Rajoni

​Operacion ndërkombëtar në Shqipëri, arrestohen 8 shtetas

Published

on

Një grup kriminal që trafikonte vajza nga vendet e Amerikës Latine dhe të Azisë Qendrore, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion, në Shqipëri është goditur nga Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë kroate, EUROPOL dhe EUROJUST.

Operacioni policor ndërkombëtar “Rrjeti” u finalizua pas 8 muajsh hetime, duke bërë të mundur lëshimin e 9 masave të sigurisë, ku 7 prej tyre janë “Arrest në burg”.

Sipas njoftimit për shtyp të Policisë, në kuadër të operacionit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: A. A., 43 vjeçe, R. M., 53 vjeç, D. B., 39 vjeç, M. Sh., 28 vjeç, D. S., 37 vjeç, I. G., 35 vjeç dhe K. N., 25 vjeç; u ekzekutua masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore”, për shtetasit Z. B., 25 vjeç dhe K. C., 29 vjeç; u shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, pjesëtarë të grupit kriminal.

Gjithashtu, u arrestua në Kolumbi, organizatori i veprimtarisë kriminale, shtetasi L. B., 25 vjeç, shkruan ATSH.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi L. B., kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe në organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri, ku më pas ato detyroheshin të ushtronin prostitucion.

Në rast refuzimi, L. B. ushtronte presion dhe kërcënime ndaj vajzave dhe familjarëve të tyre në Kolumbi. Ky shtetas bashkëpunonte me shtetasin D. S., për sigurimin e kushteve për akomodimin e vajzave dhe menaxhimin e rrjetit të prostitucionit; shtetasi I. G. kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Çollaku”, në Tiranë, si vend për akomodomin e vajzave dhe shfrytëzimin e tyre për prostitucion; shtetasit A. A. dhe K. N. shfrytëzonin për prostitucion, disa shtetase nga Kazakistani, të cilat i strehonin në këtë hotel; shtetasi D. B. iu jepte lëndë narkotike disa vajzave dhe siguronte klientë për prostitucion; shtetasi K. P. (i arrestuar më parë), mblidhte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dhe i transferonte ato nëpërmjet kriptovalutave, në llogaritë e shtetasi L. B.

Ky operacion u finalizua me sukses nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në kuadër të një hetimi proaktiv të nisur në muajin shkurt 2025, në drejtimin e Prokurorisë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme./D.B/KP

Lajmet

Samiti i NATO-s në Tiranë nuk do të mbahet në vitin 2027

Published

on

By

Samiti i NATO-s nuk do të mbahet në Shqipëri vitin e ardhshëm, pavarësisht planeve të mëparshme. Lajmin e ka konfirmuar kryeministri shqiptar, Edi Rama, duke saktësuar se organizimi në Tiranë mund të zhvendoset për në vitin 2028.

Duke folur në Dublin përpara një takimi të liderëve evropianë, Rama deklaroi se ende nuk ka një dakordësi të përbashkët brenda aleancës se kur do të zhvillohet samiti i radhës, por përjashtoi kategorikisht vitin 2027.

“Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të mbahet samiti, por me siguri jo në vitin 2027. Dhe në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të jetë në Tiranë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, një zyrtar i NATO-s deklaroi të enjten se “samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Shqipëri”, por shtoi se vendimi për datën ende nuk është marrë.

Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, planet për mbajtjen e samitit në Tiranë ishin vënë në dyshim që në muajin qershor, për shkak të rezistencës nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësive mes vendeve anëtare lidhur me nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen.

Gjithashtu, NATO po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së praktikës së samiteve vjetore, një lëvizje që shihet si mënyrë për të shmangur tensione të mundshme me presidentin Trump.

Ndërsa në deklaratën e samitit të Hagës në qershor 2025 parashikohej që takimi në Turqi në vitin 2026 të pasohej nga ai në Shqipëri, në deklaratën e samitit të Ankarasë të mbajtur në korrik të këtij viti, liderët e aleancës nuk përmendën as kohën dhe as vendin e takimit të ardhshëm. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Orkestra Simfonike e RTSH-së mban koncert më 13 nëntor

Published

on

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të mbajë më 13 nëntor një koncert të veçantë muzikor, nën drejtimin e dirigjentit Artan Liçaj.

Në këtë mbrëmje do të interpretojnë edhe solistët Lorenc Radovani në violinë dhe Fatma Spahiu në piano.

Programi artistik përfshin vepra të kompozitorëve Gara Garayev dhe Felix Mendelssohn Bartholdy, si dhe premierën e veprës “Echoes of Spring” nga kompozitori Shpëtim Saraçi.

Koncerti do të nisë në orën 19:00, në sallën “Ferdinand Deda”, ku publiku do të ketë mundësinë të shijojë një mbrëmje me muzikë klasike dhe interpretime artistike.

/ A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Shkon në 12 numri i të vdekurve nga aksidenti në Bullgari

Published

on

By

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 46 të tjerë janë lënduar si pasojë e dy aksidenteve të rënda zinxhirore të ndodhura mëngjesin e sotëm në autostradën që lidh kryeqytetin e Bullgarisë, Sofjen, me qytetin bregdetar të Burgasit.

Ministrja e Shëndetësisë, Katya Ivkova, bëri me dije se 10 persona ndërruan jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë nuk u mbijetuan plagëve gjatë transportimit për në spital.

Përplasja e fuqishme, e cila ndodhi rreth orës 07:00, përfshiu 86 automjete dhe kamionë të rëndë në të dyja drejtimet e autostradës, duke detyruar autoritetet të bllokojnë tërësisht qarkullimin. Sipas vlerësimeve të para të policisë, shkak për tragjedinë dyshohet të jenë bërë mjegulla e dendur, lagështia në rrugë dhe shpejtësia e papërshtatshme.

Tragjedia ka tronditur udhëheqjen shtetërore në Sofje. Kryeministri Rumen Radev ndërpreu takimin me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të inspektuar vendin e ngjarjes, ndërsa presidentja Iliana Yotova u kthye me urgjencë nga Forumi i Paqes në Paris. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Liburn Aliu jep dorëheqje nga pozita e drejtorit të Portit të Durrësit

Published

on

By

Liburn Aliu ka dhënë dorëheqje nga detyra e drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit, ndërsa në vend të tij është emëruar zëvendësdrejtori i deritanishëm i përgjithshëm, Andrea Shllaku.

Arsyet zyrtare të largimit të Aliut nuk janë bërë ende të ditura nga institucioni, mirëpo ky vendim vjen menjëherë pas thirrjeve të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për largimin e drejtorëve rajonalë nga postet e tyre drejtuese.

Aliu e kishte marrë drejtimin e Portit të Durrësit më 28 tetor të vitit të kaluar, pasi më parë kishte shërbyer si ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës deri në gusht të vitit 2025. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara