Lajmet

Opozita kërkon kompensimin e dëmeve të vërshimeve, LVV nuk shuan shpresat

Nga opozita kërkojnë që ekzekutivi të kryejë punën e vet.

Published

on

Opozita po konsideron se Qeveria e Kosovës po vonohet në krijimin e një fondi emergjent për komunat të cilat janë në gjendje më të rëndë nga vërshimet. Derisa nga pozita thonë se janë në dijeni për dëmet e mëdha që janë shkaktuar dhe se ekzekutivi do ta kryejë punën e vet.

Ardian Kastrati i Partisë Demokratike të Kosovës kërkon nga qeveria një reagim më të shpejtë për komunat e prekura nga vërshimet.

“Situata është jo e tmerrshme por është tepër e rendë dhe këtu nuk ka më vija politike, nuk ka më nuanca të sekrecionit kulturor që e kemi parë në të kaluarën dhe territorializimit. Situata duhet ndihmuar sa më shpejt këtyre komunave, edhe niveli qendror, ashtu siç po bënë në komunat tjera në baza vullnetare, ashtu siç po bënë në komuna tjera në baza vullnetare, ashtu siç po bënë edhe komuniteti, sepse vet komuna, shembull e Skenderaj, ka kapacitete jashtëzakonisht të limituara. Vërshimet dhe dëmet ashtu siç u vlerësuan nga komuna, arrin shifrën 10 milionëshe dhe do të thotë se situata është jashtëzakonisht e rëndë. Pres që qeveria me pas një reagim sa më të shpejtë, sa më rapid dhe të ju ndihmojë këtyre komunave”, thotë Kastrati.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se tashmë qeveria veç është vonuar. Bekë Berisha nga AAK akuzon ekzekutivin për moskrijimin e një fondi emergjent. Sipas tij, qeveria nuk po duket e gatshme të reagojë.

“Fondi emergjent është dashtë të ekzistojë dhe me hy në funksion, mirëpo ne si duket nuk po e kuptojmë rëndësinë e këtyre fatkeqësive natyrore. Agjensioni për menaxhimin e emergjencave duhet të funksionalizohet, duhet të financohet dhe kështu mendoj se me një plan të mirë, ne në të ardhmen do t’i evidentonim këto probleme… Edhe qeveria duhet të investojë menjëherë, momentin që dihet sa është bërë dëme, qeveria të mos vonohet, sepse po kemi problem me këtë qeveri që po vonohet, po preton si duket të ndikojë menjëherë”, thotë Berisha.

Bekë Berisha, i cili është edhe kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, tha se përveç dëmeve materiale mund të ketë efekte edhe në fushën e sigurisë.

“Qeveria kërkesat e komunave duhet t’i zbatojnë menjëherë, ato dëme që janë bërë. Mirëpo përmbi këtij duhet të shikojnë në pranverë menjëherë të organizohen këto komuna që kanë pas përmbytje, t’i shikojnë ku janë problemet dhe duhet të fillojnë, sepse këto probleme, ne nuk ju kemi përshtat shtretërve të lumenjve, nuk ju kemi përshtat natyrës, e kemi dhunuar natyrën me ndërtime, shtretërit e lumenjve nganjëherë i kemi mbyllur dhe natyra nganjëherë na tregon se kemi bërë gabime. Duhet me pas plan menjëherë në pranverë, duhet të ketë investime edhe qeverisë, sepse komunat kanë buxhetin e dobët, në mënyrë që të lëshohen shtretërit e lumenjëve, në mënyrë që mos të përballemi me këto probleme, ndryshe nëse vazhdohet kështu do të jetë përherë problem dhe pastaj këto do të bëhen edhe problem i sigurisë”, tha Beka.

Ndërsa opozita thotë krejt ndryshe. Sipas kryetares së Komisionit për Bujqësi, Fitore Pacollit të VV-së, qeveria është e gatshme të punojë në drejtim të sanimit të situatës dhe në marrjen e masave parandaluese për të ardhmen.

Ajo thotë se si komision do të dalin në terren ditën e hënë, dhe do të shohin se cilat janë marrë masat prej komunave si dhe nivelit qendror dhe do të shohin se sa munden të kontribuojnë në sajimin e gjendjes që sa më shpejtë të jetë e mundur.

“Tani e kemi konfirmimin edhe prej kryeministrit dhe ministrave të cilët janë të gatshëm dhe do të punojnë që t’i ndihmojnë secilës familje, secilit qytetar që ka pësuar nga këto vërshime. Dëmet të cilat janë shkaktuar janë dëme të mëdha dhe ka familje tashmë e cila kanë mbet pa strehim dhe duhet t’i ndihmojmë secilit që kemi mundësi dhe qeveria do ta kryej punën e saj… Ne tani duhet të punojmë në masat e parandalimit, që të parandalojmë herën tjetër kur të ndodhin të reshura që të mos përfundojmë në këso katastrofa, për shkak se dëmin më të madh që pësojnë janë qytetarët”, thotë Pacolli.

Për situatën e krijuar ajo i bën përgjegjëse komunat. Sipas saj, në të kaluarën ato nuk e kanë pasur mendjen që të investojnë në këtë drejtim dhe si pasojë e saj, është krijuar kjo gjendje.

“Nëse i shohim komunat tona, tani është një pikëpyetje e madhe, a i kemi komunat e gatshme që të përballen me këto ndryshime klimatike të cilat do të ballafaqohemi ne në të ardhmen. Raporte të ndryshme vlerësojnë se viteve të ardhshme, rajoni në përgjithësi do të përfshihet nga thatësira dhe nga reshje të vrullshme siç janë këto. Nëse ne e kemi mesazhin që në të ardhmen do të kemi reshje të tilla, tani duhet që të mendojmë mirë se si i dizajnojmë, ndërtojmë komunat tona. Problemi është mënyra se si janë ndërtuar komunat tona në të kaluarën, si janë bërë investimet në kanalizime, në ujëmbledhësit. Në të kaluarën, fatkeqësisht komunat nuk e kanë pas mendjen që të investojnë në këtë drejtim dhe sot e kemi gjendjen që e kemi, nuk do duhej që të përfundonte në këtë mënyrë. Sikur të kishim komuna te cilat do të ishin të ndërtuara me planifikim, sipas planeve urbanistike me të gjitha kushtet dhe kriteret që janë te nevojshme, nuk do ta kishim një gjendje të tillë siç e kemi sot”, thotë ajo.

Komunat më të prekura nga këto vërshime ishin komuna e Skenderajt, Klinës, Mitrovicës, Podujevës dhe Istogut.

Vendi

Bypass apo stent? Kur kirurgjia e zemrës bëhet zgjedhja më e përshtatshme për pacientin

Published

on

By

Shëndeti i zemrës nuk përcaktohet vetëm nga një diagnozë, por nga kompleksiteti i dëmtimeve, gjendja e përgjithshme e pacientit dhe mënyra më e sigurt për të rikthyer qarkullimin e duhur të gjakut në muskulin e zemrës. Për këtë arsye, jo çdo problem i arterieve koronare mund të zgjidhet me vendosjen e një stenti apo vetëm përmes trajtimit medikamentoz.

Në rastet kur bllokimet janë të shumta, të përhapura ose anatomikisht komplekse, kirurgjia e bypass-it mund të jetë një alternativë e rëndësishme terapeutike, e cila vendoset pas vlerësimit të plotë të pacientit nga ekipi specialistik.

Pikërisht për këtë çështje, Dr. Sulejman Kusi, specialist i kardiologjisë/kardiokirurgjisë në United Hospital, shpjegon se vendimi ndërmjet stentit dhe bypass-it duhet të bazohet në karakteristikat konkrete të sëmundjes koronare dhe në gjendjen e përgjithshme shëndetësore të pacientit. Zgjedhja e trajtimit nuk është një vendim që merret në mënyrë të njëjtë për të gjithë, por kërkon ekzaminime, vlerësim të enëve koronare dhe gjykim të specializuar mjekësor.

Rikuperimi pas bypass-it kërkon kujdes dhe disiplinë

Pas një operacioni bypass, rikthimi në aktivitetet e përditshme është një proces gradual. Kujdesi për plagën operative, aktiviteti fizik i kontrolluar dhe ushqyerja e shëndetshme janë pjesë të rëndësishme të periudhës së rikuperimit.

Pacientët këshillohen që plagën operative ta mbajnë të pastër dhe të thatë, të ecin çdo ditë sipas udhëzimeve të mjekut dhe të kryejnë ushtrimet e frymëmarrjes pa e sforcuar organizmin. Po ashtu, një regjim ushqimor i balancuar, me më shumë fruta, perime dhe peshk dhe me kufizim të kripës së tepërt, mund të jetë pjesë e rëndësishme e kujdesit afatgjatë për shëndetin kardiovaskular.

Rikuperimi kërkon durim, terapi dhe monitorim

Periudha pas operacionit të zemrës nuk duhet parë si një kthim i menjëhershëm në ritmin e mëparshëm të jetës. Ajo kërkon disiplinë, durim dhe ndjekje të vazhdueshme mjekësore. Ecja e përditshme, ushtrimet e frymëmarrjes, marrja e rregullt e terapisë së përshkruar dhe pushimi i mjaftueshëm janë ndër elementet që mund ta mbështesin rikuperimin.

Në javët e para mund të shfaqen lodhje, shqetësime të menaxhueshme në kraharor, çrregullime të gjumit apo ulje e oreksit. Megjithatë, çdo simptomë e re, e fortë ose që përkeqësohet duhet t’i komunikohet ekipit mjekësor dhe nuk duhet të trajtohet vetëm me vetëkujdes.

Mosha e shtyrë nuk është kriteri i vetëm për kirurgjinë

Një prej pyetjeve të rëndësishme për pacientët dhe familjarët është nëse operacioni në zemër është i sigurt te personat në moshë të shtyrë. Sipas Dr. Sulejman Kusit, mosha në vetvete nuk e përcakton sigurinë e ndërhyrjes. Vlerësimi duhet të marrë parasysh gjendjen e përgjithshme shëndetësore, funksionimin e organeve, sëmundjet shoqëruese, gjendjen e zemrës dhe kompleksitetin e problemit koronar.

Për këtë arsye, vendimi për ndërhyrje kirurgjikale duhet të merret individualisht, pas një vlerësimi të plotë specialistik dhe pas peshimit të përfitimeve dhe rreziqeve për secilin pacient.

Në fund, mesazhi kryesor është i qartë: kujdesi për zemrën nuk përfundon me ndërhyrjen kirurgjikale. Bypass-i apo stenti mund të jenë pjesë e trajtimit, por kontrolli i faktorëve të rrezikut, terapia e përshkruar, aktiviteti fizik i përshtatur dhe ndjekja mjekësore mbeten thelbësore për shëndetin afatgjatë.

Për informacione dhe konsultime në United Hospital:
📞 038 60 70 70 / 046 60 70 70

Vendimi ndërmjet trajtimit medikamentoz, stentit dhe bypass-it duhet të merret vetëm nga mjeku/ekipi specialistik pas vlerësimit individual të pacientit./rajonipress/

Continue Reading

Vendi

Në Zubin Potok identifikohen mbetje kockore të së paku 23 personave

Published

on

By

Prokuroria Speciale dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore thanë se në Zubin Potok, në lokacionet ku dyshohet se ka varre masive, bazuar në vlerësimet preliminare janë identifikuar mbetje kockore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 individëve.

“Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse”, u tha në njoftim.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më herët kishte deklaruar se mbetjet mortore të gjetura në Kalludër të Vogël, mund t’u përkasin grupit të 23 shqiptarëve që ishin zhdukur në atë pjesë të Kosovës në vitin 1999.

Ky grup, i njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik dhe gërmimet janë kryer në Kalludër të Vogël, Jakubë dhe në një lokacion tjetër në këtë komunë, në veri të Kosovës.

Gërmimet nisën pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.

15 gusht, autoritetet kishin njoftuar se në Kalludër ishin gjetur mbetje eshtërore të të paktën tre personave.

“Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit”, tha Prokuroria Speciale e Kosovës.

Njëri nga të arrestuarit, sipas autoriteteve, dyshohet se në kohën e luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.
/REL/

Continue Reading

Vendi

PDK i kërkon përseri Avni Deharit vazhdimin e seancës konstituive më 20 gusht

Published

on

By

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i kanë dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për të thirrur vazhdimin e seancës ditën e enjte, më 20 gusht.

Përmes një letre, PDK-ja ka theksuar se caktimi i seancës është një obligim kushtetues dhe procedural i kryesuesit, duke paralajmëruar se vonesat e mëtejshme thellojnë shkeljet ligjore.

“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, ,thuhet në kërkesen e PDK-së.

Kjo kërkesë vjen në kuadër të aksioneve të vazhdueshme të PDK-së, deputetët e së cilës po protestojnë çdo mëngjes para Qeverisë dhe po mblidhen çdo dy ditë në sallën e Kuvendit.

Në anën tjetër, që nga vazhdimi i fundit më 8 gusht, kryesuesi Avni Dehari nuk ka thirrur seancë të re, duke mbështetur qëndrimin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se pa një marrëveshje politike seancat mbeten “shterpe”. Kurti ka kërkuar më shumë kohë për negociata, me arsyetimin se pa një dakordim për postin e presidentit, vendi do të shkojë pashmangshëm në zgjedhje të reja.

Përderisa PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar takimet me Kurtin, ky i fundit ka zhvilluar negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), përfshirë një takim me liderin e saj, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar rreth çështjes së presidentit. Ndërkohë, afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit pas certifikimit të rezultateve tashmë ka kaluar. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Murici dhe Vojvoda shkëlqejnë në Kupën e Italisë: Zënë vend në formacionin e javës

Published

on

By

Dyshja e kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric dhe Mërgim Vojvoda, kanë dhënë paraqitje të shkëlqyera në Kupën e Italisë, duke u përfshirë në formacionin më të mirë të javës sipas platformës së specializuar të statistikave, SofaScore.

Portieri Arijanet Muric dhuroi një paraqitje të nivelit të lartë në fitoren 3-0 të Sassuolos ndaj Cesenas, duke u vlerësuar me notën e lartë 8.7.

Nga ana tjetër, mbrojtësi Mërgim Vojvoda po ashtu ishte vendimtar në triumfin e Udineses kundër Padovas me rezultat 1-0, ku për performancën e tij u shpërblye me notën 8.3.

Përfshirja e të dy futbollistëve kosovarë në 11-shen më të mirë konfirmon formën e tyre të mirë në fillim të këtij edicioni në futbollin italian. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara