, që bashkon shkencëtarë dhe studiues të shquar nga e gjithë bota, me qëllim promovimin e ekselencës shkencore dhe teknologjike për të adresuar sfidat më të mëdha globale. Anëtarët e saj janë emra të njohur që kanë dhënë kontribute të mëdha në fushat përkatëse, përfshirë shumë fitues të çmimeve ndërkombëtare dhe nobelistë.

Ky është një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar që njeh kontributin e jashtëzakonshëm të Prof. Hajrizit në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, inovacionit dhe politikëbërjes në nivel rajonal dhe evropian.

“Pjesëmarrja ime si anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave është një vlerësim personal, por mbi të gjitha është një njohje për punën dhe përkushtimin afatgjatë të UBT-së në ndërtimin e një ekosistemi akademik dhe shkencor në përputhje me standardet evropiane. Ky është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të Kosovës në hartën ndërkombëtare të dijes dhe inovacionit”, tha Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave (EurASc), në publikimin e saj në rrjetet sociale, ka vlerësuar lart kontributin e Prof. Dr. Edmond Hajrizi për përvojën e tij mbi dydekadëshe në ndërthurjen e akademisë me ekosistemet e inovacionit dhe zhvillimit ekonomik.

Nën udhëheqjen e tij strategjike dhe vizionare, UBT është konsoliduar si një nga institucionet më të avancuara të arsimit të lartë në Evropën Juglindore, duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme për zhvillimin e inovacionit, teknologjisë dhe sipërmarrjes.

Si pjesë e angazhimeve të tij profesionale, Prof. Hajrizi ka udhëhequr me sukses dhjetëra projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, si dhe ka kontribuar si këshilltar për institucione prestigjioze ndërkombëtare, duke promovuar transformimin digjital, prodhimin inteligjent dhe arsimin e orientuar drejt së ardhmes.

Ky pranim përfaqëson jo vetëm një sukses personal për Rektorin Hajrizi, por një arritje të rëndësishme për UBT-në dhe Kosovën në tërësi. Ai dëshmon se përkushtimi ndaj inovacionit, cilësisë akademike dhe vizionit global mund të sjellë njohje ndërkombëtare dhe ta vendosë Kosovën në hartën e qendrave të rëndësishme të dijes dhe teknologjisë.

Continue Reading

Lajmet

Liga e Kampionëve 2025-2026, 29 klube të kualifikuara

Published

on

Ka ende kohë deri në fillimin e sezonit të ri të Ligës së Kampionëve, megjithatë vështirë se ka ndonjë garë që gjeneron aq shumë pritje sa ky kompeticion. Edhe para se faza e ligës të fillojë më 16 shtator, ka disa data të rëndësishme në axhendë.

UEFA ka planifikuar tashmë shortin për fazën e ligës. Ai do të zhvillohet më 28 gusht në Nyon. Siç ndodhi vitin e kaluar, një program kompjuterik do ta kryejë procesin, pasi një short manual në formatin revolucionar do të ishte përtej mundësive.

Klubet do të ndahen në katër vazo me nga tetë ekipe secila sipas koeficientit të klubit të tyre, me Paris Saint-Germain, si fitues të Ligës së Kampionëve, që tashmë janë të vendosur në vazon e parë. Bayern (i 2-ti), Leverkusen (i 7-ti) dhe Dortmund (i 8-ti) nga Bundesliga janë midis tetë ekipeve të para. Një ekip nga vazoja e parë duhet të luajë kundër një ekipi tjetër nga vazoja e parë dhe klubeve të dyta secila nga vazot e dyta, të treta dhe të katërta në fazën e ligës.

Liga e Kampionëve 2025/26: Cilat klube janë gati për shortin?

Anglia : Liverpool , Arsenal , Manchester City, Chelsea, Tottenham, Newcastle

Spanjë : Barcelona , Real Madrid , Atlético Madrid, Athletic Club, Villarreal

Italia : Napoli, Inter, Atalanta, Juventus

Gjermani : Bayern Munich, Bayer Leverkusen, Eintracht Frankfurt , Dortmund

Francë : Paris Saint-Germain, Marseille, Monaco

Holanda : PSV, Ajax

Portugalia : Sporting CP

Belgjikë : Union Saint-Gilloise

Turqi : Galatasaray

Republika Çeke : Slavia Pragë

Greqi : Olimpiakosi

29 klube janë kualifikuar tashmë për shortin e fazës së ligës. Anglia dhe Spanja kanë siguruar secila nga një vend shtesë përmes renditjes vjetore të UEFA-s, kështu që Newcastle dhe Villarreal do të përfaqësohen. Tottenham është kualifikuar si fitues i Europa League, që do të thotë se Premier League do të ketë gjashtë klube.

Liga e Kampionëve 2025/26: Si do të luhen vendet e mbetura?

Vendet e mbetura do të përcaktohen përmes fazës kualifikuese dhe eliminatoreve.

Raundi i 1-rë kualifikues: 8/9 dhe 15/16 korrik 2025

Raundi i dytë kualifikues: 22/23 dhe 29/30 korrik 2025

Raundi i 3-të kualifikues: 5/6 dhe 12 gusht 2025

Playoff-et: 19/20 dhe 26/27. Gusht 2025

Raundi i parë kualifikues është tashmë në kulmin e tij. Megjithatë, vetëm klubet nga ligat më të ulëta do të garojnë atje. Megjithatë, në raundin e dytë kualifikues do të marrin pjesë klube të njohura si FC Copenhagen dhe RB Salzburg.

Vendimi se cilat klube do të avancojnë në fazën e ligës do të merret më 26 dhe 27 gusht me ndeshjet e kthimit të fazës eliminatore.

Continue Reading

Lajmet

​Laporta për Yamalin: Ka personalitet të fortë si Messi, është i rrallë

Published

on

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka bërë një deklaratë të fuqishme në lidhje me talentin e jashtëzakonshëm të Lamine Yamal, duke e krahasuar atë me Lionel Messin jo vetëm për cilësitë teknike, por edhe për karakterin e tij të veçantë.

Në një prononcim për mediat, Laporta u shpreh: “Lamine Yamal ka një personalitet shumë të fortë, njësoj siç kishte edhe Messi në kohën e tij. Ai nuk është thjesht një lojtar i talentuar, por është i rrallë, një prej atyre futbollistëve që lindin rrallëherë.”

Presidenti katalanas vazhdoi me vlerësimet duke theksuar nivelin elitar në të cilin tashmë ndodhet adoleshenti spanjoll:

“Yamal është një gjeni i vërtetë i futbollit. Ka arritur një nivel shumë të lartë për moshën që ka dhe kjo e bën edhe më të jashtëzakonshëm. Ne te Barcelona jemi shumë krenarë që kemi një lojtar si ai në radhët tona.”

Lamine Yamal, vetëm 18 vjeç, ka shpërthyer me paraqitjet e tij për Barçën dhe përfaqësuesen e Spanjës, duke u bërë një ndër emrat më premtues në futbollin botëror. Krahasimi me Messin nga vetë presidenti Laporta vetëm sa e forcon imazhin e tij si trashëgimtar potencial i legjendës argjentinase në “Camp Nou”.

Continue Reading

Lajmet

​Drita prezanton përforcimin e ri

Published

on

Drita ka bërë një goditje të rëndësishme në merkato duke siguruar shërbimet e sulmuesit të njohur Kristal Abazaj. Lojtari me përvojë të madhe dhe cilësi të spikatura do të jetë tashmë pjesë e repartit ofensiv, duke i shtuar më shumë forcë dhe alternativë skuadrës nga Gjilani.

Pas një pune të përkushtuar dhe negociatash të suksesshme, drejtori sportiv Valon Zymberi arriti të finalizojë marrëveshjen me Abazajn, i cili ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin.

Abazaj pritet të jetë një armë e fuqishme në dispozicion të trajnerit Ramadani, duke sjellë me vete jo vetëm eksperiencë, por edhe potencial për të bërë diferencën në fushë.

 

Continue Reading

Të kërkuara